ARKIVI:
22 Dhjetor 2024

Predikimi në Meshën e Dritës për të ndjerin Kolë Berisha (1947 – 2021) 

Shkrime relevante

Angazhimi kundër terrorizmit global , është angazhim për një botë pa fanatizëm dhe dhunë

Lirim Gashi, Prizren ( shqip , gjermanisht, anglisht dhe norvegjisht) ___ Tragjedia e Magdeburgut...

Meritat dhe dobësitë e Kryeministrit Albin Kurti në qeverisje

Halil Geci, Skenderaj Kryeministri Albin Kurti ka demonstruar një qasje të vendosur...

Kot e keni, mërgimtarët nuk do t’ju votojnë!

Florim Zeqa Shtyrjet e njëpasnjëshme të afatit të regjistrimit të mërgatës sonë,...

Epistolari i poetëve Shefqet Dibrani e Agim Spahiu

Shkruan: Adil FETAHU Shefqet Dibrani, “LETRAT E AGIMIT”, letërkëmbim, botoi Shtëpia Botuese...

Shpërndaj

Don Lush GJERGJI 

Fijet e jetës dhe të vdekjes, sidomos  lindja – fillimi, si dhe vdekja – kalimi në amshim, nuk janë në duar tona. Ato janë në duart e Zotit, Krijuesit dhe Shëlbuesit tonë, me dashje apo pa dashje tonë. 

„Unë jam Ringjallja dhe jeta: kush beson në mua, edhe nëse vdes, do të jetojë.“ (Gjn 11, 25), na siguron Jezusi. 

Bashkë me psalmistin edhe ne themi dhe lutemi: O Hyj, mos më rri larg, Hyji im shpejto të më ndihmosh… Kënaqësia ime është të qëndroj në praninë e Hyjin.” (Ps 71 (70), 12; Ps 73 (72), 28) 

Janë dy momente: kërkimi i ndihmës, por edhe siguria që vetëm prania, dashuria, mirësia, falja e Zotit, do t’i plotësojë në tërësi të gjitha kërkesat, nevojat, dëshirat, planet, mbi të gjitha etjen dhe urinë për Jetë dhe për Dashuri – amshim të lumtur. 

Besimtari, i krishteri, këtë e di dhe e pranon  vdekjen – kalimin në amshim, si mundësi, dhuratë, bashkëpunim  dhe bashkëudhëtim me Zotin, por edhe si rast shpërblimi, amshimi dhe pavdeksie. 

„Baca Kolë“, si e kemi quajtur ne me shumë nderim, simpati dhe dashuri, ishte një i krishterë i sprovuar nga jeta, me pengesa, burgime dhe sëmundja. Ai në rini kishte besim që nëpërmjet shkollimit, arsimimit dhe qytetërimit, do të ngritej niveli i vetëdijësimit, kulturës, me këtë edhe arritja e idealeve të larta, si liria, demokracia, barazia shoqërore dhe kombëtare, paqja e mirëfillët e mendjes dhe zemrës.  Ishte një lloj „iluministi“ modern. Mu për këtë ai kishte investuar shumë në shkollimin personal, të fëmijëve, por edhe t; popullit me veprimtarinë edukative,  arsimore dhe pedagogjike. Puna dhe vperimtaria e tij në këtë lëmi qe keqinterpretuar dhe ndaluar për rrethana të njohura politike 

Kur çdo gjë „ra në ujë“, me shembjen e sistemit dhe ideologjisë komuniste dhe ateiste, Kola ynë doli në front të parë të luftës paqësore dhe jo – dhunore, së bashku me të ndjerin dr. Ibrahim Rugovën dhe shumë të tjerë, duke besuar dhe investuar shumë për vlera dhe virtyte njerëzore, kombëtare dhe fetare. I thonte vetvetes dhe të tjerëve: „Tash është koha jonë…, për të dëshmuar dhe vepruar sipas parimeve dhe bindjeve tona!“ 

Jezusi na  thotë; „Rini gati, sepse Biri i njeriut do të vijë në atë orë kur ju s’e pritni.“ 

Këtë qortim të Mjeshtrit hyjnor ai e komentonte kështu: „Zoti i ka në dorë të gjitha, sidomos shtegtimin tonë në amshim… Ai i pari vullnetarisht e ka provuar vdekjen, për të na bindur se  ajo është vetëm një kalim, për ne ndoshta pak i vështirë, i panjohur, por kalim në amshim…“ 

Për ne besimtarët nuk ka kohë të mirë dhe të keqe, por ka njerëz të bindur dhe të përcaktuar, të guximshëm dhe vizionarë, që në çdo kohë dhe vend mundohen të jenë vetvetja, të udhëhequr nga e Vërteta dhe Dashuria, për të mirën e të gjithëve. Kështu edhe Kolë Berisha hyri në politikë, jo për karierizëm, edhe më pak për nam apo famë, aspak për fitime dhe përfitime, por për ta mbrojtur Popullin e përbuzur dhe të kërcnuar, për ta dhënë kontributin e tij në proceset e rëndësishme të Shqiptarëve në Kosovë dhe më gjerë. 

E bashkëndante moton e Presidentit dr. Ibrahim Rugova: „Jemi argatë të popullit.“ 

Dhe edhe kësaj ia doli me faqe të bardhë, me ndihmën dhe praninë e Zotit, si dhe me përkrahjen e Popullit. 

Faza e tretë e jetës së tij, ishte sfida me vuajtje, më vonë edhe „shoqërimi“ i gjatë me sëmundje, prandaj Kryqi. Prapë doli në pah karakteri i fortë i tij, feja konkrete, si jetë me Zotin dhe me të afërmin, shpresa – edhe atëherë kur çdo gjë duket si e pa shpresë, mbi të gjitha motivimi dhe frymëzimi, përkushtimi, dashuria për Zotin, Popullin, familjen, çdo njeri të mendjes  dhe zemrës së mirë. 

Në sëmundje ishte i durueshëm dhe me shpresë, jo aq në shërim, sa në amshim. Disa herë pata mundësinë ta vizitoj dhe t’ia ndaj sakramentet e shtegtimit për amshim, që i pranonte me plotë fe dhe siguri, me shumë nderime dhe falënderime.  

Jeta e tij tokësore kushtuar arsimimit, pastaj politikës, së fundi sfida e sëmundjes dhe vuajtes, e skaliten figurën e njeriut, bashkëshortit, babait, besimtarit të fortë dhe të pathyeshëm, parimor në ide dhe ideale të larta njerëzore, kombëtare dhe fetare.  

Feja për Kolë Berishën, „nuk është në urdhërime, por për një rrugë, ose më saktë, për rrugën vendimtare me të cilën duhet të angazhohemi, që të mund të bëhemi vetvetja“, komenton ai në parathënie shqip të librit Luigi Giussani, Ndjenja fetare, vëllimi i parë Rrugëtimi, DRITA, 2011, f. 17. 

Ky rrugëtim, me Zotin dhe me të afërmin, na sjellë në amshim. 

Dhe porosia e  Jezusit, që aq shumë i pëlqente Kolës tonë: „Në botë keni vuajtje, por mos u trembni – unë e munda botën!“, pohonte që është ngushëllimi më i madh që mund ta kemi në sfida të ndryshme të jetës tokësore. 

Zoti, i cili i di të gjitha, dhe nuk i ka mbetur askujt borxh, Kolë Berishën e shpërbleftë me dritë, paqe, jetë dhe lumturi të amshura, ndërsa familjen dhe miqët. me ngushëllime, që burojnë nga feja e krishterë, ngjallja e Krsihtit, si burim dhe fitore përfundimtare për ne dhe për shëlbimin tonë. 

Pushoftë në paqe! 

Prishtinë, 30 gusht 2021                          

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu