Nga Lirim Gashi
I lartë është numri i shqiptarëve që pothuajse çdo vikend e kalojnë në bregdetin shqiptar apo malazez.
Apo ndoshta mua me bëjnë sytë, ngaqë çdo i dyti postim i miqve dhe mikeshave të mia ma jep atë përshtypje.
Nuk është për t’u çuditur që më shpesh vikendet i kalojnë në bregdetin shqiptar apo malazez, njerëzit që jetojnë në Kosovë, sesa ata që jetojnë në Perëndim, sepse afërsia me destinacionet përkatëse e bën të vetën.
Mirëpo e pyes veten nga i marrin këta skllevër të konsumit të paparë gjithë ato lekë, në një vend ku çmimet janë ngritur në qiell, ndërkaq pagat janë futur dhe fshehur në bodrum, prej turpit që janë aq të ulëta.
Janë pasuruar nga papunësia, çmimet e larta dhe pagat e ulëta, apo nga politikanët mafioz të cilët në vend se të krijojnë me kapitalin e plaçkitur vende të reja të punës, kanë krijuar zinxhir të pastrimit të lekëve, ku çdo hallkë e luan në mënyrë të përkryer rolin e saj negativ ?
Apo ndoshta kosovarët janë mjeshtrit më të mëdhenjë në botë, për eksploatimin e mërgates së tyre?
Çmimet në Kosovë janë ngritur pas pandemisë në një lartësi të padurueshme për njerëzit e varfër.
Kjo vlenë si për çmimet e artikujve ushqimor, higjienik, barërave dhe mjekimit, një ashtu edhe për ato të materialit ndërtimor, banimit me qera, karburantëve e kështu me radhë.
Në anën tjetër numri i makinave nëpër rrugët e Kosovës është aq i lartë dhe ndotja e ambientit aq e madhe, saqë më mbushet mendja që jetojë në Kinë.
Dhe jo vetëm kaq, por aq shumë e ndotin ajrin, saqë më krijohet përshtypja që mijëra njerëz edhe në tualet shkojnë me makinë.
Dhe kjo është një dëshmi, që fukaratë e deridjeshëm aq shumë janë të uritur për dalldisje, konsum dhe përjetime, saqë kanë harruar shumë shpejtë se kush kanë qenë dhe si janë ndier deri dje.
Dhe që varfëria është vrasësja më e madhe e dinjitetit njerëzor.
Më bie sidomos në sy disponimi i jashtëzakonisht i lartë i fukarave të deridjeshëm, që sot kushtimisht ndjehen dhe sillen si njerëz të pasur.
Që sillen sikur të jetonin në një ishull-parajsë edhe pse në çdo pëllëmbë të tokës së shkelur dhe përgjakur, janë të rrethuar nga ofshamat e skamnorëve.
Prandaj s’kemi pse të çuditemi që Halil Kastratin e adhurojnë kaq shumë njerëz në Kosovë.
Sepse ai është shndërruar në Ent Social, apo në një Robin Hud modern.
Dhe kjo është dëshmi për një vakuum të lartë institucional.
Sepse shumica e shqiptarëve të pasur nuk sillen si pasanikë modern, modest, të vëmendshëm, solidar dhe human, por si pasanikë tru tredhur, lëkurë trashë, arrogant, tahmaqarë dhe të pandjeshëm, po aq sa feudët dhe borgjezët aristokrat të fillim-shekullit të kaluar.
Prandaj çdo skamnori i bie akoma më shumë në sy pandjeshmëria e tyre ekstreme ndaj halleve të tij.
Shqiptarët si duket nuk mjaftohen me lumturinë që ua krijon jeta luksoze, prandaj përmes postimit të fotografive dhe videoklipeve luksoze, dëshirojnë t’i vrasin edhe shpirtërisht njerëzit e varfër.
Dhe jo vetëm kaq, por t’ua cenojnë atyre kushtimisht edhe dinjitetin njerëzor.
Dhe ata këtë e arrijnë në mënyrë të përkryer përmes krekosjes së shëmtuar.
Dhe në këtë mënyrë ata dëshmojnë mungesë aq të lartë të dhimbjes, sensit, shijes, edukatës dhe kulturës, saqë shpesh nuk mund t’u besojë syve të mi që jetojë në Kosovën dikur të njohur për solidaritet dhe bujari.
