Don Lush Gjergji, Prishtinë
(25 – vjetori i vdekjes së Nënë Terezes)
JEZUSI DEL PREJ SHTËPISË
“Profetit nuk i jepet nderim vetëm në vendlindjen e vet e në shtëpinë e vet. Për shkak të mosbesimit të tyre nuk bëri aty shumë mrekulli”.
(Mt 13, 57-58)
“Sot, çdo gjë është në diskutim, çdo gjë ndryshon, të kthehemi në Nazaret. Jezusi ka ardhur për ta shëlbuar botën, për të na mësuar dhe dhuruar Dashurinë e Atit.”
(Nëna Tereze)
Çdo njeri përgatitet sa më mirë të jetë e mundshme për jetë: për punë, nëpërmjet edukimit, shkollimit, profesionalizmit dhe përcaktimit jetësor. Dalja prej shtëpisë, rrethit familjar, rinia, përgjegjësia, studimi, puna, jeta, janë detyra të madhe dhe të rëndësishme për çdo njeri. Stili i ri i jetës kërkon shumë përgatitje dhe detyrime, por ka edhe mjaft rreziqe. Në rrethana të tilla, njeriu “matet” me vetveten, me të tjerët, vetëdijesohet, ftohet dhe sfidohet për të bërë përzgjidhje jetësore. Kjo edhe është bukuria e rritjes, pjekurisë, angazhimeve familjare, fetare, kulturore, politike, shoqërore, edhe pse kalimi prej moshës në moshë është ende mjaft i vështirë për arsye të pluralizmit të shoqërisë, kulturës dhe fesë.
Këtë ecje, rritje, rëndësi dhe dinamikë e kishte edhe Jezusi.
“Sa është e çuditshme që Jezusi i kishte kaluar tridhjetë vjet pa bërë asgjë, humbje kohe! Pa ia mundësuar personalitetit të tij dhe aftësive ndonjë mundësi për t’u dëshmuar; ne e dimë që në moshën dymbëdhjetë vjeçare, ai ua mbylli gojën dijetarëve dhe priftërinjve të tempullit, sepse dinte shumëçka dhe shumë mirë. Megjithatë, kur prindërit e tij e gjetën, kthehet në Nazaret dhe ishte i nënshtruar atyre. Për tridhjetë vjet, nuk dihet asgjë tjetër për atë, aq sa njerëzit mrekulloheshin kur ishte paraqitur në publik për t’i mësuar, ai, biri i një zdrukthëtari, që ishte marrë me punë të thjeshta në një zdrukthëtari: për tridhjetë vjet.” (Nëna Tereze)
Jezusi, ishte tërhequr në shkreti për 40 ditë, para se ta fillonte jetën botore, ku e kishte tunduar djalli, e ai vendosmërisht e kishte dëbuar atë, tundimet e tij, dhe kishte paralajmëruar fitoren e tij përfundimtare nëpërmjet mundimit, vdekjes dhe ngjalljes së tij. ( krhs. Lk 4, 1-13)
Fillimi i jetës botore të Jezusit, ishte i thjeshtë, në një qytezë peshkatarësh. Shën Marku shkruan kështu: “Arritën në Kafarnaum. Menjëherë, të shtunën, Jezusi hyri në sinagogë dhe filloi të mësojë. Njerëzit mbetën të habitur nga mësimi i tij, sepse i mësonte si ai që ka autoritet e jo porsi skribët.” (Mk 1, 21-22)
Fjala e tij ishte ndryshe nga të tjerët, sepse Jezusi është Fjala e Jetës së Zotit, është vetë Zoti, i cili na flet për së afërmi, si Zot – Vëlla. Fjala e tij kishte zgjuar te dëgjuesit mrekullim dhe habi, etje dhe uri për risinë e mësimit, sepse i mësonte si ai që ka autoritet.
Jezusi e tregonte pushtetin e Zotit, jo vetëm nëpërmjet fjalës, por edhe shenjave të ndryshme, sidomos me anë të mrekullive. “Shi atëherë ishte në sinagogën e tyre një njeri i pushtuar prej shpirtit të ndytë dhe bërtiti: “Çka ke me ne, o Jezu Nazareni? A erdhe të na zhbish? Unë e di kush je: Shenjti i Hyjit.”
Jezusi iu kërcënua: “Hesht dhe dil prej tij!” Shpirti i ndytë, si e përplasi pa mëshirë dhe si lëshoi një britmë të madhe, doli prej tij. Të gjithë u tmerruan dhe i thoshin njëri-tjetrit: “Ç’u bë kështu! Ja, një mësim i ri i pajisur me pushtet! Ky u urdhëroka deri edhe shpirtrave të ndytë dhe ata e dëgjokan. E menjëherë u hap zëri për të gjithkund në katër anët e krahinës së Galilesë.” (Mk 1, 22-28)
Takimi i parë botor i Jezusit me njerëz ishte me shumë befasi dhe risi: për popullin, për të sëmurë dhe të djallëzuar, për fjalë dhe shenja që bënte. Entuziazmi, fama, dashuria për Jezusin rritej gjithnjë e më shumë në Kafarnaum dhe në rrethinë. Flitej dhe thuhej kështu: së fundi ja Njeriu i drejtë në vendin e duhur!
“Ai i shëroi të sëmurit – ishin shumë dhe me sëmundje të ndryshme. Dëboi edhe shumë djaj. Por nuk i lejoi djajtë të flasin sepse e njihnin. Herët në mëngjes, kur ende ishte natë, Jezusi u çua e shkoi në një vend të pabanuar e atje thoshte uratë. Simoni me shokët e vet u vunë ta kërkojnë. Kur e gjetën i thanë: “Të gjithë po të kërkojnë”. Ai u tha: “Ejani të shkojmë gjetiu, në fshatrat e afërme që të predikoj edhe atje. Prandaj edhe erdha”. (Mk 1, 34-39)
Kështu, Jezusi e dëshmonte dërgimin e tij për të gjithë, rëndësinë themelore të uratës, heshtjes dhe vetmisë për veprën e shëlbimit.
Nëna Tereze la shtëpinë, familjen, qytetin e Shkupit, pasi kishte “luftuar” për gjashtë vite me Jezusin, dhe së fundi ishte dorëzuar.
“Familja ime ishte e lumtur. Mirëpo, në moshën 18 vjeçare vendosa ta braktisi shtëpinë time. Prej atëherë s’kam pasur kurrfarë dyshimi në thirrjen time. Ishte vullneti i Zotit, një urdhër më i fortë se unë. Ai më kishte zgjedhë për vete. Hyra në rregullin e Motrave të Loretos.” (Nëna Tereze)
Teksti i kësaj poezie – urate nga anija për Kalkutë, 9 dhjetor 1928, ndër të tjera ka këtë porosi:
“Po le shtëpinë zemër fanar
Vendlindje e fare fis
Po vet në Bengalin
Dergjet vrarë
Atje në të largtin Vis.
Lë të njohurit në mejtime
Të afërmit e a vatrën shqim,
Më tërhiq zemra ime
T’i shërbej Krishtit tim.
Nënë e dashur, lamtumirë
Ju lë shënd’n, miq të mi,
Më djeg, o, një fuqi e dlirë,
Drejt të përflakurës Indi..
Dhe anija lehtë lunderon
Pret valët e detit të trazuar,
Për herë të fundit syri vrojtn
Brigjet e Evropës së hakërruar.
Qëndron në anije e falduar
Fytyr’e përvuajtur gjithë hare
E Krishtit filjetarja e vluar
Nuse e njomë e botës së re.
Një kryq hekuri n’dorë shtrëngon
Shpëtimi lëvarshëm kumbon në të,
E shpirti i gatshëm pranon
Blatën e rëndë fli për të.
“Pranoje, këtë flijim o Zot
Dëshmi e përbetimit,
Ndihmoji gjallesës Tënde sot
Që nderin do ta madhërojë!
Si shpërblim, të lus o Hir,
O Ati i ynë plotë mirësi
Të më japish vetë atë shpirt
At shpirt që -veç ti e di.”
Dhe t’imtë, të pastër si në ag vere vesojnë
Si valët lot rrjedhin qetë, me mall
Që betimin për Ty prore e madhërojnë
Për të madhin blatim që tani u shpall.”
(Dr Lush Gjergji, Lule për Nënën, DRITA, 1986, f. 14-15)
Dërgimi i saj i mëvonshëm, do të jetë dashuria në veprim. Ishte misioni i dashurisë dhe mirësisë, sidomos për ata që vuanin dhe kishin nevojë për kujdes, dashuri, mbi të gjitha për Zotin.
Nëna Tereze, ishte përgatitur me përkushtim për këtë dërgim, siç bëri edhe Jezusi, vite të tëra, në heshtje, në kërkim, në uratë dhe në punë.
Ja dëshmia e saj: “Vitet e përgatitjes, rishtaria, pastaj puna në mësimdhënie si motër e Loretos më dhanë mundësi që ta njohja dhe duaja gjithnjë e më shumë Jezusin”.
Çdokush prej nesh është ftuar në jetë me lindje, në fe me pagëzim, në mirësi dhe dashuri, lumturi me anë të jetës sonë të përditshme. Si do të jetë jeta jonë? Çfarë do të jetë ballafaqimi ynë me botën? Ne, shpesh duam që jeta jonë të jetë ashtu siç mendojmë ne, nëse shkon mirë, ndërsa e “fajësojmë” Zotit dhe të tjerëve, nëse shkon keq. Duke përjashtuar Zotin dhe të afërmin prej jetës tonë, jemi thellësisht të vetmuar, të mbyllur në harkun e egoizmit dhe egocentrizmit: nuk jetojmë më, por atë e “pësojmë”, durojmë, bartim jetën, me qëndrime pasive: çka mund të bëj unë? Jeta qenka e tillë…
Heshtja, urata, familja në harmoni dhe në dashuri janë përgatitja më e mire për jetë, duke pasur parasysh gjithmonë trekëndëshin: Unë – Zoti – Tjerët, si orientim dinamik dhe të hapur për të ardhmen.
Kërkimi i suksesit të menjëhershëm, është tundim djallëzor për shumë njerëz, sidomos për rini. Heshtja e Jezusit për tridhjetë vjet na mëson që duhet të përgatitemi sa më mirë për jetë, punë, familje, shoqëri.
Edhe Nëna Tereze kishte punuar për afro njëzetë vjet në Kalkutë në heshtje. Nga heshtja, urata, vetëmohimi, lindi Nëna Tereze, simboli i mirësisë dhe dashurisë. Ajo thotë kështu: “Mbanë heshtjen që Jezusi e mbajti për tridhjetë vjet jete në Nazaret, dhe që vazhdon ende të mbajë në tabernakull, duke ndërmjetësuar për ne.”
Poeti i frymëzuar nga jeta dhe vepra e saj, ndër të tjera, shkruan kështu:
“Nëna e jonë Tereze,
Nëna e botës mbarë,
Shëron të smurë
Gurin e kthen në arë.
Nëna e jonë Tereze,
Gjithmonë zemër butë,
I ngjan Jezu Krishtit
Me zemër të përvujtë.”
Prishtinë, 2 mars 2022 – Radio Maria – Kosovë