ARKIVI:
18 Nëntor 2024

Përshpirtëria e Nënës Tereze 

Shkrime relevante

Raketat e SHBA mund të ndryshojnë tablonë e luftës në Ukrainë: “Mundësi më të mëdha”

Emma Fondenes Øvrebø Marius Medby Ane Mørk Holsen Oliver Bellinder VG Humbje...

Qeveritë Kosovë-Maqedoni e Veriut mbledhje të përbashkët nesër në Prishtinë

-Qeveria e Kosovës sot miratoi nisma para mbledhjes me Qeverinë e...

Shpallen martirë nga Vatikani edhe dy klerikë të tjerë shqiptarë

E shtuna e 16 nëntorit është një ditë historike për Kishën...

Shpërndaj

 Don Lush GJERGJI, Prishtinë 

Përshpirtëria e Nënës Tereze 

(25 – vjetori i vdekjes) 

TË DUAM SI JEZUSI 

Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd e me gjithë mendjen tënde! Ky është më i madhi dhe i pari urdhërim. I dyti është i barabartë me të: “Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!” Në këto dy urdhërime varet i tërë Ligji dhe Profetët.”   (Mt 22, 37-40) 

“Për dashuri ndaj Zotit dhe ndaj të Afërmit, arrihet te lumturia e plotë, shërbimi i tërësishëm, duke u komunikuar të tjerëve Zotin, Hyjin e paqes, Hyjin e gjallë, Hyjin e dashurisë.” (Nëna Tereze) 

Të duam si Jezusi… A është e mundshme? Titulli i tillë zgjon në ne një lloj ngurrimi dhe dyshimi, mos të them mosbesimi, apo edhe më keq, ndjenjën e pamundësisë, dorëzimit dhe indiferentizmit. 

Në ne lindin shumë pyetje, shqyrtime, që mund t’i shprehim kështu: kë e donte Jezusi? Përse donte Jezusi? Çka ka bërë, çka bën Jezusi për dashuri? 

Jezusi është Dashuria e mishëruar, Hyji i bërë Njeri, prandaj “dashuria e parë” e tij, është ndaj Atit. “Kush nuk ka dashuri, nuk e ka njohur Hyjin, sepse Hyji është dashuri. Ja si u dëftua dashuria e Hyjit ndër ne: Hyji dërgoi në botë një të Vetmin Birin e vet që ne të jetojmë në saje te tij.” (1 Gjn 4, 8-9) 

Jezusi na mëson: “Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd e me gjithë mendjen tënde! Ky është më i madhi dhe i pari urdhërim.” (Mt 22, 37-38) 

Fill pas dashurisë ndaj Hyjit, vjen dashuria ndaj të afërmit. “I dyti është i barabartë me të: “Duaje të afërmin tënd porsi vetveten! Në këto dy urdhërime varet i tërë Ligji dhe Profetët.” (Mt 22, 39-40). 

“Që prej lindjes së vet njeriu është i ftuar në dialogun me Hyjin. Në të vërtetë, njeriu ekziston sepse Hyji e ka krijuar për dashuri dhe, njeriu nuk jeton plotësisht sipas të vërtetës, nëse nuk e pranon lirisht atë vet.” (GS 19). 

Për këtë dashuria ndaj Hyjit dhe të afërmit është urdhërimi i parë dhe më i rëndësishëm. “Është e qartë se kjo ka rëndësi të madhe për disa njerëz gjithnjë e më të varur prej njëri-tjetrit dhe për një botë që shkon gjithnjë e më shumë drejt njësimit.” (GS 24) 

Mund të thuhet “urdhërimi i tretë” i dashurisë, që na mëson dhe dhuron Jezusi, është dashuria ndaj armiqve. “Keni dëgjuar se qe thënë: Duaje të afërmin tënd e urreje armikun tënd. E unë po ju them: Doni armiqtë tuaj, lutuni për ata që ju salvojnë,  për t’u bërë bijtë e Atit tuaj që është në qiell, sepse Ai bën të lindë dielli i tij mbi të këqij e mbi të mirë e të bjerë shi për të drejtë e për të padrejtit. Sepse, po qe se i doni vetëm ata që ju duan, çfarë shpërblimi meritoni? Pse a nuk bëjnë kaq edhe tagrambledhësit? E nëse i përshëndetni vetëm vëllezërit tuaj, çfarë bëni të veçantë? A nuk bëjnë të njëjtën gjë edhe paganët?  

Jini, pra të përkryer siç është i përkryer edhe Ati juaj që është në qiell!” (Mt 5, 43-48) 

Qysh në urdhërimin e dytë të dashurisë ndaj të afërmit, kemi një risi të madhe, të cilën Jezusi e shpreh kështu: “Po ju jap një urdhër të ri: Doni njëri-tjetrin! Sikurse unë ju desha ju, doni edhe ju njëri-tjetrin. Nëse e doni njëri-tjetrin, të gjithë do t’ju njohin se jeni nxënësit e mi.” (Gjn 13, 34-35) 

“Urdhërimi i tretë”, është kërkesa më e vështirë, që tejkalon dëshirat dhe mundësitë tona, pra, është një ligj hyjnor. Në çastin më dramatik të agonisë në kryq, Jezusi nuk mendon për vetveten, por lutet për armiqtë e tij:  

“Fali, o Atë, se nuk dinë ç’bëjnë!” (Lk 23 34) 

Shën Pali shkruan kështu: “Na shajnë e ne flasim mirë për ta, na salvojnë e ne durojmë; na shpifin e ne ngushëllojmë. U bëmë deri në sot porsi plehrat e botës, porsi të fshirat e gjithkujt.” (1 Kor 4, 12-13) 

Risia nuk është vetëm në porosi, urdhërim, por Jezusi, prandaj të duam si Jezusi, domethënë me shpirtin, praninë dhe fuqinë e tij, si shenjë që vërtet jemi nxënësit e tij në botën e sotme. 

Nëna Tereze dëshmon: “Të varfrit janë dhurata e Zotit: janë dashuria jonë. 

Krishti nuk do të na pyet: sa punë kemi krye, por  me sa dashuri kemi bërë në veprimet tona. Mbajeni të ndezur dritën e Krishtit në zemra tuaja. 

Sepse  vetëm Ai është Rruga për të ecur. 

Ai është e Vërteta për ta thënë. 

Ai është dashuria për ta dhënë.” 

E tërë jeta dhe vepra e Nënës Tereze mund të përmblidhet në këtë: “Gjithë atë çka bëjmë ne, bëjmë për Jezusin, me Jezusin, ia ofrojmë Jezusit..  

Për Jezusin: e tërë jeta jonë është e drejtuar kah Ai, në shërbim të tij; ne jetojmë vetëm për Atë, për ta shërbye dhe dashur, për ta bërë të njohur dhe për ta dashur. 

Me Jezusin: Ai na jep fuqi, përkrahje, lumturi për të punuar për Të; Ai na përcjellë në ecjen tonë, na prinë dhe udhëheq; Jemi me Jezusin nëpër rrugën e Emausit, ku e kemi njohur. 

Ia ofrojmë Jezusit: “Ne e shërbejmë Atë në të afërm. E shohim në të varfër. E mjekojmë në të sëmurë. E ngushëllojmë në vëllezër e motra që vuajnë.”  

Dashuria e krishterë, nëse është e vërtetë, fill ndërrohet dhe zbatohet në vepra shërbimi, flijimi, dhurimi, në dëshmi konkrete për njeriun, për familje dhe për shoqëri, për të gjithë. 

“Puna jonë nuk është asgjë tjetër përpos shprehje e dashurisë tonë për Zotin. Duhet ta zbrazim dashurinë tonë në dikën, dhe të tjerët për ne janë mjet për ta treguar dashurinë tonë për Zotin… Mendoj së askush nuk ka dhanë më tepër se Zoti, i cili, na ka dhënë Birin e vet, Jezu Krishtin, që të lindte në botë si ne dhe të ishte i ngjashëm me ne përpos mëkatit. Zoti e ka treguar bukurinë dhe madhërinë e jetës njerëzore duke u bërë ai Njeri.” (Nëna Tereze) 

Duke përkujtuar dëshminë e krishterëve të parë në Kishën apostolike, Nëna Tereze thotë: “Të krishterët e parë jetonin dhe vdisnin për Jezusin, dhe njerëzit i njihnin sepse duheshin njëri me tjetrin; bota si sot kurrë nuk ka pasur aq shumë nevojë për dashuri.” Ne duhet të jemi bartës dhe dëshmitarë të kësaj dëshmie dhe dashurie! 

Prishtinë, 22 qershor 2022  – Radio Maria – Kosovë        

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu