ARKIVI:
18 Nëntor 2024

Përshpirtëria e Nënës Tereze, Zëri i Heshtjes

Shkrime relevante

Broçkullat e Albin Kurtit, trimërim për neootomanët…!

Belisar Jezerci, historian ____ Deklaratat e kryeministrit Kurti në medrese "Alauddin" në Prishtinë,...

O Stano, zëdhënësi i Serbisë, Kosovës nuk ka çka t’i duhet integrimi europian “me Serbi” brenda saj!

Gani I. Memeti Zëdhënësi i BE-së ka thënë se çështja e institucioneve...

Lirim Mhehmetaj dhe fjalori i tij trashaman…!

Afrim Caka, Gjakovë ___ …SE MOS E KA PARË DIKUSH TË JETË SKUQUR...

Popesku, turpi bije mbi ata që në shtëpinë e vet i sulmojnë mysafirët…!

Gani I. Mehmeti Në minutat shtesë, tifozët vendas nisën thirrjet raciste, me...

Shpërndaj

Don Lush Gjergji, Prishtinë

“Ju jeni drita e botës. Nuk mund të fshihet qyteti i ngritur në majë të malit.” 

                                                                                    (Mt 5, 14)      

“Ne kemi nevojë për heshtje… Nuk ka jetë të uratës pa heshtje. Zoti na flet në heshtje, në uratë, në adhurim, në jetën e brendshme.”  

                                                                                    (Nëna Tereze)    

Jetojmë në botën e zërave, fotografive, shenjave, komunikimit të kompjuterit, që arrin tashmë kudo, edhe në hapësira tokësore dhe jashtëtokësore. Njeriu në këtë drejtim ka arritur kulme fantastike, është duke e njohur dhe pushtuar gjithësinë. Teknika, teknologjia e komunikimit ka bërë hapa tejet të mëdhenj, aq sa bota bëhet gjithnjë më e vogël, e arritshme me shpejtësi marramendëse. 

Megjithatë, njeriu është gjithmonë njeri, me shumë kufizime dhe të meta, me halle të mëdha dhe të vogla, me mundësi të ndryshme, me gëzime dhe pikëllime, në kërkim të kuptimit të gjithë asaj që ka në brendi apo jashtë tij. 

Përparimi i botës së komunikimit ka lehtësuar shumë njohuritë, informimin, kulturën, punën, mirëpo për fat të keq, si duket, nuk ka ndihmuar shumë njeriun, për ta bërë atë më njerëzor, më të afërt, më komunikativ. Komunikimi hapësinor është gjithnjë më i lehtë, gati në dorë të secilit, ndërsa njeriu në familje, me të afërt, është gjithnjë i panjohur, larg, i paarritshëm, gati një lloj “kështjelle” misterioze, i izoluar në zbrazëti, i rrethuar vetëm me indiferentizëm. Siç duket, njeriu është mbyllur, mos të them “bllokuar” në vete, në marrëdhënie ndërpersonale, ndoshta i “ngopur” me informata, por shurdhë, i lodhur, memec, i verbët, i mbyllur, i tretur mes të tjerëve. 

Lufta më e madhe, ndoshta edhe vendimtare, ndodhë në këtë lëmi: rikuperimi i njeriut, vlerave themelore, pa të cilat, mbesim në terr, në pasiguri, në kështjella që i kemi ndërtuar “në ajër.”  

Kjo gjendje shkakton nevojë të madhe për heshtje, që nuk është gjë pasive, por gjuha e brendisë dhe thellësisë, kërkimi i vetes dhe të tjerëve, përfundimisht kërkimi i Krijuesit, porosisë dhe dashurisë së tij për ne. 

Heshtja, sot, do të dukej pothuaj e pamundur për shumë arsye dhe për shumë njerëz, si një zbrazëti, humbje kohe…, diçka që duhet shmangur me çdo kusht për t’i ikur takimit me vetveten. Ja, kështu lind mekanizmi mbrojtës: jem të bombarduar me zëra, fotografi, zhurmë kudo dhe në mënyra të llojllojshme: mjaft që të jemi gjithnjë të habitur, të lirohemi prej mendimeve, mos të jemi të vetmuar, mos ta dëgjojmë zërin e heshtjes dhe të ndërgjegjes – të Zotit, që është më i fortë se çdo zë tjetër. 

Besimtari,  sidomos i krishteri, ka përvojë pozitive për heshtjes, sepse kështu mund ta “dëgjojë” veten, të jetë vetvetja, ta “dëgjojë” zërin e Zotit në brendinë e tij, në heshtje, në përqendrim, në uratë, nëse “antenat” janë të hapura dhe të drejtuara kah Zoti, i cili, dëshiron të jetë gjithnjë në lidhje – komunikim me ne. 

Jeta e vërtetë shpirtërore, e bënë jetën tonë aktive plotë me zell dhe dashuri. Ajo, na bënë ta takojmë Jezusin në këndet më të errëta të rrugëve, në mjerimin më të dhimbshëm të varfërisë;  heshtja na lidhë në marrëdhënie me NJERIUN – ZOT, të zhveshur, të pikëlluar, të nëpërkëmbur prej të gjithëve, njeri të dhembjes, i shtypur si  ndonjë krimb… Shi për këtë, kemi nevojë për heshtje. Heshtja e përvujtërisë, dashurisë, e syve, veshëve dhe e gjuhës. Nuk ka jetë urate pa heshtje. Heshtja na udhëheq kah dashuria, dashuria kah përvujtëria. Zoti na flet në heshtje, në jetën e brendshme.  Për këtë arsye kërkoj me këmbëngulje heshtjen. Heshtja e gjuhës do të na mësojë të flasim me Krishtin dhe i jep mundësi Krishtit që të flasë me ne. Heshtja e syve  do të ndihmojë ta shohim Zotin. Sytë tanë janë si dy dritare nëpërmjet cilave mund të hyjë Krishti dhe bota. 

Ndonjë herë duhet të kemi guxim të mbesim të mbyllur. Ta mbajmë heshtjen e zemrës. Si Virgjëra Mari e cila ruante të gjitha në zemrën e saj. Shpirtrat e uratës janë shpirtra të heshtjes së thellë. Nuk mund të vihemi drejtpërdrejt  në praninë e Zotit, pa u angazhuar në heshtje të brendshme dhe të jashtme. Zoti është mik i heshtjes, na flet nëpërmjet heshtjes. Duhet ta gjejmë Zotin, mirëpo Zoti nuk gjendet në zhurmë, as në shqetësime… Nëse nuk jemi të aftë ta pranojmë vetveten, të tjerët, si mund të komunikojmë me Zotin? Sa më shumë pranojmë në uratën tonë të heshtjes, aq më shumë mund të dhurojmë në jetën tonë aktive. Heshtja, na jep pamjen e saktë të gjërave…Thelbore nuk është ajo çka ne themi, por ajo çka na thotë neve: Zoti si dhe çka u thotë Zoti të tjerëve nëpërmes nesh. Jezusi na prit në heshtje të tabërnakullit, na dëgjon, na flet, na do, na bënë të aftë për ta dashur dhe dëshmuar.” (Nëna Tereze) 

Heshtja është radiografia e jetës tonë; na ndihmon që ta njohim veten, të mbledhim energji për t’u përmirësuar, për të ecur përpara, për të qenë në shërbim ndaj Zotit dhe të afërmit. 

Zëri i heshtjes është urata e zemrës, meditimi i thellë, koha e rezervuar për komunikim me Zotin, që na ndihmon t’i lidhim çastet e ndryshme të jetës, si dhe për ta vlerësuar sa më mirë jetën, veprimet, qëndrimet, planet, synimet, kuptohet,  gjithnjë së bashku me Jezusin. 

Nga ky stil jete, lindin dhe rriten veprat e mëdha të Zotit në ne, me bashkëpunimin tonë, për shërbimin e të tjerëve. Kush është plotë me Zotin, nuk jeton vetëm në heshtje, në uratë, por jeton, vepron, dëshmon kudo Dashurinë, Jetën, Zotin, sepse është vazhdimisht dhe intimisht i lidhur me Të, që domethënë doemos, edhe me njeriun. 

Heshtja, urata, meditimi, jeta sakramentale përgatisin vepra të mëdha në botë. Një argument i qartë dhe bindës në këtë drejtim është Nëna Tereze. 

Ja, ajo dritë apo ai qytet në kodër, që nuk mund të fshihet. (khs. Mt 5, 14) 

Prishtinë, 7 qershor 2023 

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu