ARKIVI:
23 Dhjetor 2024

Përshpirtëria e Nënës Tereze  

Shkrime relevante

Zëri i ndërgjegjës kombëtare thërret për ndryshim!

Shqiptarë të Plavës dikur..., para se pasardhësit e tyre të bëheshin...

Ja si mund të duket Anglia e bukur, e së ardhmes…!

Jorgo Mandili 21 dhjetor 2024 ___ Britania ishte përpara të gjitha vendeve perëndimore në...

Si i dëboi UÇK-ja hoxhëllarët dhe predikuesit e fesë islame nga frontet e luftës

Luan Dibrani, Gjermani ___ Gjatë periudhës së luftës në Kosovë, Ushtria Çlirimtare e...

Interesat kombëtare të Kosovës, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe konteksti më i gjerë gjeopolitik

Agim Vuniqi, New York ___ Roli i Shqipërisë dhe deklaratat e kryeministrit Rama Fjala...

Shpërndaj

Don Lush GJERGJI , Prishtinë

(25 – vjetori i vdekjes) 

JEZUSI  THËRRET 

“Dashuria më e madhe që ndokush mund ta tregojë është: ta japë jetën e vet për miqtë e vet. Ju jeni miqtë e mi nëse bëni çka ju urdhëroj unë. Nuk ju thërras më shërbëtorë, sepse shërbëtori nuk di çka bën zotëria i tij; unë ju quajta miq, sepse ju zbulova gjithçka që dëgjova prej Atit tim”.  

                                                                                         (Gjn 15, 13-15) 

“Thirrja është ftesë për të qenë tërësisht të Krishtit, me bindje se asgjë s’mund të na ndajë prej dashurisë së tij. Thirrja është një ftesë për të qenë gjithmonë të dashuruar në Zotin dhe për ta treguar këtë dashuri gjithmonë dhe gjithkund”.  

                                                                                             (Nëna Tereze) 

Shumë njerëz e përcillnin Jezusin në udhëtime të tija, në veprimtari dhe në takime, duke ecur pas tij hap në hap. Disa prej tyre ishin aq shumë të lidhur me Të, sa që kishin braktisur çdo gjë, vetëm për të qenë me Jezusin, për të qenë afër tij, për ta ndjekur për së afërmi, për ta dëgjuar, dashur dhe ndihmuar. Jezusi, për këta njerëz, ishte realiteti i ri, i madh, domosdoshëm, gjithçka. E këta ishin nxënësit e Jezusit. 

Bashkësia formohej nga dëgjimi  dhe përsiatja e fjalës, pastaj nga urata, dhe së fundi nga ftesa e Mësuesit, pranimi dhe zbatimi i kësaj thirrje me zemër dhe me jetë, me bashkëpunim miqësor, me vendosmëri dhe dashuri që i shtynte deri te martirizimi. 

Mes grupit të nxënësve të Jezusit, ai zgjodhi apostujt, si bashkëpunëtorët më të ngushtë për veprën e shëlbimit, dymbëdhjetë për t’i paraqitur dymbëdhjetë fiset e Izraelit. (krhs. Lk 6, 12-16) 

Në breg të liqenit ishte një mëngjes dhe ditë e rëndomtë, me shumë njerëz në lëvizje; mes tyre kishte edhe shumë peshkatarë. Edhe ata, si shumë të tjerë, shpresojnë në një ditë të mirë, Çka do të sjellë dita e re? Për disa, asgjë, përpos një dite dhe numri kalendarik, si ditë si çdo ditë tjetër, e mërzitshme, e lodhshme, e padobishme…Për të tjerët do të jetë dita e jetës, zgjedhjes, dërgimit. 

Ja përshkrimi i Shën Markut: “Ndërsa po kalonte bregut të Detit të Galilesë, Jezusi pa Simonin e Andreun, të vëllanë e  Simonit, duke gjuajtur peshk – ishin peshkatarë. Jezusi u tha: “Ejani pas meje e do t’ju bëj peshkatarë njerëzish”. Ata aty për aty i lanë rrjetat e shkuan pas tij. Si eci edhe pak, pa Jakobin e Zebedeut e të vëllanë e tij, Gjonin: ishin në lundër e po arnonin rrjetat. Menjëherë i thirri edhe ata. Ata lanë të atin e vet Zebedeun në lundër bashkë me meditës dhe shkuan pas tij.” (Mk 1, 16-20) 

Kjo është familja e re, ajo e Jezusit, që ka një qëllim të vetëm: dëshminë e dashurisë së Atit, ftesën e njerëzve për kthim, ndërrim, përmirësim me dashuri dhe me falje. 

Thirrja, zgjedhja lind nga miqësia me Jezusin, nga dashuria e tij për ne, nga mësimi dhe sjellja e tij e re. 

“Askush nuk mund të jetë mik më i mirë se Jezusi, sepse dashuria e tij është aq e përvujtë, aq e butë. Ai është gjithnjë besnik deri të dhurimi i jetës së tij për ne.” (Nëna Tereze) 

Nëse e lexojmë më vëmendje Ungjillin, hetojmë disa sjellje karakteristike të Jezusit në zgjedhjen e bashkëpunëtorëve të tij. 

Disa, pasi e kanë njohur për së afërmi Jezusin, pasi kanë nxjerrë ndonjë dhuratë, hir apo mrekulli, kanë dëshirë të shkojnë pas tij. Mirëpo, Jezusi nuk e pranon këtë propozim dhe dëshirë.  

Ja një shembull tipik dhe karakteristik: “Njeriu, prej të cilit dolën djajtë, i lutej ta merrte me vete, por Jezusi e përcolli me këto fjalë: “Kthehu në shtëpinë tënde – i tha – dhe trego gjithë çka bëri Hyji për ty.” Ai shkoi dhe tregoi anembanë qytetit çka bëri Jezusi për të.”  (Lk 8, 38-39) 

Dërgimi i njeriut të shëruar, është shumë e qartë dhe e përpiktë: dëshmia e veprave të Zotit! 

Disa ishin të ftuar prej Jezusit, mirëpo nuk ishin të gatshëm për t’i mohuar të gjitha, e për të jetuar dhe ecur pas Krishtit. Tipik ishte rasti i djaloshit të pasur, i cili, kishte jetë vërtet shembullore. Shi për këtë, Jezusi e deshi dhe e ftoi në përsosmëri, duke e vendosur atë në një sprovë mjaft të rëndë, një zgjidhje jetësore: ose Jezusin ose pasurinë.  

“Nëse do të jesh i përsosur, shko, shit çka ke, falja skamnorëve e ke për të pasur visar në qiell: pastaj eja e më ndiq mua!” (Mt 19, 21) 

Ishte kjo “prerje” e vendosur, zgjedhje themelore, vështirësi dhe vendim jetësor. Fatkeqësisht, mbizotëroi pasuria. “Por, kur djaloshi e dëgjoi këtë fjalë, shkoi i trishtuar, sepse kishte pasuri të mëdha.”  (Mt 19, 22) 

Djaloshi nuk kishte arritur ta kuptonte, pranonte dhe jetonte Jezusin si pasurinë më të madhe, të mirën e jetës dhe për jetë. Prandaj, për dashuri ndaj Tij, t’i braktiste të gjitha për t’i ndihmuar të varfëritë, si mjet dhe mundësi konkrete për t’u liruar nga robëria e pasurisë,  parakusht ky qenësor për të qenë, jetuar dhe vepruar me Jezusin dhe për Jezusin. 

“Atëherë Jezusi u tha nxënësve të vet: “Për të vërtetë po ju them: vështirë do të hyjë i pasuri në Mbretërinë e qiellit. Prapë po ju them: Është më lehtë të përshkohet devja nëpër vrimë të gjilpërës se i pasuri të hyjë në Mbretërinë e Hyjit.” (Mt 9, 23-24) 

Nëna Tereze duke shqyrtuar mungesën e thirrjeve meshtarake dhe rregulltare, thotë: “Mendoj se sot mungojnë thirrjet e shenjta në Kishë, apo janë të pakta, kjo kryesisht varet nga fakti që ka tepër pasuri, tepër mirëqenie, niveli i jetës është mjaft i lartë jo vetëm në familje, por edhe në bashkësitë rregulltare…Ne jemi vetëm laps i vogël në dorën e Zotit. Ai shkruan çka do nëpërmjet nesh”.  

Me një rast Nëna Tereze ma ka treguar këtë rast: “Në Kongregatën tonë, tashmë kemi motra nga viset e ndryshme të botës: edhe nga familjet e pasura dhe në mirëqenie. Kur vijnë tek ne, mbesin të kënaqura me jetën tonë. Unë shpesh i pyes: Përse doni të rrini me ne? Qartas, përgjigja e parë është: “Për Jezusin dhe pastaj për shkak të varfërisë tonë”. Ato më thonë kështu: “Nënë, ne duam ta kemi një pasuri të vetme, Jezusin, dhe jemi të lumtura se kemi gjetur Kongregatën që vërtet është e varfër dhe varet tërësisht nga Provania hyjnore.” 

Pasuria, vetvetiu është e mirë, nëse përdoret mirë. I riu nga ungjilli pati rastin për t’i ndihmuar të varfëritë, pastaj do ta kishte bërë edhe hapin vijues: ecjen pas Jezusit. Mirëpo fatkeqësisht nuk bëri ashtu. Kur pasuria bëhet qëllimi i jetës, njeriu e humb lirinë, dhe çka është edhe më keq, rrezikon ta humbin edhe shpirtin! 

Nga përvoja lind fjala e urtë popullore shqiptare e cila thotë kështu: “Pasuria është shërbëtor i mirë, por zotëri i keq”.  

Nëna Tereze thoshte kështu: “Thirrja ime e posaçme është për të varfëritë ndër më të varfër. Kjo gjë nuk ishte aspak e lehtë,,, Kisha nevojë për një kulm për t’i grumbulluar të braktisurit. Vendosa të kërkoja…Eca, eca pa ndërprerje deri te lodhja, aq sa s’kisha më fuqi. Atëherë e kuptova më mirë sa shumë vuajnë të varfëritë, gjithnjë në kërkim të strehimit, ushqimit, mjekimit, gjithçka. Kujtimi për mirëqenien dhe qetësinë  materiale që e kisha më parë në kuvendin e Motrave të Loretos, mu ka paraqitur si tundim. Atëherë jam lutur kështu: “Zoti im, për zgjidhje të lirë dhe për dashurinë Tënde, dua të mbesë këtu, për të bërë vullnetin Tënd, atë që Ti kërkon prej meje! 

Bashkësia ime, janë të varfrit. 

Siguria e tyre, është e imja.  

Shëndeti i tyre, është i imi. 

Shtëpia e re është shtëpia e të varfërve”.  

Duke folur për thirrjen e saj të dytë, apo siç thoshte ajo “thirrja në thirre”, më tha: 

Ne jetojmë dhe punojmë për Zotin, nëpërmjet Kongregatës sonë, duke u munduar për t’ua dëshmuar atyre dashurinë e Zotit, sidomos atyre që vuajnë…Thirrja jonë është shenjtëria… Të gjithë e kemi për detyrë ta shërbejmë Zotin, aty ku jemi: në familje, në punë, në shkollë, në spitale, kudo.”  

Fjala është për thirrje humane dhe kristiane, për të gjithë ne, sipas përcaktimeve tona, por gjithnjë të ftuar në fe dhe në dashuri, që na mundëson shërbimi dhe flijimin ndaj të tjerëve. 

Si dikur në ungjill, ashtu edhe sot, Jezusi thërret: në jetë, në jetë me të tjerët dhe për të tjerët, në jetë me Zotin, me fe dhe me dashuri. Disa, nuk e dëgjojnë fare këtë thirrje, sepse nuk njohin aspak Jezusin. Të tjerët e dëgjojnë, pjesërisht edhe e njohin, mirëpo nuk ecin me të dhe pas tij, sepse nuk e duan. Vetëm një pakicë, fatkeqësisht, sot, pranojnë thirrje e Jezusit: jetojnë, dashurojnë dhe dëshmojnë Krishtin me jetë, me dëshmi dhe në përditshmëri.   

Mendo edhe ti: je i gjallë, shi për këtë je i ftuar në jetë. Je i pagëzuar, prandaj je i rilindur për jetën e re të fesë, për të jetuar në bashkësi me Zotin dhe me të afërmin. Do të mund të ishe i ftuar edhe për një hap më tutje, për përsosmëri, dhurim dhe flijim të plot ndaj Krishtit, Kishës, njeriut. 

Me thirrje plotësisht të pranuar dhe të zbatuar, Nëna Tereze i solli Kishës dhe botës kaq shumë të mira! Edhe ne mund të themi me siguri dhe gëzim të fesë së krishterë: Zoti është i pranishëm në botën tonë! Ai na do dhe na thërret. 

Prishtinë, 16 mars 2022 – Radio Maria – Kosovë        

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu