ARKIVI:
21 Dhjetor 2024

Përshpirtëria e Nënës Tereze 

Shkrime relevante

Çfarë shkruan talebani dhe mbetja osmane, Enes Limani…!?

Afrim Caka, Gjakovë Bojkotojeni këtë antishqiptar! Thirreni në prokurori. “Bojkoti ndaj këtij islamisti...

Shoqata për trashëgimi kulturore e Luginës së Preshevës, ftesë për konferencën shkencore që do të zhvillohet me 14, 25 e 26 tetor 2025

SHOQATA PËR TRASHËGIMI DHE KRIJIMTARI KULTURORE E LUGINËS SË PRESHEVËS'    FTESË PËR...

Fitorja e Trumpit është “humbja” e Jack Smith

Beqir SINA ___ Janë ligjvënësit republikanë, ata që kanë treguar tashmë se Smith...

Historia e pavdekshme e Marie Shllakut (1922-1946), të resë shkodrane që e dha jetën për AtMëmëdhe

Klajd Kapinova, New York Historia e pavdekshme e vajzës së re shkodrane...

Skandaloze – KMDLNJ e Prishtinës e ka injoruar Enver Hadrin dhe ekipin tonë

Reshat Sahitaj, shkrimtar   * Themeluesit e KMLDNJ 3prill 1983 Këshilli për Mbrojtjen e...

Shpërndaj

Don Lush Gjergji, Prishtinë

“JE MË E BEKUAR SE TË GJITHA GRATË!” 

Je më e bekuar se të gjitha gratë dhe i bekuar është fryti i kraharorit tënd! Dhe, nga e pata fatin të vijë tek unë Nëna e Zotit tim? Ja, se, posa zëri i përshëndetjes sate arriti në veshë të mi, foshnja prej haresë kërceu në kraharorin tim. E lumja ti që besove se do të plotësohet çka të qe thënë prej Zotit!”                                                                                                                                (Lk 1, 42-45) 

Maria, nënë në pritje të Birit të Zotit, me shpejti shkoi te kushërira Elizabeta për t’i ndihmuar në shërbime, për të punuar në shtëpinë e saj si çdo grua tjetër, dhe atë e bëri me gëzim. Dhe kur erdhi në shtëpi të kushërirës, mori përshëndetjen e saj, dëgjoi një fakt të mrekullueshëm: fëmija i kushërirës kërceu me hare në kraharorin e nënës në afërsinë e Fëmijës së Marisë, ende i pa lindur, Shëlbuesi i njerëzimit. Jezusit “flet” nga kraharori i nënës. Në këtë jemi të ftuar të gjithë: ta bartim Jezusin me vete, atje ku atë ende nuk e njohin, t’ia zbulojmë praninë e tij botës, t’i bëjmë të vetëdijshëm njerëzit për dashurinë e tij…Çfarë thirrje e lartë, çfarë nderi, gëzimi, ta bartim Jezusin në vende kur nuk është i njohur, pranuar, dashur.” (Nëna Tereze) 

Maria, pasi ishte takuar me engjëllin, pati takime të shumta dhe të jashtëzakonshme. Një ndër ta ishte pa dyshim takimi me kushërirën Elizabetën, ku ndodhi një mrekulli dashurie dhe hiri. Takoheshin dy gra, njëra virgjër – Maria, e cila barte në kraharor Birin – Jezusin, dhe një grua tashmë e moshuar, beronjë, edhe ajo shtatzënë, me birin e saj – Gjon Pagëzuesin. Para se të takoheshin këto dy gra – nëna, takohen dy fëmijë ende të pa  

lindur, njihen dhe pranohen, dhe kështu japin shenjë gëzimi dhe pranie edhe nënave të tyre. Gjoni e njohu, qe gëzuar dhe e pranoi, adhuroi Shpëtimtarin dhe Shëlbuesin, Jezusin, dhe ia kumtoi nënës Elizabetës. 

Takimi mes dy nënave dhe dy fëmijëve ende të palindur shndërrohet në mister të madh të fesë, që pastaj dëshmohet dhe shprehet edhe nga të tjerët. 

Elizabeta, është e gëzueshme që e  sheh Marinë, por edhe që ishte në pritje të lindjes së Birit, Gjonit, por edhe më shumë që kishte si dhuratë njohjen e frytit të kraharorit të Marisë – Jezusin! Shi për këtë ajo klithi kështu: “Je më e bekuara se të gjitha gratë dhe i bekuar është fryti i kraharorit tënd!” (Lk 1, 42). Pastaj shpjegon edhe përse  të këtij lartësimi: ardhja e Nënës së Zotit, ndërsa ajo nuk ishte e denjë për një nderim dhe takim të tillë. (khs. Lk 1, 43). 

Ja misteri i vërtetë: “Ja, se, posa zëri i përshëndetjes sate arriti në veshë të mi, foshnja prej hareje kërceu në kraharorin tim” (Lk 1, 44).  Pastaj i dha një mirënjohje publike edhe Marisë, fesë së saj: “E lumja ti që besove se do të plotësohet çka qe thënë prej Zotit!” (Lk 1, 55). 

Pse thotë kështu? Sepse shi me fe dhe me dashuri Maria ka ngjizur të Birin, duke marrë pjesë në planin e shëlbimit. 

Kjo ngjarje është shembull tipik dhe karakteristik të marrëdhënies së të krishterëve ndaj botës. Mari u nis me ngutësi për ta ndihmuar kushërirën Elizabetën, dhe duke e ndihmuar, ia dha mundësinë që ta takonte, njihte dhe pranonte hrin e veçantë – Jezusin ende të pa lindur. Është e pamundshme të jetojmë, ta duam, ta shërbejmë, të jemi me Jezusin, e këtë mos ta hetojnë edhe të tjerët, nëpërmjet punës, jetës, dëshmisë. Kështu çdo veprim shndërrohet në dërgim të madh! 

“Maria, ishte misionare e vërtetë, sepse nuk pati frikë të ishte shërbëtorja e Zotit. Me ngutësi e shndërroi përvujtërinë e saj të ndritshme në një vepër dashurie, duke bërë punë te Elizabeta si shërbëtore, Ne dimë se çka kishte prodhuar kjo përvujtëri në fëmijën që ende s’kishte lindur: “Ai kërceu nga hareja në kraharorin e nënës”; ishte qenia e parë njerëzore që kishte njohur ardhjen e Krishtit; si pasojë Nëna e Shëlbuesit këndoi me gëzim, falënderim himnin Shpirti im e madhëron Zotin… Në përngjasim me Të: sa hire edhe më të mëdha kemi pranuar ne, aq më e madhe, më e ngrohtë le të jetë dashuria me të cilën punojmë me të braktisur, të varfër, të dëbuar…Në përngjasim me Të: ta pranojmë kryqin në çfarëdo mënyre do të vijë.” (Nëna Tereze)  

Dërgimi i çdo të krishteri është i madh, me përgjegjësi, me lumturi, për ta dëshmuar praninë e Zotit në botën e sotme. 

Virgjëra Mari, më e bukura ndër të gjitha gratë, më e madhja, më e përvujta, më e pastra, më e shenjta, atëherë kur ndihej plotë me hir, plotë me Jezusin, me ngutësi niset në udhëtim. Ajo këtu është model për të gjitha gratë, sepse dëshironte fill ta dhuronte Atë që kishte pranuar. Ishte, të themi kështu, si një lloj thyerje të Bukës eukaristike; e dimë çka ndodhi me Shën Gjon Pagëzuesin: ai kërceu nga hareja duke përjetuar praninë e Zotit” (Nëna Tereze). 

Maria, pas këtij takimi të mrekullueshëm, klithi me hare kështu: “Shpirti im e madhëron Zotin” (khs. Lk 1, 46-58). 

Magnificat është urata e falënderimit të Marisë. Ajo mund të na ndihmojë që ta duam në mënyrë të përsosur Jezusin; Vetëm ajo mund të na tregojë rrugën më të shkurtë kah Ai. Të shkojmë te Ajo me besim  dhe fe të madhe “ (Nëna Tereze). Ky himn i Marisë përkujton historinë e shëlbimit, profetët deri te plotësimi i të gjithave në Jezusin. Pra, është një “Ungjill i vogël”, dëshmie feje, sinteza e veprës së shëlbimit, nderim ndaj Zotit për veprën e Mishërimit, për kujdesin e Tij ndaj botës, sidomos ndaj të vegjëlve, të varfërve, duke dëshmuar madhërinë e Tij ndër ne. 

Jezusi, është plotësimi i profecive, përgjigja e Zotit ndaj pritjeve të njerëzimit, ku kremtohen dhe kujtohen mrekullitë e Zotit, efektet e pranisë së Tij në botë, që i zgjeron për mbarë njerëzimin, jo vetëm Marisë, duke u nisur prej Shën Gjon Pagëzuesit, Elizabetës… 

Maria, është bujare ndaj të afërmit, altruiste, e përkushtuar,  e dashur dhe  në shërbim ndaj kushërirës. Në këtë ngjarje lidhen mirë Fjala e Zotit, shpallja dhe prania e Tij në mesin e njerëzve, Eukaristia, që përsëritet dhe përjetësohet në kremtimin e Meshës, ku fjala e Zotit na përgatit për ardhjen e tij në Kungim. 

Kjo ngjarje ungjillore na jep mundësi që të meditojmë mbi rolin e Marisë, Elizabetës, të fesë – Jezusit, i cili vjen ndër ne dhe në mesin tonë, të cilin ne lypset dashur, dëshmuar dhe dhuruar të tjerëve, të gjithëve. Të bashkuar me Jezusin përballojmë jetën, punën, botën si dërgim. 

Prishtinë, 4 janar 2023 – Radio Maria – Kosovë

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu