Afrim Musliu, Suedi
____
Pse asnjëherë nuk përmenden meritat e pakrahasueshme dhe shumë të mëdha të intelektualëve dhe udhëheqësve shqiptarë nga sistemi i ish-Jugosllavisë? Ata të cilët krahas sakrificës, rrezikut të madh, kërcënimeve me jetë dhe persekutimeve nga më të ndryshmet nga Beogradi, prap se prap, në mënyrë tejet të shkathët diplomatike, e me mençuri dhe kujdes të jashtëzakonshëm, arritën ti ruajnë vlerat tona kombëtare e me shumë rëndësi historike gjatë tërë atyre dekadave të atijë sistemi ku dominonin serbët. Ata janë meritorët më të mëdhenjë që shqiptarët në ish-Jugosllavi për të parën herë arritën të arsimohen dhe emancipohen, mbase përfundimi i Luftës së Dytë Botërore na gjeti me mbi 95 përqind analfabetë dhe me një stil dhe standard nomadësh të jetesës.
Një ndër Ata ishte edhe Daja im, Rexhep Kryeziu (senior), i cili atëkohë, falë pozitës së Tij si funkcioneri më i lartë politik i qytetit të Prizrenit, si dhe si funkcioner edhe në pozita të larta krahinore, ndër tjerash, arriti ta shpëtojë nga rrënimi total objektin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit si dhe vlerave tjera kombëtare shqiptare në atë qytet.
Pas Kushtetutës së vitit 1974, më në fund arriti që objektin ta shpallë muze dhe ta vendosë nën mbrojtje të komunës, ku edhe u vendosën shtatoret e Abdyl Frashërit dhe Ymer Prizrenit, si dhe qytetit të Prizrenit ia dha statusin e perlës së Kosovës, status të cilin e gëzon edhe sot.
Sot u bënë 33 vite nga kalimi i Tij në amshim. Pusho në paqe, Daja im i dashur, si një engjëll dhe një yll i pashuar për ne që të kujtojmë me krenarinë më të madhe!
Pamje e kohës … Kompleksi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit