Don Lush Gjergji, Prishtinë
Përshpirtëria e Nënës Tereze
(25 – vjetori i vdekjes)
KRYQI I KRISHTIT – UDHA JONË
“Kush nuk e merr kryqin e vet e nuk vjen mbas meje, nuk është i denjë për mua. Kush do ta ruajë jetën e vet, do ta humbë, e kush do ta bjerrë jetën e vet për shkak tim, do ta rifitojë”. (Mt 10, 38-39; khs. Lk 9, 23; Gjn 16, 33)
“Nuk mund ta ndjekim Krishtin pa e pranuar kryqin e tij. Krishti është i pandashëm nga kryqi dhe Kalvari… Ata që e ndjekin Krishtin me besnikëri, bota i urren, sepse ata janë sfidë për mentalitetin e sotëm, ashtu siç e urrenin Krishtin. Bota e sotme është një “Kalvar i hapur” . (Nëna Tereze)
Jezusi e dëshmoi dashurinë e tij për ne në mënyra dhe raste të ndryshme, por kulmori ishte pa dyshim vuajtja, Udha e Kryqit, vdekja dhe ngjallja e tij për ne, dhe për shëlbimin tonë. Prandaj, Ai thotë: “Ky është urdhri im: doni njëri-tjetrin sikurse unë ju desha ju! Dashuria më e madhe që ndokush mund të tregojë është: të japë jetën e vet për miqtë e vet. Ju jeni miqtë e mi nëse bëni çka ju urdhëroj unë.” (Gjn 15, 12-14)
Duke medituar për kuptimin dhe domethënien e kryqit, Nëna Tereze thotë:
“Të gjithë ne duhet ta marrim kryqin tonë, të gjithë ne duhet ta shoqërojmë Jezusin në ngritjen e tij në Kalvar, nëse dëshirojmë të mbërrijmë së bashku me Të në maje të kodrës…, te ngjallja. Në “udhën e kryqit” tonë shohim Jezusit e varfër dhe të uritur, që rrëzohet. Jemi aty për t’i ndihmuar? Jemi aty me flijimet tona, me copë e bukës, të bukës së vërtetë? …Kjo është një të ndalur të udhës së kryqit: Jezusi i pranishëm në ata që kanë uri dhe pësojnë nën barrën e kryqit. Në të ndalurit e katër të udhës së kryqit Jezusi takohet më Nënën e vet. A jemi nëna për ata që vuajnë? … A jemi Simon Cirineu i cili e mori kryqin e Jezusit duke e përkrah dhe ndihmuar? …Veronika…A jermi si Veronika në lidhje me të varfër? … Jezsusi prapë rrëzohet. Sa herë kemi mbledhur nëpër rrugë qenie njerëzore, që kanë jetuar si kafshë e që dëshironin të vdisnin si engjëj!… Është Jezusi që ka nevojë që dora jonë ta fshijë fytyrën e tij…
Ishte i zhveshur. Sot, krijesat e vogla janë pa dashuri ende pa lindur. Duhet të vdesin, sepse nuk duan një fëmijë më tepër…
Jezusi është i kryqëzuar. Sa qenie njerëzore me të meta, vonesa mentale, edhe në fëmijëri, mbushin spitalet! Sa ka të tillë edhe në familje tona!…
Ta fillojmë Udhën e Kryqit, me guxim dhe gëzim, sepse nëpërmjet Kungimit të Shenjt, Jezusi është me ne… Shikoni e do të shihni: kudo ka qenie njerëzore që vuajnë urinë dhe e drejtojnë shikimin e tyre kah ne. Mos ua ktheni shpinën të varfërve, sepse të varfrit janë Krishti. Duhet ta duam Krishtin deri në dhembje.”
Shumë njerëz, duke vuajtur mendojnë se janë të dënuar, të braktisur prej Zotit dhe njeriut, dhe shi për këtë, vuajnë edhe më shumë dhe keq, kot. Nëna Tereze, ka pasur një përvojë tjetër të vuajtjes, nën ndriçimin e fesë dhe të dashurisë. Ajo, thoshte kështu: “Dhembja nuk është një ndëshkim. Jezusi nuk ndëshkon. Dhembja është një shenjë – shenjë që jemi afruar kah Jezusi në kryq, kështu që Ai mund të na puthë, mund të na tregojë dashurinë e tij, duke na mundësuar pjesëmarrje në misionin e tij.”
“Duke pranuar që të vdesë për të gjithë mëkatarët, ai na mëson me shembullin e vet se është e nevojshme të bartim atë kryq që prej mishit dhe prej botës vihet mbi shpatullat e atyre që kërkojnë paqen e drejtësisë.” (GS 38)
Mundimi i Jezu Krishtit ndriçon çdo dhembje njerëzore, jep kuptim, fuqi, burim vuajtjeve tona: të vogla apo të mëdha. Vetëm nga drita e kryqit të Krishtit na vjen përgjigja, pse duhet të pësojmë kaq shumë, ta bartim kryqin dhe në fund, edhe të vdesim.
“Në vuajtjen e tij, Zotëria Jezu thotë: U bëftë vullneti yt. Bëj me mua çka dëshiron. Gjithë kjo ishte tejet e rëndë për Zotërinë tonë Jezusin… Ai pranoi në heshtje dhe nga kryqi na dhuroi Nënën e vet. Pastaj tha: “Kam etje” dhe “Gjithçka u krye.” (Nëna Tereze)
Nga vuajtja e Krishtit na vjen edhe mësimi për falje.