Shpresoj që Qeveria Kurti nuk do t’i bashkangjitet armatës së madhe të njerëzve të pandjeshëm, lëkurë trashë dhe tru tredhur, që besojnë se janë të pavdekshëm.
Pavarësisht trysnisë se jashtme që të gjendet një kompromis me Serbinë që ka mbetur jo vetëm e pandryshuar nga koha e Millosheviqit, por edhe që është perfeksionuar për të keq në kohën e Vuçiqit.
Socialdemokraci e vërtetë e nderuar Presidente dhe i nderuar Kryeministër, është vetëm pakti solidar ndërmjet shtetit dhe qytetarëve të tij, ndërmjet shtresës së pasur dhe të varfër, ndërmjet sindikatave dhe punëtorëve, ndërmjet shoqatave humanitare dhe njerëzve me probleme akute ekzistenciale, e kështu me radhë.
Unë jam i vetëdijshëm që keni trashëguar probleme të paimagjinueshme në pushtet, por kjo nuk do të thotë që për zgjidhjen e problemeve akute ekzistenciale të njerëzve, keni kohë edhe njëzet vjet.
E sa i përket ndotjes së ambientit, ujit dhe tokës, në Kosovë as që mund të pritet një ndryshim i shpejtë i situatës, sepse politika ekologjike në këtë vend është shkronjë e vdekur në letër.
Sepse ekologjia, respektivisht ndotja e ambientit në planprogramin tuaj qeverisës, është vetëm mashtrim optik.
Dhe jo vetëm në programin tuaj qeverisës, por në planprogramin e të gjitha partive politke në Kosovë.
Në total jam goxha i zhgënjyer me harten mentale të njerëzve në Kosovë, e cila dëshmon premisa skajshmërisht të larta hipokrite, të pandjeshme, pasinqerta, grykëse, qyqare dhe tinëzare.
Serbi me origjinë shqiptare Branisllav Nushiç njerëzit e tillë i ka përshkruar si “pokondirane tikve”, që shqip i bie “kunguj të përpunuar”.
Që mjerimi shpirtëror është fundi i çdo civilizimi, këtë e ka dëshmuar historia.
Sepse mjerimi shpirtëror referencën e tij e kërkon dhe gjenë në mjerimin mendor, edukativ dhe kulturor.
Në Kosovë edukata dhe kultura janë në bodrum, prandaj janë po aq efikase në vrasjen e dinjitetit njerëzor sa plumbat dum-dum.
Në Gjermani dukuritë negative që cenojnë dinjitetin njerëzor, rregullisht i prangos Kryetari i Shtetit, i cili në këtë mënyrë dëshmohet rregullisht, si një institucion i pakontestueshëm moral.
Në Kosovë këtë nuk e ka bërë asnjë Kryetar shteti, sepse të gjithë me radhë janë të ndërtuar nga i njëjti brum primitiv.
Përkundrazi, aq shpesh kanë postuar imazhe, selfi dhe fotografi nga jeta e tyre luksoze, saqë është e pamundur.
Në Gjermani Kryetari i Shtetit jo vetëm që nuk poston fotografi dhe videoklipe nga jeta e tij luksoze, por çdo çast të lirë e shfrytëzon për të krijuar kontakte sa më të ngushta me pasanikët solidar, sindikatat e punëtorëve dhe shoqatat bamirëse.
Dhe natyrisht për t’i inkurajuar dhe përkrahur ato konkretisht në punën e tyre.
Në Kosovë postimi i fotografive të tilla nga politikanët mafioz, është një rutinë e cila nuk i pengon askujt.
Prandaj nuk thuhet kot si e ke popullin, ashtu e ke edhe pushtetin dhe shtetin.
Ne shpesh e krahasojmë veten me hebrenjtë, nga motivi i lartë për vetmashtrim dhe vetgënjim.
Hebreu i pasur të dashur lexues, nuk e lë bashkombasin e tij të varfër në mëshirën e skamjes edhe më çmimin e jetës.
Prandaj sa më shpejtë që e analizojmë dhe njohim sinqerisht vlerën tonë reale si individë dhe shoqëri, aq më shpejtë do ta kuptojmë sesa të pavlefshëm jemi.
Dhe ndoshta për një çast do të shokohemi, por s’ka ilaç me të mirë për reflektim dhe ndryshim pozitiv sesa shokimi, respektivisht sesa turpërimi nga vetvetja.