- Prof. Dr. Nexhmedin Spahiu ka lindur në Mitrovicë, më 20 shtator 1964. Nexhmedini është matematikan dhe politolog, autor i Teorisë për Kombin Kosovar. Ka qenë profesor në Universitetin e Tiranës, në Universitetin e Tetovës, në Universitetin e Prishtinës dhe në Universitetin e Hamburgut. Nexhmedin Spahiu ka botuar punime shkencore edhe në fushen e matematikës edhe atë të shkencave politike. Ka botuar 11 libra.
- – “Ekuilibret Shqiptare”, Tiranë, 1997- “Shqiptarët dhe serbët në luftën finale për Kosovën” Tiranë, 1998- “Drejt Protektoratit Ndërkombëtar në Kosovë”, Tirana, 1998
- – “Serbian Tendencies for Partitioning of Kosova”, Central European University, Budapest, June 1999 (Tendencat Serbe për Copëtimin e Kosovës).
- – “Drejt Kombit Kosovar” , Mitrovicë, 2004
- – “National Awakening Process among Orthodox Albanians”, Hamburg, 2006. (“Zgjimi kombëtar në mesin e shqiptarëve ortodoksë”)
- – “Kombi në Inkubator” Prishtinë, 2010
- – “Foshnjeria e Kombit Kosovar” Prishtinë, 2014[1]
- – “Kosova and Albania in the Future Closer or Further Apart from Each Other”? Prishtina, 2021
- – “Kosova dhe Shqipëria në të ardhmen më afër apo më larg njëra tjetrës”? Prishtinë, 2021Analizat e tij politike shquhen për kah sensi kritik, guximi për t’u marrë me çështjet më delikate në situata të rrezikshme dhe parashikimi i saktë proceseve politike. Në një ese të botuar në fillim të vitit 1992, Spahiu ka paraparë epilogun e luftërave në ish Jugosllavi, bombardimin e Beogradit nga NATO, dhe shumë zhvillime tjera politike.Më 1987/88 ka qenë udhëheqës studentor i Universitetit të Kosovës, kurse më 1988/89 koordinator i udhëheqësve studentorë të ish-Jugosllavisë.Më 1999 themeloi Radio Televizionin e Mitrovicës, ku promovoi debatin për çështjet më të nxehta politike e kulturore. Që nga viti 1999 ka drejtuar Kuvendin e OJQ-ve të Kosovës si një trup përfaqësues i shoqërisë civile kosovare.
- Intervistë e Drinit me Prof.Dr. Nexhmedin Spahiun
A mendoni se politika dhe diplomacia e Shqipërisë dhe Kosovës e ka lënë anash çëshjten e Sanxhakut, Masbjeshkës, qysh njihet nga populli kjo hapësirë gjeografike , e banuar historikisht prej shqiptarëve?
Prof.Dr.N.Spahiu: Po. Deri para ca vitesh Shqipëria zyrtare kishte zero njohuri për Sanxhakun, por në ditët e fundit të mandatit Presidenti Ilir Meta dekoroi 7 personalitete nga Sanxhaku dhe medalet për ta ia dorëzoi kryetarit të Këshillit Kombëtar të Sanxhakut, Dr. Sulejman Uglanin. Dekoratat më të larta të shtetit shqiptar u dhanë për:
1. Ajdin Draga (1864-1914), delegat i Sanxhakut në Kuvendin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë më 28.11.1912. U vra bashkë me koloneli Thomson, te Ura e Dajlanit në Durrës.
2. Nexhip Draga (1869-1921), kryesues i shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë në Shkup me 13.10.1912 bashkë me Hasan Prishtinën (1873-1933), Bajram Currin (1864-1925), Isa Boletinin (1864-1916), Mit’hat Frashërin (1880-1949), Mustafa Krujën (1887-1958) etj. Themelues i Xhemijetit më 1919. Vdes në Vjenë.
3. Ferat Draga (1880-1944), lideri politik kryesor i Sanxhakut, Kosovës dhe Maqedonisë në periudhën mes dy luftërave botërore.
4. Aqif Blyta (1887-1945), nënkryetar i Xhemijetit, nënkryetar i Lidhjen e Dytë të Prizrenit (1943), deputet i Sanxhakut të Novi Pazarit në Asamblenë Kushtetuese (Parlamentin e përkohshën) në Tiranë.
5. Dervish Mitrovica (1878-1935), kryetar i Mitrovicës më 1915-1918, deputet në Parlamentin e Shqipërisë së viteve të 20-ta.
6. Dr. Xhelal Mitrovica (1916-1974), drejtor i parë i Radio Prishtinës (29.05.1942), bashkëpunëtori më i afërt i Xhafer Devës (1904-1978).
Po të njëjtit personalitete i janë propozuar për dekoratë edhe Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi më 2019 me rastin e 100 vjetorit të themelimit të “Xhemijetit”, por edhe pse Presidenti Thaçi ishte organizator i manifestimit të 100 vjetorit të “Xhemijetit” dhe kishte përgaditur medaljet për 3 nga këta 6 personalitete, i nxitur nga Blerim Latifi, në momentin e fundit i ra pishman dhe as nuk erdhi as nuk i ndau medaljet.
Propozimi për dekorimin e këtyre personaliteteve i është dërguar para dy vitesh edhe Presidentës Vjosa Osmani, por dekorimi i tyre akoma nuk po ndodhë.
Përse po e përmendi dekorimin e personaliteteve nga Sanxhaku? Vallë, a nuk ka çështje më të rëndësishme në këto raporte? Ka , por ky është treguesi më i qartë se sa larg i rrin Sanxhakut diplomacia kosovare dhe ajo shqiptare.
Përpjekjet e mia për të afruar lidershipin politik të Sanxhakut me lidershipin politik të Kosovës dhe atë të Shqipërisë dhanë rezultate të pakta. Presidenti Meta përpos dekorimit të personaliteteve të Sanxhakut , që luajtën rrol thelbësor në historinë e Kosovës dhe të Shqipërisë, takoi edhe nja dy herë liderin politik të Sanxhakut, Dr. Sulejman Uglanin dhe e ftoi atë në pritje me rastin e 28 Nëntorit.
Kryeministri Edi Rama as që do t’ia dijë për Sanxhakun e Novi Pazarit. Pandeli Majkon, kur ishte ministër për diasporë u përpoqëm ta bindim që të vizitonte Sanxhakun, por pos mikpritjes së mirë që na bëri mua, Ismet Azizit, Xhavit Kastratit (djali i djalit të Shaban Polluzhës), Prof.Dr. Mazllum Baraliut dhe gazetarit Marin Mema, vizita në Sanxhak nuk u bë.
Sa i përket lidershipit politik kosovar, Presidenti Hashim Thaçi ka takuar Dr. Sulejman Uglanin në nja dy raste, ministri i jashtëm Pacolli e ka pritur në zyrën e vet dhe ka shtruar darkë në rezidencën e vet për delegacionin e Sanxhakut. Kryeministri Haradinaj pat dërguar telegram urimi me rastin e një përvjetori në Sanxhak dhe këtë e bëri sivjet edhe shefi i opozitës Memli Krasniqi.
Diçka më shumë ka bërë kryemiistri Albin Kurti, i cili ka pritur në zyre delegacionin nga Sanxhaku bashkë me atë të Luginës së Preshevës. Kryeministri Kurti nuk harron të urojë përvjetorë të rëndësishëm që kanë të bëjnë me Sanxhakun. Por deri te kontakti mes Albin Kurtit, atëherë si shef opozite, dhe liderëve politikë të Sanxhakut nuk ishte rrugë e lehtë.
Pas shumë orvatjeve për të organizuar një takim mes Albin Kurtit e Sulejman Uglaninit, më në fund arrita që më vijnë për darkë në një restorant mes Mitrovicës dhe Zubin Potokut, por nuk kish qenë e thënë të paguaja 3-4 darka po 20 e kusur sepse të dy palët kishin ardhur me delegacione dhe mua më shkoi gjysma e rrogës për atë darkë për çfarë nuk u bëra pishman fare sepse premtimet ishin të forta nëse VV do të vinte në pushtet dhe unë e dija se do të vinte në pushtet.
Fatkeqësisht edhe pas dy viteve e gjysmë në pushtet nuk u realizuan premtimet e Albin Kurtit se studentët nga Sanxhaku do të trajtohen me kuota të barabarta , si ata të Luginës së Preshevës, se do të ketë bursa për ata sanxhakas që do të studiojnë në Kosovë, se në librat shkollorë do të mësohet më shumë për Sanxhakun e historinë e tij, se shkollave, rrugëve dhe bulevardeve të Kosovës do t’u vihen emra të personaliteteve të Sanxhakut, etj.
Pse ndodhë kjo …? Cila mund të jetë arsyeja e kësaj rrjedhe të keqe në qëndrime ndaj një pjese të popullit, që historikisht është mbrojtur nga Shqiptarët e Kosovës, qofshin ata burra nga Shala e Bajgores, nga Drenica, Fusha e Kosovës apo Rrrafshi i Dukagjinit?…
Sanxhaku është thembra e Akilit e Serbisë. Politikanët e Kosovës dhe ata të Shqipërisë nuk duan ta prekun Serbinë në thembrën e Akilit. I druhen hakmarrjes së Beogradit. E dinë se Beogradi ka agjentura të fuqishme si në Kosovë si në Shqipëri dhe ata në mënyrë të padukshme mund të godasin karrieren e tyre. Këta politikanë e dijnë që kur e shajnë Serbinë, Serbia nuk mërzitet për atë punë , po kur merresh me Sanxhakun e prekë atë në tel. Duke injoruar Sanxhakun ata vendosin pakt paqeje me Beogradin. Vetëm më të guximshmit bëjnë hapa në këtë drejtim.
Për Kosovën Sanxhaku është shtegu i suksesit. Kur njërin lider politik të Kosvës e pata këshilluar që ta ndihmojë Sanxhakun, më pat pyetur se përse duhet ta ndihmojmë Sanxhakun?! U pata përgjigjur se ne duhet ta ndihmojmë Sanxhakub sepse kanë nevojë për ndihmën tonë, sepse janë njerëz të gjakut tonë, edhe sikur të mos të ishin njerëz të gjakut tonë janë në fqinjësi tonë, janë në pozitën sikur Kosova që ishte viteve të 90-ta të shekullit XX. Ne nuk mund t’ua kthejmë të mirën amerikanëve, anglezëve, gjermanëve etj që na shpëtuan nga gjenocidi edhe sikur t’ua japim Trepçën, Obiliqin etj. Ne duhet t’i shpëtojmë ata nga gjenocidi për t’ua kthyer të mirën, e ky rast nuk na vjen ndoshta as në 1000 vitet e ardhshme. Por , ne këtë mirënjohje botës që na shpëtoi nga gjenocidi më 1999 ia kthejmë duke i ndihmuar ata që janë më të pafuqishëm se ne. Nëse bota na sheh se si ne e ndihmojmë më të pafuqismit , ajo e kupton se ndihma e saj ka dhënë fryte dhe se ne projektin e lirisë e të pavarësisë e kemi pasur me gjithë mendje, me zemër e me shpirt.
Në foto: Shqiptarët e Sjenicës, dikur…
Po bëhet pothuaj një shekull , qyshkur ajo pjesë e popullit gradualisht u asimilua gjuhësisht në gjuhën serbe, duke humbur shumëcka nga traditat, doket dhe zakonet e veta… Politika titiste fillimisht edhe sanxhakasit “i bëri Musliman”, pastaj nga Serbia “identiteti kombëtar boshnjak”, mu atë identitet dhe vecim që politika serbomadhe e kishte luftuar në Bosnje. Këto pa mëdyshje janë “identitete politike”, njëfar “dhurate danajsh” me qëllim që ti largonin e veconin prej shqiptarëve. A është kështu…?
Po. Kur themi Serbia apo Mbretëria SKS, Jugosllavia e Mbretit apo Jugosllavia e Titos, po flasim për të njëjtën krijesë politike, krijesën politike të kombit serb. Kjo krijesë, shkëputjen e Sanxhakut nga Kosova dhe dhe shkëputjen e Sanxhakut nga Bosnja e ka parë si prioritetin e vet kombëtar. Prej vitit 1912 e deri më sot për këto 111 vite, politika serbe arriti që të bëjë këto shkëputje territoriale. Sot Veriu I asaj hakut, Priboji e Prijepolja, janë shndërruar në komuna me shumicë serbe. Kjo gjë e ndanë Sanxhakun nga Bosnja. Në anën tjetër Veriu I Kosovës është zbrazur nga shqiptarët. Deri më.1948 sipas një harte të përpiluar në atë kohë, shqiptarët përbënin shumicën në Veri të Kosovës. Po të shkosh në Stamboll te shoqata e Mitrovicalive, aty gjen njerëz nga Zherovnica, Banjska, Zhitkovci etj, fshatra këto që sot nuk kanë asnjë shqiptar. Vetë toka nën Liqenin e Gazivodës ka qenë pronë e Hasan Prishtinës e vëllezërve Dragaj. Zveçani ka qenë pronë e Gjyshit të Dr. Sulejman Uglanit, I cili vdes në momentin kur Qeveria e Serbisë ia konfiskon pronën. Njerëzit e Sanxhakut që përpiqen të bëjnë lidhje me Kosovën e Shqipërinë përdiqen. Kurse njerëzit në Kosovë që duan të bëjnë lidhje me Sanxhakun janë në tehun e shpatës së agjentëve të Serbisë më Kosovë. Zakonisht njerëzit e tillë etiketohen si ekstremistë myslimanë.
Si politolog , studiues dhe njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare, si e shpjegon përpjekjen e parreshtur të Serbisë (dhe jo vetëm të saj), që pjesa veriore e Kosovës prej nga në fillim të vitit 2000 u dëbuan me dhunë e terror mbi 15 mijë shqiptarë, të shndërrohet në njëfar “çështje serbe”, pavarësisht se aty nuk jetojnë as 40 mijë serbë, një pjesë e konsiderueshme e të cilëve u vendosën si kolonë, pasi ushtria kroate i kishte dëbuar?
Serbia ka ngulmuar te kjo pjesë për dy arsye strategjike. Për shkak të Liqenit të Gazivodës i cili furnizon me ujë Mitrovicën, Vushtrrinë, Skenderajn, Prishtinën, Fushë Kosovën dhe Obiliqin. Pa ujin e Gazivodës as termoelektranat nuk funksionojnë dhe e gjithë Kosova ngelet pa energji elektrike. Arsyeja tjetër strategjike është ndërprerja e vazhdimësise tokësore me Sanxhakun.
A ka lidhje a ndërlidhje kjo “harresë” apo “injorim” i politikës dhe diplomacisë së Shqipërisë e Kosovës, në raport me Sanxhakun, pavarësisht se politika e Kosovës u bëri aso lëshimesh 4 apo 5 % të serbëve që mund ta rrezikojnë shtetitn e Kosovës edhe më shumë nesër se sa sot?
Në fakt shteti i Kosovës mund të rrezikohet vetëm nga budallaku i shqiptarëve , sepse realisht as serbët e Kosovës e as Serbia në rrethanat gjeopolitike në të cilat ndodhet , nuk mund ta rrezikojë shtetin e Kosovës.
Në të vërtetë që nga paslufta ekziston një përpjekje vetanake, pjesë e së cilës je edhe ti, për ta bërë të njohur e të pranuar çështjen e Sanxhakut për Kosovën dhe Shqiptarët. Ti ke dhënë një ndihmesë të çmuar në themelimin dhe veprimtarinë aktive të Shoqatës “Kosova për Sanxhakun”… A mendon se jeni të pranuar prej politikës dhe popullit të Sanxhakut, pasi tashmë në Masbjeshka pothuaj në përgjithësi e flet serbishten, që ata e quajnë gjuhë boshnjake?…
Nuk mendoj se Kosova apo Shqipëria duhet të punojnë në ri-shqiptarizimin e Sanxhakut. Kjo gjë do të ngjallte refuzim. Ne duhet t’i pranojmë sanxhakasit ashtu siç janë. Duhet t’u ofrojmë ndihmë, t’i afrojmë me ne, pastaj koha e bënë të vetën. Fundi i procesit nuk mund të parashihet , por me rëndësi është bashkëpunimi në mmomentin e pikërishëm si për Kosovën, si për Sanxhakun si për Shqipërinë.
Profesor Nexhmedin Spahiu: A e mendoni si pengesë në raportet Shqipëri – Sanxhak, Kosovë – Sanxhak, faktin tjetër se tashmë banorët e Masbjeshkës e flasin kryesisht gjuhën boshnjake, pasi e morën me imponim apo mashtrime identitetin e dhuruar “kombëtar” – Boshnjak…?
Jo jo aspak. Mirë do t’ishte sikur ky konvertim etnik të mos kishte ndodhur, por tani duhet ta marrim situatën e mirëqenë dhe të vazhdojmë të punojmë mbi bazën e asaj ku jemi sot.
Ti ke punuar me ngulm që në flamurin e Kosovës të jetë pamja e hartës së saj… Kuptohet lehtësisht se me këtë ke synuar ruajtjen e tërësisë territoriale të vendit. Mirëpo sigurisht e ke vërejtur që ajo “tërësi territoriale” u grimcua nga dhënia e Debelldës – Maqedonisë apo Kullës dhe Çakorri – Malit të Zi. Serbia në anën tjetër pasi i mori disa pjesë të një fshati të Kamenicës, ka njëzet e katër vite që sytë i ka drejtuar nga Leposaviqi, Zveçani, Zubin Potoku dhe pjesa e Mitrovicës deri në Ibër. Çka duhet të bëjmë? A mund të bëhet diçka për pengimin e ndalimin e rrjedhës së tillë negative, shtetzhbërëse, që synon të na hajë pak nga pak?
Në fakt, kur më 1998 e kam ideuar flamurin e Kosovës (më 1999 është publikuar), këtë që është sot flamur zyrtar vetëm se pa ato 6 yjet, as që e kam menduar se do të rrezikohen kufinjtë me Maqedoninë apo Malin e Zi. Merrne krahasone harten që është në flamurin kombëtar të Kosovës me harta gjeografike dhe do ta vëreni se Debëlldeja, Kulla e Çakorri janë brenda hartës që ndodhet në flamur. Arsyeja pse unë kam vendosur harten në flamur, e siç e dini harta ishte simbol edhe para shpalljes së pavarësisë së Kosovës në formën e llogos së institucioneve, është se i frikësohesha ndryshimit të kufijve me Serbinë. Po shqetësimi imi i para 25 viteve u tregua më shumë se i qëlluar.
Si mund të përmirësohen marrëdhëniet Shqiptare me Masbjeshkën (Sanxhakun) , kur dihet e njihet historia dhe qëndresa jonë e përbashkët, në kohën kur shqiptarët e deridjeshëm (edhe ata që e kishin humbur gjuhën shqipe e flasin serbisht), tash thonë që janë boshnjak?! A e mendoni këtë si një pengesë , një lloj hendeku për të na ndarë që e ka vendosur pasi e ka menduar mirë e thellë shkenca, politika e doiplomacia serbomadhe?!
Në skenën politike të Kosovës e të Shqipërisë duhet të vijnë njerëz më të guximshëm e më vizionarë që e sfidojnë Serbinë e që e kuptojnë rëndësinë e bashkëpunimit me Sanxhakun. Duhet që jeta politike e kulturore e Sanxhakut të jetë përditshmëri në mediet e Kosovës dhe të Shqipërisë. Duhet që Qeveria e Kosovës dhe Shqipërisë të ndajnë bursa për studentë sanxhakas që studiojnë në Kosovë e Shqipëri respektivisht. Duhet që nxënësit e studentët tanë ta mësojnë historinë e Sanxhakut. Duhet që politikanët e diplomatët e Kosovës e të Shqipërisë t’i vëjnë në kontakt me lidertët politikë të Sanxhakut. Duhet që Tirana të hapë konsullatë në Novi Pazar , ashtu siç e ka ba Ankaraja e Sarajeva. E këtë duhet ta bëjë edhe Prishtina , në momentin që krijon marrëdhënie diplomatike me Beogradin.