“Jezusi, na ka mësuar në mundimin si të falim për dashuri, si të harrojmë për përvujtëri.” (Nëna Tereze)
Kryqi, është kulmi i dashurisë dhe faljes, i vetmi mjet për ta mposhtur të keqen, urrejtjen, hakmarrjen.
Fatkeqësisht shumë njerëz të kohës tonë, edhe shumë të krishterë, pranojnë vetëm pjesërisht Krishtin, kur dhe ku pëlqen: mësimi shoqëror, për shembull, dashuria filantropike për njeriun, drejtësia shoqërore, lufta kundër diskriminimit kombëtar, fetar, racor. Mirëpo, nuk pranojnë Jezusin e vuajtur, të vdekur dhe të ngjallur, edhe më pak ftesën e tij për ta ndjekur deri në fund. Ky copëtim ose seleksionim i personit dhe porosisë së Krishtit, e zbrazë kuptimin, përmbajtjen dhe kështu e dobëson planin e shëlbimit.
“Të pranosh gjithçka për Jezusin. Pranimi i Jezusit të vuajtur dhe të plagosur…Mos harroni që mundimi i Krishtit ka përfunduar gjithmonë me ngjalljen e tij të gëzueshme. Mos lejoni që asnjë vuajtje ta errësoi aq shumë jetën tuaj, sa që të harroni gëzimin e ngjalljes… Unë kam menduar dhe medituar shumë për kryqin. Vetvetiu vuajtja s’është asgjë, dhe vetëm vuajtja e bashkë-nadarë me Krishtin, është një dhuratë e mrekullueshme. Zoti na do shi nëpërmjet kryqit…. Ati e dërgoi Birin e vet, Jezu Krishtin, për ta shëlbuar botën, që të vdiste për ne dhe t’i shpërblente mëkatet tona, të ngjallej për shëlbimin tonë. Kështu Ai na do gjithmonë.” (Nëna Tereze)
Nga Udha e Kryqit të Krishtit mund dhe duhet të mësojmë shumë:
- Jezusi lirish dhe me dashuri pranoi kryqin si vegël dhe mjet për ta plotësuar vullnetin e Atit, kryerjen e veprës së shëlbimit;
- Udha e Kryqit të tij, është edhe rruga jonë: ndonjë herë e tradhtojmë, si Juda, me mëkat, herët tjera ikim nga drita, për oportunizëm, për interes, si Pjetri dhe apostujt tjerë. Aty-këtu ecim pas tij me besnikëri, siç bërën gratë së bashku me Virgjërën Mari, duke e ndihmuar në bartjen e kryqit, siç bëri Simon Cirenasi.
- Jezusi, ka vdekur për ne dhe për shëlbimin tonë, apo siç thotë Shën Pali: “Se Krishti vdiq për mëkatet tona sikurse e paralajmëroi Shkrimi shenjt. Qe varrosur e të tretën ditë u ngjall së vdekuri si u tha në Shkrimin shenjt. Iu duk Kefës e pastaj të Dymbëdhjetëve.” (1 Kor 15, 3-5)
- Ai i ka plotësuar të gjitha flijimet e Besëlidhjes së Vjetër, prej Abelit të drejtë, deri në ditët tona, flijimet e të drejtëve.
- Pa e pranuar, jetuar dhe dashur Jezusin, prandaj edhe kryqin e tij, nuk jemi fare të krishterë, nxënësit e tij, nuk mund ta mposhtim të keqen, mëkatin, djallin, vdekjen, dhe të arrijmë shëlbimin.
Prandaj, për të vuajtur më pak dhe më mirë, kemi vetëm një zgjidhje: JEZUSIN!
Për ta mposhtur të keqen, mëkatin, robërinë e djallit, vdekjen, është vetëm një Person-Dashuri: JEZUSI!
Për t’u pjekur në vuajtje dhe në dashuri, është vetëm një rrugë – Udha e Kryqit: JEZUSI!
Për t’i lehtësuar vuajtje e të tjerëve, për të qenë të lumtur dhe për t’i bërë të lumtur edhe tjerët, është vetëm një mundësi: JEZUSI!
Për të jetuar, dashur dhe dëshmuar dashurinë në vuajtje, është vetëm një fuqi: JEZUSI!
“Jezusi im, Zotëri, Zotëri i vuajtjes,
Më dhuro që sot
Dhe çdo ditë unë të mund të shohë
Ne persona të të sëmurëve të tu,
Bëj që në kërkimin e tyre
Unë të njohë Ty!
Ma dhuro që të njohë në trajtën
E njerëzve të paarsyeshëm, që të mund të them rishtas:
Jezusi im i vuajtur,
Sa ëmbë është të shërbej Ty…
Kur e shikojmë kryqin,
Atëherë kuptojmë dashurinë e tij,
Kokën e tij të ulur për të na puthur;
Duart e tija të hapura për të na përqafuar;
Zemrën e ti të shporuar për të na pranuar.” (Nëna Tereze)
Pshtinë, 20 korrik 2022 – Radio Maria – Kosovë