Prishtinë, më 23 janar 2023
Sot, më 23 janar në Bistricë të Leposaviqit, një njësi policore ka qenë e caktuar me detyrë zyrtare në pikë kontrolli, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike si dhe parandalimit të krimit e kontrabandës.
Njësia policore e cila ka qenë në pikë kontrolli, gjatë realizimit të detyrave policore ka tentuar ta ndalojë një veturë, e cila gjatë lëvizjes ka goditur automjetin e Policisë së Kosovës duke rrezikuar drejtpërdrejt edhe jetën zyrtarëve policorë, të cilët për të neutralizuar rrezikun ndaj tyre kanë shtënë me armë zjarri.
Personat e dyshuar, së bashku me mjetin e tyre janë larguar nga vendi i ngjarjes, përderisa hetimet lidhur me rastin janë duke u kryer, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.
Lidhur me rastin, Policia e Kosovës ka njoftuar edhe Inspektoratin Policor të Kosovës për procedura të mëtejme.
INFORMACION SHTESË
Prishtinë, 23 janar 2023
Referuar pyetjeve dhe interesimit nga media të ndryshme lidhur me rastin e ndodhur sot në Bistricë të Leposaviqit, ku janë rrezikuar zyrtarët policor gjatë realizimit të detyrave dhe autorizimeve ligjore, ju informojmë se;
Policia e Kosovës sipas detyrës zyrtare ka ndërmarr veprimet e nevojshme operative hetimore dhe ka identifikuar dy persona të dyshuar, verifikimet e të cilëve kanë rezultuar me përfshirjen e tyre në veprimtari kriminale.
Personat e dyshuar të përfshirë në këtë rast sipas të dhënave rezultojnë të jenë persona me të kaluar kriminale dhe të përfshirë në dhjetëra veprave penale dhe kundërvajtje si:
- I dyshuari mashkull kosovar me iniciale (D.S. 1991), dyshohet të jetë i përfshirë në mbi 80 vepra penale, nga to i dyshuar edhe për vepra penale si; vrasje, detyrim, armëmbajtje pa leje, sulm, pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, kanosje, vjedhje e rëndë, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, grabitje etj., etj. I njëjti ka kryer edhe mbi (20) kundërvajtje.
Po ashtu,
I dyshuari mashkull kosovar me iniciale (M.D. 1985), dyshohet të jetë i përfshirë në 17 vepra penale, nga to i dyshuar edhe për vepra penale si; vrasje, shtrëngim, armëmbajtje pa leje, vjedhje e rëndë, lëndim i rëndë trupor, kalim i paautorizuar i kufirit, manipulim me prova etj, etj. I njëjti ka kryer edhe (3) kundërvajtje.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore në interes të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, ofrimit të sigurisë ndaj qytetarëve pa dallim, si dhe parandalimit të veprimtarive të ndryshme kriminale.
Me respekt,
Zyra për Informim e PK-së