Ibrahim Rugova e Behlul Jashari – Rilindja e 28 Nentor 2002 në tryezën e Rugoves ne Rezidencen Presidenciale ne Velani – Prishtinë
-“I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia, dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon”, theksonte shumë prerë Presidenti Rugova në 6 Tetor 2005, në takimin e parë me Grupin Negociator, formimi i të cilit me përfaqësim nga maxhoranca e opozita dhe shoqëria civile ishte një moment me shumë rëndësi për unitetin në vend si dhe për bisedimet për statusin e Kosovës të udhëhequra nga i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Presidenti Martti Ahtisaari, e pastaj edhe nga Treshja SHBA-BE-Rusi në angazhimet shtesë/
PRISHTINË, 6 Tetor 2024/ Para 19 viteve, pikërisht ishte 6 Tetori 2005 kur Pavarësia e Kosovës, në të mirë të gjithë qytetarëve të saj, dhe si i vetmi kompromis, theksohej e ritheksohej si vazhdimisht nga Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova.
“I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia, dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon”, theksonte shumë prerë Presidenti Rugova në 6 Tetor 2005, në takimin e parë me Grupin Negociator, formimi i të cilit me përfaqësim nga maxhoranca e opozita dhe shoqëria civile ishte një moment me shumë rëndësi për unitetin në vend si dhe për bisedimet për statusin e Kosovës të udhëhequra nga i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Presidenti Martti Ahtisaari, e pastaj edhe nga Treshja SHBA-BE-Rusi në angazhimet shtesë.
Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova – Presidenti i lëvizjes së fuqishme gjithëpopullore demokratike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, në ditën e përvjetorit të themelimit të LDK-së, partisë-lëvizje, që e udhëhiqte që nga fillimi, ritheksonte se pavarësia është e padiskutueshme, tek fliste jepte mesazh, si një amanet, në Rezidencën në lagjen Velania të Prishtinës, në 23 Dhjetor 2005, më pak se një muaj para se të kaloi në amshim në 21 Janar 2006.
“Objektivi kryesor është pavarësia e Kosovës. Do të punojmë në të gjitha segmentet që të jetë një pavarësi e qëndrueshme, që do t’u përgjigjet të gjithë qytetarëve të Kosovës, në të mirë të gjithë qytetarëve të Kosovës”, theksonte Presidenti Rugova në atë takim të fundvitit të tij të fundit, ku paralajmëronte formimin edhe të dy ministrive të reja – të Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Punëve të Jashtme të Kosovës.
Në Rezidncën Presidenciale në Velani, ku regjistrova për të fundit herë deklaratat e Presidentit historik Rugova, në 23 Dhjetorin 2005, ai kishte takime të veçanta – priti kryetarët e degëve të LDK-së në Kosovë dhe diasporë me rastin e 16 vjetorit të themelimit të LDK-së, e më pas kishte takim pune me kryeministrin e atëhershëm të Kosovës Bajram Kosumi.
Pavarësinë e Kosovës, të shpallur në 17 Shkurtin historik 2008, nga shtetet fqinje, vetëm Serbia nuk e ka njohur ende. Nga shpërbërja e ish Jugosllavisë, nga elementet konstituive të federates me të drejtë vetoje, mes të cilave ishte edhe Kosova që u bë shtet, shtete të reja të rajonit dolën gjithësej shtatë – edhe Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Maqedona, Mali i Zi dhe Serbia.
Klinton – Rugova
NGA ARKIVI-6 TETOR 2005: PRESIDENTI RUGOVA ME GRUPIN NEGOCIATOR: KOMPROMIS PËR KOSOVËN ËSHTË PAVARËSIA
PRISHTINË, 6 Tetor 2005-QIK – I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia, dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon, tha sot Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova pas takimit me Grupin negociator për statusin, në rezidencën e tij në Velani.
Presidenti Rugova takimin e quajti të frytshëm, konstruktiv e miqësor, ndërsa tha se kanë biseduar për planin operativ të funksionimit të delegacionit të Kosovës, për dokumentet e ndryshme që do të aprovohen.
“Natyrisht do të kem një dozë të besueshmërisë të një diskrecioni sepse është delegacion shtetëror dhe për gjëra të rëndësishme do t’ju njoftojmë”, tha Presidenti. “Ne do të vazhdojmë punën mbi këtë plan apo skicë të punës të delegacionit të Kosovës.
Përcaktimi ynë dhe vullneti politik i popullit është pavarësia e Kosovës, pra këto biseda janë për pavarësinë e Kosovës, ndërsa unë edhe të gjithë ne insistojmë për një njohje të drejtpërdrejtë të pavarësisë së Kosovë që do të ishte edhe më e lehtë sepse do ta qetësonte popullin tonë edhe këtë pjesë të Evropës dhe të botës”, u shpreh pas takimit Presidenti Rugova.
Ai bëri të ditur se Grupi, për çdo rast, po përgatitet, dhe se të gjithë janë dakord që nëse fillon zgjidhja e statusit në rrugë ndërkombëtare, nëpërmjet negociatave, atëherë, delegacioni do të jetë “i gatshëm, i aftë dhe i përgatitur”, ta udhëheqë Kosovën drejt bërjes së pavarësisë.
Pyetjes nëse mund të ketë kompromis rreth statusit të Kosovës, Presidenti Rugova u përgjegj në mënyrë kategorike, duke thënë: “Kompromis për Kosovën është pavarësia e saj dhe ky është optimum i gjithë shqiptarëve në rajon, andaj nuk kemi kërkuar një bashkim me Shqipërinë që do të krijonte probleme të reja. Prandaj një Kosovë e pavarur do të qetësonte këtë pjesë të Evropës dhe të botës”, nënvizoi Presidenti Rugova, duke ripërsëritur bindjen e plotë se nuk ka shteg tjetër veç pavarësimit të vendit.
Ndërkaq në pyetje tjetër nëse grupi do të ketë platformën për bisedime, Presidenti është përgjigjur qartazi: “Ne platformen e kemi dhe ajo është pavarësia. Neve na duhet operacionalizimi i punës së këtij grupi apo delegacionit të Kosovës nëse do të ketë biseda për pavarësinë e Kosovës dhe të ardhmen e Kosovës. Ne insistojmë në njohje të drejtpërdrejtë dhe ajo pakoja përcjellëse që do të ketë pavarësia e Kosovës”, tha Presidenti Rugova.
Kryekuvendari i Kosovës, Nexhat Daci, sukses më të madh e ka quajtur që Grupi Negociator, apo siç e quajti ai, pesëshja dhe koordinatori i grupit, “janë absolutisht në një frekuencë”.
“Ky delegacion i Kosovës do ta marrë mandatin në parlamentin e Kosovës dhe kufiri më i ulët siç e tha Presidenti është pavarësia e Kosovës”, tha Daci. Ai theksoi se çdo gjë do të rrjedhë nëpërmjet Parlamentit, ndërsa deputetët do të informohen për punën e delegacionit. Delegacioni do t’ia japë mendimet dhe udhëzimet e veta koordinatorit, i cili pastaj mendimet profesionale i sjell, dhe pas miratimit nga delegacioni i Kosovës, ato bëhen publike edhe për parlamentin”.
Lideri i PDK-së Hashim Thaçi u shpreh se delegacioni i Kosovës duhet të prezantojë fuqinë politike të partive politike në Kosovë, duke shtuar se çdo dokument i delegacionit në mënyrë konsensuale dhe me miratimin e Kuvendit të Kosovës duhet të fuqizohet dhe të institucionalizohet, dhe pastaj të prezantohet edhe në raport me ndërkombëtarët.
“Besoj se javën e ardhshme do të jemi së bashku edhe në parlamentin e Kosovë sashtu siç jemi zotuar se do ta ruajmë atë unitet të qëndrueshëm për rikonfirmimin e vullnetit të qytetarëve të Kosovës për shtet të pavarur dhe sovran”, tha Thaçi.
Ndërkaq lideri i ORA-s, Veton Surroi tha se platforma e grupit është e qartë. “E ka pikënisjen, e ka pasur dhe do ta ketë për pavarësinë. Eshtë një elaburim më i gjatë, i cili ka konsensus të plotë dhe duhet të paraqitet në Kuvendin e Kosovës. Si i tillë bëhet obligues për çfarëdo procesi negociator”, tha Surroi.
CLINTON PARA PESËMBËDHJETË VITEVE NË KOSOVË TREGOI SE SI RUGOVA KËRKOI NGA AI TË NA NDIHMOJ
Ne 20 vjetorin e Lirisë – ndërhyrjes shpëtimtare të NATO-s në Kosovë, në Prishtinë ka qëndruar ish-Presidenti i Amerikës, Bill Clinton. Kjo ishte vizita e tij e katërt në Kosovë, ndërsa një vizitë shtetit për të cilin kontribuoj për liri dhe pavarësi Clinton e pati edhe në vitin 2009.
Presidenti i 42-të amerikan, kur erdhi në nëntor të vitit 2009 mbajti një fjalim në Parlamentin e Kosovës, teksa përshëndetjen e nisi duke ndarë një kujtim që kishte me ish-Presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova.“Dua ta përkujtoj ish-Presidentin Rugova, i cili ishte një njeri i shkëlqyeshëm. Kujtoi dhuratën që ai më ofroi, një gur unik, gjysmë kristali. Ishte ky gur që u bë i njohur edhe në Shtëpinë e Bardhë, si “Guri i Rugovës” në kohën që merreshim me problemet e Kosovës… Presidenti Rugova më dha këtë kristal të bukur. Unë ia shpjegova atij se jam rritur në një vend që në aspektin gjeologjik ngjan me Kosovën. Meqë vendlindja ime, Arkanzasi, ishte burimi më i madh i kristaleve të papërpunuara. Kur ia tregova Presidentit Rugova, atëherë ai tha se: – Ti duhet të na ndihmosh, meqenëse kemi një pikë të përbashkët, sepse është fati i tillë” – kujtonte Presidenti Amerikan Clinton këtë episod me Presidentin Historik të Kosovës.