Deklaratave kërcënues të presidentit të Serbisë se “do ta sulmojë Kosovën”, i është përgjigjur presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e cila thotë se Vuçiq do të dal sërish i dështua. Osmani tha se deklarata e tij është vetëm vazhdimësi e deklaratave të shumta publike që Vuçiq i ka dhënë duke kërcënuar Republikën e Kosovës.

“Deklarata që u publikua mbrëmë është vazhdimësi, njësoj si edhe në të kaluarën, ai duhet ta dijë se do të dalë i dështuar, sepse të gjitha përpjekjet e Serbisë nga viti 1998-99 e tutje, që ta pushtojnë Kosovën dhe ta kenë territorin e Kosovës, kanë dështuar”, deklaroi presidentja Osmani.

Ajo përmendi sakrificën e popullit të Kosovës dhe luftës çlirimtare, por edhe partnerët ndërkombëtarë që kanë mbrojtur, siç tha ajo, vlerat më të rëndësishme të lirisë dhe demokracisë.

“Edhe sot 25 vite pas kur në qershor do të festojmë këtë përvjetor jubilar të çlirimit të Kosovës jemi me fat e të bekuar si popull që në krahë kemi aleatët tanë të cilët bashkë me ne siç edhe kanë deklaruar së fundmi do ta mbrojnë çdo pëllëmbë të Kosovës”, ka deklaruar Osmani.

Kështu që Vuçiq, sipas saj, sërish do të dështojë, mirëpo përmes këtyre deklaratave ai po shpërfaq një fakt shumë të rëndësishëm, që “është që ai është vazhdimësi e mendësisë së Millosheviqit i cili kërkon territore dhe asnjëherë nuk i intereson për të drejtat dhe liritë e njerëzve”.

Kujtojmë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka theksuar se nuk e përjashton mundësinë që Serbia të përdorë forcën në Kosovë, për shkak të sjelljes së autoriteteve të Prishtinës.