ARKIVI:
26 Nëntor 2024

Pritja e Vitit të Ri 1997 në Kosovë në prag lufte

Shkrime relevante

Presidentja Vjosa Osmani takoi Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Boris Ruge

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me Ndihmës...

Rrugëtim Kombëtar: Promovimi i Historisë së Kosovës në Shtetet e Bashkuara te Amerikës

Nga: Adem Lushaj Reportazh “Krimet serbe në Kosovë - Rasti i Deçanit” dhe...

Mirënjohje profesor Fatmirit për “Fjala e Lirë”

Nga: Fahri Dahri Njeriu është  i paisur me komplekse, si qenie e...

Vendoset gurthemeli i nënstacionit të Policisë së Kosovës në fshatin Izvor, Komuna e Zveçanit

Zveçan, 25 nëntor 2024 Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë...

Shpërndaj

Gazetari Behlul Jashari duke e intervistuar këngëtaren Parashqevi Simakun në një koncert në Prishtinë.

Shkruan: Behlul Jashari, Prishtinë

E risjellim shkrimin ashtu si u botua në Prishtinë në 4 Janar 1997 në gazetën e rezistencës “Bujku” pjesë e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi, kryeredaktor i parë – themelues i së cilës isha, e që sfidonte ndalimin e dhunshëm nga Serbia okupatore të gazetës tradicionale Rilindja, të vetmes në gjuhën shqipe në Kosovë.

-Kosova në prag lufte, si e priti Vitin e Ri 1997 – me titullin “Shpresë se s’mdërrojnë veç vitet” para çerek shekulli, mes tjerash, shkruaja:
Ky Vit i Ri në Kosovë u prit për herë të parë me valimin e flamurit amerikan në Zyrën e USIA-s në Prishtinë.  Vitin që shkoi për Kosovën kishte shumë momente të rëndësishme, dhe sigurisht më e rëndësishmja ishte dita historike e 5 qershorit, kur në Prishtinë u hap Zyra Amerikane, përfaqësia e prania e parë e një shteti në Kosovë, e me mesazhin e SHBA-ve që e përcolli ndihmëssekretari amerikan i shtetit Kornblum për popullin e Kosovës:  “Jemi zotuar për të ardhmen dhe lirinë tuaj”./
 
-Presidenti i Republikës së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova Vitin e Ri 1997 e priti në ambientin familjar në Prishtinë/
 
-Vitin e Ri 1997 në Kosovë – në Prishtinë e pritën edhe diplomati shqiptar Besnik Konçi dhe këngëtarja poashtu nga Shqipëria Parashqevi Simaku…Çka më thanë gjatë bisedave…/

PRISHTINË, Dhjetor 2021/ Si u prit Viti i Ri 1997 në Kosovë në prag lufte – shkruaja para çerek shekulli me titullin “Shpresë se s’mdërrojnë veç vitet”. Shkruaja në mëngjesin e parë të vitit 1997, të cilin në Prishtinë e pritën diplomati shqiptar Besnik Konçi – misioni diplomatik i ambasadës  së Shqipërisë në kryeqytetin e federatës së atëherëshme, pjesë e së cilës ishte edhe Kosova e okupuar, dhe këngëtarja poashtu nga Shqipëria Parashqevi Simaku.


Gazeta Dielli e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA si dhe portali DRINI e risjellin shkrimin ashtu si u botua në Prishtinë në 4 Janar 1997 në gazetën e rezistencës “Bujku” pjesë e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi, kryeredaktor i parë – themelues i së cilës isha, e që sfidonte ndalimin e dhunshëm nga Serbia okupatore të gazetës tradicionale Rilindja, të vetmes në gjuhën shqipe në Kosovë.

Gazeta-BUJKU-4 janar 1997- fq 17 – vijim shkrim Behlul Jashari

Shkrimin-raportimin e kam dërguar edhe në Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë,  për të cilën raportoja si korrespondent në Kosovë nga 24 Maji 1992 i zgjedhjeve të para pluraliste  parlamentare e presidenciale në Kosovë, kur Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President. Edhe duke marrë shkrimet nga kjo Agjenci – Agjencia Telegrafike Shqiptare e botuar në gazetën “Bujku”, që nga numri i parë që doli në 18 Janar 1991, themeluam bashkëpunimet e para të medias Kosovë-Shqipëri.

Gazeta-BUJKU-4-janar-1997-fq-1-shkrim-Behlul-Jashari

Në Biblioteken Kombëtare të Shqipërisë gjejë se shkrimi është botuar edhe në gazetën e ndaluar në Kosovë Rilindja që dilte në Tiranë, në 5 Janar 1997 – titulli “Shpresë se s’ndërrojnë veç vitet” në “33 regjistrime të gjetura” nën numrin rendor 14 në këtë lidhje:
https://alis.urt.al/cgi-bin/alis/opac-search.pl?idx=kw&q=behlul%20jashari%20&offset=0&sort_by=relevance_dsc

Shpresë se s’ndërrojnë veç vitet / Behlul Jashari.
Autorët: Jashari, Behlul .

Tipi i materialit:  ArtikujNë: Rilindja : e përditshme informative e pavarur Nr. 1095, 5 janar, 1997, f.1

***
Shkrimi i përshkruar nga gazeta e rezistencës “Bujku” e 4 Janarit 1997 – faqe 1 dhe 17:

Mbititulli: KOSOVA NË NDËRRIM TË MOTMOTEVE

Titulli: SHPRESË SE S’NDËRROJNË VEÇ VITET

-Nëntitujt: Shumica në Kosovë natën e Vitit të Ri e kaluan në shtëpitë e familjet e tyre.- Në ambientin familjar Vitin e Re e priti edhe presidenti Rugova.-Diplomati shqiptar Besnik Konçi në pritje të Vitit të Ri në Prishtinë: “Shpresojmë se do të hidhen hapa konkretë në drejtim të zgjidhjes së çështjes së Kosovës”/

Kosova e priti Vitin e Ri 1997 para së gjithash me zotime për më shumë angazhim dhe punë, me besim, shpresë e urime për ndërrim jo vetëm të moteve, por mbi të gjitha të gjendjes së rëndë të okupimit, për realizimin e vullnetit kombëtar, politik e demokratik për lirinë e pavarësinë e Kosovës.
Shumica e kosovarëve natën e ndërrimit të motmoteve e kaluan nëpër shtëpitë e familjet e tyre, me gëzimet e jetës e me hallet e brengat e përditshmërisë, që vështirë harrohen, qoftë edhe për një çast.
Në ambientin familjar në Prishtinë Vitin e Ri e priti edhe presidenti i Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova.
Ky Vit i Ri në Kosovë u prit për herë të parë me valimin e flamurit amerikan në Zyrën e USIA-s në Prishtinë.  Vitin që shkoi për Kosovën kishte shumë momente të rëndësishme, dhe sigurisht më e rëndësishmja ishte dita historike e 5 qershorit, kur në Prishtinë u hap Zyra Amerikane, përfaqësia e prania e parë e një shteti në Kosovë, e me mesazhin e SHBA-ve që e përcolli ndihmëssekretari amerikan i shtetit Kornblum për popullin e Kosovës:  “Jemi zotuar për të ardhmen dhe lirinë tuaj”.
Shumë shqiptarë nga Kosova e pritën Vitin e Ri në Shqipëri, si edhe nga Shqipëria në Kosovë. Shumë kalime të kufirit Kosovë-Shqipëri në vendkalimin kufitar në Vërmicë afër Prizrenit  kishte në prag dhe pas natës së ndërrimit të motmoteve.
Ky është një realitet i një momenti tjetër të rëndësishëm të vitit të kaluar, hapit të parë që u bë në liberalizimin e hapjen e kufirit Kosovë-Shqipëri  me heqjen e regjimit të vizave dalëse, duke filluar nga 1 prilli.
Viti i Ri  u prit në Prishtinë e qytete e lokalitete të tjera edhe nëpër lokale hoteliere, në të cilat gjatë gjithë natës nuk pushoi kënga shqiptare e shumë artistëve të estradës nga Kosova e Shqipëria. Në Kosovë, në restorantin “Dora” në Prishtinë Vitin e Ri e priti edhe misioni diplomatik i ambasadës  së Shqipërisë në Beograd, në krye me të ngarkuarin me punë në këtë ambasadë, Besnik Konçin. Këtu, si një surprizë ishte ardhja për herë të parë në Prishtinë e në Kosovë e këngëtares së mirënjohur nga Shqipëria Prashqevi Simaku, me këngët e së cilës kulmonte atmosfera festive. Pikërisht në orën e ndërrimit të motmoteve Simaku deklaroi për “Rilindjen” se “në Kosovë, në Prishtinë, në këtë mbrëmje ëndrrash e magjike midis motrave dhe vëllezërve kosovarë ndihem shkëlqyeshëm, shkëlqyeshëm, shkëlqyeshëm” dhe uroi të gjitha të mirat për Vitin e Ri.
Derisa nëpër familjet shqiptare jehonte programi festiv i Radiotelevizionit Shqiptar e nëpër ambientet hoteliere biçiste po ashtu kënga shqipe dhe të gjitha urimet kishin mesazhe lirie, paqeje e mirëqenieje, në Prishtinë e në anë të tjera të Kosovës në orët e ndërrimit të moteve  pati një shfrenim provokues e kërcënues të shtënash nga armët e serbëve.
Që në minutat e para të Vitit të Ri në Kosovë u dëgjuan edhe vaje që sjellin gëzim, të foshnjave të porsalindura.
Një nënë shqiptare nga Suhareka lindi trenjakë menjëherë pas mesnatës, ndërsa fëmija i parë që lindi në këtë vit në maternitetin e shoqatës humanitare bamirëse “Nënë Tereza” në Prishtinë ishte vajzë.  Vajza e posalindur u pagëzua Gonxhe, me emrin e nobelistes e humanistes së madhe shqiptare Nënë Terezës – Gonxhe Bojaxhiu. Sipas parashikimeve, brenda këtij Viti të Ri në Kosovë do të lindin më se 50 mijë fëmijë. Kosova do të shtohet për aq banorë sa ka sot qyteti i Gjakovës. Në Kosovë e pritën Vitin e Ri edhe shumë shqiptarë që ia dhanë lamtumirën mërgimit apo që erdhën për disa ditë për këtë festë në familjet e tyre nga Evropa Perëndimore e vendet e tjera të botës. Kthimi përgjithmonë në Kosovën e lirë është urimi e dëshira e tyre më e madhe.
Reporter: B.JASHARI


Fotoreporter: Ilaz BYLYKBASHI

(Fotoreporteri Ilaz Bylykbashi që nga periudha e luftës jeton në Australi)

DEKLARATË E DIPLOMATIT SHQIPTAR BESNIK KONÇI NË PRITJEN E VITIT TË RI NË PRISHTINË

VIT I RËNDËSISHËM PËR KOSOVËN
Diplomati shqiptar Besnik Konçi në orët e ndërrimit të moteve në pritjen e Vitit të Ri në kryeqytetin e Kosovës Prishtinë, i pyetur se si e vlerëson vitin e kaluar dhe cilat janë pritjet e tij në Vitin e Ri për Kosovën, për “Rilindjen” deklaroi:
Së pari dua gjithë popullit shqiptarë të Kosovës t’ia uroj nga zemra gëzuar Vitin e Ri 1997!
Qoftë ky vit i mbarë, i realizimit të dëshirave të të gjithë shqiptarëve të Kosovës, i lumturisë në familje dhe i prosperitetit në të gjitha fushat.
Kemi lënë prapa një vit pune, një vit përpjekjesh, një vit të mbushur me evenimente të rëndësishme dhe që padyshim ka pasur rezultate, dhe që natyrisht ka lënë diçka edhe për Vitin e Ri.
Uroj që ky Vit i Ri të jetë vit i realizimit të aspiratave të shqiptarëve të Kosovës, të cilët organizojnë rezistencën e tyre paqësore, dhe do të shprehja shpresën se viti 1997 do të jetë vit i rëndësishëm në realizimin e një dialogu ndërmjet Prishtinës e Beogradit në prani të një pale të tretë për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Shpresojmë se do të hidhen hapa konkretë në këtë drejtim gjatë këtij Viti të Ri, përfundoi i ngarkuari me punë në Ambasadën e Shqipërisë në Beograd Besnik Konçi.
B.J.

Legjenda e fotografisë në faqen 17 të gazetës “Bujku”:
Diplomati shqiptar Besnik Konçi jep deklaratë për “Rilindjen” me rastin e Vitit të Ri
(Në foto me intervistuesin – gazetarin Behlul Jashari, në mbrëmjen e 31 Dhjetorit 1996 në Prishtinë)
FOTO NGA ARKIVI:
Këngëtarja shqiptare nga Shqipëria Parashqevi  Simaku në pritjen e Vitit të Ri 1997 në Kosovë-Prishtinë duke i dhënë deklaratë gazetarit Behlul Jashari pikërisht në orën e ndërrimit të motmoteve

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu