Dom Lush Gjergji, Prishtinë
RAOUL FOLLEREAU
(1903 – 1997)
(Dita e 69 – të kushtuar gërbulës në botë, 30 janar)
“Atëherë iu paraqit një i gërbulur, ra në gjunjë dhe iu lut:“Nëse do, mund të më pastrosh!” Jezusi pati dhembshuri, shtriu dorën, e preku dhe i tha: “Dua! Qofsh pastruar!”
(Mk, 1, 40-42)
“E vërteta e vetme është ajo në dashuri dhe krijimin e botës së re; vetëm duke dashur mund të zbulojmë fytyrën e vërtetë të Hyjit… Askush nuk ka të drejtë të jetë i lumtur në vetmi, por të gjithë së bashku”. Raoul Follereau
Raoul Follereau u lind në Nevers (Francë) në vitin 1903 në një familje me gjendje të mirë të klasës së mesme shoqërore. Si djalë i ri mrekullohej bukurive natyrore, deshi lojën, këndimin. Kishte prirje të natyrshme për poezi, disa herë dinte të shkruante edhe pjesë teatrale dhe në këtë ishte mjaft i suksesshëm. Dukej se teatri do t’i jetë pasioni i tij i madh dhe veprimtaria e tij krijuese jetësore. Për të pasur mundësi që të shkruante pjesë teatrale, udhëtoi shumë nëpër pjesë të botës, sepse kështu kishte mundësi të njihte dhe të kishte përvojë nga të tjerët, nga paraqitjet e mëdha teatrale.
Në njërin nga udhëtimet e tij studimore shkaku i motiveve profesionale, por edhe për t’i njohur dhe shijuar bukuritë natyrore, përjetoi një „teatër të gjallë“ tronditës. Ishte në Nigjeri, së bashku me bashkëshorten e tij, Madeleine. Atëherë ishte 25 vjeçar. Shkaku i prishjes mekanike në automjet, u deshtë të ndalët në mes të një fushe. Sa qelë e mbyll sytë, rreth tij u grumbullua një mori njerëzish, burra e gra. Ishin të deformuar nga gërbula, të përjashtuar dhe përzënë nga mjediset e tyre. Jetonin tërësisht të vetmuar. Dukeshin sikur hijet e ferrit. Realitetin çfarë nuk kishte njohur askurrë më parë, edhe më pak kishte parë! Ishin shndërruar në krijesa pa pamje dhe formë njerëzore. Dhe prapë dëshironin t’i ndihmojnë në këtë fatkeqësi të makinës. Çudi, vallë jo?
I prekur dhe tronditur thellë me këtë “pjesë teatrale” të vuajtjes, Follereau vendosi t’ju ndihmojë. Së shpejti filloi të studionte sëmundjen e gërbulës, si dhe mundësinë e shërimit. Pas një kohe të caktuar të studimeve dhe mendimeve, erdhi deri te ky përfundim: gërbula është sëmundje e shkaktuar nga rrethanat e mjera të jetës, mosushqimit, papastërtisë.
Raoul Follereau kuptoi se e vërteta e vetme e cila mund të shpëtojë njeriun është dashuria. Për këtë, zgjodhi të donte personat të cilat janë të përjashtuara nga të gjithë, apo siç thoshte edhe ai vetë: „vëllezërit e motrat të sëmurë nga gërbula“!
Rreth 15 milion njerëz janë të sëmurë nga gërbula. Numër trishtues , por edhe më tepër se të shikosh numrin, duhet menduar mbi atë se këta janë vëllezër dhe motra tona! Pikërisht këtyre vëllezërve dhe motrave Foollereau dhe bashkëshortja e tij iu kushtuan tërë jetën – 50 vjet – dhe tërë qenien e tyre.
