Don Lush Gjergji, Prishtinë
“Por në qoftë se Jezu Krishti me të vërtetë nuk është ngjallur, atëherë i kotë është predikimi ynë – i kotë është besimi juaj… Sepse, në mos u ngjallshin të vdekurit, as Krishti nuk është ngjallur… Por, vërtet, Krishti u ngjall prej të vdekurve! Ai është fryti i parë i të vdekurve” . (1 Kor, 15, 13. 16. 20)
“Zoti edhe tash është dashuri. Edhe tash Ai e do botën. Zoti e deshi aq shumë botën, sa që e dha të Birin e vet, dhe edhe tash e do aq shumë botën për ta dhënë ty, mua, neve veten, që të duam edhe ne botën, sepse ne jemi dashuria e tij dhe mëshira e tij sot.” (Nëna Tereze)
Në shenjën e parë të lumturisë, mendojmë të ngjallurit e Jezu Krishtit prej të vdekurve ditën e Pashkëve.
Vdekja dhe ngjallja e Jezu Krishtit është e vërteta themelore dhe kryesore e krishterimit, burimi i fesë, shpresës, sigurisë dhe dashurisë; garancia e ngjalljes tonë; ndërrimi rrënjësor jo vetëm në jetën e Jezu Krishtit, por edhe në historinë e tërë njerëzimit.
E tërë jeta e Jezu Krishtit është në pikën qendrore të ngjalljes së tij, pa të cilën, gjithçka do të ishte si më parë, nën barrën e mëkatit dhe robërinë e të keqes. Nxënësit e Jezu Krishtit nuk kishin kuptuar shumë gjëra para ngjalljes së Tij, por, duke e parë, takuar të Ringjallurin, duke pranuar Shpirtin Shenjt për Rrëshajë, janë ndërruar tërësisht (khs. Shembullin e Pjetrit, nxënësve të Eamusit, të Marisë Magdalenë, kthimin e Palit…)
Dëshmia e apostujve, ishte shumë e qartë: me jetën dhe në jetën e tyre; kjo dëshmi qe vërtetuar me vdekjen e tyre martire: për Jezusin, me Jezusin, në Jezusin e ngjallur.
Jezusi i ngjallur iu është paraqitur së pari Virgjërës Mari, thotë Shën Injaci i Lojolës, dhe kështu beson e tërë Kisha që nga kohët më të lashta. Kisha, bashkohet rreth Marisë, lutet dhe pret zbatimin e planit të veprës së shëlbimit në ta, në Kishë, në botë. Udha e kryqit të Krishtit vazhdon në Trupin mistik të tij – në Kishë: apostujt Pjetri dhe Gjoni janë të burgosur (khs. Vap 5, 27-42; 12, 23). Shtjefnin e vrasin (khs. Vap 7, 54-60); në Jerusalem përndjekja e të krishterëve ishte në vazhdimësi (khs. Vap 8, 1-3).
Shën Pali kishte shumë vështirësi, “vdekja nuk ka më pushtet mbi Të” (Rom 6, 9), që “sikurse në vërtetë vuajmë bashkë me Të, që edhe të lavdërohemi bashkë me Të” (Rom 8, 17).
Ngjallja është realiteti i fesë sonë që nuk e asgjëson vuajtjen, dhembjen, kryqin, por ia ndërron kuptimin dhe përmbajtjen, dhe për këtë arsye është gjithmonë aktuale.
“Kujtojeni që mundimi i Krishtit përfundon gjithmonë në gëzimin e ngjalljes, kështu që kur ndieni në zemrën tuaj vuajtjen e Krishtit, mos harroni se duhet të vijë ngjallja, duhet të lindë gëzimi i Pashkëve.” (Nëna Tereze)
“Biri i Hyjit, duke e bashkuar me veten e vet natyrën njerëzore dhe duke e mundur vdekjen me vdekjen dhe ngjalljen e vet, e ka shpërblyer njeriun dhe e ka shndërruar atë në një krijesë të re.” (LG 7; khs. 48, 52)
Çdo i krishterë është i ftuar për të jetuar dhe dëshmuar ngjalljen e Krishtit. “Ende shtegtarë në tokë, ndërsa ndjekim gjurmët e tij në mundime e përndjekje, jemi të lidhur me vuajtjet e tij, ashtu si trupi me kreun dhe vuajmë me te për t’u lavdëruar bashkë me te.” (LG 7)
“Në vështirësitë e jetës e gjejnë forcën e shpresës, duke menduar që “të gjitha vuajtjet nuk janë të denja të krahasohet me lumturinë e ardhshme që do të zbulohet në ne.” (AA 4)
“Pra, nuk është e lejueshme të përçmohet jeta trupore e njeriut. Përkundrazi, ai ka detyrën ta konsiderojë të mirë dhe të denjë për nderim trupin e vet, pikërisht sepse është krijuar prej Hyjit dhe është paracaktuar për ngjalljen në ditën e fundit.” (GS 14)
Në shenjën e dytë të lumturisë, mendojmë të ngjiturit e Jezu Krishtit në qiell ditë e të Shëlbuemit.
Të shëlbuemit, është në një mënyrë “kthimi” i Jezusit te Ati, sepse Ai e ka përvujtëruar veten deri në vdekje në kryq. Tash paraqitet lidhja e ngushtë mes qiellit dhe tokës, sepse kreu i Kishës, Jezusi, është i lavdëruar, duke u bërë për ne Rruga, Jeta dhe e Vërteta.
Njerëzit, duke e parë Jezusin si ngjitej në qiell, ishin të habitur, të pikëlluar. Engjëlli tha: “O burra galileas, pse rrini kështu duke shikuar kah qielli? Ky Jezus, që prej jush u ngrit në qiell, do të kthehet pikërisht kështu, si e patë se shkoi në qiell.” (Vap 1, 11)
Tash është një mundësi e re për të qenë afër Atit – Jezusi – Biri i Hyjit, Vëllai ynë. Ai kthehet tek Ati, por edhe rri me ne në Kishë dhe me Kishën.
Virgjëra Mari, pothuaj zhduket, gati tërësisht, me të ngjiturit e Krishtit në qiell: prapë duhet t’ia “lejonte” kthimin tek Ati, për ta lënë atë të vetmuar, siç kishte bërë shumë herë gjatë jetës së tij botore. Maria, mbetet me Kishën dhe në Kishë, në rolin e njëjtë amënor.
“Jezusi na ka zgjedhur për vete, si i kishte zgjedhur apostujt…Duhet vazhdimisht të jemi të bindur që i përkasim Atij dhe mos të lejojmë që asgjë të na largojë prej dashurisë së Tij… Pas të Shëlbumit – ngjitjes së Krishtit në qiell, Zoja pati kujdes të veçantë për apostuj të Kishës së parë. Edhe sot Maria ka kujdes amësor për ne.” (Nëna Tereze)
“Krishti vendosi Mbretërinë e Hyjit në tokë, e shfaqi me vepra dhe me fjalë Atin e vet dhe vetveten dhe e çoi në plotësi veprën e vet me vdekjen, ngjalljen dhe të ngjiturit e lavdishëm, ashtu si edhe me dërgimin e Shpirtit Shenjt.” (DV 7)
Në shenjën e tretë të lumturisë, mendojmë për ardhjen e Shpirtit Shenjt mbi apostuj ditën e Rrëshajëve.
Rrëshajtë, janë dialogu i amshuar i dashurisë mes Atit dhe Birit në Shpirtin Shenjt; gjuha e re e dashurisë, e cila, i bashkon popujt në fe, në krijimin e bashkësisë së besimtarëve. Risia absolute është ABBA – ATI, që është fryti i Shpirtit Shenjt (krhs. Rom 8, 15; Gal 4, 6). Ky dialog dashurie krijon marrëdhënie të reja mes Zotit dhe njeriut dhe mes njerëzve. Shpirti Shenjt e aftëson bashkësinë për të dëshmuar të tjerëve jetën e re . “E ishin vazhdimisht të kujdesshëm për ta përvetësuar mësimin e apostujve dhe nuk mungonin në mbledhjet vëllazërore, në ndarjen e bukës e në uratë.” (Vap 2, 42)
Eukaristia dhe urata bëjnë që të rritet dhe pjekët dialogu i dashurisë mes njeriut dhe Zotit, që pastaj jetësohet dhe dëshmohet para të tjerëve, të gjithëve. Çdo uratë është fryt e Shpirtit Shenjt, në stilin e Jezusit, i cili i drejtohet Hyjit duke e quajtur Atë.
Kisha përgatitet për ardhjen e Shpirtit Shenjt me uratë. “Të gjithë këta ishin të përqendruar prore së bashku në uratë me disa gra, me Marinë, Nënën e Jezusit, dhe me vëllezërit e tij.” (Vap 1, 14)
Dhurata e gjuhës, apo gjuhëve, është vepër e Shpirtit Shenjt, që i aftëson apostujt për shpalljen e Krishtit të ringjallur, aq sa ndodhi habia dhe mrekullia: “Të gjithë ne po i dëgjojmë duke shpallur veprat e madhërishme të Hyjit në gjuhët tona amtare.” (Vap 2, 11)
Këtë e kishte paralajmëruar Jezusi qysh më herët, duke u thënë apostujve: “Nuk do të jeni ju që do të flisni, por Shpirti i Atit tuaj do të flasë nëpër ju.” (Mt 10, 20)
Virgjëra Mari, ishte e para që e kishte pranuar Shpirtin Shenjt, qysh në ngjizjen e Jezusit. E tani e pranon rishtas me Kishën e parë dhe për Kishën, me apostujt për shëlbimin e mbarë njerëzimit.
“Çka është përshpirtëria jonë? Bashkimi ynë me Jezusin, në të cilin hyjnorja dhe njerëzorja njësohen dhe begatohen në mënyrë të ndërsjellët…Duhet të bashkëpunojmë me Shpirtin Shenjt, si bëri Maria, e cila iu nënshtrua me besim të plotë vullnetit të Zotit, duke e pranuar nëpërmjet Shpirtit Shenjt Birin e Hyjit, Jezu Krishtin.” (Nëna Tereze)
Në shenjën e katërt të lumturisë, mendojmë të ngriturit e Zojës në qiell me trup e me shpirt.
Virgjëra Mari ishte dhuruar tërësisht Zotit, ishte e gatshme gjatë tërë jetës së saj, me trup dhe me shpirt, ta plotësonte planin e Tij. Zoti ishte “shërbye” me Të, për plotësimin dhe zbatimin e planit të shëlbimit. Nëpërmjet saj, Zoti është bërë Njeri, dhe mu për këtë, me të drejt, Ajo është e para që i shijon dhe pranon frytet e ngjalljes së Birit të saj, Jezu Krishtit. Ngritja e saj në Qiell, është përfundimi i logjikshëm i jetës së Virgjërës Mari.
Për ne, vdekja e ka kuptimin e dorëzimit të shpirtit tonë në duar të Zotit, ndërsa Zoja Mari këtë e kishte bërë gjatë tërë jetës së saj. Prandaj, ajo, edhe qe shpërblyer e nderuar me ngjalljen e “paraprirë”, pas asaj të Jezu Krishtit. Kështu, Virgjëra Mari, është bërë Ndërmjetësuese, parafytyrim dhe paralajmërim i realitetit eskatologjik, që na pret të gjithëve.
E vërteta e të Ngriturit e Zojës në Qiell, është shpallur dhe definuar kremtorisht nga Papa Piu XII, më 1 nëntor 1950, me kushtetutën apostolike “Munificentissimus Dominus”, që shpjegon kuptimin dhe përmbajtjen teologjike, duke kurorëzuar kështu besimin e Kishës nëpër shekuj, “si bashkëpunëtore bujare e Shpërblyesit hyjnor.”
Koncili Dytë i Vatikanit thotë: “Nëna e Jezusit, meqë tashmë është në qiell, e lavdëruar në trup dhe në shpirt, përbën shëmbëlltyrën dhe fillimin e Kishës që do ta ketë plotësinë e vet në kohën e ardhshme, po kështu edhe tani në tokë shkëlqen përpara popullit shtegtar të Hyjit si shenjë e shpresës së sigurt dhe ngushëllimit, deri kur të vijë dita e Zotit.” (LG 68)
Për ne ka rëndësi fillimi i shpërblimit, modeli dhe shenja e ngjalljes dhe lavdisë që dëshmohet dhe dhurohet në Virgjërën Mari, si parafytyrim i asaj çka do të jemi edhe në jetën eskatologjike. Në Virgjërën Mari, Kisha njeh jo vetëm fillimin e veprës së shëlbimit, që niset me mishërimin e Jezu Krishtit, por edhe nisjen lavdisë, si fryt i ngjalljes së Krishtit, paralajmërim i lavdisë dhe shëlbimit tonë.
Shën Pali VI thotë: “Maria është dokumenti ngushëllues i të ardhmes tonë. Një Motër e jona, që arriti te caku përfundimtar.”
“Virgjëra Mari, ka realizuar plotësisht planin e shëlbimit, dhe për këtë arsye ajo i gëzon në plotëni edhe frytet e shëlbimit… Ajo është fuqia jonë dhe mbrojtja jonë, shkaku i gëzimit tonë. Ne mundohemi ta imitojmë atë duke rrezatuar të tjerëve gëzimin dhe harenë…Shumë herë një buzëqeshje mund ta ndryshojë jetën e të tjerëve, t’u sjellë gëzim, Zotin, t’i jep kuptim vuajtjes… Nuk mund ta dimë kurrë të mirat që mund t’i shkaktojë një buzëqeshje.” (Nëna Tereze)
Në të pestën shenjë të lumturisë, mendojmë kurorëzimin e Virgjërës Mari Mbretëreshë të qiellit dhe të tokës, dhe lumturinë e engjëjve dhe shenjtërve.
Trinia Shenjte, shpërbleu Virgjërën Mari për zbatimin e planit të shëlbimit, me përpikëri dhe dashuri; me kalimin e saj në lumturinë e jetës së pasosur. Plani i shëlbimit, së pari ishte ofruar dhe paraqitur Marisë, pastaj Elizabetës, Simonit, Anës dhe të tjerëve. Maria, ka përcjellë hap pas hapi Jezusin deri te vdekja e tij në kryq. Ajo, zhduket me vdekjen e Tij, paraqitet rishtas për Rrëshajë, në bashkësinë e parë të krishterë, dhe vazhdon këtë detyrë edhe sot, me ndërmjetësim amësor dhe kujdes për çdo njeri. Vetëm tash, deri diku, mund ta kuptojmë rolin, detyrën dhe rëndësinë e Marisë në jetën e Kishës dhe të çdo të krishteri.
Duke lutur rruzaren, edhe ne me Virgjërën Mari, duam t’i përshkojmë, kujtojmë, meditojmë rrugët e shëlbimit, fshehtësitë apo misteret e fesë tonë. Me Zojën Mari, duam të jemi të bashkuar me Jezusin Vëlla dhe Shpëtimtar, Zotin tonë, në Shpirtin Shenjt, që të mund ta kemi bashkimin me Atin. Me atë, më lehtë, do të them edhe më fatbardhësisht; do të ecim këtë jetë me plot lot, që të pranojmë, jetësojmë dhe dëshmojmë misteret e shëlbimit, duke pritur qiellin e ri dhe tokën e re, me bashkëpunimin tonë të përvuajtur dhe të çmuar.
Maria, është Mbretëresha e qiellit dhe tokës, në stilin e Jezusit, për të shërbye, siç bëri Krishti, duke e dhuruar jetën, pikën e fundit të gjakut të tij për shëlbimin tonë (krhs. Fil 2, 6-11). Kjo është pro-ekzistenca, jeta për të tjerët.
Të falemi Mbretëreshë
Nënë e mëshirës, jeta e ëmbëlsimit,
shpresa jonë.
Të falemi,
Ty të thërrasim ne të shkretët, bijtë e Evës,
që po fshajmë, po gjëmojmë e po qajmë
në këtë shekull plot me lot.
Deh pra, pajtorja jonë,
ata sy të mëshirshëm, silli drejt nesh!
E Jeusin, të bekuarin, frytin e barkut tënd,
pas kësaj shkretie na kallëzo.
O e dhimbshmja, o e buta, o e ëmbla Virgëra Mari!
Amen.
“Askush më mirë se Maria nuk e ka kuptuar mësimin e përvujtërisë. Ajo, ishte shërbëtorja e Zotit, ishte zbrazë tërësisht prej vetvetes që Zoti ta mbushte me hiri e vet… Hirplote domethënë e plotë me Zotin.” (Nëna Tereze)
Lutja e rruzares, sipas “Marialis cultus”, ka domethënie dhe përmbajtje të trefishtë: teologjik, liturgjik dhe baritor. Kuptimi teologjik: nëpërmjet meditimit të shenjave apo mistereve dhe uratës, përkujtojmë veprën e shëlbimit të Jezu Krishtit, në bashkëpunim me Virgjërën Mari. Kuptimi liturgjik: kjo është uratë lavdie dhe kërkimi, sidomos uratë soditjeje dhe përkujtim i kultit të madh te Jezusit në kryq. Pra, është një lloj “liturgjie” popullore, sepse lind nga liturgjia, përgatit liturgjinë, udhëheq bashkësinë e krishterë kah zemra e liturgjisë, mundimi, vdekja dhe ngjallja e Krishtit, që në mënyrë të papërgjakshme përsëritet në meshë. Kuptimi baritor: vlen veçmas për familje si “shenjtërore shtëpiake” të Kishës, “Kishë shtëpiake.” Urata e rruzares, gjatë shekujve, ishte për familje një moment takimi dhe bashkimi me Zotin, me vetë familjen, me të afërmin. Edhe sot, në dinamikën e jetës së krishterë, rruzarja është, mund dhe duhet të jetë një lutje shumë e rëndësishme për zhvillimin, rritjen dhe dëshminë e jetës së krishterë.
Enciklika “Redemtoris Mater” e Shën Gjon Palit II (1987) vërteton dhe përforcon plotësisht mësimin dhe besimin e Kishës Katolike mbi Virgjërën Mari, sidomos kushtetutën dogmatike “Lumen Gentium” – Drita e Popujve, kreun VIII, që e paraqet Marinë si “gjymtyra më e lartë dhe e veçantë e Kishës, figurë dhe model i mrekullueshëm për të në fe dhe dashuri; Kisha katolike, e udhëzuar prej Shpirtit Shenjt, me dashuri e përshpirtëri bijësore e nderon si nënë shumë të dashur.” (LG 53) Duke ecur në fe me Virgjërën Mari në përcjellje të Jezu Krishtit deri në vdekje në kryq dhe ngjallje të lavdishme, ardhjen e Shpirtit Shenjt mbi apostuj, ne jemi në “shkollën e Nënës”, për të besuar dhe dashuri si ajo Krishtin, Kishën, njeriun. Enciklika e paraqet Virgjërën Mari në jetën e Krishtit, të Kishës dhe në rolin amësor shpirtëror për të gjithë ne.
“Në fenë e Marisë… rihapet, nga ana jonë njerëzore, ajo hapësirë e brendshme në të cilën Ati i gjithëpushtetshëm mund të na mbushë me çdo bekim shpirtëror.” (RM 28)
Prishtinë, 5 mars 2023 – Radio Maria – Kosovë