Nail Draga, Ulqin
Diskursi kulturor
Me 27 korrik në Reç të Ulqinit u bë përurimi i pllakës përkujtimore kushtuar katër viktimave të cilët janë likuiduar nga ushtria jugosllave e kohës me 10 nëntor 1935, ku duke i kujtuar dëshmojmë se nuk janë harruar. Për organizimin dhe realizimin e këtij monumenti meritë të veçantë ka Kolë Zagreda, duke dëshmuar në praktikë përkushtimin shoqëror e kombëtar për vendlindjen, si rrallë kush në kohën tonë
Të nderuar pjesëmarrës,
Jemi mbledhur sot për përurimin e pllakës përkujtimore në nderim të katër viktimave të cilët janë likuiduar me 10 nëntor në vitin 1935!
Dita e sotme sa është e veçantë është edhe emocionale, sepse për herë të parë mbahet një takim publik në përkujtim të katër viktimave te Reçit(Ulqin).
Pllaka përkujtimore e cila po përurohet sot dëshmon nderimin e viktimave në 89 vjetorin e masakrës të realizuar nga ushtria jugosllave e kohës.
Nuk ka dilemë se ata ishin viktima të shoqërisë dhe të sistemit të kohës e cila kishte urrejtje patologjike kundër shqiptarëve.
Vrasja e katër shqiptarëve në Reç në tokë të tyre, dëshmon se sa vështirë ka qenë për të jetuar e punuar në zonën kufitare. Sipas informacioneve që disponojmë vrasje kundër shqiptarëve kanë ndodhur edhe në vendbanimet tjera shqiptare në zonën kufitare por kjo ishte me e rënda, sepse brenda disa minutave u likuiduan katër shqiptarë, tre nga familjet Zagreda e një nga Gazivoda.
Nga ana tjetër duke ditur qasjen e pushtetit ndaj shqiptarëve të cilët i trajtonte si element i padëshiruar, duke i diskriminuar në çdo aspekt, nuk ishte befasi vrasja e tyre nga ushtria e kohës.
Nga ajo kohë dhe më pas kjo masakër nuk është ndriçuar dhe askush nuk është marrë në përgjegjësi, sepse me sa jemi të informuar, nuk janë bërë hetimet, nga organet kompetente. Dhe jo vetëm kaq, por për këtë masakër çdo gjë ka mbetur enigmatike sepse ende nuk dihet shkaku i kësaj, sepse ka pasur spekulime të ndryshme.
Ndonëse kjo masakër ka ndodhur para Luftës së Dytë Botërore mendojmë se duhet të angazhohemi për të hulumtuar në këtë drejtim, sepse krimet nuk vjetrohen.
Përveç familjareve dhe banorëve të Reçit, për këtë masakër pak kush ka ditur si më parë edhe tash. Andaj nga sot kjo përkujtimore është dëshmi autentike për të gjithë ata që dëshirojnë të dijnë të vërtetën. Jo vetëm kaq, por ky vend nga sot është dëshmi autentike për krimet kundër shqiptarëve.
Nga ana tjetër sa herë qe do të trajtohet zona kufitare, kjo masakër duhet të evidentohet si e veçantë për kohën tonë dhe ato qe do të vijnë pas nesh. Sepse nuk është thënë kot “sepse ka ndodhur ajo qe është shkruar”.
Andaj edhe vendosja e kësaj pllake përkujtimore me emrat e katër viktimave ka këtë mision informativ, për ti kujtuar e mos me i harruar.
Nderim për ata qe e kanë inicuar këtë ide dhe e ndërtuan këtë përkujtimore.
Ndonëse me vonesë por duke i kujtuar dëshmojmë akt qytetarie dhe nderimi!
Ndërsa ne jemi të nderuar qe sot jemi në këtë ditë të shënuar jo vetëm për Reçin.
Nga sot të gjithë ata që duan të njihën me këtë ngjarje kriminale si udhërrefim do të shërbejë kjo pllakë përkujtimore, me emrat e martirëve: Kolë Gjini Zagreda(1897-1935), Mark Gjini Zagreda(1910-1935), Zekë Leka Zagreda(1918-1935) dhe Gjin Laca Gazivoda(1904-1935).
Dhe në fund duhet të them se për organizimin dhe realizimin e këtij monumenti meritë të veçantë ka Kolë Zagreda, duke dëshmuar në praktikë përkushtimin shoqëror e kombëtar për vendlindjen, si rrallë kush në kohën tonë.
Në vendet e qytetëruara dhe me kulturë demokratike, te tjerët edhe për ndodhi të rastit e jo ma për masakra ngrisin pllaka përkujtimore e memoriale. Andaj me këtë përurim të kësaj pllake përkujtimore që është nderim për viktimat, ne po veprojmë sikurse vepron bota e qytetëruar, duke qenë mesazh qe krime të tilla të mos ndodhin në asnjë vend.
Nderi i së cilit në vend të vet!
Ju faleminderit!
(Fjala e mbajtur me rastin e përurimit të pllakës përkujtimore në Reç, më 27 korrik 2024)