Ja dëshmia e tij: “Hyji është atë i të gjithëve, edhe i të sëmurëve nga gërbula. Nëse mund të dëgjoni dhe pranoni me ndërgjegje të qetë faktin se 15 milionë njerëz vuajnë nga gërbula, të infektuar janë për shkak të mosushqimit të duhur, papastërtisë, mjerimit, pra, janë të shërueshëm, si dhe faktin tjetër që 12 milionë ende janë pa përkujdesje, terapi adekuate, atëherë ju jeni të sëmurët e vërtetë nga gërbula…“
VETËM DASHURIA DO TA SHPËTOJË NJERËZIMIN
“Vetëm dashuria do të mund ta shpëtojë njeriun e sotëm dhe njerëzimin, por me një kusht të rëndësishëm, të lirohemi nga mentaliteti harxhues ose konsumues, ‚sëmundjes’ parà, kësaj të mallkuare. Mbahu larg atyre të cilët dijnë të shpjegojnë të gjithat, gjithçka dëshirojnë të kryejnë vetëm për para dhe në shenjë të parave; pa këtë mjerim nuk është e mundur të bëjmë asgjë, gjithçka do të shkatërrohet. Ajo që ngashënjen dhe prishë njeriun është paraja, e cila askurrë nuk lumturon. Jini të lumtur duke i bërë të tjerët të lumtur, bashkëpjesmarrës të fatit juaj.“
Jeta dhe vepra e Raoul Follereau ishin të themeluara në dashuri, në fe, në dëshirë dhe vendim të dhënies së vetvetes për çdo ditë gjithkund e për të gjithë, për të tjerët dhe me të tjerët, për njerëzit të pafat. Për këtë filloi të shkruaj, të flas, të vizitonte botën, duke sensibilizuar opinionin publik për gërbulën dhe të gërbulurit. Arriti themelimin e Ditës Botërore të Gërbulës në 125 shtete të botës, duke vënë në qendër të vëmendjes dashurinë e cila mund të shpëtojë edhe të gërbulurit dhe të gjithë ne.
“Ose do të mësohen njerëzit të duhen mes veti dhe të jeton njeriu për njeriun, ose do të përjetojmë shkatërrimin total. Kjo vlen për të gjithë. Bota e jonë nuk ka tjetër zgjidhje përveç kësaj: të duhemi mes veti ose të zhdukemi!… Duhet përzgjedhur. Menjëherë. Përgjithmonë!”
Ai besoi në jetë, në dashuri, besoi në ngadhënjimin e të mirës ndaj të keqes, dëshiroi të jetë profet dhe protagonist i jetës, fesë, të ardhmes të cilën e dëshirojmë, duhet, mund ta ndërtojmë së bashku, me ndihmën e Zotit dhe pjesëmarrjen vëllazërore.
Ja çfarë propozoi: “Besoj se bota e sotme është e lodhur dhe dëshpëruar, rinia është larg Zotit, kërkon për çdo ditë arsyen, idealin, shpresën për jetë, sepse të jetosh pa shpresë, do të thotë të mos jetosh, do të thotë të vdesësh para vdekjes… Para përfundimit të dymijëvjeçarit do të lulëzoj pranvera. Besoj me tërë zemrën time… Do të vdes duke mendua se pas meje do të vijë agimi i madh, i artë dhe vëllazërorë… Nëse arrijmë të kontrollojmë menaxhimin e parave, parave të cilat shkatërrojnë botën… Për të pasur mundësinë e shpëtimit të kësaj bote, na nevojitet që përsëri ta zbulojmë krishterimin. Jemi shumë larg nga krishterimi: njerëzit e fesë së gjallë, me vullnet të mirë ia kanë dhënë fytyrën e vërtetë krishterimit.“
Duke lexuar këto fjalë të mëdha dhe porosi aktuale, jemi në tundim për t’u mrekulluar, të përkufizohemi në fjalët: është i mirë, i mrekullueshëm, është gjeniale, mirëpo çka ai mendonte dhe propozonte megjithatë është e pamundur, utopi e zbrazët!
Raul Folleruau gjatë tërë jetë së tij luftoi kundër armatimit, kundër pasurimit të pakontrolluar dhe egoist që robëron njerëzit, luftoi kundër indiferencës, kundër individualizmit dhe egoizmit të tepruar, kundër mentalitetit harxhues të pakontolluar të kohës sonë. Nuk kishte pasardhës-fëmijë në martesë me Madaleine, mirëpo të gërbulurit e panumërt ishin dhe janë bijtë e tyre shpirtërorë, sepse përmes tij njohën mirësinë, dashurinë, kujdesin, gëzimin e jetës, mundësinë e shërimit si dhe kyqjen në shoqërinë njerëzore.
Duke menduar mbi këtë jetë, ai me një rast tha: “Çka kisha pas për të thënë mbi këtë jetë? Pata mundësi t’i dua të gërbulurit, dhe i desha, dëshirova t’iu bëjë me dije pikërisht këtë: unë i dua, Zoti i do, po nëse dëshironi edhe ju mund t’i duani… Kur e puthsha unë ndonjë të gërbulur, këtë e bënte njësoj edhe bashkëshortja ime… Sot të gërbulurit tanë janë të shpërndarë anë e mbanë botës… Pa bashkëshortet time askurrë nuk kisha mund të bëja atë që bëra, nuk do të isha ky që jam.”
Raul Folleruau kishte besim të madh tek rinia. U thoshte: “Neve të cilët jemi dëshmitarë, shpeshherë të lodhur nga të këqijat e shekullit tonë…, neve të cilët jemi të frikësuar nga garimi për armatosje, nga vdekja…, neve, të cilëve na copëton zemrën klithma, vaji, ofshama: jam i uritur!- e cila del pa ndërpre nga dy të tretat e banorëve të këtij planeti, na mbetët vetëm një strehim i madh dhe madhërueshëm: të jemi sinqerisht vëllezër… Nëse nuk jemi të dobishëm askujt, nëse jeta e jonë nuk i shërben askujt, atëherë ky do të jetë dështim i plotë…”
Gjeniu i dashurisë, siç u quajta unë Follereauan, kishte zemër të madhe për të dashur, të përqafuar dhe shëruar të gërbulurit. Kishte duar të shkruante dhe ledhatonte, këmbë për të ec, apo më mirë të themi, për të shtegtuar rrugëve të mjerimit dhe dhimbjes, sy për të parë në thellësinë e qenësisë njerëzore – të gërbulurve – fytyrën e vëllait dhe motrës, edhe më tepër, të Hyjit. Kishte gojë për të folur, për të zgjuar edhe të tjerët nga ngashënjimi i indifiterizmit, konsumizmit dhe materializmit. Ai, vërtet ishte zëri që paralajmëronte, të qortonte dhe bërtiste në të gjithë pjesët e botës: “Bota do të shpëtoj vetëm nëse di dhe zbaton artin e dashurisë!“
Follereau kishte guxim të rreshtohet në anën e të gërbulurve për t’i mbrojtur, shëruar, t’i donte dhe trajtonte sikur vëllezër dhe motra. Në këtë stil të jetës, gjeti vetveten, gjeti Dashurinë – Zotin, për të pamundshmen nëpërmjet dashurisë, flijimit dhe dhurimit deri në vdekje.
Para vdekjes thoshte: “Unë nuk do ta pres fundin e mijëvjeçarit të dytë me këtë shëndet çfarë kam. Nuk ka rëndësi. U them të gjithëve: pasurohuni duke i lumturuar të tjerët, pasurinë të cilën iu lë juve është e mira të cilën e bëra, çka dëshiroj të bëj, por edhe çka do të bëni ju pas meje. Për këtë le t’ju ndihmojë dëshmia ime. Kjo është dëshira ime e fundit, porosia ime. Fatkeqësia më e madhe e cila kishte mund t’ju ndodhte do të ishte kjo: të mos jeni askujt në dobi e të mos i shërbeni askujt.”
Ja, edhe një këngë – lutje e Follereau-t:
O, Zot, ja të gërbulurit tu,
pa duar dhe me fytyra të mbufatura,
të dëbuar, të braktisur, të papastër,
të cilët bartin si kryqin tënd
gjithë mjerimin e botës.
O, Zot, ia të gërbulurit e vërtetë,
egoistët, të patenzotët,
ata të cilët jetojnë në këneta,
dembelët, frikacakët,
ata të cilët shkatërrojnë jetën e tyre.
O, Zot, ata janë të gërbulurit e vërtetë,
ata të cilët të kryqëzuan.
Follereau nuk u ndal vetëm në konstatimet e fakteve të thjeshta. Mirëpo, guximshëm filloi luftën kundër aq shumë padrejtësive dhe të këqijave të kohës sonë. Thoshte: “Lufta këndë gërbulës nuk është asgjë tjetër përpos një kapitull i luftës së madhe të cilën duhet të ndërmarrim të gjithë kundër atyre të gërbulurve të cilët janë më infektuese se vet gërbula: mjerimi, uria, fanatizmi, punët e turpshme, dhuna, lufta.”
Të rinjve iu tha: “Gjenerate e jonë mblodhi armatim, ata të rriturit, ai Nixonovi, Pompidouvi, Brezhnjeviku, zgjodhi armët. Duhet që gjenerata e re, gjenerata e juaja të kthehet sa më parë nga kjo rrugë e gabuar … Në ju është tani ju të luftoni e përzgjedhin, për rininë botërore. Mos u ndalni, mos pranoni kompromise… Mbi të gjitha besoni në të mirën e njeriut. Sepse në zemrën e çdo njeriu ekziston thesari i madh i dashurisë.”
Përmes Nënë sonë Tereza dhe shumë të tjerëve, vazhdoi kujdesi dhe dashuria e mrekullueshme edhe për të gjithë të gërbulurit e botës. Për fund një pyetje e Raul Follereaut:
“Nëse Krishti nesër do të trokas në dyert e juaja,
a do ta njihni?
Do të jetë sikur dikur, njeri skamnor…
Padyshim, do të jetë punëtor….
Ndoshta do të jetë refugjat…
Do të jetë i gërbulur…”
Don Lush GJERGJI
(Don Lush Gjergji, Dashuria që nuk vdes, të mëdhenjtë e shekullit XX, DRITA, 2013, f. 123 – 129)