Nga: Frank Shkreli
- Në kuadër të 100-vjetorit të marrëdhënieve ameriano-shqiptare
Aktivisti i komunitetit shqiptaro-amerikan në Shtetet e Bashkuara, Mark Gjonaj, para disa ditësh, njoftoi komunitetin këtu në Nju Jork dhe anë e mbanë Amerikës se të shtunën me 9 prill në ora 12, në adresën 1201 Morris Park Ave, Bronx, NY 10461, do të zhvillohet ceremonia e emërimit të një rruge në kujtim të Fan Nolit, në adresën 1201 Morris Park Ave, Bronx, NY 10461. Në njoftimin për këtë ngjarje që më dërgoi Z. Mark Gjonaj, thuhet se ky është, vërtetë, “një rast i jashtzakonshëm për komunitetin shqiptaro-amerikan, ndërsa festojmë trashëgiminë tonë në këtë vend si edhe kontributet tona si qytetarë, në jetën dhe veprimtarinë e Shteteve të Bashkuara”. Njëri prej nesh, si emigrant në këtë vend, Fan Noli (1882-1965) ka qenë një udhëheqës shqiptar, kryeministër, shkrimtar, akademik, diplomat, politikan, historian, orator si dhe themelues i Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare dhe bashkthemelues i Federatës Pan-Shqiptare Vatra në Amerikë, thuhet në njoftimin që më dërgoi Z. Gjonaj. Prandaj, është me vend që të zhvillojmë këtë ceremoni për një individ i cili ka kontribuar aq shumë, jo vetëm për komunitetin tonë, por dhe për Shtetet e Bashkuara dhe për Atdheun tonë, thekson Mark Gjonaj në njoftimin e tij.
Ceremonia e emrimit të një rruge të Bronksit në emër të Fan Nolit – e mbështetur nga disa dyzina organizatash shqiptaro-amerikano — duhej të ishte zhvilluar fillim muajin e kaluar, në përvjetorin e vdekjes së Nolit (13 Mars 1965), por për arsye të disa çeshtjeve administrative u shty për këtë javë. Ishte caktuar muaji i Marsit edhe për arsye të datës 15 Mars, 19991, data e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, por edhe për të shënuar gjithashtu edhe 100-vjetorin, këtë vit, të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona. Është me fat kjo koincidencë, sepse siç dihet, Fan Noli ka qenë promovuesi dhe vazhdon të jetë simbol i këtyre marrëdhënieve të ngushta, e miqësore, midis dy kombeve tona. Ai i vuri themelet këtyre marrëdhënieve mbi të cilat ndërtuan e forcuan edhe brezat e shqiptaro-amerikanëve pas tij, por sidoqoftë, ato mbeten pjesë e trashëgimisë së tij. Këta dy përvjetorë janë një rast që të mos harrohet roli dhe kontributi që Fan Noli ka dhënë në fushën e diplomacisë midis dy kombeve tona.
Ia vlen të rikujtojmë, në kuadër të ceremonisë për emrimin e një rruge në nder të tij të shtunen në në Nju Jork, rolin dhe përpjekjet e Nolit për të bindur Presidentin amerikan Udrou Uilson, që Amerika të mbështeste pavarësinë e shtetit të ri shqiptar. Njihet tani gjerësisht fakti se Noli ia doli të siguronte mbështetjen e Udrou Uilsonit në përkrahje të Pavarësisë së Shqipërisë, i cili sipas Nolit, i kishte thënë atij se: “Një zë do të kem në Konferencën e Paqes dhe atë zë do e përdor në mbrojtje të Shqipërisë”. Ishte ky një angazhim i fortë i Presidentit Uilson që ndaloi copëtimin e mëtejshëm të Shqipërisë dhe një akt tepër i rëndësishëm i Fan Nolit, në fushën e diplomacisë, në mbrojtje të interesave shqiptare.
Arritjet e Fan Nolit në fushën e historisë kombëtare dhe fetare të Kombit shqiptar, janë gjithashtu të shumta dhe të mëdha. Rolin e tij në fushën e diplomacisë, siç ishte ndërmjetësimi i tij me Presidentin amerikan Uilson në mbrojtje të së drejtës së Shqipërisë për të vendosur vetë fatin e saj, si dhe pjesëmarrjen që thuhet se e dalloi atë në Konferencën e Lidhjes së Kombeve në mbrojtje të interesave të kombit të vet — besoj se përbëjnë vepër kulminante të veprimtarisë së këtij gjiganti të kombit shqiptar. Gazeta angleze ‘London Daily Mail’ kishte venë re, në atë kohë, zotësitë e Nolit në fushën e diplomacisë dhe si rrjedhim e kishte cilësuar atë si burrështetasin më të aftë, jo vetëm ndër shqiptarët, por të mbarë Ballkanit.
Suksesi i Fan Nolit në mbrojtjen e Shqipërisë dhe të Shqiptarëve në Konferencën e Lidhjes së Kombeve në Gjenevë e vërtetoi dhe e ngriti atë në një diplomat të rangut botëror dhe e bëri Nolin si njërin prej udhëheqësve më të dalluar të jetës politike dhe diplomatike shqiptare ndoshta i të gjitha kohërave. Ndërsa si anëtar i komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara ai ka shërbyer si zëdhënës dhe përfaqësues i denjë i të drejtave të shqiptarëve kudo ndërkohë që vet emri i tij reflekton edhe sot promovuesin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, edhe në këtë 100-vjetor të vendosjes së këtyre marrëdhënieve.
Të shtunën me 9 prill, komuniteti shqiptaro-amerikan në Bronks të Nju Jorkut, me emrimin e një rruge në nder të tij, do të kujtojë njërin prej shqiptarëve më të njohur të këtij komuniteti, por edhe një burrështetas të dalluar dhe diplomatin shqiptar, i cili me veprat e tij kombëtare në të kaluarën, në vazhdimësi nderon edhe sot Kombin shqiptar në përgjithësi dhe komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara, në veçanti. Kjo është edhe arsyeja që Z. Mark Gjonaj ka punuar aq gjatë dhe me aq vendosmëri për të nderuar këtë burrë të madh të Kombit shqiptar me emrimin e një rruge në Nju Jork, në emër të këtij shqiptaro-amerikani të njohur të botës shqiptare. “Të një burri me të cilin do krenohej çdo vend”, do shkruante gazeta britanike, ‘Manchester Guardian në vitin 1924. Fan Noli i përkiste një brezi viganësh të Rilindjes së vërtetë të Kombit shqiptar. Është thënë se së bashku, Fan Noli dhe Faik Konica, këta dy burra të mëdhej të Kombit shqiptar, kishin vendosur Bostonin si kryeqendrën e veprimtarisë së atëhershme patriotike dhe diplomatike shqiptare në të njëjtin nivel me qendrat e lëvizjeve patriotike shqiptare të trojeve shqiptare, Vlorën dhe Prizrenin. Ata e dinin ku ta vjerrnin pushkën e ku t’i kishin shpresat për të ardhmen e kombit të vet – në Amerikën e Washingtonit, Xhefersonit dhe Wilsonit, vendit të lirisë dhe të demokracisë.
Rruga me emrin e Fan Nolit në Nju Jork do ua kujtojë këtë fakt brezave të tanishëm dhe të ardhëshëm të shqiptarëve në Amerikën tonë të dashur por edhe shqiptarëve kudo, e sidomos komunitetit shqiptaro-amerikan në Nju Jork. Fan Noli citohet të ketë thënë se Shqipëria dhe shqiptarët i kanë shumë borxhe Amerikës. Në kuadër të këtij 100-vjetori të marrëdhënieve midis dy vendeve tona mike – të dyja të dashura shumë për të gjithë ne — komuniteti shqiptaro-amerikan, falë përpjekjeve të aktivistit të dalluar të komunitetit tonë Mark Gjonaj – po i këthen një borxh sado të vogël Fan Nolit për punën e tij si promovues i këtyre marrëdhënieve dhe i veprimtarisë së tij kombëtare dhe fetare, në përgjithësi gjatë shekullit të kaluar, këtu në Shtete e Bashkuara.
Fan Noli me udhëheqës të tjerë botërorë, të ftuar nga Presidenti Woodrow Wilson, për të marrë pjesë në festimet e Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara më 4 Korrik, 1918.