Shkolla Shqipe në Gjenevë
Nga: Nexhmije Mehmetaj
Mësuesi ka qenë dhe mbetet faktor kyç në funksionimin dhe progresin e çdo institucioni arsimor. Roli i tij shkon përtej thjesht transmetimit të njohurive – ai është një udhërrëfyes, motivues dhe një figurë kyçe që ndikon drejtpërdrejt në formësimin e identitetit gjuhësor dhe kulturor të nxënësve.
Në rastin e shkollave shqipe të mësimit plotësues në diasporë, ky rol bëhet edhe më i ndërlikuar dhe sfidues, për shkak të specifikave të veçanta që ka ky sistem mësimor dhe që nuk mbështetet nga institucione arsimore shtetërore në mënyrën e duhur, çka e vështirëson më shumë punën e mësuesve. Përvoja e tyre e pasur ndonëse me vështirësi dhe sakrifica, është ndërtuar mbi baza atdhedashurie, përgjegjësie kombëtare dhe përkushtimi profesional, duke u bërë një model për ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës shqipe jashtë trojeve shqiptare.
Sfidat dhe përkushtimi i mësueseve në shkollat shqipe të MP
Në Shqipëri dhe Kosovë, Ministria e Arsimit veç detyrave të tjera bën përgatitjen profesionale të mësuesve, vazhdon kualifikimin nëpërmjet trajnimeve, seminareve dhe standardizimit të Planit mësimor. Për fat të keq, kjo praktikë mungon në shkollat shqipe të mësimit plotësues jashtë atdheut.
Megjithatë, mësuesit e gjuhës shqipe të shkollave me mësim plotësues nuk janë ndalur së punuari për të zhvilluar më tej veprimtarinë e tyre. Ata kanë krijuar metoda të reja, kanë marrë përvoja nga kolegët, kanë shfrytëzuar burime alternative për të siguruar materialet mësimore.
Çfarë i bën të veçantë mësuesit e SHSHMP?
- Atdhedashuria dhe motivimi i drejtë – Mësimdhënia nuk është vetëm një profesion, por një mision për ruajtjen e identitetit kombëtar.
- Puna e tyre është vullnetare ose me mbështetje minimale financiare, megjithatë ata vazhdojnë të japin maksimumin për të ruajtur gjuhën shqipe dhe kulturën.
- Përshtatja me kushte të ndryshme mësimore, pasi shpeshherë fëmijët kanë nivel të ndryshëm të njohjes së shqipes, duke bërë që mësuesi të përdorë qasje të ndryshme për secilin nxënës.
- Angazhimi për të krijuar materiale didaktike, pasi në shumë raste librat dhe materialet e përshtatura për këtë lloj mësimi mungojnë.
Që mësimi të jetë i suksesshëm dhe efektiv, mësuesi duhet të përmbushë të paktën dy kushte thelbësore:
- Njohja e lëndës mësimore dhe Kurrikula mësimore
Mësuesi/ja duhet të jetë i përgatitur jo vetëm për përmbajtjen e temave mësimore, por edhe për mënyrën se si ai mund të transmetohet te nxënësit që janë rritur në një mjedis dygjuhësie( shqip në familje dhe gjermanisht apo frëngjisht në shkollë. Kurrikula duhet të përfshijë aspekte të gjuhës amtare, historisë së të parëve, gjeografisë së atdheut, kulturë muzikore dhe kulturë figurative. Nëpërmjet këtyre drejtimeve nxënësit do të marrin njohuri dhe do të fitojnë shprehi për të ruajtur veçorit e kombësisë së tyre.
2.Njohja e specifikave të klasës dhe individualizimi i mësimit
- Çdo klasë është unike dhe përbëhet nga nxënës me nivel të ndryshëm të njohjes së shqipes.
- Mësuesi duhet të zbulojë mënyrën më të mirë të të nxënit për secilin nxënës, duke i ndihmuar ata të ndihen të përfshirë dhe të motivuar.
- Nxënësit duhet të ndihen pjesë aktive e mësimit, të angazhohen në mënyrë interaktive dhe kreative, duke e bërë procesin mësimor sa më tërheqës.
Në të kundërt, mungesa e këtyre dy elementeve mund të çojë në dështim të mësimdhënies, ku fëmijët nuk e ndjejnë lidhjen me gjuhën dhe si pasojë, mund të humbasin interesin për të mësuar shqip.
Rëndësia e dimensioneve metodologjike në mësimdhënie
dhe në të nxënë
Personaliteti i mësuesit reflektohet në aftësitë e tij social pedagogjike dhe sociale, të cilat ndikojnë në motivimin dhe në gjithë përfshirjen e nxënësve. Për ta arritur këtë, mësuesi duhet të përdorë metoda moderne dhe interaktive duke e vendosur nxënësin në qendër të procesit mësimor. Lë të ndalemi konkretisht në tre prej këtyre metodave:
- Të mësuarit me projekte – Përfshirja aktive dhe përdorimi praktik i gjuhës
Kjo metodë është veçanërisht e efektshme për nxënësit dygjuhësh, sepse: E bën mësimin më tërheqës dhe praktik, duke i ndihmuar nxënësit të lidhen emocionalisht me gjuhën.
Ndihmon në ruajtjen e shqipes përmes aktiviteteve që lidhen me jetën e tyre në mërgim. U jep mundësinë të praktikojnë gjuhën aktive përmes hulumtimeve, shkrimeve, bisedave dhe prezantimeve.
Përdor kohën e kufizuar në mënyrë më efikase, pasi nxënësit mund të vazhdojnë projektet edhe në shtëpi.
Shembuj konkretë:
- Nxënësit mund të përgatisin një album me fjalë dhe shprehje shqip, duke e pasuruar fjalorin e tyre.
- Mund të krijojnë prezantime mbi qytetet shqiptare, duke mësuar histori dhe kulturë.
- Intervista me prindërit/gjyshërit për të dokumentuar fjalë, tregime dhe kujtime nga Shqipëria/Kosova.
- Projektet e leximit – çdo nxënës lexon një përrallë ose tregim shqip dhe e rrëfen me fjalët e tij në klasë.
- Të mësuarit me qendër nxënësin
Të mësuarit me qendër nxënësin – nxit për të punuar në mënyrë të pavarur. Kjo metodë ndihmon nxënësit dygjuhësh sepse:
-U lejon të zgjedhin tema që i interesojnë, duke i motivuar të angazhohen më shumë.
-Ndihmon në zhvillimin e shkathtësive të komunikimit në shqip, duke u përqendruar në biseda të lira dhe diskutime.
-Zvogëlon ndrojtjen për të folur shqip dhe i inkurajon të shprehen më natyrshëm. E përshtat mësimin sipas niveleve të ndryshme të gjuhës, pasi disa nxënës mund ta flasin shqipen më mirë se të tjerët.
Shembuj konkretë:
- Nxënësit zgjedhin një fjalë të re shqipe çdo javë dhe e përdorin në fjali të ndryshme.
- Lojërat si “Gjej fjalën e fshehur”, enigmë me fjalë shqip dhe fjalor vizual.
- Shikimi i një videoje të shkurtër në shqip dhe diskutimi i saj në klasë.
- Rrëfimi i përvojave personale në shqip – siç janë pushimet në vendlindje ose festat familjare.
- Të Mësuarit me grupe – Teknikë mbështetëse për bashkëpunim
Të mësuarit me grupe është një metodë mësimore ku nxënësit punojnë së bashku për të arritur një qëllim të përbashkët. Kjo metodë bazohet në ndërveprimin mes nxënësve, duke i inkurajuar ata të ndajnë ide, të bashkëpunojnë dhe të mësojnë nga njëri-tjetri.
Përparësitë:
- Rrit bashkëpunimin dhe aftësitë sociale
- Përmirëson aftësitë e komunikimit dhe mendimit kritik
- Ofron mundësi për të nxitur mësimin aktiv dhe të thelluar
- Ndihmon nxënësit të fitojnë vetëbesim përmes shkëmbimit të njohurive
Shembuj praktikë:
- Nxënësit ndahen në grupe për të analizuar një temë dhe më pas e prezantojnë përfundimin e tyre.
- Diskutime në grup për të zgjidhur probleme ose për të kryer eksperimente.
- Studime të rastit, ku secili anëtar ka një rol të caktuar në hulumtim.
Në përfundim
Mësuesi/ja në shkollat shqipe të mësimit plotësues në diasporë është më shumë sesa një edukator – ai është përçuesi i një gjuhe të folur. Personaliteti i tij, profesionalizmi dhe aftësia për të motivuar nxënësit janë shtylla kryesore për suksesin e këtyre shkollave.
- Njohja e mirë e Kurrikulës mësimore dhe aftësitë gjuhësore të nxënësve.
- Zbatimi i metodave aktive dhe të përshtatura për mësimin në situata dygjuhësore shqip dhe frëngjisht apo shqip gjermanisht.
- Përdorimi i projekteve, lojërave dhe diskutimeve.
Kjo përvojë është çelësi për të ruajtur të gjallë gjuhën shqipe në zemrat e brezave të rinj të mërgatës sonë.
Me 23.02. 2025