Vëllazen e motra shqiptare të besimit katolik!
Urimet e mia ma të përzemërta me rastin e kremtimit të konsakrimit të Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” këtu në Shtetet e Bashkueme të Amerikës. Suksesi i juej në një ndërmarrje kaq të madhe e kaq fisnike mbushen me gëzim zemrën e çdo shqiptari, kudo që ai ose ajo banon, dhe të çdo njeriu me vullnet të mirë. Sakrifica e juej për këtë sukses shpërblehet sot plotësisht. Në këtë ditë të shënueme kujtoj me nderim e dhembje të gjithë klerikët shqiptarë katolikë që njoha gjatë viteve të vështira të burgjeve dhe kampeve të terrorit komunist. Atje ku janë sot, përkrah Zotit të Madh që shërbyen me bindje dhe krenari deri në vdekje, ata gëzohen sot për këtë fitore të bashkësisë katolike shqiptaro-amerikane.
Kisha e re konsakrimin e së cilës kremtojmë të gjithë sot, ashtë nji tempull dhe nji permendore, njikohësisht.
Kisha e juej e “Zojes së Shkodrës” nuk asht thjesht nji ndërtesë për adhurimin e Zotit, për besimtarët e krishtenë.
Me karakterin e saj apostolik dhe misionin e saj për përhapjen e mbrojtjen e nji shoqnie të shkallës më të naltë morale, sambas mësimeve të apostujve të saj. Kisha juej katolike, me karakter universal, ka përqafue tanësinë dhe asht për të gjithë, kudo që jetojnë qëniet njerëzore dhe në çdo ditë, përqafim i pakufizuem në kohë dhe hapsinë.
Janë themelet e kësaj filozofie gjithëpërfshirëse, karakteri i saj ekumenik e apostolik që i kanë sigurue Kishës Katolike Apostolike Romake vazhdueshmëninë e saj dymijëvjeçare, dhe rolin e saj udhëheqës në vendet ma të qytetnueme të botës, me rezultatet që shohim dhe gëzojmë sot në fushën e të drejtave të njeriut, shenjtënimit të jetës, dhe dinjitetit të çdo individi pavarësisht nga raca, etniciteti, pozita ekonomike e shoqnore ose besimi fetar.
Qytetnimi i Europes Perëndimore, që asht baza dhe esenca e qytetnimit veri-atlantik, ka gjetë terrenin e vet në krishtënimin perendimor. Aty asht krijue atmosfera që ka lejue mendimin e lirë, shprehjen e lirë, kërkimin e lirë të së vërtetës dhe frymën e kritikës ndëramtare. Si rrjedhim, kemi sot milionet e njerëzve që e quajnë veten….. dhe me dinjitet dhe si të këtillë po ndërtojmë shoqëninë e lirë, shpresen e vetme për të gjithë njerëzimin.
Por Kisha e juej “Zoja e Shkodrës” këtu ashtë gjithashtu edhe nji monument i gjallë, nji permendore që ngrihet si dokumenti i një memoriali të shkruem, për karakterin e saj kombëtar gjithëshqiptar në kuadrin e universalizmit të Kishës nanë Katolike Apostolike Romake. Kisha e juej ashtë një vepër që po skalitet në gur, nji shkamb i shqiptarizmit, nji object që shënon punën tuej dhe vullnetin e të gjithë besimtarëve si ju, dhe të identitetit kombëtar gjithëshqiptar.
Shqiptarët katolikë kanë një histori dymijëvjeçare të lidhun në mënyrë të pazgjidhëshme me Europen Perendimore, me qytetnimin e saj, me përpjekjet e saj që të shpëtoj individin nga tentativat për t’a shtypë atë, të mos e lejojë atë të bahet viktima e teorive kolektiviste që u përpoqen të asgjesojnë frymën e lirë e qëniet që luftojnë për këtë liri sidomos gjatë shekullit tonë tragjik.
Shqiptarët Katolikë janë përpjekë për shekuj me rradhë të sjellin në Shqipëri frymën civilizuese të Europës, mendjet e ndrituna të kontinentit, arritjet e pakrahasueshme në fushën e mendimit njerëzor, të krijimtarisë letrare artistike të shkencës dhe teknologjisë dhe të organizimit politik të shtetit modern që siguron zhvillimin e përparimin e njeriut të lirë..
Repozitori qenësor dhe ma i rëndësishëm që kemi trashëgue na shqiptarët ashtë gjuha shqipe. Nji komb i ndamë politikisht, gjeografikisht e fetarisht ka ruejtë të paprekun pasuninë e përbashkët të gjuhës shqipe. Ky visar i paçmueshëm u ruejt nga klerikët katolikë me edukim perendimor. Kuarteti (Katreshja) Buzuku, Budi, Bardhi e Bogdani, katër apostujt e shqipes së shkrueme, ka dalë nga gjiu i shqiptarëve katolik, nga kleri katolik që me Formulen e Pagëzimit nxori në dritë shkrimin shqip, e mbajti gjallë dhe e kultivoi atë deri në ditët e pavarësisë, në 1912. Të gjithë e dijmë mirë se mungesa e shqipes së shkrueme në kohët e hershme dhe mesjetare ka dëmtue shumë randë historinë tonë kombëtare gjithëshqiptare dhe ka lejue konfuzionin mbi Shqipërinë dhe shqiptarët, konfuzionin që u shfrytëzue shumë nga fqinjët tonë me gjuhë të shkrueme për shekuj të gjatë. Ishte e natyrshme që dy figurat ma të shqueme të historisë sonë, Skënderbeu kalorës i krishtërimit perendimor dhe Nana Tereza, mishnimi i idealeve të krishtena, shenjtorja e ardhme, të dalin nga gjiu i Kishës Katolike, sepse atje kanë marrë ata frymëzimin dhe kanë gjetë mbështetjen për punën e tyne në fushen e heroizmit ushtarak dhe shenjtënisë, respektivisht.
Ashtë nji fenomen i veçantë i popullit tonë shqiptar të ketë si hero kombëtar, Skënderbeun kristian. Ashtë nji fenomen i veçantë i popullit tonë me Perendimin dhe botën e tij, me gjithë efektet negative të shkëputjes së gjatë që na imponoi historia jonë. Fenomeni bashkëkohor i kombit tonë shqiptar që mbas shpalljes së Pavarësisë, i gjithë populli ynë u kthye kah Perendimi, me nji bindje të thellë dhe nji dëshirë që siguronte për hymjen e Shqipërisë në familjen e madhe të qytetnimit perendimor, asht manifestim i lidhjeve të pakëputuna shpitënore me Perendimin të mbajtuna gjallë për shekuj.
Sot si asnji herë ma parë, para milleniumit të tretë, kjo bindje dhe kjo dëshirë janë transformue në nji forcë të pandalshme për bashkimin me Europën. Dhe ashtu duhet të jetë! Në këtë orientim dhe në marshin që jemi angazhue sot, shqiptarët katolikë janë seksioni ma perendimor i shoqnisë shqiptare për hir të traditës së tyne dymijëvjeçare, besnikënisë së tyne ndaj kësaj tradite, si dhe të përpjekjeve e sakrificave të bame për ruajtjen e kësaj tradite. Shqiptarët katolikë mbeten pararoja e hymjes shqiptare në Europë.
Sot unë ju baj thirrje të gjithëve ju, vëllazen e motra shqiptarë të besimit katolik që të përfitoni nga momenti historik që jetojmë dhe që na ofron bota sot dhe të pranoni sfidën që del para jush për të luejtë rolin udhëheqës drejt integrimit shqiptar, politik dhe kulturor, në Europën Perendimore, aty ku ka vendin Shqipnia, aty ku duhet të jetë shtëpia e dhjetë milionë shqiptarëve.
Nji Shqipëni e lirë, e pavarun, demokatike, e bashkueme dhe europiane ashtë andrra jonë, ashtë e ardhmja e jonë. Çdo zgjidhje tjetër ashtë nji botë pa vision, nji tunel pa perspektivë.
Sami Repishti, 25 prill 1999