Presidentja Osmani priti në takim të dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lordin Stuart Peach
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim të dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lordin Stuart Peach, të cilin e ka uruar për emërimin në Dhomën e Lordëve.
Në takim me Lordin Peach, Presidentja Osmani ka theksuar se institucionet e Republikës së Kosovës janë të përkushtuara dhe të angazhuara për paqe dhe siguri.
Presidentja Osmani vuri në pah se Kosova vazhdon të jetë e koordinuar me partnerët ndërkombëtar për adresimin e sfidave të sigurisë dhe në këtë kontekst ka kërkuar përfshirje më të madhe të Britanisë së Madhe si një anëtare kyçe e NATO-s dhe një partnere historike e Kosovës.
Teksa e ka njoftuar për zhvillimet e fundit në vend, Lordin Peach, Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova në vazhdimësi është palë konstruktive në raport me dialogun me Serbinë, porse pala serbe nëpërmjet përpjekjeve për destabilizim të Kosovës përpiqet ta zhvendosë fokusin nga dialogu.
Në këtë frymë, Presidentja Osmani ka kërkuar që ndaj tendencave destabilizuese të Serbisë, bashkësia ndërkombëtare ta mbajë një qëndrim unik duke dënuar veprime e tilla dhe duke mos bërë barazimin e palëve kur dihet qartë se kush është agresori.
Sipas Presidentes Osmani, në veriun e Kosovës, sfidimi i rendit ligjor dhe juridik po ndodh nga banda kriminale të armatosura, të dirigjuara nga lidershipi i Serbisë, të cilat ndodhen në listën e zezë të SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe.
Kësisoj, Presidentja Osmani theksoi se është nën përgjegjësinë e institucioneve të Kosovës në koordinim me partnerët ndërkombëtarë për ta siguruar sundimin e ligjit, paqes dhe sigurisë në mënyrë të barabartë në të gjithë Republikën e Kosovës dhe për të gjithë qytetarët pa dallim.
Kryeministri Kurti takoi Lord Stuart Peach, i dërguar i posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor
Prishtinë, 5 janar 2023
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, mirëpriti të Dërguarin e Posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach, që shoqërohej nga ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovës, Nicholas Abbott.
Në takimin e parë në këtë vit, kryeministri Kurti dhe Lord Peach diskutuan për bashkëpunimin e deritanishëm dhe për mundësitë e reja përgjatë vitit 2023. Kryeministri Kurti theksoi marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale dhe rëndësinë e mbështetjes së Mbretërisë së Bashkuar për Republikën e Kosovës, sidomos në fushën e sigurisë.
U diskutua edhe për sfidat me të cilat po përballet rajoni i Ballkanit Perëndimor, rrezikun që paraqet për sigurinë dhe progresin ndikimi i Rusisë dhe rolin e rëndësishëm të NATO-s në parandalimin dhe sprapsjen e synimeve të Moskës për rajonin tonë. Kryeministri Kurti tha se në Kosovë ka progres demokratik, ligjor, ekonomik dhe social, që duhet të mbrohet, bashkë me partnerë dhe aleatë.
Ai po ashtu shprehu falënderimin e tij për angazhimin aktiv të Mbretërisë së Bashkuar në proceset integruese të Republikës së Kosovës.