Afrim Musliu, Suedi
Menjëherë pas çlirimit nga robëria shekullore, i mbyllnim sytë, veshtë dhe gojën ndaj ozurpimeve të pronave shoqërore, ndaj vrasjeve të shumta politike të figurave më eminente të luftës dhe paqes e ndaj parregullsive të shumta, pjesërisht nga frika që të mos “përbijë nata”, e pjesërisht nga indiferenca dhe animet politike. Gjersa problemet e mëdha shkaktoheshin, ato nuk zgjidheshin, por vetëm fshiheshin nër tepih, duke u arsyetuar se “Caku ynë është pavarësia e Kosovës, andaj të mos e dëmtojmë atë rrugëtim.”. Askush nuk tha atëherë, po çka po na duhet një Kosovë e pavarur dhe e zhytur në krim deri në fyt e pa figurat më eminente të ati vendi të cilët sakrifikuan, punuan dhe dhanë çdo gjë për atë vend, e të cilët u vranë në pabesi nga shqipfolës të pabesë?! Sot Kosova po përballet me Gjykatën Speciale. I mbyllnim sytë, veshtë dhe gojën kur në vitin 2004 forcat e majta politike të prira nga komandantët e pasluftës dhe nga njerëz sot në pushtet, i kallnin dhe i dëmtonin kishat dhe manastiret ortodokse. Edhe sot me turp të madh heshtet ajo punë, sepse në pushtet janë një pjesë e atyre forcave të majta që i’u prinë atyre ngjarjeve të turpshme. Sot Kosova përballet me eksterritorialitet të kishave dhe manastireve tanimë serbe dhe madje edhe me status të veçantë të “Vatikanit” çdokund në brendi të Kosovës. I mbyllnim sytë, veshtë dhe gojën kur kalleshin rrugët e Kosovës dhe policët tanë, e kur injorohej shteti ynë i pavarur dhe simbolet e saj me kauza të shpifura, rrena e manipulime të tmerrshme. Ndaj përçarjeve dhe polarizimeve të tmerrshme që i shkaktoheshin me rrena e manipulime të lloj-llojshme. Pjesërisht për shkak të animeve fanatike politike, e pjesërisht nga frika nga sulmet e persekutimet në mënyra të ndryshme nga pushteti dhe gardianët e tutorët e tyre. Sot Kosova po përballet me autonominë serbe, e cila është edhe sfida më e madhe për konsolidimin e shtetësisë së Kosovës si dhe shtetësinë e saj në përgjithësi. Këtë sfidë e sollën po të njejtët ata që e digjnin Kosovën dhe policët tanë me kauzat e tyre të shpifura majtiste. I mbyllnim sytë, veshtë dhe gojën kur panevojshëm ndërtoheshin me qindra xhami nëpër çdo cep të Kosovës e kur shkonin me mijëra të rinjë nga Kosova në Siri për t’iu bashkuar terroristëve të ISIS-it. Pjesërisht nga frika nga një fuqi e imagjinuar mbinjerëzore, e më shumë nga frika nga sulmet e gardianëve të BIK-ut dhe islamit politik. Si në botën virtuale përmes rrjeteve sociale, besa, edhe në botën reale dhe sulmeve fizike. Sot Kosova ende në pavetëdije po përballet me një islamizim të tmerrshëm ku islami politik është futë në çdo pore të shtetit dhe pushtetit. Pasojat e kësaj dukurie ende nuk i dimë, mirëpo jam mëse i bindur se pasojat kanë me qenë shumë të ndieshme. Jo vetëm për vetë shtetin e Kosovës, por edhe për secilin qytetar të saj. Shqiptarët janë disi të prirë që çdoherë të keqes t’i thonë “mashallah”. Ndërsa, ky term i mbetur nga pushtimi otoman përdoret për diçka që është në rritje e për diçka që është ka zhvillohet e ka lulëzon. Por, pse pikërisht e keqja duhet të rritet e të lulëzojë tek ne? Sot, pas tërë këtyre të këqijave të lartëpërmendura që gjatë tërë këtyre viteve në liri i thonim “mashallah”, tanimë ato janë rritë e janë grumbullu deri në atë masë saqë na kanë hypë mbi kokë. Jemi rrasë në të keqen deri në fyt, saqë zor e kemi me dalë nga ajo. Edhe poqëse na prinë fati e me ndihmën e dikujtë më të fortë dalim disi, kundërmimin s’ka me pasë dreq që do t’na largojë.