Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në ditën e dytë të vizitës në Portugali u prit nga Forcat e Armatosura të Portugalisë, në vendin prej nga forcat portugeze iu bashkëngjitën intervenimit të NATO-së në Kosovë, më 1999. Në selinë e Ministrisë së Mbrojtjes, Presidentja Osmani u takua me ministrin e mbrojtjes João Gomes Cravinho, shefin e Forcave të Armatosura të Portugalisë, admiralin Silva Ribeiro, shefin e Forcave Detare, admiralin Mendes Calado, shefin e Ushtrisë, gjeneralin Nunes da Fonseca dhe shefin e Forcave Ajrore, generalin Joaquim Borrego. Në takim me ta, Presidentja Osmani ka falënderuar Portugalinë, e cila më 1999 ishte pjesë e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë. Ushtria e këtij shteti ka qenë pjesë e misionit të KFOR-it në Kosovë me afro 6 mijë ushtarë.
Sipas saj, Kosova ka nevojë sërish për ndihmën e shteteve mike si Portugalia.
“Nga pozita e komandantes supreme të Ushtrisë së Kosovës, ju them se ne kemi nevojë për ndihmën tuaj sërish. Kësaj here jo për të na shpëtuar jetën, por për të ndërtuar partneritet me ushtrinë tonë. Forca e Sigurisë së Kosovës është duke i zgjeruar kapacitetet e saj dhe është në proces të transformimit.
Ushtarët tanë sapo janë kthyer nga misioni i parë paqësor bashkë me ushtrinë amerikane në Kuvajt. Kam besimin e plotë se ushtria jonë mund të përfitojë shumë nga përvoja e ushtrisë suaj. Përveç bashkëpunimit në fushën ushtarake, në një të ardhme të afërt forcat tona dua t`i shoh krahas forcave tuaja në NATO. Kjo aleancë është synim i yni dhe interes strategjik”, ka theksuar Presidentja Osmani.
Në këtë pritje, me motivacionin për kontributin për lirinë dhe paqen e Kosovës, Presidentja Osmani ka dekoruar me Medaljen Presidenciale Ushtarake paqeruajtësit portugezë që morën pjesë në mision në Kosovë nga viti 1999 e deri më 2017.