Tomë Mrijaj, New York
- Recension për librin “Përmes vitesh …” të Pjetër Gjokë Dreshajt.
Botimi i çdo libri në gjuhën shqipe, është një moment gëzimi i mirëseardhur për lexuesit. Nga shfletimi i tij njihemi me detaje të përmbajtjes së veprës. Vetë titulli sinjifikativ: “Përmes vitesh…” (botuar nga Shtëpia Botuese dhe Shtypshkronja “Fiorentia”, Shkodër, 2020), me autor publiçistin dhe atdhetarin e palodhur Pjetër Gjokë Dreshaj, është një risi për lexuesit shqiptarë të trojeve tona dhe më së shumti në diasporë, ku ky libër është përhapur më së shumti.
Vepra e re, ndahet në pjesë ose kapituj, të cilat dora- dorës zbulojnë dhe pasurojnë krijimtarinë e gjerë artistike të shkrimtarit dhe studiuesit produktiv Pjetër Gjokë Dreshaj.
Në pjesën e parë të librit, autori Dreshaj, duke njohur me hollësi historinë, kulturën, zakonet, traditat, figurat e shquara historike dhe patriotike të malësorëve tanë ndër shekuj, ka trajtuar mjeshtërisht figurat e shquara të kombit shqiptar në disiplina dhe këndvështrime të ndryshme, duke i përmbledhur ato në kapitullin e rëndsishëm: “Studime dhe ese”.
Kështu autori, librin e vet e fillon me përshkrimin dinjitoz të poetit malësor Nikollë Ivanaj, të cilin esencialisht e ka zbërthyer me detaje dhe dinjitet professional, veprimtarinë krijuese artistike dhe poetike të tij, gjatë harkut kohor të viteve 1879-1950.
Në faqet e librit, gjatë analizës së temës së parë: “Veprimtaria poetike e Nikollë Ivanajt 1879-1950” (fq.7- 18), hulumtuesi i palodhur dhe skrupuloz Pjetër Gjokë Dreshaj, na jep detajet origjinale të figurës së Nikollë Ivanajt, në fillim të shekullit XX, kur vëllezërit studente Marashi dhe Martini, gjatë vitëve 1920-1923, në Univeristetin e Romës pas mbrojtjes së doktoraturës së tyre, me mallin e zhuritur për vendlindjen kthehen në tokat shqiptare, për të kontribuar për kombin dhe popullin shqiptar. Ata ishin djemtë e axhës së Nikollë Ivanajt.
Ai i shikonte me admirim dy vëllezërit e axhës së tij dhe ëndrronte të behej sikurse ata, duke studiuar në universitetet prestigjioze të Europës Perëndimore. Këtë rrugë të jetës dhe shpresës, për një jetë dhe kulturë përparimtare europiane dhe botërore, do t’a kishin të gjithë pjesëtarët e fisit të madh Ivanajt dhe vetë Nikolla, që ëndrronte të bëhej si ata.
Nikolla vijoi studimet universitare në gjuhën serbe në Universitetin e famshëm të Beogradit, i cili, shquhej asokohe në të gjithë vendet e Europës Perëndimore. Ai gjatë jetës së tij të pasur atdhetare dhe intelektuale, nuk i shkëputi asnjëherë lidhjet e mira më intelektualët e shquar shqiptarë, si: liberatorin e famshëm patriot Luigj Gurakuqin, At Gjergj Fishtën, Hilë Mosin, Risto Siliçin, Pashko Vasën, etj.
Ai si intelektual i formuar në mënyrë solide dhe më një kulturë kualitative përëndimore bashkëpunoi shumë me shtytin dhe revistat e kohës, si: “Shpresa e Shqipnisë”, “Lidhja kombëtare”, Kalendarin “Dija” në Vjenë dhe në të përkohshmen “Java” në qytetin e lashtë kulturëdashës Shkodër.
Nga hulimtimet e studiuesit të palodhur Nikollë Ivanaj, mësojmë se ai arrin të botoj të gjithë ciklin e plotë të poezive të tij nëpër revista dhe gazeta e i përmbledh 70 poezitë në një libër me titull: “Lulet e pasosme”.
Studiuesi ynë Dreshaj, i bën një analizë të plotë tematikës së vjershave apo poezive me frymë atdhetare dhe patrotiotike të intelektualit të shquar Nikollë Ivanajt, studim të cilin ai e përfundoi për botim në dhjetor të vitit 2009 në Tuz të Malësisë. Ky botim, për herë të parë botohet në librin: “Përmes vitesh…”, 11 vjet më vonë në qytetin e Shkodrës.
Ne temën e dytë shkrimore, me titull: “Në vend të hyrjes”, autori Dreshaj, bën një përshkrim profesional të dy vëllezërve Ivanaj, Martinit dhe Mirash Ivanajt, duke i përshkruar ata me detaje interesante jetësore dhe intelektuale. Duke i ndjekur ata hap mbas hapi, Dreshaj na shpalos dy pendat dhe figurat e shquara të botës shqiptare, që për shumë dekada ishin lënë në harresë në trojet shqiptare dhe nga akademitë e shkencave shtetërore në Kosovë dhe Shqipëri.
Sa më shumë kohë kalon, aq me shumë rritet madhështia e tyre, si pasojë e burimeve të reja historike, që po dalin fatmirësisht çdo ditë në dritë, çka në këtë rast plotësojnë në mënyrë të plotë konturet e portreteve të tyre patriotike dhe intelektuale, në shërbim të kombit shqiptar për disa dekada me radhë.
Në vazhdim, do të theksoj një aftësi të rrallë të autorit Dreshaj, në mënyrën e krijimit të frazave brenda paragrafit. Nga botimet e librave me profile të ndryshme, natyrshëm ne njohim sot teorinë e përhapur të krahasimit si formën artistike të të shprehurit, por nuk kemi mundësi të gjejmë në një mënyrë një krahasim epiko-artistik, studimor, analitik, një sintezë shumë domethënëse, sikurse tek penda skalitëse e poetit, publiçistit dhe studiuesit Pjetër Gjokë Dreshaj, i cili, na shpaloset me një përvojë dhe larmi fjalish vlerësuese shumë të goditura, ku me pak fjalë ai thotë shumë mendime preçize, në formë sintezash esenciale të koncentruara.
Duke u munduar të rri brenda kornizave të një reçensioni, do të veçoj, pa zgjatje, se ky libër ka dhe vlera historike për gjeneratat e reja, të cilët do të kenë një pasqyrë të veçantë për t’u njohur me atë periudhë kohore, me vijimsinë e brengave dhe problemeve të trevave shqiptare ndër shekuj.
Mesazhi i veprës është i qartë, sepse qysh në titull ai u tregon lexuesve: “Përmes vitesh…”, se për të realizuar këtë libër të larmishëm, i është dashur shumë kohë, mund dhe hulumtime të gjata në kohë, duke hyrë thellë në kalendat e historisë dhe shfletuar faqet e zverdha të dokumenteve historike dhe letrare, të cilat për një kohë të gjatë kanë qenë të mbuluar nga pluhuri i harresës, sepse për një arsye apo tjetër ata janë lenë pas dore.
Vetë datat, muajt dhe vitet, kur janë botuar këto punime hulumtuese shumëvjeçare të autorit Dreshaj, tregojnë se sa shumë kohë dhe mund i është dashur atij të zbardh fakte, data dhe jetë njerëzish shumë të rëndsishëm të Malësisë, duke shkruar kësisoj vit mbas viti antologjinë e figurave dhe jetën e tyre atdhetare dhe intelektuale me pendë në dorë në dobi të popullit dhe kombit shqiptar.
Në kuadrin e 40-vjetorit të përkujtimit të Besëlidhjes së Malësisë, studiuesi Dreshaj, merr pjesë në Akademinë solemne të organizuar në Tuz, duke mbajtur një ligjeratë shkencore historike, në përkujtim me nderim dhe respekt të të gjithë burrave të ndershëm dhe të mençur të trevave të tij kreshnike, të cilët si vizionarë të vertetë i kontribuan këtij vendimi të drejtë historik asokohe.
Studimi i tij me titull: “Besëlidhja një vazhdim i denjë i vlerave civilizuese” (fq. 26-35), rrok një temë brilante, ku Dreshaj shpalos para auditorit vlerat e kësaj date të madhe historike për Malësinë zëmadhe, por edhe më gjërë. Kontributet e mëdha të malësorëve ndër shekuj, janë shumë dimensionale dhe sikurse thotë Dreshaj, nuk është e mundur për atë që me një kumtesë të shkurtër restrospektive apo sinjifikative në këtë rast përkujtimi të përfshihen efektet e saj historike, juridike, sociologjike, sociale, dokësore etj.
Për më tej, Dreshaj analizon Kanunin e Lekë Dukagjinit, vlerat e tij për perdorim të përditshëm nga malësorët e tij, të cilët përbënin asokohe kodin juridik të funksionimit të “shtetit” në Malësi.
Studiuesi Pjetër Gjokë Dreshaj, në intepretimin e tij analitik, shkruan: “Versioni i mëvonshëm i Kanunit për 24 orë ndiqte për gjak meshkujt e shtëpisë së dorasit deri në ferishte në djep, kushërinjt e nipat e afërm, edhe pse të ndarë me zjarr.
Në Malësinë e Madhe, për fat të keq binin në gjak të gjithë ata që vinin rubën e zezë (që mbanin zi) për njeri-tjetrin. Ky Kanun vlente edhe për Dukagjinin (Shalë e Shosh).
Padyshim se edhe interpretimet e improvizuara të Kanunit linin shumë dilema, meqenëse nenet e tij përcilleshin, të shumtën e rasteve, me gojë, brez pas brezi, sepse në atë kohë kishte shumë pak njerëz të shkolluar, sidomos ndër fshatra.” (fq. 28)
Me shumë endje në fletët mbresëlënëse në vijim, lexuesi mund të lexoj një recension kritik me vlerësime pozitive mbi një libri me poezi me titull: “Biseda” (Razgovor, 2002), botuar në gjuhën malazeze, me autor aktorin e mirënjohur Zef Ujk Gali, ku nxjerr në pah mjeshtërisht trajtimin e ngjarjeve të ndryshme historike, të cilat poeti Gali, sipas shkrimtarit të kulturuar Dreshaj, në biseda gërshetohen me elementë të shumtë lirikë “kështu që libri na del si një poemë e shkruar në dialog-dialog i imagjinuar. Përsonazhet e poemës janë Unë dhe Ai, ndonëse për lexuesin është e qartë se kemi të bëjmë me pyetjet që poeti ia shtron vetvetës dhe në të cilat përgjigjet autori, përmes plakut të urtë – përsonazhi Ai.” (fq. 36)
Hulumtuesi Pjetër Gjokë Dreshaj, bën pjesë në plejadën e intelektualëve të shquar të Malësisë, i cili, me pend të spikatur ka skalitur historinë dhe figurat e shquara të trevave kreshnike të malësorëve tanë trima ndër shekuj.
Ai ishte një burrë i urtë, sikurse qindra dhe mijëra të tjerë, që përbëjnë tabanin e traditës atdhetare të malësorëve, duke sendërtuar potencialin e vet intelektual. Dreshaj, ishte i heshtur dhe shumë i kulturuar, duke na dhuruar vit mbas viti portrete figurash historike deri në ditët tona.
Publiçisti Dreshaj, një skicë të shkurtër, por me vlera shumë domethënëse ka hartuar për Gjon Tomë Berishaj, që ishte një veteran i arsimit të Malësisë së Tuzit, i cili, ka vijuar të botojë herë pas here mbresat, kujtimet dhe përjetimet e veta, duke botuar kështu edhe librin e katërt të tij. Ai i ka pasqyruar edhe më shumë këto vlera të thesarit të kulturës së popullit dhe krahinës së tij të pasur, me këto ngjarje të rëndsishme historike. Skica e publiçistit Dreshaj, dallohet për cilësinë e trajtimit të figurës së veteranit të arsimit shqip në Tuz, aktivitetin e tij të pasur në fushën e kulturës së trevës kreshnike.
Reçensioni ose vlerësimi letrat për librin e Gjonit, është në vazhdën e qindra shkrimeve kritike publiçistike bashkëkohore, që studiuesi Pjetër ka bërë për të gjithë ata patriotë, intelektualë dhe letrarë apo studiues të ndryshëm të Malësisë dje dhe sot. Ai i njihte ato figura me detaje dhe është një gjendje në çdo kohë dhe situatë t’i përshkruaj ato dhe vlerat e tyre intelektuale dhe atdhetare ndër vite.
Një njeri i thjeshtë e i kujdeshëm, gjatë analizës së punës shumëvjeçare intelektuale të Pjetër Gjokë Dreshaj, sheh se ai në fakt është brenda cdo shkrimi apo përshkrimi historik dhe publiçistik, që ka bërë për figurat e shquara të Malësisë, sepse ka po të njëjtat tradita dhe karakterstika, nivel kulture dhe atdhedashurie, sikurse ato figura krenare të Malësisë ndër shekuj. Pra, mendoj se Pjetri është pjesë e lavdishme e historisë së Malësisë kreshnike me tradita.
Autori Dreshaj, në librin e tij shkruan edhe për kujtimet e hidhura dhe krenare, gjatë hartimit me mjeshtëri të parathënies së librit të autorit nga Malësia, Nikë Gjetit. Ai e zbërthen me shumë kujdes të gjithë aktivitetin e tij dhe librin, që ai ka shkruar me subjekt interesant për Malësinë dhe malësorët shqiptarë.
Ajo që i tërheq më shumë lexuesit sot, është puna krijuese dhe intelektuale e studiuesit dhe publiçistit Pjetër Gjokë Dreshaj, e cila është e përmbledhur për fat të mirë në disa libra të tij, që mbetën një pasuri e madhe kulturore dhe historike, për të gjithë Malësinë dhe popullin e tij kreshnik.
Dreshaj, gjithashtu ka lënë emër të mirë edhe me kumtesat e tij, që janë një fryt i punës së madhe dhe të pandreprerë në hulumtimin e historisë dhe figurave krenare kombëtare dje dhe sot në Malësi.
I palodhur Dreshaj mbeti edhe në hulumtimin e vijueshëm të arsimit në Tuz, fjalimeve të cilat janë pritur shumë mirë nga pjesëmarrësit në tubimet dhe përvjetoret e ndryshme. Përkujtimi i Ditës së Mësuesit, është në një farë mënyrë edhe përkujtimi i historisë së kulturës dhe arsimit në trevën e Tuzit dhe në tërësi në të gjithë Malësinë shqiptare brenda shtetit të Malit të Zi. Nga ana e tjetër, ajo është historia e plejadës së shquar të mësuesve, që brez mbas brezi nxorën nga klasat e tyre nxënës të ditur dhe atdhetarë të devotshëm të trojeve shqiptare dhe Malësisë.
Por ajo që e dallon studiuesin Dreshaj, është se gama e temave dhe kumtesave të tij historike, është shumë e gjërë dhe përfshin shpesh edhe të gjithë trojet etnike shqiptare dhe në veçanti ai ndalet më shumë me pendën e tij në historinë e lavdishme të arsimit shqip në Shqipëri, duke bërë përshkrimin e ngjarjeve dhe detajeve të paharruar të figurave, datave, gjatë periudhës së rizgjimit të Ndërgjegjës Kombëtare Shqiptare, që ndryshe në histori njihet edhe si Rilindja Kombëtare Shqiptare.
Në një punim të tij historiko-shkencorë, mbajtur në takimin me mësuesit, me rastin e ditës së 8 marsit 2010, në Qendrën e Kulturës në Tuz, ndër të tjera shkruan:
“Në vitet e pushtimit osman, mësimi i gjuhës shqipe bëhej fshehurazi në disa shkolla fetare në Stubëll (1854), Himarë (1627), Kurbin të Krujës (1632), Korçë (1637), Pllanë (1639), Bilisht (1639), Dhërmi (1660), Janjevë (1663), në Voskopojë, në medreset e Bushatllinjve në Shkodër etj.
Në periudhën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, për nevoja të shkollave shqipe u botuan abetaret e Naum Veliqiharxhit (1844-1845), të Konstandin Kristoforidhit (1867-1868) etj., dhe të Boriçit (1869). Më pas Alfabetarja e Stambollit, që u botua me 1879 në 20 mijë kopje, shpërndahet gratis, duke favorizuar alfabetin latin si më të përshtatshmin për shkrimin e gjuhës shqipe. Po ashtu në vitin 1879, themelohet në Stamboll “Shoqëria e të shtypurit shkronja shqip”, në krye të së cilës u zgjodh Sami Frashëri.
…Gjatë Luftës së Parë Botërore, themelohet “Drejtoria e Përgjthshme e Arsimit” me qendër në Shkodër, me degët e veta në Tiranë dhe Berat.
Është me rëndsi të theksohet se veprimtaria e kësaj drejtorie shtrihet edhe në Kosovë, por edhe në trojet e tjera në Mal të Zi. Kjo drejtori themeloi Komisinë Letrare dhe botoi një numër të madh tekstesh për shkollat fillore…
…Pas Luftës së Dytë Botërore, arsimi në shtetin amë, por edhe në Kosovë zhvillohet me intensitet të përshpejtuar. Kjo vijimësi mbahet edhe në trevat e tjera të banuara me shqiptarë, siç ndodhi edhe në shtetin e Malit të Zi, ku në vitin shkollor 1945-1946 u hap një numër i konsideruar shkollash fillore 4- vjeçare për mësimin në gjuhën shqipe, të cilat nëper qendra, u rriten me sukses në shkolla 7-vjeçare e më vonë edhe në shkolla 8-vjeçare….
Megjithatë vetëm falë Normales së Gjakovës, ku fillimisht me shkollimin 2-vjeçar e më vonë në atë 4-vjeçar, u diplomuan mësuesit e parë edhe nga Mali i Zi, shkollat shqipe fitojnë kuadrot e kualifikuar për zhvillimin e proçesit edukativo-mësimor në shkolla” (fq. 61, 62, 63)
Një kapitull interesant dhe me vlera informuese dhe edukative, është bota e magjishme e poezisë, ku Dreshaj spikat me përkthimet e tij të mrekullueshme nga gjuha malazeze në gjuhën shqipe si dhe anasjelltas nga gjuha shqipe në atë malazeze, të disa nga poetët më të shquar të botës letrare shqiptare dhe sllave. Ajo që spikat në këtë libër janë poezitë “Kulla e shpresës sime”, cikël me poezi nga intelektualët e shquar, vëllezërit Mirash dhe Martin Ivanaj.
Studiuesi dhe përkthyesi i shquar nga Malësia publiçisti Pjetër Gjokë Dreshaj, ka përkthyer në gjuhën malazeze poezi nga shkrimtarët e shquar shqiptarë, të vargut brilant poetik, si: Lasgush Poradeci, Zef Zorba, Ismail Kadare, Bardhyl Londo, Xhevahir Spahiu. Ai ka përkthyer gjithashtu nga gjuha cilirike sllave (malazeze) në gjuhën shqipe autorët e shquar poet sllav, si Risto Ratkoviq dhe Vitomir Nikoliq.
Kapitulli i fundit i librit të ri “Permes vitesh…”, me autor studiuesin dhe publiçistin e mirënjohur Pjetër Gjokë Dreshaj, përfshin edhe 5 artikuj publiçistikë të shkruar nga studiues dhe gazetarë të ndryshëm në gazeta dhe revista, sikurse edhe në shumë website të botës shqiptare në trojet etnike.
Të tilla, janë shkrimet e qëlluara profesionale, me analiza kumptimplote dhe interesante, që bëjnë vlerësime pozitive kritike dhe letrare mbi autorin Dreshaj, të cilat janë botuara në kohë të ndryshme dhe mbajnë nënshkrimin e autorëve nga trojet e ndryshme etnike shqiptare dhe diaspora, si: Gjekë Gjonaj (Një veteran shqiptar i arsimit shqiptar në Mal të Zi), Nikollë Gj. Lulgjuraj (Shtesë e propozimit për dhënien e Çmimit të Komunës Urbane të Tuzit” për vitin 2015, Profesorit Pjetër Dreshaj), Dhimitrov Popoviq (Sa bukur është kur “Hapim dritaren”… Disa shënime rreth Kompletit të tekstit mësimor Letërsia VIII, për shkollat fillore 9- vjeçare të autorit Pjetër Dreshaj), Nikolla Perkoviq (Pjetër Dreshaj, mësues nga Malësia në pension, fitues i Çmimit të komunës “Qytetar Nderi i Tuzit”, për veprimtari jetësore) dhe Dalip Greca (Pjetër Dreshaj, një jetë e përkushtuar për arsimin dhe letërsinë shqiptare).
Autori Pjetër Gjokë Dreshaj, lë një thesar në lëmin jetike, për të sotmen dhe të ardhmen tonë. Këtu del se temat, janë të pasura me të dhëna të dala nga zemra e studiuesit dhe për këtë ato janë të lexuara me ëndje nga lexues të shumtë.