Në Frankfurti, tek përmendorja e poetit kombëtar e botëror gjerman, Gëte, Johan Wolfgang Von Goethe .
Bedri TAHIRI
SHËMBËLLTYRË ATDHETARIE
- Profile atdhetarësh e luftëtarësh
Gjatë vizitës sime në Gjermani, dy ditë i kalova edhe në Dortmund. Isha mysafir i kolegut tim, Atdhe Geci dhe i veprimtarëve të palodhur të çështjes kombëtare: vëllezërve Ali e Bashkim Aliu dhe kushëririt të tyre, Fadil Aliu, të cilët janë ber sinonim i mërgatës shqiptare këtu në Dortmund. Bujaria dhe mikpritja e tyre më lanë përshtypje të veçantë. Ata, me të bëmat e tyre atdhetare, janë histori në vete, që është e pamundur të përmblidhet brenda këtyre rreshtash…
Rrënjë të thella atdhetarie
Bradashi (sot Bardhashi) i Besianës, është një vendbanim i tipit të dendur, i shtrirë rrëzë bjeshkëve dhe një lugine me kodra të afërta. Se është vendbanim i lashtë dëshmojnë dy kala të vjetra atypari në malet që formojnë trekëndëshin Besianë-Vushtrri-Mitrovicë: Gurët e Bardhë dhe Kërshi i Sokolit si dhe toponimet e shumta që dëshmojnë vjetërsinë, si: Kodra e Kishës, Ara e Thiut, Lugu i Thive, Përroni i Kurtit, Përroni i Gjolës, Kroni i Demës, Molla e Sokolit etj. Në dokumentet e shkruara si vendbanim përmendet në defterin kadastral të Vilajeti Vëllk të vitit 1455.
Si kudo, edhe në këtë fshat, gjatë historisë, u vendosën edhe shumë kolonë serbë e malazezë. Në anën tjetër shumë shqiptarë u detyruan të shpërngulën për në Turqi. Mirëpo, pati edhe nga ata që nuk arritën të kalojnë kufirin dhe u kthyen në tokat e veta që ua kishin zaptuar kolonët. Madje, edhe të jepnin jetën për tokën e vet. Kështu u ngjau edhe vëllezërve të një familjeje, të cilën u detyruan të luftonin pikërisht për tokën e vet, kundër kolonëve, duke vrarë dy malazezë e plagosur shumë të tjerë. Tre prej tyre mbetën të vrarë, duke luftuar, por bën të pamundurën për ta shpëtuar vëllain e tyre, Aliun.
Aliu i Rexhës ishte burrë me nam, siç i thonë një fjale. Ai kishte lidhur krushqi me burrat e fortë të Bajgorës, me trimin e paepur Ukshin Kovaçica. Kështu djali i tij, Beqa, ndoqi rrugën e mbarësisë dhe që nga rinia u dallua për trimëri, bujari e burrëri.
Edhe djali i Beqës, Tahiri, u rrit dhe u edukua në frymën e atdhetarisë. U dallua për të mirë në të gjitha epokat e historisë. Para luftës, në kohën e lëvizjeve dhe organizimeve të mëdha, përherë ishte në ballë të veprimtarive atdhetare. Ishte organizator dhe prijatar i të gjitha demonstratave dhe lëvizjeve popullore në rajonin e Llapit e përtej tij.
Edhe në jetën private, i priu fati dhe e mbara. Tahiri u martua me Xhemilen nga Dobratini (Gegaj) dhe u lindën dhjetë fëmijë: katër djem (Aliu, Afrimi, Bashkim, Jetoni) dhe gjashtë vajza (Elhemja, Minirja, Vjollca, Iliriane, Shukrija, Valmira).
Dhe, kur shpërtheu lufta e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Tahiri, pa hezitim rroku armët e lirisë dhe i doli zot atdheut. Ishte ndër eprorët më të dalluar në Zonën Operative të Shalës. Shtëpinë e tij dhe të të vëllait, Hazirit, i shndërroi në Shtab. Aty qëndronte dhe vepronte edhe komandant LEKA (Nuredin Ibishi).
Babë e bir (Tahiri dhe Bashkimi) të gatshëm për tu përballë me armikun
Ali Tahir Aliu, i lindur në vitin e madh të demonstratave për shkollë e për Flamur (17.03. 1968), qysh si i ri përjetoi dhe provoi barbarinë serbe. I shtrënguar nga zezonat e kohës, detyrohet ta braktiste atdheun, që e donte aq shumë. Mirëpo, edhe pse mori rrugën e mërgimit, Kosovën dhe shqiptarinë i mbajti në gjirmë të shpirtit. Me mendje e me zemër përherë ishte aty ku kishte lindur. “Republika e Kosovës, apo thënë shkurt, Kosova-Shqipëri, është dhéu ynë, gjuha dhe dashuria jonë. Pa këtë adresë të atdheut, ne jemi të pa emër dhe mbiemër, dhe një popull i shkrirë në një populli tjetër”- i thotë shpesh xha Rrustës (Atdhe Gecit), kur kuvendojnë në lokalin e tyre mikpritës. Libri për Kosovën mua më mbeti i pashkruar dhe i papërfunduar. Demonstratat e Kosovës aso kohe qenë të përditshme, më thotë Aliu. Unë edhe kur bëj gjumë, duart i mbaj grusht, ndërsa ëndrrat e mia janë krejt epike, dhe me beteja të ashpra. Lot më bie në zemër pse s´jam në Kosovë.
Në Dortmund, me z. Aliu Aliun- kryetarin e Republikës së Çamërisë
Edhe nga mërgimi nuk u ndalë së vepruari për çështjen kombëtare. Atje na duhesh më shumë, i thoshin. Kështu, luftën e Kosovës për liri e pavarësi e ndihmoi me mbi 3o mijë marka gjermane. Ndihmat e tij nuk kanë të sosur…
Aktualisht është veprimtar i dalluar në mërgatë, përkatësisht në Dortmund, afarist i shkëlqyer dhe, më kryesorja, kryetar i Republikës së Çamërisë!
Bashkim Tahir Aliu– ende pa i mbushur 18 pranverat, u radhit në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ishte ndër ushtarët më të rinj në Zonën Operative të Llapit. Ore, po nuk kishte si të vepronte ndryshe, kur e gjithë familja: prindër, vëllezër, motra, xhaxhallarë e kushërinj ishin vënë në shërbim të atdheut.
Me Bashkim Aliun- në Dortmund
I ati, Tahir Aliu, që në ditët e para të kryengritjes së madhe, u rreshtua me vullnetarët e Llapit, për t´i këputur prangat njëshekullore të robërisë. “Liria çmimin e ka të lartë, por ne duhet të jemi gati në çdo kohë për çdo sakrificë”- u thoshte të bijve. Dhe, vetë, ndër të parët kishte veshur uniformën e UÇK-së dhe shtëpinë e kishte shndërrua në Shtab!
Bashkim Aliu- njëri nga ushtarët më të ri në ZOLL
Bashkimi është fjalëpakët, është modest, është punëtor. Më së paku flet për vete! Atij i flet puna, i flasin veprat.
“Kosovën e kam zemër. Në UÇK-ë kam hyrë me gjithë shpirt. Isha i ri, ende pa i ra brisk fytyrës. Nuk ka pasur gëzim më të madh se kur kam veshur uniformën e UÇK-së, dhe kur i fillova ushtrimet ushtarake në Potok, te lagja e Spahijave. Njëzet e katër ushtarët e parë (ende nuk kishin dalë publikisht) të fshatit tonë, patën shkuar për ushtrime në Zabërgjë. Kosova për gjithsecilin ka qenë një mësim lirie. Në Shkollën e lirisë, në fshat, shpejt u aftësuam në përdorimin e armëve, në dhënien e ndihmës së parë, në vëzhgimin e terrenit, tërheqjen e të plagosurve, dhe furnizimin me ushqim të refugjatëve. Njësiti ynë „Llapi“, nën drejtimin e komandant Arbrit, bënim vëzhgimin e terrenit. Grupi ynë përbëhej nga Bashkim Aliu, Rrahman Rashiti, Driton Hoti, Faton Hoti, Albert Gashi, Arben Visoka dhe Faruku, një luftëtarë i yni nga Shkupi. Në shtëpinë tonë aso kohe ishte një pjesë e Shtabit të UÇK-së, dhe familja e Komandant Lekës. Kam marrë pjesë edhe në Luftën e UÇPBM-së, në fshatrat e Bujanocit, dhe të maleve të Tërnovcit…”(Më gjerësisht: Atdhe Geci, Shkruaj edhe sikur të m’i vrasin duart, Lena, Prishtinë, 2021, f. 164-169)
Të tillët na duhen! Shëmbëlltyrë atdhetarie për dje, për sot e për nesër!
Në bibliotekën e pasur të kolegut të nderuar, z. Atdhe Geci në Dortmund