ARKIVI:
18 Nëntor 2024

Protagonistët e Koncilit të Dytë të Vatikanit

Shkrime relevante

Broçkullat e Albin Kurtit, trimërim për neootomanët…!

Belisar Jezerci, historian ____ Deklaratat e kryeministrit Kurti në medrese "Alauddin" në Prishtinë,...

O Stano, zëdhënësi i Serbisë, Kosovës nuk ka çka t’i duhet integrimi europian “me Serbi” brenda saj!

Gani I. Memeti Zëdhënësi i BE-së ka thënë se çështja e institucioneve...

Lirim Mhehmetaj dhe fjalori i tij trashaman…!

Afrim Caka, Gjakovë ___ …SE MOS E KA PARË DIKUSH TË JETË SKUQUR...

Popesku, turpi bije mbi ata që në shtëpinë e vet i sulmojnë mysafirët…!

Gani I. Mehmeti Në minutat shtesë, tifozët vendas nisën thirrjet raciste, me...

Shpërndaj

Don Lush Gjergji, Prishtinë

Shën GJONI XXIII (1881 – 1963) (Pjesa e parë)

„Por ju duajini armiqtë tuaj, bëni mirë e huazoni pa pritur se do t’ju kthejnë gjë. Kështu do të jetë i madh shpërblimi juaj dhe do të jeni bijtë e të Tejetlartit Zot, sepse ai ua do të mirën edhe mosmirënjohësve e të këqijve.“   (Lk 6, 35)  

„Të duhemi mes veti, të kemi kujdes ndaj njëri-tjetrit në takime, që të mund të pranojmë atë që na bashkon, kështu duke  shmangur atë që mund të na largojë. Me të kthyer në shtëpi përkëdhelni fëmijët tuaj dhe tëhuajuni se kjo përkëdhelje është e Papës… Fëmijëz, nuk duhet të mendohet më në të kaluarën. Hyji e din mirë atë që ndodhi, gjithë atë duhet besuar mëshirës së tij, mirësisë së tij të pafund. E juaja është vetëm e tashmja… Duhet mbrojtur shpirtin e paqes… Besoj se Zoti do t’iu përgjigjet shpresave dhe pritjeve të botës e cila ka dëshirë aq të madhe për paqe…“. 

(Gjoni XXIII)                                                                                                                 

Të shkruhet apo flitet, sot, për papën Gjonin XXIII, apo siç e quanin të gjithë “Gjoni i Mirë“, është shumë vështirë, mirëpo njëkohësisht edhe e nevojshme, e dobishme, e domosdoshme, sepse ky margaritar i Kishës dhe njerëzimit të shekullit njëzet nuk guxon të harrohet, si dhe kujtimi në te nuk guxon të humbet. Me të erdhi rrezja e dritës dhe diellit, shpresës, mirësisë, dashurisë dhe vëllazërisë, hapja e Kishës ndaj  gjithë botës.

Jeta e tij qe e gjatë, 82 vite, pontifikati i tij i shkurtër, vetëm 5 vite, porosia e tij e amshueshme, personaliteti i tij karizmatik, gjithnjë i gjallë në Kishë dhe botë. Kështu që duke përkujtuar atë do të thotë ta ringjallësh atë, të shkruash për të do të thotë t’ia ofrosh atë gjeneratave të reja, sepse siç dihet, dashuria nuk vdes kurrë.

Angelo Giuseppe Roncalli, papa Gjoni XXIII, u lind në Sotto il Monte, fshat afër Bergamo-s, më 25 nëntor 1881 në një familje fshatare me shumë fëmijë si dhe varfëri të theksuar. Pikërisht aty, në rrethin familjar, mësoi artin e dashurisë, fesë, lutjes, flijimit, komunikimit me të tjerët, solidaritetin.

Prejardhje e varfër dhe e thjeshtë, mbetën karakteristika themelore të jetës së tij. Në shkollë ishte i mirë, kështu që famullitari  i këshilloi prindërit e tij që t’ia mundësojnë vazhdimin e mëtutjeshëm të shkollimit.

Hyri në seminar. Mirëpo edhe aty duhej të paguante, e para nuk kishte. I ati i tij Giovanni Battista dhe nëna Maria njëherë i thanë: „Je fëmijë i fshatarëve  skamnorë. Edhe nëse arrin të bëhesh meshtar, do të jesh gjithmonë meshtar i varfër…”

Mirëpo, për shkollimin e tij u kujdes Provania hyjnore. Një monsinjor mori për sipër kujdesin për pagesë të seminarit. Në mësime ishte i zellshëm, kurse në jetën e përshpirtërisë shumë i dalluar, me të tjerët i shoqërueshëm dhe i lumtur, gjithmonë i gëzueshëm.

I riu Angelo Giuseppe Roncalli kreu studimet filozofike-teologjike në Begamo. Studimet pos – diplomike i vazhdoi në Romë. Shërbimin ushtarak e kreu për 12 muaj. Qe shuguruar për meshtar në Romë me 10 gusht 1904, kurse Meshë e Parë kremtoi në vendlindje me 15 gusht 1904.

Ja dëshmia e tij rreth meshtarisë: „Zoti dëshiron të bëhem meshtar; për këtë më shpërbleu me mirësitë e tija, aq sa më dërgoi në Romë nën përkrahjen e Papës, zëvendësit të Jezu Krishtit, në Qytetin e Shenjtë, afër varrezave të shumë martirëve, shumë meshtarëve të shenjtë… Nuk u bëra meshtar për të qenë i nderuar, ose shakë i përfitimit, për të jetuar më lehtë, për të jetuar e shijuar nderin dhe kënaqësinë. Runa Zot, vaj për mua po të ishte kështu! Por para së gjithash dhe vetëm për këtë u bëra meshtar, t’i bëj mirë në të gjitha mënyrat botës skamnore.

Ishte vite të tëra sekretar i ipeshkvit të Bergamos mons. Radini-Tedeschia-s, e më pas shpirtëror  në teologjinë  e Bergamos.

„Themeli i apostolatit tim është jeta ime e brendshme. Do i dua të rinjtë sikur një nënë e mirë“ shkruante kështu Don Angelo Roncalli.

Në vitin 1921 ishte i ftuar në Romë në Kongregatën Propaganda Fide, sot Kongregata për Ungjillëzimin e popujve, për kryetar të Zyrës  për përhapjen e fesë për Itali.

Nga Roma shkruan: „Me zemër të thyer kam lëshuar Bergamon, atë që e desha: seminarin, shtëpinë studentore…Ndihëm i hedhur me tërë shpirtin tim në shërbim të ri. Këtu dëshiroj dhe duhet të rri pa mëdyshje, pa shikuar apo dashur ndonjë gjë tjetër.“

Në vitin 1925, emërohet argjipeshkëv dhe vizitator apostolik në Bullgari,  shugurohet më 19 mars po të njëjtin vit. Mons. Angelo Roncalli shkruan: „Në realitet të jesh i emëruar ipeshkëv apo të mbetesh meshtar i rëndomtë, nuk do të thotë shumë për atë shpirt i  cili kërkon lavdinë e Hyjit, e jo shkëlqimin e rrejshëm të kënaqësive të kësaj bote… Jam i dëgjueshëm dhe me këtë aftësohem për t’i braktisur disa gjëra dhe për t’i pranuar tjerat“.

DHJETË VITE NË BULLGARI 

Menjëherë pas shugurimit ipeshkvor, ai shkoi në Bullgari (25 prill 1925), ku qëndroi plotë dhjetë vite. Në meshën e parë publike tha këtë: „Thjesht do të tregoj mënyrën e trajtimit të cilën do duhej në të ardhmen të kanë katolikët bullgarë ndaj ortodoksëve: këta janë vëllezërit e juaj. Nuk mjafton vetëm të kesh ndaj tyre ndjenja të përzemërta. Nëse i doni vërtet, ju jepni shembull të mirë përmes dashurisë suaj në vepër!“.

Që të dëshmoj këtë dashuri në vepër, ai menjëherë filloi t’i vizitojë bashkësitë e vogla katolike në Bullgari në kufi me Greqinë dhe Turqinë. Pas vizitave tha para gazetarëve bullgarë: „Erdha këtu që t’iu sjell katolikëve bullgarë bekimin e Atit të Shenjtë, i cili gjithnjë ka nderim të thellë dhe dashuri të përzemërt ndaj popullit bujar bullgar…Pashë një pjesë të mirë të vendit tuaj. Isha i pushtuar me thjeshtësinë dhe mirësinë e popullit i cili na pranoi gjithkund me mirëpritje prekëse… Isha dëshmitar i tolerancës së plotë të popullit bullgar ndaj pakicave fetare dhe kombëtare.”

Mons. Angelo Roncalli në mënyrë të shkëlqyeshme kreu misionin e tij apostolik në Bullgari duke animuar, mbështetur dhe inkurajuar bashkësitë katolike që të jenë të bashkuara, të vetëdijshme  për rolit të cilin e kanë në mesin ortodoks.

DELEGAT APOSTOLIK NË TURQI DHE  NË GREQI

 Por, ja sfida e re, prapë edhe një  ndërrim. Më nuk është i ri, tanimë është 53 vjeçar. Në vitin 1934 qe emëruar delegat apostolik në Turqi dhe Greqi.

Në predikimin e tij përshëndetës, tha: „Pas dhjetë vitesh në Bullgari, ajo më është bërë e dashur…Kudo të jam, po edhe në skaj të botës, kur do të kaloj ndonjë bullgar pranë shtëpisë sime, do ta gjejë në dritare qiriun e ndezur. Do trokasë në derën time dhe ajo do t’i hapet, pavarësisht është ai katolik apo ortodoks. Vëlla Bullgar: mjafton vetëm ky titull për të hyrë brenda e të gjej vërtet mirëpritje shumë të përzemërt në shtëpinë time…“

Turqia atëherë ishte në pozitë shumë të vështirë. Mustafa Kemal – pasha Ataturk (1881- 1938) krijoi Republikën Turke laike (1922), me kryeqytetin e Ankarasë. Ai dëshiroi ta evropeizonte Turqinë, duke ndërruar Kushtetutën, sipas shembullit të ligjeve italiane dhe zvicerane. Futi në përdorim alfabetin latin, kalendarin evropian, shpalli të dielën ditë pushimi  dhe ditë feste në vend të premtes, ndërpreu poligaminë dhe shpalli Turqinë shtet laik, me të drejta dhe detyrime të barabarta për të gjithë qytetarët e saj.

Gjitha këto ndryshime, i sollën popullatës turke vështirësi të shumta. Pas takimit të parë me këtë realitet mons. Roncalli shkruan: “Ndoshta do kam ditë të rënda e situata të vështira… Mirëpo, unë vazhdimisht shikoj në lartësi dhe në largësi…“

Në Turqi mori lajmin mbi sëmundjen, më pas edhe mbi vdekjen e të atit, Giovanni Battista. Komentoi thjesht dhe fetarisht: „Në dhimbjen time e cila është edhe më e madhe shkaku i largësisë, më ngushëllon mendimi, si për të gjithë besimtarët, se do të gjendemi në qiell.“

Mons. Giuseppe Angelo Roncalli dëshiron të jetë vëlla e atë i të gjithëve, dhe për këtë përpiqet të mësimin e gjuhës turke. Disa i thoshin se nuk i nevojitet, meqë bashkësia katolike lutet, kremton meshën dhe sakramentet në gjuhën frënge, me të cilën edhe shërbeheshin. Ai iu përgjigjet: „Po të isha unë turk, nuk do më tërhiqte feja e cila nuk e njeh gjuhën time.“ Dhe pikërisht për këtë e futi në liturgji edhe leximin e Ungjillit në gjuhën turke.

Edhe Greqia përjetonte vështirësi të mëdha në fusha të ndryshme. Mirëpo, njeriu i Zotit nuk dorëzohet askurrë, sepse në të gjitha rrethanat dhe kohërat jeton dhe dëshmon praninë dhe dashurinë e Zotit  mes nesh. Mons. Roncalli në Greqi arrin vitin në vitin1935. Së pari është dashur t’i tejkalojë dy mosbesime të mëdha: Qëndrimin e Kishës Ortodokse Greke dhe mospajtueshmërinë e shtetit. Kushtet e jetës dhe punës për katolikët ishin shumë të rënda. Këtë gjendje menjëherë ia parashtroi mbretit Georgios II, por me pak sukses. Me kënaqësi dhe shpesh e viziton Athinën, takonte hierarkinë katolike, bënte gjithë atë që kishte mundësi.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore ai është ambasador i vërtetë i paqes, pajtimit dhe faljes.

 Prishtinë, 20 qershor 2023 – Radio Maria – Kosovë

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu