ARKIVI:
17 Nëntor 2024

Prapaskenat e diplomacisë frënge dhe beteja për Trepçën e Ujmanin

Shkrime relevante

O Stano, zëdhënësi i Serbisë, Kosovës nuk ka çka t’i duhet integrimi europian “me Serbi” brenda saj!

Gani I. Memeti Zëdhënësi i BE-së ka thënë se çështja e institucioneve...

Lirim Mhehmetaj dhe fjalori i tij trashaman…!

Afrim Caka, Gjakovë ___ …SE MOS E KA PARË DIKUSH TË JETË SKUQUR...

Popesku, turpi bije mbi ata që në shtëpinë e vet i sulmojnë mysafirët…!

Gani I. Mehmeti Në minutat shtesë, tifozët vendas nisën thirrjet raciste, me...

Kryeministri Albin Kurti mirëpriti Përfaqësuesin e ri Special të Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, Eirik Nestås Mathisen

Prishtinë, 14 nëntor 2024 Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mirëpriti sot...

Shpërndaj

Pse çështja e Trepçës po merrë përparësi mbi marrëveshjen e Brukselit, duke pretenduar të shtyjnë për kalendrat greke zgjidhjen e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?

Nga Dr Sadri RAMABAJA

Një vit më parë, me një urgjencë të pashpjegueshme publikisht, këshilltarët e sigurisë kombëtare amerikane ishin takuar me kolegët e tyre francez. Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të SHBA-ve, Jake Sullivan, qe takuar me këshilltarin e Presidentit Francez, Emmanuel Bonn, në Uashington, më 3 qershor. Temë diskutimi kishin: NATO-n, Rusin, Kinën dhe Iranin, ishte shprehur zëdhënësja e Këshillit të Sigurimit Kombëtar të Shtëpisë së Bardhë, Emily Horn, në një komunikatë me shkrim. “Ata diskutuan për takimin e ardhshëm të udhëheqësve të G7 dhe samitin e NATO-s. Gjithashtu objekt trajtimi ishin veprimet që synojnë forcimin dhe modernizimin e NATO-s, si dhe sfidat në lidhje me aktivitetet dashakeqe në hapësirën kibernetike dhe terrorizmin. Përveç kësaj, ata diskutuan për Rusinë, Kinën, Iranin dhe rajonin e Sahelit, ” ishte shprehur taksativisht Horn. Vetëm një ditë më parë këshilltarët e sigurisë kombëtare amerikane ishin takuar me kolegët e tyre gjerman. Për dallim nga takimi i 2 qershorit të homologëve amerikano-gjreman, ku temë diskutimi ishte edhe Ballkani, në të dytin, siç qe bërë e njohur po atë ditë, Ballkani ishte lënë anash. Atbotë, jo rastësisht, ishte sinjalizuar Franca nga ana e SHBA-ve për faktin se nuk pajtoheshin me prapaskenat e diplomacisë franceze në raport me Ballkanin Perendimor. Këto prapaskena megjithatë kanë vazhduar nën rrogoz, siç ishte vepruar edhe gjatë luftës së UÇK-së. Tashmë është sekret publik fakti se pranë Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së në malet e Berishës, kur intelegjencia amerikane po kërkonin të atashoheshin pran tij, kishte kohë që atë e kishte futur nën kontroll intelegjencia ushtarake frënge [Drejtoria e Inteligjencës Ushtarake – DRM). Pasojat tashmë janë të njohura. Ky fakt do t’i jap përparësi këtij shërbimi të jetë përcaktues për ndarjen e Mitrovicës dhe promovimin e zonës gri në veri të Republikës… Shërbimi Ushtarak i Francës dhe Kosova me lidershipin që u katapultua në piramidën e pushtetit, vazhdojnë kështu të kultivojnë bashkpunim të thellë edhe pas qershorit 1999, madje të vazhdueshëm dhe të “suksesshëm” në shumë fusha të sigurisë dhe mbrojtjes.

Ka patur shkëmbime të rregullta të vizitave midis zyrtarëve ushtarakë dhe oficerëve francezë të sigurisë dhe ata kosovarë, duke përfshirë trajnimin e vazhdueshëm, zhvillimin e kapaciteteve ushtarake respektivisht mbajtjen e Trupave Mbrojtëse të Kosovës dhe më pas Forcave të Sigurisë së Kosovës në stadin e gjatë të vendnumrimit dhe ndërvartësisë së plotë të Kosovës në fushat e inteligjencës dhe sigurisë.

Franca de fakto ishte “partneri” më i rëndësishëm, madje në emër të ndihmës për formimin dhe zhvillimin e Kapaciteteve të Sigurisë dhe Mbrojtjes së Kosovës, ia arriti që t’i vë nën kontroll të plotë segmente qenësor të Shtetit. Këto prapaskena jo vetëm të diplomacisë frënge kanë vazhduar dhe janë prezente edhe sot e kësaj dite. Produkt i tyre ishte imponimi i takimit të presidentes sonë, shkëlqesisë së saj Vjosa Osmani, në margjinat e samitit të dytë të Komitetit për Politika të Europës organizuar në kryeqendrën e Moldavisë, me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz dhe presidentin e Francës, Emanuel Macron.

Ndërkohë, mirret vesh se produkt i këtyre prapaskenave është edhe dokumenti ekskluziv që flet për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, që publikoi portali Albanianpost,[1] sipas të cilit Asociacioni do ketë edhe autoritet administrativ, me identitet të dallueshëm juridik, por që nuk formon pushtet të tretë. Këtë dokument, u muar vesh, i pari e publikon portparolli i këtyre qarqeve të diplomacisë serbo-frënge, Albanianpost. Për këtë qëllim fundja, me gjasë edhe e kanë krijuar. Por kjo është temë tjetër. Duke arsyetuar insistimin për themelimin sa më të shpejtë të Asociacionit me kompetenca të kësaj natyre, siç shihet në dokumentin e publikuar, ai, pra Asociacioni, mund të jetë një mekanizëm që funksionon me pushtet të ndarë nga organet legjislative dhe qeveritare, por në të njejtën kohë ai nuk po formoka nivel të tretë të pushtetit!

Për ta sqaruar këtë ide, dokumenti sjellë si ilustrim, respektivisht referencë “rastin me Parlamentin Sami në Suedi” dhe funksionimin e tij “si një përzierje institucionale”. Natyrisht hartuesit e dokumentit as që janë lodhur të kenë në konsideratë faktin historik se Parlamenti Sami është institucion i një popullsie indogjene, ndërkaq serbët në Kosovë janë kryesisht kolon të sjellur pas vitit 1913 dhe madje edhe të tillë që erdhën edhe në periudhën e kasapit të Ballkanit, Sllobodan Milosheviqit. Ndërkaq që absurdi të jetë edhe më i madhë, ndryshimi rapid i hartës demografike të veriut qe bërë pas çlirimit të Kosovës, në sy të KFORit frances, në natën e 3 e 4 shkurtit të vitit 2000, me ç’rast qenë vrarë 12 qytetarë dhe dëbuar nga veriu i qytetit të Mitrovicës rreth 15.000 veta. Pas përfundimit të luftës, forcat serbe dhe milicët filluan një fushatë të organizuar dhe të dhunshme për dëbimin e popullsisë shqiptare nga pjesa veriore e Mitrovicës dhe zonat tjera me shumicë shqiptare. Dëbimi i 15,000 qytetarëve shqiptarë nga pjesa veriore e Mitrovicës ishte vazhdimi I ushtrimit të gjenocidit serb në rretha paqeje dhe në sy të administratës së UNMIK-ut dhe njësive elitaret të KFORit frëng. Ky fakt dëshmon se edhe përcaktimi që zona franceze e kontrollit të jetë pikërisht veriu, ka qenë I kalkuluar mirë dhe në koordinim me Serbin.

Beogradi maksimalizon armiqësinë ndaj shqiptarëve Protestat e organizuara nga presidenti serb këto ditë në veriun e Kosovës, sidomos ato që kanë epiqendër Zveçanin dhe dhuna e ushtruar ndaj trupave të KFOR-it nga policia fashiste serbe, nuk mund të jenë të shkëputura nga këto lojra të prapaskenave të koordinuara mes diplomacisë franceze, natyrisht në bashkëpunim me homologët e tyre serb dhe falangave fashiste që ushtruan dhunë edhe mbi forcat e KFOR-it. Intelektuali serb Ljubomir Madžar në një vështrim të tij publikuar së fundmi në javoren Vreme, si duket nuk i drejtohet vetëm vozhdit serb aktual, por edhe diplomacisë perendimore, tek shkruan se “është koha e fundit që garnitura drejtuese e Beogradit, por edhe serbët në Kosovë, të kuptojnë se nuk ka mbijetesë të sigurt dhe paqësore të serbëve në Kosovë pa pajtim dhe pa sigurimin e një baze të përhershme për bashkëjetesë me shqiptarët e Kosovës. Dhe Beogradi po bën gjithçka që të gjithë popullatën shqiptare ta bëjë armiq të betuar të saj dhe, natyrisht, armiqtë e vetë serbëve të Kosovës… Politika e Beogradit po bën gjithçka për të maksimizuar armiqësinë ndaj shqiptarëve të Kosovës: nuk ka asnjë akt të vetëm të vullnetit të mirë që është bërë ndaj këtij populli. Koncesionet e shumta, marrëveshja e Brukselit si dhe ato të arritura para dhe pas saj, u bënë nën presionin e Perëndimit dhe aspak si një akt vullneti të mirë nga ana e autoriteteve lokale. Një politikë e tillë neveritëse dhe destruktive ndaj autoriteteve të Kosovës nuk mund të mos depërtojë në masë të madhe mbi popullatën, prandaj është një nga faktorët kyç në përkeqësimin e vazhdueshëm të pozitës së serbëve në Kosovë.”[2] Ky qëndrim me mendësi prej kolonialistësh, jo vetëm i Beogradit, por edhe i një lagjeje të mirë të diplomacisë perendimore, prandaj është kaq kontraproduktiv edhe në komunikimin me garniturën shqiptare të maturuar politikisht që fatmirësisht drejton Republikën sot. Në këtë marri të vozhdit serb, pse duhet të bashkohet edhe kjo lagje e diplomacisë perendimore dhe jo pak nga liderët xhuxh të politikës shqiptare?! Pozicionimi pro Vuçiqit d.t.th automatikisht pozicionim edhe pro policisë fashiste egërshane, siç e pamë në Zveçan më 29 maj në përballe me forcat e KFOR-it.

Mars 2000 – Në horizontin e 10-të në Trepçë

Më 11 mars të vitit 2000, në cilësinë e bashkautorit dhe përkthyesit, kisha shoqëruar mikun tim Andrea Myller, atbotë redaktor i emisionit të njohur të TV zviceran DRS, gazetar shumëvjeçar i zonave në luftë, përfshirë edhe Bosnjën dhe Ugandën, për një reportazh edhe në minierën e Trepçës. Në horizontin e 10-të zbritëm me inxhnjerët që kishin marrë përsipër pregaditjen e minierës për punë. Derisa në horizontin e 11-të nuk zbrisnim dot, meqë ishte përmbytur nga ujërat dhe kërkonte kohë për pastrim, ne vizituam galeri të veçanta të horizontit 10-të. Inxhinjerët tanë na sollën edhe në një prej galerive ku shihej se si eksploatusit serbë kishin braktisur minierën në shpejtësinë më të madhe të mundshme, tek po largoheshin tok me ushtrin serbe në qershor të 1999-ës, duke lënë mbrapa kafshimin e egër të minierës dhe vegla pune të shpërndara gjithandej. Njërit prej inxhinjerëve, tek na shpjegoi këtë fenomen tipik prej kolonilistësh, i ranë dy pika loti, që prekën thellë edhe zemrën time. Derisa po e përktheja edhe gjuhën e trupit dhe arsyen pse rrodhën lotët, miku im, Andi, më kërkoi ta ripërsëritja fjalinë, meqë edhe ai ishte prekur keq dhe i kishte ikur vëmendja e duhur, ndërkaq kameramani nuk fshehu fare emocionet tek po i afrohej inxhinjerit ta ngushëllonte. Siç më shpjegoi më vonë ai kishte reprizuar dhe shikuar disa herë pamjet që kishim xhiruar në atë hapësirë të restaurantit të Trepçës me shpuza të shpërndara gjithandej e të brendshme grash të gjakosura, ato ambiente që dikur konsideroheshin si përbërës të një prej restauranteve më të mirë në Kosovë, me gjakun në mure e dysheme, e veshjet e brendshme plot gjak të grave të dhunuara të shpërndara gjithandej… Miqtë zviceran kështu sikur kishin marrë me vete, jo vetëm në memorien teknike të kameramanit , por edhe në ndjesitnë e tyre shpirëtrore për ta kujtuar gjithmonë faktin se Kosova për lirinë e saj ka pauar çmim të lartë.

Tek po rishikonim më pas xhirimin tok, në ambientet e hotelit në Prishtinë, Andrea më ofroi një varg dokumentesh që kishte me vete, në mesin e të cilave edhe një listë me aksionarët që kishin investuar në Trepçë gjatë kohës së Milosheviqit, madje ca prej tyre edhe në prag të lufëts. Lista ishte e gjatë, tepër e gjatë; plot 35 subjekte nga e gjithë Europa. Listës i prinin gjithësesi aksionarët francez dhe ata grek.

Rikthimi i Trepçës tok me rikthimin e gjeopolitikës

Në një emision special të TV TANJUG-ut këto ditë, derisa përgjigjej në pyetjen se përse ishte përqëndruar protesta para së gjithash në Zveçan, Dushan Janjiq, drejtori i Forumit për Marrëdhënie Etnike, ish oficer i Shërbimeve sekrete serbe, si pa dashje nxori nga goja emrin e Trepçës dhe interesave rreth saj, por nuk la pa potencuar edhe faktin se pikërisht aty ka fituar Vetëvendosja dhe aty është përqëndruar edhe rezistenca e palës kosovare. Duke vepruar kështu, qeveria e Kosovës, është e rëndësishme të theksohet, ka vepruar konform interesave nacionale dhe obligimeve kushtetuese, që pritet të prodhojnë efekte pozitive konceptuale për praktikën politike. Një vështrim i shpejtë në këtë rrafsh përgjatë dy dekadave të pasluftës [1999–2021], pa shmangur në këtë kuadër edhe marrëdhëniet me jashtë, do t’na mundësonte të konkludonim se rrethanat më të mira për të vepruar janë pikërisht tani. Tandemi franko-gjerman ka humbur unitetin, fuqinë novatore dhe integruese si dhe mbështetjen. Zgjerimi drejt lindjes i BE-së nuk i dha fund domosdoshmërisht ndarjes së kontinentit, përkundrazi zbuloi edhe shenjat e thella që kishin lënë pas gjysmë shekulli zhvillime të ndryshme në shoqëri dhe politikë. Në vend që të ishte në gjendje të thellonte më tej integrimin, BE-ja duhej të pranonte largimin e vendit të tretë anëtar më të madh – Britania e Madhe. Prosperiteti i Evropës u kthye në nivelin e para vitit 2007 nga tregu financiar, krizat e euros dhe ajo e shkaktuar nga virusi Korona, por edhe rendi i paqes evropiane u trondit thellë nga veprimet ushtarake të Rusisë në Gjeorgji dhe Ukrainë. Së fundmi, forcimi i populizmit ka treguar se modeli liberal i demokracisë, shtetit të së drejtës, tolerancës dhe hapjes po vihet në pikëpyetje edhe në vendet e tij historike të origjinës, në Evropë dhe në SHBA — dhe jo vetëm atje: populistët janë gjithashtu popullor në Amerikën Qendrore dhe Jugore.[3] Perspektivat e komunitetit botëror për të zotëruar sfidat globale kanë rënë në mënyrë të konsiderueshme. Ndarja në blloqe tashmë është evidente. Përpjekja për ta përfituar Serbinë duke i bërë koncesione në Bosnjë e Mal të Zi dhe duke i ankoruar mundësinë për veprim afatgjatë në defunksionalizimin e Republikës së Kosovës, qoftë përmes një autonomie territoriale, qoftë përmes asociacionit me sa më shumë kompetenca, pa kursyer edhe ato që reprizojnë efektet e Republikës Serbska në Bosnjë, janë evidente. Fundi i historisë nuk është materializuar; përkundrazi, kërcënon rikthimi i gjeopolitikës me ndeshtrashat e saj edhe në rajonin tonë dhe me këtë përplasjen e pritshme mes fuqive të mëdha globale. Siç tregojjnë rrjedhat me karakter ndërkombëtar si: “ konflikti tregtar SHBA-Kinë, projektet gjeostrategjike si BRI dhe diskutimi për shkëputjen ekonomike, ky rivalitet, ndryshe nga Lufta e Ftohtë, luftohet më pak me mjete ushtarake dhe diplomatike sesa me mjete ekonomike dhe teknologjike”.[4] Kjo përbën një sfidë dhe një mundësi për Kosovën. Sfida nuk është të mbetemi objekt i konkurrencës së fuqive të mëdha, por të pozicionohemi si subjekt sa më qartë dhe gjithmonë në përputhje edhe me interesat tona gjeostrategjike. Në këtë rrafsh Kosova dhe Kombi shqiptar nuk ka dilema. Është Serbia ajo që ka mëdyshjet e veta dhe po pretendon të përfitoj duke kalkuluar përfitimin në rast se do t’ia dalë të ndërrojë krah. Mundësia qëndron në faktin që Kosova dhe Kombi ynë do të fitojë fuqi relative nëse konkurrenca mes fuqive të mëdha kalon plotësisht në sferën ushtarake. Lufta në Ukrainë, shih për këtë, i ka dhënë përparsi Polonisë në raport me Gjermanin dhe Francën. Pse mos ta shfrytëzojmë edhe ne këtë mundsi ideale që na ofron momentumi politik.

Liqeni i Ujmanit (Gazivoda)

Veriu i Kosovës ka qenë pikë neuralgjike për interesat gjeopolitike të shumë aktorëve gjatë historisë politike moderne, përfshirë SHBA-të dhe Francën. Kjo zonë ka qenë objekt i konsiderueshëm i rivalitetit dhe konkurrencës së tyre strategjike në rajon. Disa faktorë që kanë ndikuar në interesat e tyre janë:

1. Siguria dhe stabiliteti rajonal;

2. Burimet natyrore: Trepça, Ujmani…

3. Rivaliteti mes tyre: SHBA-ja dhe Franca kanë pasur një rivalitet të shënuar në politikën ndërkombëtare. Këto dy shtete janë pjesë e aleancës politiko-ushtarake më të madhe në botë, siç është NATO, por vazhdojnë t’i kenë interesat e tyre të veçanta në rajon. Veriu i Kosovës ka qenë një nga fushat ku kto rivalitete kanë qenë më të dukshme.

Derisa interesat gjeopolitike ndërthuren në Veriun e Kosovës edhe mes SHBA-ve dhe Francës, është e rëndësishme të theksohet se secila prej palëve ka qëndrime dhe strategji të veçanta. Rivaliteti dhe konkurrenca mes tyre, por edhe bashkëpunimi dhe koordinimi, kur interesat u përputhen, janë elemente që kanë shenjuar edhe periudhën gjatë luftës dhe këtë të ndërtimit të shtetit pas çlirimit të Kosovës.

Prestigjozja britanike “Financial Times” bëri publik një linjë të prapaskenave të diplomacisë së aleatëve të Serbisë brenda shteteve të fuqishme perendimore. Ndërkohë ajo i ka kushtuar një artikull shitjes së armëve nga Serbia në Ukrainë, duke pohuar atë që ndërkohë ishte shndërruar në sekret publik me vetë sjelljet e një lagjeje të mirë të diplomacisë perendimore: arsyet reale të ndryshimit të qëndrimit ndaj Serbisë pas shpërthimit të tensioneve në veri të Kosovës. Sipas tre diplomatëve perëndimorë në rajon, linja e furnizimit që dërgon municionet serbe në frontin ukrainas ka qenë një faktor vendimtar në një ndryshim të dukshëm pasi SHBA, NATO dhe BE së fundmi mbështetën Serbinë pas një ndezje të tensioneve në Kosovë. I pyetur nëse ishte një hap i qëllimshëm për të fituar miratimin e kryeqyteteve perëndimore, Vuçiç ka pohuar se Beogradi u përpoq të vepronte në një “mënyrë neutrale”[5], por pa mohuar faktin se Serbia i ka shitur monucion Ukrainës.

***

Prapaskenat e diplomacisë frënge ndërlidhen si gjitmonë me betejën për Trepçën, por jo më pak edhe për Ujmanin dhe Majën e Pançiqit.[6] Diplomacia franceze ka shfaqur interes të veçantë në lidhje me çështjen e Trepçës, që njihet si një nga minierat më të mëdha në botë të metaleve të rralla, madje fill pas pushtimit serb të Kosovës. Ky interes së fundmi vjen nga fakti se kompania e pasurive minerare e Francës, Eramet, ka pasur shpërfaqur interes të konsiderueshëm në partneritetin e mundshëm me Trepçën. Diplomatët francezë kanë qëllim të inkurajojnë dialogun mes Kosovës dhe Serbisë për të imponuar një zgjidhje që do të nënkuptonte ndarjen e Trepçës dhe sigurimin e trashëgimisë së aksioneve që kanë ndërmarrjet frënge edhe nga koha e Milosheviqit. Një prej synimeve të tyre është që të sigurojnë një marrëveshje të favorshme për Serbin, që nënkupton edhe menaxhimin e burimeve minerare në mënyrë që të sigurohet një përfitim i konsiderueshëm edhe për palën serbe. Diplomacia frënge prandaj është hedhur në veprim për të imponuar Asociacionin me kompetenca shtesë, që nënkupton edhe menaxhimin e pasurive nëntoksore ose imponim të një marrëveshjeje ekstra për Trepçën. Një marrëveshje e tillë e imponuar, do të kërkonte pajtimin e të dyja palëve dhe do të përfshinte ndarjen e përfitimeve në mënyrë të rregullt. Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se, çështja e Trepçës mbetet tutje tejet komplekse dhe ka sfida të mëdha. Ka shumë interesa të ndryshme, prapaskena dhe sfida juridike që janë të lidhura me këtë çështje. Ndarja e saj fill pas luftës në dy njësi, gjithësesi nuk ishte e rastësishme. Ndërkaq kur kësaj i shtohet edhe Ujmani dhe Maja e Pançiqit si element të pastër gjeostrategjik e gjeoekonomik, mirret me mend se përse ky përqëndrim i

protestave ndodhë pikërisht në Zveçan. Prandaj, shtrirja e sovranitetit të Republikës në veri dhe ngritja e flamurit në Zveçan, për interesat jetike të Kosovës dhe të Kombit, merrë përmasat reale që ka. Siç duket angazhimi i drejtpërdrejt i presidentit të Francës ndërkohë pasi pala serbe ka bërë të qartë se, nuk do ta implementojë planin frëngo-gjerman, tashmë të dakorduar si marrëveshje më 24 shkurt në Bruksel, hedhë dritë mbi arsyet reale përse pala serbe po kalon gradualisht nga kërkesa për Asociacion tek ajo për Autonomi territoriale të veriut. Kjo d.t.th se, si për palën serbe, e me gjasë edhe për diplomacinë frënge, çështja e Trepçës po merrë përparësi mbi marrëveshjen e Brukselit dhe anekset e saj të arritura më 18 mars në Ohër, ndërkaq dokumentet që qarkullojnë ndërkohë si parakusht për palën kosovare, lënë nën hije zgjidhjen e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Me këtë sjellje, jo vetëm Serbia, por edhe Franca si palë ndërmjetësuese, madje tok, po nëpërkëmbin pavarësinë e Kosovës, ligjin ndërkombëtar dhe respektimin e sovranitetit të Republikës.

___________________

1. https://albanianpost.com/dokumenti-ekskluziv-me-propozimin-nderkombetar-asociacioni-do-jete-edhe-autoritet-administrativ-me-identitet-te-dallueshem-juridik-por-qe-nuk-formon-pushtet-te-trete/

2. https://www.vreme.com/vreme/zal-za-lucidnoscu-knjazevske-diplomatije/

3. https://www.swp-berlin.org/10.18449/2020S18/#hd-d68634e573

4. https://www.swp-berlin.org/10.18449/2020S18/#hd-d68634e573

5. https://www.ft.com/content/204813e0-7006-4ec6-aa66-938c346ec70d

6. https://www.nzz.ch/schnittstelle_von_politik_und_wissenschaft-ld.693005?reduced=true

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu