ARKIVI:
22 Dhjetor 2024

Presidenti historik Rugova, intervistë para 20 viteve: Kosova e pavarur në NATO e në BE dhe në miqësi të përhershme  me Shtetet e Bashkuara të Amerikës 

Shkrime relevante

Angazhimi kundër terrorizmit global , është angazhim për një botë pa fanatizëm dhe dhunë

Lirim Gashi, Prizren ( shqip , gjermanisht, anglisht dhe norvegjisht) ___ Tragjedia e Magdeburgut...

Meritat dhe dobësitë e Kryeministrit Albin Kurti në qeverisje

Halil Geci, Skenderaj Kryeministri Albin Kurti ka demonstruar një qasje të vendosur...

Kot e keni, mërgimtarët nuk do t’ju votojnë!

Florim Zeqa Shtyrjet e njëpasnjëshme të afatit të regjistrimit të mërgatës sonë,...

Epistolari i poetëve Shefqet Dibrani e Agim Spahiu

Shkruan: Adil FETAHU Shefqet Dibrani, “LETRAT E AGIMIT”, letërkëmbim, botoi Shtëpia Botuese...

Shpërndaj

Speciale – Nga Behlul Jashari 

PRISHTINË, 29 Dhjetor 2022/ Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, në një intervistë ekskluzive që kam zhvilluar para 20 viteve  - në fundvitin 2002 për gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja, kryeredaktor i së cilës isha, i pyetur se si e shihte të ardhmen, zgjidhjen e çështjes shqiptare, mes tjerash theksonte: Kosova e pavarur, shtet i njohur, i integruar në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që është një vend që i pari është interesuar për ne dhe na ka ndihmuar, dhe që na ndihmon vazhdimisht. 

Intervistën me Presidentin Rugova  e zhvilloja pasi ishte kthyer nga festimet në Vlorë të 28 Nëntorit dhe pas një takimi që kishte me Sekretarin Amerikan të Shtetit Igëllberger. 

Gazeta Rilindja – botim special në ditën e 31 Dhjetorit 2002  për festën e Vitit të Ri 2003 e botoi intervistën në pesë faqe – 1,2,3,4 dhe 5, duke nisur me kryetitullin në ballinëKosova e pavarur në NATO e në BE dhe në miqësi të përhershme me SHBA”. 

Derisa zhvillonim intervistën Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova në Rezidencën Presidenciale në lagjen Velania të Prishtinës kishte në tavolinë dhe mbante në duar gazetën tradicionale e historike shqiptare të Kosovës Rilindja që kishte kryetitull “Kosova për herë të parë feston 28 Nëntorin me institucionet e saja të njohura ndërkombëtarisht”. 

Ishte ajo gazeta Rilindja që në jubileun e 90 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, në 28 Nëntor 2002, doli me botim special festiv, siç theksonte në ballinë, me shkrime të autorëve dhe personaliteteve të shquara nga gjithë bota shqiptare, ndërsa u shpërnda në të gjitha trojet etnike shqiptare - në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Luginë të Preshevës, Ulqin e lokalitete tjera në Mal të Zi. 

Intervistën e fundvitit 2002 e risjellim të plotë në prag të Vitit të Ri 2023 - të jubileut të 15 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës të njohur ndërkombëtarisht, ideator dhe arkitekt i së cilës ishte Presidenti historik Rugova: 

Forhåndsvisning av bilde

INTERVISTË EKSKLUZIVE E PRESIDENTIT TË KOSOVËS, DR. IBRAHIM RUGOVA, DHËNË GAZETËS “RILINDJA”  

KOSOVA E PAVARUR NË NATO E NË BE DHE NË MIQËSI TË PËRHERSHME ME SHBA 

Vlerësimet për progresin në Kosovë janë të përgjithshme – edhe nacionale, edhe ndërkombëtare, ky progres gjithsesi e shpie Kosovën më shpejt në njohjen formale të Pavarsisë.- Gjithsesi njohja formale e pavarësisë së Kosovës do t’i shpejtonte proceset, edhe ekonomike, edhe demokratike, edhe të integrimit të shoqërisë së Kosovës – dhe do të qetësonte edhe rajonin e Evropës Juglindore, apo të Gadishullit Ilirik; do të qetësonte edhe popullin e Kosovës.- Njohja formale e pavarësisë së Kosovës do t’i detyronte edhe disa fqinjë tanë ta pranojnë realitetin e ri që është krijuar pas fushatës së NATO-s për lirinë e Kosovës, do t’i detyronte të bashkëpunojnë dhe do të merrnin fund kalkulimet, manipulimet e ndryshme, disa, nëse mund të shprehem kështu, ëndërrime joreale për Kosovën, që ata kanë nga e kaluara. Njohja e Kosovës nga SHBA-të, Bashkimi Evropian, që do ta formalizonte OKB-ja, do të ishte rruga shumë më produktive, më e drejtë.- Unë insistoj që të njihet Kosova drejtpërdrejt, sepse ne kemi kryer negociata të ndryshme: ju kujtohen Rambujeja dhe Parisi. Pastaj erdhi intervenimi i NATO-s, kur u ndëshkua pala tjetër pse nuk pranoi.  

Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, priti në Rezidencën Presidenciale në Prishtinë Kryetarin e Këshillit Drejtues dhe Kryeredaktorin e gazetës “Rilindja”, Behlul Jashari, me ç’rast i dha një intervistë ekskluzive, duke i dhënë kështu edhe mbështetjen e fuqishme institucionale krijimit të mundësive dhe kushteve për rifillimin e botimit të gazetës simbol i traditës së informimit në Kosovë.  

RILINDJA: Z. President, kemi nderin dhe kënaqësinë që të kemi këtë intervistë në përfundim të një viti historik të bërjes së Kosovës me institucionet e njohura ndërkombëtarisht dhe në pritje të një viti tjetër shumë të rëndësishëm. Fillimisht, Ju lutem, si e vlerësoni vitin 2002?  

PRESIDENTI RUGOVA: Ju thatë se është një vit historik, por unë po them i rëndësishëm. Filluan punën institucionet qëndrore apo shtetërore të Kosovës. Në përgjithësi kemi vazhduar rrugën e progresit që po e shënojmë qe tri vite e gjysmë në Kosovë. Kemi një situatë shumë më të mirë të sigurisë, më shumë stabilitet dhe tolerancë. Natyrisht, ende ka probleme, ende ka incidente të ndryshme, por në përgjithësi – edhe ju e dini – është një situatë krejt tjetër. Edhe në planin ekonomik ka pasur një ecje, sidomos të sektorit privat. Sektori shtetëror punon tash me një kapacitet ekonomik më të vogël, dhe këtë sektor duhet ta privatizojmë. Për vitin e ardhshëm presim të vazhdojë gjithsesi në mënyrë më dinamike ky progres që e kemi pasur. Edhe institucionet e Kosovës do të jenë më të përgatitura – pra Kuvendi, Qeveria, Presidenca – po edhe ministritë, edhe shoqëria civile, që të ecim më shpejt në zhvillimin ekonomik, në privatizimin dhe në krijimin e vendeve të reja të punës për të rinjtë e Kosovës. Po e theksoj këtë sepse kemi një popullatë të re që duhet t’i hapim përspektivë, dhe gjithsesi të krijojmë një stabilitet edhe më të madh politik, që të kemi investime, që të bëhet Kosova atraktive për investime në Kosovë.  

RILINDJA: Kosova po bëhet edhe me simbolet shtetërore. Në Festën e Flamurit e të 90-vjetorit të Pavarësisë Shqiptare dolët me propozimin për Flamurin dhe për Himnin Shtetëror të Kosovës. Para pak ditësh, në 13-vjetorin e LDK-së, partisë që e udhëheqni Ju që nga fillimi si një lëvizje për liri, pavarësi e demokraci, përuruat edhe një monument, një shenjë shtetërore – Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës. Ju lutem të na flisni edhe për këto momente të rëndësishme në rrugën e bërjes së Kosovës shtet. 

PRESIDENTI RUGOVA: Gjithsesi ne duhet t’i kemi simbolet shtetërore si shtet i Kosovës. Siç e dini, flamurin qe sa vite unë e përdor edhe si stemë të Presidentit të Kosovës, pra si emblemë, edhe në komunikime 

ndërkombëtare zyrtare, po edhe të brendshme. Edhe flamurin shtetëror duhet ta kemi, flamur që shpreh specifikën e Kosovës. Tani shenjat kombëtare i përdor Shqipëria si shtet aktual. 

Për himnin, do përkujtuar se është ajo kënga e dashur e 1912-tës, që e kanë kënduar të gjithë shqiptarët. Natyrisht do të ketë përpunim artistik, po them standarde artistike, po edhe standarde shtetërore. Për këto do të ndiqen procedurat, pra në konsultim me institucionet e Kosovës, me Parlamentin, me Qeverinë. Po edhe njerëzit le të diskutojnë, le t’i thonë hapur mendimet e veta. Por, besoj se shumica në Kosovë – e popullit, e intelegjencies, e klasës politike – janë dakord që të kemi simbolet tona. E kam marrë këtë si një inisiativë të Presidentit. Është në detyrën time t’i ec këto punë dhe besoj se së shpejti do të kryhen. Në këtë vazhdë ishte edhe përurimi i Shtëpisë së Pavarsisë. Dëshiruam të lëmë një monument, një traditë, atje ku janë krijuar institucionet e para të Republikës së Kosovës. Do të ketë një kompleks të Pavarësisë aty, që do të ketë objekte përcjellëse, ndërsa po ajo shtëpi nismëtare do të ruhet dhe do të ketë edhe karakter muzeal, po edhe aktiv. Do ta mbajmë gjallë atë kompleks. Pra, 

të krijojmë edhe një traditë. Ne kemi një traditë me Shtëpinë e Lidhjes së Prizrenit, pastaj në Shqipëri është Shtëpa e Pavarësisë në Vlorë, edhe këtu tash Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës, që ka simbolikën e vet. Kemi edhe një shenjë të veprimit, sepse të gjithë, i gjithë populli i Kosovës, kemi kaluar nëpër atë shtëpi që ka qenë një shtëpi e shpresës, e pavarësisë, e lirisë dhe e demokracisë. 

RILINDJA: Institucionet shtetërore të Kosovës së pasluftës, të zgjedhjeve të lira e demokratike, po përmbyllin vitin e parë të fuksionimit të tyre. Si e vlerësoni këtë periudhë të këtyre institucioneve, Presidencës, Parlamentit e Qeverisë, bashkëpunimin, edhe bashkëqeverisjen, e forcave politike të Kosovës, bashkëpunimin me administratën e OKB – UNMIK-un, si dhe procesin e kalimit të kompetencave nga ndërkombëtarët te vendorët? 

PRESIDENTI RUGOVA: Në përgjithësi, ky ishte viti i parë i funksionimit të institucioneve. Ishin çështjet teknike, praktike, kompletimi i Presidencës, do të thotë i administratës, i Qeverisë, i Parlamentit, i ministrive. Më shumë kemi punuar në këtë plan sivjet. Shpresoj se në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm do të kompletohen të gjitha këto institucione, që të jenë efikase. Poashtu ne kemi pasur një bashkëpunim të frytshëm në mes nesh, por gjithsesi edhe në kuadër të ndarjes së pushtetit, pushtetit legjislativ – Parlamenti, ekzekutiv – Qeveria, dhe Presidenti - Presidenca ai pushtet reprezentativ, përfaqësues i Kosovës, por edhe që garanton për funksionimin demokratik të institucioneve të Kosovës. Pra, gjithsesi, Presidenca u ka dhënë përkrahje Parlamentit, Qeverisë, ministrive, edhe shoqërisë civile. Mund të them se në këtë vit në plan të parë ishte funksionimi i institucioneve të Kosovës. 

Çështja tjetër është raporti me UNMIK-un, me pushtetet e rezervuara me 

kompetenca. Vitin e ardhshëm shpresojmë se do të punojmë më shumë që të kemi raporte produktive dhe forma produktive të bashkëpunimit me UNMIK-un. Siç e dini, për dy vite kemi punuar së bashku (me UNMIK-un), ndërsa tash janë krijuar institucionet e Kosovës dhe duhet të gjejmë forma më produktive të bashkëpunimit. Siç është e paraparë me dokumente, duhet të ketë bartje graduale të kompetencave në shtetin nacional, apo pushtetin kombëtar, të Kosovës.  

RILINDJA: Nga përfundimi i luftës kanë kaluar vetëm më pak se katër vjet, dhe edhe pse një periudhë e shkurtër, Ju vazhdimisht flisni për një progres të madh në Kosovë, ndërsa bashkësia ndërkombëtare ka vlerësime të larta, siç ishin edhe ato për zgjedhjet parlamentare si «të shkëlqyeshme e më të mirat në rajon», zgjedhjet lokale si «të standardeve evropiane, ndërkombëtare», vlerësime këto të Këshillit të Evropës, të OSBE-së, etj. Cila është rruga nëpër të cilën po shkon Kosova, nga e shpie Kosovën kjo ecje me vlerësime kaq të larta? 

PRESIDENTI RUGOVA: Gjithsesi, vlerësimet për këtë progres janë të përgjithshme – edhe nacionale, edhe ndërkombëtare. Ky progres gjithsesi e shpie Kosovën më shpejt në njohjen formale të Pavarsisë së Kosovës. Po ju përgjigjem kështu shkurt. 

Veç kësaj, ky përparim në këto tri vite shpie edhe në rrugën e një 

zhvillimi më dinamik ekonomik të vendit. Do të thotë janë krijuar parakushte edhe për investime, për zhvillim më të shpejtuar ekonomik. 

RILINDJA: Ju për shumë vjet keni folur për një Kosovë të pavarur, 

euroatlantike, për NATO-n në Kosovë. Ka vite më parë që keni deklaruar se Kosova ka çka t’i ofrojë NATO-s, keni folur për një protektorat ndërkombëtar si fazë kalimtare. Ishte ajo që si një formulë zgjidhjeje e keni theksuar vazhdimisht dhe shumë herë. Si e vlerësoni këtë fazë të zgjidhjes në të cilën ka arritur e nëpër të cilën po kalon Kosova dhe çfarë do të jetë e ardhmja?  

PRESIDENTI RUGOVA: Ky ishte, pra, objektivi yni qe sa vite, synim i popullit të Kosovës. Kërkesën për pavarësi e kam afirmuar unë si President i Republikës së Kosovës, dhe tash si President i Kosovës. Ishte rezultat i bazuar në Referendumin për Pavarësi të popullit të Kosovës që është mbajtur në shtatorin e vitit 1991. Pra, kjo ishte detyrë e institucioneve të Kosovës. E kërkonim edhe prezencën e NAT0-s, që është tashti në Kosovë. Sigurisht që me pavarësinë e Kosovës NATO do të ketë një mandat tjetër në Kosovë, do të ketë baza këtu. Kosova do të jetë anëtare e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian, e strukturave euroatlantike. Edhe protektorati që, pas luftës pra, erdhi si një fazë kalimtare, nëpër të cilën tash po kalojmë, edhe që i jep një siguri Kosovës, një perspektivë. Gjithsesi njohja formale e pavarësisë së Kosovës do t’i shpejtonte këto procese – edhe ekonomike, edhe demokratike, edhe të integrimit të shoqërisë së Kosovës – dhe do të qetësonte edhe rajonin e Evropës Juglindore, apo të Gadishullit Ilirik; do të qetësonte edhe popullin e Kosovës. 

Pra e ardhmja, nëse doni t’ju përgjigjem shkurt, e ardhmja, po edhe e 

tashmja, është pavarësia e Kosovës, sa më shpejt. Pra, pavarësia 

formale, se ne de fakto jemi të pavarur. Pavarësia formale do të na hapte shumë dyer në planin e institucioneve financiare, të organizmave ndërkombëtare, në prezencën e drejtpërdrejtë në integrimet veriatlantike.  

RILINDJA: E ardhmja e Kosovës, siç thuhet edhe në mesazhet e ndërkombëtarëve, varet nga përmbushja e standardeve të domosdoshme, veçmas të atyre që kanë të bëjnë me komunitetet pakicë. Ju edhe shumë më herët, si kryetar i LDK e President i Republikës së Kosovës, vazhdimisht i keni theksuar, e i theksoni edhe tash, garancitë e shtetit të Kosovës për të drejtat e interesat e pakicave. Çka ofron dhe çka do të bëjë Kosova në përmbushjen e standardeve që kanë të bëjnë me komunitetet minoritare?  

PRESIDENTI RUGOVA: Po, ky, siç thuhet, është një prej standardeve. Po, njohja formale e pavarësisë do të jepte mundësi më të mëdha në të gjitha fushat. Sa i përket minoriteteve, ne kemi pasur progres në këto tri vite e gjysmë në Kosovë. Minoritetet tash janë prezente në Parlamentin e Kosovës, pastaj janë në Qeveri nëpër ministri, kanë dy poste ministrash, dhe tash kanë marrë pjesë në zgjedhjet e dyta vendore për pushtetin lokal. Por, gjithsesi, nuk po e them si sllogan, ka dhe do të ketë garanci dhe mbrojtje për grupet etnike, për minoritetet. Dhe, ju e dini, sot është e lirë gjuha për të gjitha minoritetet dhe po përdoret edhe në Parlamentin e Kosovës, që për një vend që ka dalë menjëherë pas luftës nuk është shumë e lehtë. Ju e dini se minoritetet kanë qenë të përfaqësuara edhe në qeverinë e përbashkët me UNMIK-un, në Këshillin e Përkohshëm Administrativ dhe në Këshillin Transitor, në ministri, në dokumente. Pra, ka progres edhe në këtë plan. 

Natyrisht, ende është një kohë me plagë nga lufta; janë ende të zhdukurit, ata që ende nuk u dihet fati. Por, vërtetë kemi ecur shumë, sepse populli i Kosovës është një popull tolerant, me bazë, edhe në praktikë, popull që i respekton të tjerët, por gjithsesi edhe pakicat duhet të tregojnë një vullnet që të integrohen. Ne duhet të garantojmë edhe si shtet, edhe si popullatë shumicë, për të ardhmen e tyre, për një integrim ku do ta shohin perspektivën e vet në planin social, ekonomik edhe politik, që ua garanton Kosova.  

RILINDJA: Evropa, ku Kosova dhe rajoni dëshirojnë të integrohen, ka edhe standardet e komunikimeve e integrimeve kombëtare, si dhe të bashkëpunimeve midis vendeve. Si e shihni bashëkpunimin e komunikimin ndërshqiptar, bashkëpunimin mes Kosovës e Shqipërisë, po edhe me vendet e tjera fqinje të rajonit?  

PRESIDENTI RUGOVA: Ne folëm pak për këto standarde, që i kemi tash në Kosovë. Me pavarësinë, në këto standarde të tjera, që i paraqesin Bashkimi Evropian dhe integrimet euroatlantike, do të shkonim shumë më shpejt. Gjithsesi, një prej pikave është edhe bashkëpunimi rajonal, apo bashkëpunimi me fqinjët. Me Shqipërinë kemi një bashkëpunim të mirë, në trembëdhjetë vjetët e fundit kemi zhvilluar një bashkëpunim me Shqipërinë, që, për shkaqe praktike ka qenë shumë i vështirë, por ka qenë produktiv. Tash pas luftës është një bashkëpunim në të gjitha fushat, në planin ekonomik, politik, etj. Gjatë këtij viti ishte një bum i vogël turistik i kosovarëve në Shqipëri, të cilin besoj se e kanë respektuar edhe autoritetet e Shqipërisë, edhe populli i Shqipërisë. Dhe, natyrisht, duhet të krijojmë edhe mundësi komunikimi, rrugë – rrugën që e kërkojmë ne, Prishtinë-Durrës apo Prishtinë-Lezhë, për në bregdetin shqiptar. Patjetër duhet të punojmë për këtë, duhet t’u krijojmë njerëzve mundësi si pushtet, edhe institucionet shtetërore të Kosovës edhe të Shqipërisë. Kosova ka një bashkëpunim të mirë reciprok me Shqipërinë. 

Gjithsesi do të bëjmë përpjekje që me Maqedoninë të zhvillojmë 

marrëdhënie… UNMIK-u bën disa përpjekje. Me Malin e Zi, siç e dini, marrëdhëniet janë të mira kështu, në heshtje. Mali i Zi ka qenë më korrekt në raport me Kosovën. Ndërsa me Serbinë ju e dini se momentalisht UNMIK-u i mban disa marrëdhënie. Është më vështirë, sepse Beogradi ende nuk e ka ndryshuar logjikën e vjetër, ende i ka disa ngarkesa, edhe pse janë bërë ndryshime në Beograd. Por, do të bëjmë përpjekje që me të gjithë fqinjët të kemi marrëdhënie të mira edhe me hapa praktikë. 

Për fat të keq, e theksoj edhe këtu, disa fqinjë tanë ende bëjnë pengesa që janë kundër OKB-së, kundër bashkësisë ndërkombëtare. Nuk njihen regjistrimet e targat e makinave të Kosovës, pasaportat e UNMIK-ut, pra të Kosovës…Kemi bërë disa përpjekje, por po ecën shumë vështirë, edhe UNMIK-u ka pasur vështirësi në këtë plan. Pra, ende janë ato alergjitë e vjetra, por shpresoj se shpejt do të thyhen edhe këto. 

Përsëri po them, ndoshta dikujt do t’i dukem i tepërt, por njohja 

formale e pavarësisë së Kosovës do t’i detyronte edhe disa fqinjë tanë ta pranojnë realitetin e ri që është krijuar pas fushatës së NATO-s për lirinë e Kosovës, do t’i detyronte të bashkëpunojnë dhe do të merrnin fund kalkulimet, manipulimet e ndryshme, disa, nëse mund të shprehem kështu, ëndërrime joreale për Kosovën, që ata kanë nga e kaluara. Pra, njohja formale e pavarsisë së Kosovës do të shpejtonte edhe procesin e marrëdhënieve pozitive apo fqinjësore, edhe miqësore, më fqinjët. 

RILINDJA: Shqiptarët jetojnë në trojet e veta etnike edhe në disa vende 

të rajonit, si në Maqedoni, në Luginën e Preshevës në Serbi, në Ulqin – 

Mal të Zi. Si e shihni të ardhmen, zgjidhjen e çështjes shqiptare, duke pasur parasysh edhe këtë fakt? Lidhur me këtë ekziston qe më se një dekadë edhe Dokumenti i opcioneve i partive politike shqiptare. 

PRESIDENTI RUGOVA: Po, është Dokumenti i ‘tri opcioneve’. Këtë 

politikë, për fat të mirë, e kemi bërë të gjitha partitë politike të trojeve shqiptare, dhe ai dokument i ka dhënë frytet e veta, do të thotë jemi organizuar. 

Zgjidhja e çështjes shqiptare, nëse duam të hyjmë kështu, në mënyrë 

globale, shihet: Shqipëria si shtet, që është e njohur, Kosova e 

pavarur, shtet i njohur, i integruar në Bashklimin Evropian, në NATO dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që është një vend që i pari është interesuar për ne dhe na ka ndihmuar, dhe që na ndihmon vazhdimisht. Në Maqedoni shqiptarët gjithsesi të jenë element i shtetit, shtetformues; tash janë bërë hapat e parë, siç është Marrëveshja e Ohrit, pastaj integrimi i shqiptarëve në institucionet e tjera, që do të jenë element me rëndësi. Në Mal të Zi, poashtu, shqiptarët duhet të kenë një administrim të vetin, pra të kenë përfaqësim në nivel të Republikës së Malit të Zi në instiucione; edhe atje ka filluar një proces. Poashtu edhe në Preshevë, në Luginën e Preshevës, ka filluar një proces pozitiv; ka robleme, do të ketë probleme, por disponimet janë pozitive. Natyrisht, po e them në mënyre legale, ne, Kosova, do të interesohemi si shtet për shqiptarët në Mal të Zi, për Luginën e Preshevës, po edhe në Maqedoni, dhe nuk do të përzihemi në punët shtetërore, që të krijojmë çrregullime, siç dëshirojnë disa fqinjë ndaj Kosovës. 

Po e theksoj për ju, e kam theksuar edhe më parë, në Evropën Juglindore, në këtë pjesë të Evropës e të botës, popujt duhet ta njohin njëri-tjetrin: edhe historikisht, edhe në pikëpamje politike, edhe shtetërore, sespse kjo mungon. Për fat të keq, shumica e popujve në rajonin tonë kanë pasur atë logjikën e dominimit, kanë injoruar shqiptarët në përgjithësi, nuk i kanë njohur, ose janë përpjekur edhe të bëjnë eliminime të ndyshme. Prandaj është një plan perspektiv, për të cilin ne si Kosovë do të punojmë në të ardhmen. Duhet të njohim njëri-tjetrin në rajonin tonë, përndryshe mund të ketë probleme. Mirëpo, është pozitive se në përgjithësi tash në rajonin tonë shikojnë nga Evropa. Këtë nuk e kishim deri para disa vjetësh. Ndërsa ne, shqiptarët, në përgjithësi, kemi shikuar gjithmonë e shikojmë nga Evropa, nga integrimet evroalantike.  

RILINDJA: Z. President, të kthehemi edhe një herë te pyetja e parë. 

Thamë se pas një viti historik Kosova pret një vit tjetër shumë të rëndësishëm. Ka paralajmërime se në vitin 2003, ardhjen e të cilit po e festojmë, do të fillojnë negociatat për statusin, për pavarësisë e Kosovës, që do të njihet edhe ndërkombëtarisht. A mund të na thoni diç më shumë lidhur me këtë?  

PRESIDENTI RUGOVA: Ka spekulime të ndryshme se do të fillojnë 

negociatat, pikëpamje të ndryshme. Këto i shoh si pozitive. Të gjithë po e shohin se kjo është një domosdoshmëri që duhet të bëhet. Por, unë insistoj që të njihet Kosova drejtpërdrejt, sepse ne kemi kryer negociata të ndryshme: ju kujtohen Rambujeja dhe Parisi. Pastaj erdhi intervenimi i NATO-s, kur u ndëshkua pala tjetër pse nuk pranoi. Pra, është një epokë e re tani në rajonin tonë, të Evropës Juglindore, ndoshta edhe për shumë perspektiva në Evropë, në plan ndërkombëtar. 

Njohja e Kosovës nga SHBA-të, Bashkimi Evropian, që do ta formalizonte OKB-ja, do të ishte rruga shumë më produktive, më e drejtë, dhe do të krijonte mundësi më të mëdha për zhvillim të përgjithshëm, ndërsa populli i Kosovës dhe rajoni përgjithësisht do të qetësoheshin.  

RILINDJA: Viti i ardhshëm do të jetë edhe i një momenti të rëndësishëm 

për gjithë njerëzimin, e që ka të bëjë me një shqiptare, Nënën Terezë, 

Shenjëtërimin e saj, që e ka paralajmëruar edhe Papa Gjon Pali ll, të 

cilin në Urimin e Krishlindjeve e keni ftuar të marrë pjesë në vënien e gurthemelit të Katedrales në Prishtinë…  

PRESIDENTI RUGOVA: Po, do të jetë padyshim një vit i veçantë. 

Parashikohet shenjtërimi i Nënës Terezë. Këto ditë Ati i Shenjtë e 

njohu, e pranoi, një mrekulli që ka ndodhur me Nënën Terezë, pra, me njerëzit që janë shëruar edhe me kultin e saj, me mrekullinë e saj… Se ajo vetë ishte një mrekulli, një nënë kosovare-shqiptare, por edhe një nënë universale e njerëzimit. Dhe do të jetë edhe ky një simbol i madh për Nënën Terezë, që i takon gjithë botës, po edhe për shqiptarët në përgjithësi, edhe për Kosovën si shtet, që ajo e çmonte, e donte, e respektonte, dhe të cilën e ndihmonte. 

Ju e dini, veprimi i shoqatës me emrin e Nënës Tereze ka qenë jo vetëm 

një simbol, por edhe një ekzistencë e njerëzve tanë në planin e shërimit, të mjekësisë, të jetës sociale në Kosovë, që ka luajtur rolin e një ministrie në dhjetë vitet e kaluara. Edhe tash, në kohën e pasluftës, u tregua se kjo shoqatë mund të ekzistojë si pjesë e shoqërisë civile që i duhet shtetit. Pra, do të jetë një simbol për të gjithë shqiptarët. Skënderbeu ishte një simbol i Evropës, i botës – njihet. Nënë Tereza sot është një simbol universal, i njerëzimit, dhe ne jemi krenar që është shqiptare, që ka dalë nga bota shqiptare, prej popullit shqiptar. 

Dhe, gjithsesi, edhe katedralja që parashikon Ipeshkvia ta ndërtojë në 

kryeqyetin e Kosovës do të jetë me rëndësi, një simbol dhe një vepër që 

i duhet kryeqytetit të Kosovës. Unë, si President i Kosovës, e kam 

përkrahur, dhe natyrisht e njoftova në emër të popullit të Kosovës Atin e Shenjtë për atë që do të bëjmë. Pra, për Pashkët do të vendosim gurin e themelit të katedrales, që do të jetë një qendër fetare dhe kulturore me objekte përcjellëse, që do të jenë për të gjithë qytetarët e kryeqytetit e të Kosovës. Vërtet na duhet katedralja. Ju e dini: ka qenë në qendër të Prishtinës një kishë e vjetër katolike shqiptare, që është larguar dikund pas viteve 60-të, që është prishur a është shkatërruar. Katedralja në Prishtinë do të jetë edhe një simbol për Kosovën. Do ta përkrahim të gjithë, do ta përkrahin të gjithë qytetarët e kryeqytetit e të Kosovës. 

Forhåndsvisning av bilde

RILINDJA: Z. President, falemnderit për këtë intervistë për botimin 

special të gazetës «Rilindja» për Vitin e Ri. Kemi edhe një falënderim të madh për Ju zoti President i Kosovës për mbështetjen dhe angazhimet për një zgjidhje institucionale për gazetën tradicionale të Kosovës «Rilindja», të cilës shpresojmë se së shpejti do t’i krijohen kushtet dhe mundësitë të rifillojë botimin e rregullt. Mendojmë që është një rast shumë i mirë që «Rilindja» të rifillojë botimin e rregullt në ditën e përvjetorit të saj të 58-të, më 12 shkurt 2003. Shfrytëzojmë rastin, dhe kemi nderin dhe kënaqësinë, që qysh tash t’Ju ftojmë në festën, në solemnitetin që do të bëjmë, edhe për Ditën e Rilindjes edhe për rifillimin e botimit të gazetës «Rilindja».  

PRESIDENTI RUGOVA: Unë ju kam premtuar përkrahje edhe më herët. Duhet të shikojmë, po flas praktikisht, si ta aktivizojmë 

gazetën, që ka një traditë. S’po flasim më shumë, e dimë të gjithë. 

Pastaj, me emrin «Bujku», këtu dhjetë vite ka mbajur të gjallë informimin e brendshëm në Kosovë, pra derisa bëmë edhe Televizionin Satelitor. Kjo ka qenë shumë e rëndësishëme. Pra, ishte një bazë e informimit në Kosovë. Dhe, një mirënjohje për ju dhe të gjithë ata që në këto vite të vështira punuan dhe mbajtën të gjallë informimin në Kosovë. 

Duhet të shikojmë praktikisht si të aktivizohet gazeta «Rilindja», t’i sigurohet vendi. Duhet të bisedohet dhe të shihen mundësitë. Edhe zyra ime për informim do të interesohet për këtë çështje; besoj edhe komisioni për media i Parlamentit, që është krijuar tash së voni, edhe institucionet e tjera. Duhet parë punën e statusit të «Rilindjes». Ju mund të jeni si gazetë e pavarur, por duhet të shikojmë sa mund të ndihmoheni nga institucionet tona. 

Është shumë mirë që gazeta “Rilindja” edhe në këto kushte gjatë kësaj 

kohe të fundit ka dalë me botime të kohëpaskohshme për ngjarje e data të rëndësishme, duke vazhduar të jetë histori e shkruar e Kosovës, dhe ruan në një mënyrë vazhdimësinë deri në rifillimin e botimit të rregullt. 

RILINDJA: Z. President, Ju falënderojmë shumë për këtë përkrahje të 

madhe për “Rilindjen”. Shfrytëzojmë rastin, kemi nderin dhe kënaqësinë, që t’ Ju urojmë: Gëzuar Vitin e Ri 2003, më shumë shëndet, mbarësi, suksese për Ju dhe për gjithë Kosovën.  

PRESIDENTI RUGOVA: Urime, poashtu, edhe Juve, me shumë suksese dhe për punën që po bëni, për “Rilindjen”, që ta kemi së shpejti përditë. Falemnderit.  

Legjenda e fotografisë në faqen 1: 

Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, priti në Rezidencën Presidenciale në Prishtinë Kryetarin e Këshillit Drejtues dhe Kryeredaktorin e gazetës “Rilindja”, Behlul Jashari, me ç’rast i dha një intervistë ekskluzive, duke i dhënë kështu edhe mbështetjen e fuqishme institucionale krijimit të mundësive dhe kushteve për rifillimin e botimit të gazetës simbol i traditës së informimit në Kosovë. Është shumë mirë që gazeta “Rilindja” edhe në këto kushte gjatë kësaj kohe të fundit ka dalë me botime të kohëpaskohshme për ngjarje e data të rëndësishme, duke vazhduar të jetë histori e shkruar e Kosovës, dhe ruan në një mënyrë vazhdimësinë deri në rifillimin e botimit të rregullt, tha Presidenti Rugova 

BOXA – THEKSIME NGA INTERVISTA:    

Gjithsesi njohja formale e pavarësisë së Kosovës do t’i shpejtonte këto procese – edhe ekonomike, edhe demokratike, edhe të integrimit të shoqërisë së Kosovës – dhe do të qetësonte edhe rajonin e Evropës Juglindore, apo të Gadishullit Ilirik; do të qetësonte edhe popullin e Kosovës. 

Pra e ardhmja, nëse doni t’ju përgjigjem shkurt, e ardhmja, po edhe e 

tashmja, është pavarësia e Kosovës, sa më shpejt. Pra, pavarësia 

formale, se ne de fakto jemi të pavarur. Pavarësia formale do të na hapte shumë dyer në planin e institucioneve financiare, të organizmave ndërkombëtare, në prezencën e drejtpërdrejtë në integrimet veriatlantike. 

Përsëri po them, ndoshta dikujt do t’i dukem i tepërt, por njohja 

formale e pavarësisë së Kosovës do t’i detyronte edhe disa fqinjë tanë ta pranojnë realitetin e ri që është krijuar pas fushatës së NATO-s për lirinë e Kosovës, do t’i detyronte të bashkëpunojnë dhe do të merrnin fund kalkulimet, manipulimet e ndryshme, disa, nëse mund të shprehem kështu, ëndërrime joreale për Kosovën, që ata kanë nga e kaluara. Pra, njohja formale e pavarsisë së Kosovës do të shpejtonte edhe procesin e marrëdhënieve pozitive apo fqinjësore, edhe miqësore, më fqinjët. 

Zgjidhja e çështjes shqiptare, nëse duam të hyjmë kështu, në mënyrë 

globale, shihet: Shqipëria si shtet, që është e njohur, Kosova e 

pavarur, shtet i njohur, i integruar në Bashklimin Evropian, në NATO dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që është një vend që i pari është interesuar për ne dhe na ka ndihmuar, dhe që na ndihmon vazhdimisht. Në Maqedoni shqiptarët gjithsesi të jenë element i shtetit, shtetformues; tash janë bërë hapat e parë, siç është Marrëveshja e Ohrit, pastaj integrimi i shqiptarëve në institucionet e tjera, që do të jenë element me rëndësi. Në Mal të Zi, poashtu, shqiptarët duhet të kenë një administrim të vetin, pra të kenë përfaqësim në nivel të Republikës së Malit të Zi në instiucione; edhe atje ka filluar një proces. Poashtu edhe në Preshevë, në Luginën e Preshevës, ka filluar një proces pozitiv; ka robleme, do të ketë probleme, por disponimet janë pozitive. Natyrisht, po e them në mënyre legale, ne, Kosova, do të interesohemi si shtet për shqiptarët në Mal të Zi, për Luginën e Preshevës, po edhe në Maqedoni, dhe nuk do të përzihemi në punët shtetërore, që të krijojmë çrregullime, siç dëshirojnë disa fqinj.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu