Kjo pamje tregon ushtarët ukrainas në pozicione mbrojtëse në një hyrje kryesore të qendrës së qytetit Kiev, përgjatë lumit Dnipro, rreth orës 11.30 të mëngjesit sipas orës lokale, ose 10.30 të mëngjesit me orën europiane. Qendra e qytetit Kiev është e vendosur në kreshtë, në sfond, rreth një kilometër larg. Foto: Gleb Garanich, Reuters/NTB
Prof.dr. Eshref Ymeri
Ngjarjet tragjike të ditëve të fundit, kur shovinizmi rusomadh, pasardhës i denj i shovinizmit tradicional rusocarist, ka ndërmarrë një agresion të tipit fashist kundër Ukrainës, kushdo rri e shtron pyetjen se cila është arsyeja e një urrejtjeje kaq të madhe që Moska ushqen ndaj Kievit?
Në bazë të gërmimeve arkeologjike, dihet që vendbanimet e hershme në territorin e qarkut të Kievit kanë pasë ekzistuar që në epokën e paleolitit të epërm 20-25 mijë vjet më parë. Kievi është themeluar në shek VI. Me këtë rast, në vitin 1982 qe hedhur në qarkullim një pullë postare me rastin e 1500 vjetorit të themelimit të tij. Themelues i tij ka qenë prinvi Kij. Pikërisht në nderim të tij, qyteti u quajt Kiev.
Kievi shpesh herë quhet si “nëna e qyteteve ruse” dhe vlerësohet si djepi i qytetërimit ortodoks sllavianolindor. Rusia Kieviane (ky shtet kështu është quajtur në Evropën Lindore në shekujt e mesjetës) konsiderohet prej të dy vendeve si pararendësja e tyre historike.
Moska është themeluar në vitin 1147. Themelues i saj ka qenë princi ukrainas i Kievit Juri Dollgoruki (1090-1157).
Tradicionalisht, rusëve nuk u ka pëlqyer që Kievi, si kryeqytet i Ukrainës, të konsiderohej si vatra e qytetërimit sllavianolindor. Prandaj shovinizmi rusomadh, gjatë shekujve, Ukrainën e ka parë me syrin e njerkës dhe ka bërë ç’është e mundur për t’ia grabitur historinë, për ta praqitur Moskën si qendrën e një qytetërimi të tillë. Pikërisht këtu e ka themelin hasmëria shumëshekullore që ka pasë ekzistuar dhe vazhdon të ekzistojë mes këtyrte dy kombeve.
Pas dyndjes tataromongole drejt Rusisë Kieviane në vitet 1237-1242, fatet e popullit rus dhe të popullit ukrainas u ndanë përfundimisht nga njëri-tjetri.
Pra, marrëdhëniet mes Kievit dhe Moskës kanë një parahistori të gjatë, e cila është shoqëruar me mjaft ngjarje të rënda që kanë lënë gjurmë të thella në vetëdijen kombëtare të popullit ukrainas. Unë kam një informacion të pasur për natyrën e këtyre marrëdhënieve, të cilat kanë kaluar nëpër një spirale tragjike. Por në këto shënime nuk dëshiroj të shfletoj informacionet personale nga burime të mirfillta ukrainase, në mënyrë që të mos i lë shteg vetes të bëj vlerësime që ndokujt mund t’i tingëllojnë si subjektive, aq më tepë që unë ushqej shumë urrejtje ndaj politikës ruse, e cila tradicionalisht, duke filluar që nga Kongresi i Berlinit, ka mbajtur dhe vazhdon të mbajë një qëndrim tejet armiqësor ndaj kombit shqiptar në tërësi dhe ndaj Republikës së Kosovës në veçanti, deri edhe në ditët tona.
Prandaj e quajta me vend t’u drejtohem ca shënimeve mjaft interesante të një analisti ukrainas, i cili, duke u mbështetur mbi fakte historike, hedh mjaft dritë mbi arsyet e vërteta se pse ukrainasit kanë urrejtje për rusët:
Në vijim, lexuesve të nderuar po u përcjell shënimet e analistit ukrainas:
“Kohët e fundit, rusët gjithmonë e më shpesh po ankohen për faktin se nëpër faqet e internetit po përplasen me shfaqjet e një urrejtjeje “të pakuptueshme” nga ana e “vëllezërve” ukrainas. Se, demek, ngado që hedhin sytë në faqet e internetit, ata gjithandej lexojnë pikërisht sharjet dhe ofendimet e këtyre “vëllezërve”. Se, që ta merrni vesh, më herët, rusët ushqenin një simpati të madhe ndaj ukrainasve (se gati secili në fisin e vet e ka një të afërm ukrainas), kurse tani pyesin veten në hutim e sipër:
“Cila është arsyeja që ukrainasit na urrejnë kaq shumë?”
I dëgjova sa i dëgjova një copë herë të mirë të gjitha ankesat e tyre, të shoqëruara me lot, dhe pastaj i dhashë karar që t’ua shkoqitja mirë e mirë “vëllezërve” tanë se cila është arsyeja që ukrainasit ushqejnë kaq shumë urrejtje ndaj tyre dhe se çfarë duhet bërë që gjithçka të nisë që nga fillimi.
Për fjalë të nderit, mua më habit paksa zemërata e rusëve lidhur me agresionin leksikor dhe me urrejtjen që ukrainasit ushqejnë ndaj tyre. Prandaj po ju drejtohem sikur të isha në një bashkëbisedim me ta:
Tani, që t’i themi gjërat açik, çfarë dëshironi ju? Ju na shisni atë gazin tuaj të qelbur me çmimin më të lartë në Evropë dhe pastaj i hapni sytë kokërdhok se pse ukrainasit ju shajnë nga nëna e nga baba poshtë e përpjetë. Sigurisht që do të shfajësoheni se në këtë mes e ka fajin Putini, se rusët e thjeshtë s’kanë gisht në këtë mesele. Jo more! Po këtë gjel të fryrë kush e zgjodhi president për të tretën herë? Kush e ngre deri në qiell këtë farë burri? Tani atë, sigurisht, nuk e kanë fort qejf, por prapëseprapë në Rusi nuk janë të paktë ata që mendojnë me prapanicë, të cilët i kanë dalë krah carit të mbarë Rusisë në të gjitha nismat e tij, përfshirë këtu edhe politikën që drejtohet kundër Ukrainës.
Por nejse, sikur halli të ishte vetëm te gazi. Por gjelat tuaj të Kremlinit ia kanë bërë trutë dhallë Ukrainës jo aq për atë punën e gazit, sesa për të gjitha gjërat e tjera që kanë të bëjnë me punët tona të brendshme.
Le të marrim qoftë edhe punën e gjuhës. Ç’ju hyn në hesap juve se ç’gjuhë flasin njerëzit në Ukrainë? Si-si? Ju dashkeni që rusët etnikë që jetojnë në Ukrainë të flasin në gjuhën amtare? Jo more! Po ju a ua keni krijuar këtë mundësi ukrainasve etnikë që jetojnë në Rusi? Atëherë çfarë pretendimesh paskeni ndaj nesh? Se që të kërkosh diçka, në fillim duhet të japësh shembullin personal dhe mandej t’u rrokanisësh kokën të tjerëve për të drejtat e veta.
Po ç’thotë historia? Ç’ju hyn në qese juve se cilët janë heronjtë tanë kombëtarë? Ju shikoni historinë tuaj. Heronjtë tanë, së paku, kanë luftuar kryesisht kundër okupatorëve dhe jo kundër popullit të vet. Dhe ç’keni që na qortoni orë e çast për faktin që ne zhvillojmë një politikë antiruse, duke lëvduar ata që kanë luftuar kundër Moskës. Mos ne ju kemi akuzuar gjë vallë për faktin që Rusia zhvillon politikë antiukrainase, duke ngritur në qiell Pjetrin e Parë (1672-1725) që e shkoi në thikë Baturinin (kryeqytet i kozakëve të Ukrainës në shek. XVII-XVIII – E.Y.) dhe shkatërroi qendrat administrative usharake, ose duke i thurur lavde careshës Ekaterina (1729-1796) që likuidoi udhëheqësit ushtarakë ukrainas dhe shkatërroi për herë të dytë qendrat administrative ushtarake dhe vendosi në Ukrainë të drejtën e bujkrobërisë?
Po ç’i keni gjithë këto thirrje për bashkim? Ju menduakeni se ky na qenka qëndrim vëllazëror, të bësh thirrje për bashkim, duke mbjellë frikën me këtë rast me gjithfarëlloj komplikacionesh që mund të lindin për udhëheqësit ukrainas në rast se Ukraina nuk jep pëlqimin për aleancë doganore me Rusinë? Jo, këtij nuk i thonë qëndrim vëllazëror, këtij i thonë qëndrim shtazëror! Po ç’janë ato kërcënime për të dhënë një goditje bërthamore kundër Krimesë në rast se Ukraina bëhet anëtare e NATO-s? Ju e quakeni normal një qëndrim të tillë?
Është e natyrshme që dikush do të thotë se politika nuk duhet të ndikojë mbi marrëdhëniet e popujve. Demek, na qenkan politikanët këta me trurin kryq që provokuakan konflikte, kurse populli i thjeshtë laka duart në këtë mes. Me gjithë mend e keni! Juve ju paska mbetur hatëri për faktin që ukrainasit nuk u shprehkan siç duhet për ju nëpër faqet e internetit. Po ju lexoni në fillim se çfarë shkruajnë për ukrainasit në internet bashkatdhetarët tuaj që vuajnë nga mania e madhështisë dhe nga hemoroidet e shovinizmit rusomadh.
Mos ju menduakeni se neve, ukrainasve, na vjen mirë të lexojmë se, demek, qenkemi popull i paqenë, se paskemi tradhtuar “gjirin”, pardon, emrin e vet “rrënjës”, domethënë “rus” dhe lloj-lloj përçartjesh të tjera? Dhe mandej lini mendjen kur ndonjë ukrainas, “pa ndonjë arsye”, ju shan në themel e në çati?
Ju pyesni se çfarë duhet bërë “për ta kthyer gjithçka ashtu siç ka qenë”? E po, sa për sefte, duhet ta pranoni se “siç ka qenë” asnjëherë nuk ka qenë.
Marrëdhëniet e tendosura mes ukrainasve dhe rusëve kanë qenë të përhershme. Ato nuk janë krijuar sot, ato shkojnë larg, e kanë zanafillën që nga kohët e Rusisë Kieviane, kur princët rusë që gjoja i përkisnin së njëjtës etni, thereshin me njëri-tjetrin që si e si të hidhnin në dorë fronin e Kievit.
Megjithatë, nuk kemi ndër mend të futemi thellë në histori. Do ta fillojmë nga viti 1618, kur hetmani (komandant i trupave kozake, – E.Y.) ynë lavdimadh Sahajdaçni (1582-1622), së bashku me zaporozhasit e vet të lavdishëm, i kalli datën Rusisë dhe për pak sa nuk pushtoi Moskën. Unë mendoj se pikërisht që asokohe rusët i kanë marr zët ukrainasit. Dhe kjo është e kuptueshme: moskovitët asokohe i mbushën pantallonat.
Mandej pasoi beteja në afërsi të Konotopit (qytet i krahinës Sumskaja në verilindje të Ukrainës – E.Y.), kur një tjetër hetman i shquar, Vigovski (1608-1659) u dha dërrmën trupave cariste. Kanë pas qarkulluar llafe asokohe se cari rus kaq keq i paskej mbushur pantallonat, saqë ia kishte mbathur nga Moska, nga frika se mos kozakët do të shkonin për të hedhur në dorë shpirtin e tij mëkatar.
Paskëtaj kanë qenë jo të pakta betejat e ukrainasve në aleancë herë me polakët, herë me turqit, herë me suedezët, herë me gjermanët kundër rusëve. Prandaj nuk pinë ujë hipokrizitë dhe rrëfenjat me përralla për “miqësinë shekullore mes popujve vëllezër”, sepse, në të vërtetë, nuk ka pas ekzistuar kurrfarë miqësie. Sepse ata, me të cilët ju gjoja keni pasur miqësi, nuk kanë qenë ukrainas dhe djalli e merr vesh se kush kanë qenë ata, sepse ukrainasit e vërtetë asnjëherë nuk hynin në marrëdhënie miqësore me ata që iu kanë bërë të liga.
Po, po! Dhe nuk është nevoja të shtrembëroni turinjtë dhe t’i hapni sytë kokërdhok nga qielli. Ju menduakeni se treqind vjet bashkëjetesë në një shtet të vetëm kanë qenë periudhë idilike fund e krye, se, demek, ukrainasit dhe rusët kanë jetuar në paqe dhe në lumturi? Por ne, ukrainasit, nuk jemi të këtij mendimi. Ne e mbajmë mend shumë mirë sesi carët tuaj, bashkë me careshat tuaja, ndalonin përdorimin e gjuhës sonë, se si ata po e shfarosnin vetvetësinë (identitetin) tonë, duke mos lejuar përdorimin e emërtimit “Ukraina” (që do të thotë krahinë kufitare dhe që në fundin e shek XVIII rusët filluan ta quanin “Rusia e Vogël” – E.Y.) dhe “ukrainas”, duke i zëvendësuar ato me emërtimet idiote “Rusia e Vogël” dhe “rus i vogël”; se si sundimtarët tuaj i torturonin me armën e urisë stërgjyshërit tanë dhe i vrisnin për të vetmen arsye se ata donin të jetonin të lirë në shtetin e tyre të pavarur.
Çdo ukrainas normal e di dhe e mban mend një gjë të tillë. Kurse ata që i mohojnë të gjitha këto fakte, ata vetëm ukrainas nuk janë.
Prandaj, në qoftë se dëshironi që ukrainasit të mos ju urrejnë më, në qoftë se keni qejf ta ktheni atë që nuk ka pas ekzistuar kurrë, ja se çfarë duhet të bëni: cari juaj i gjithë Rusisë Vovoçka Putin le të vijë në Kiev, të kalojë në Sheshin Meidan (ukrainasit e quajnë Majdan, fjalë kjo me prejardhje nga persishtja që emërton çdolloj mjedisi të hapur, parku apo sheshi në tërësi – E.Y.), të bjerë në gjunjë dhe, në emër të të gjithë popullit rus, t’i kërkojë ndjesë popullit ukrainas… Pastaj le të shporret nga toka jonë e shenjtë. Dhe, në ikje e sipër, le të ndalet në çdo qytet, në çdo fshat dhe të kërkojë ndjesë për të gjitha ato të liga që carët, perandorët dhe sekretarët e përgjithshëm kanë bërë në tokën e Ukrainës!
Dhe po të ndodhë me të vërtetë një gjë e tillë (për çka unë dyshoj shumë), ne, ashtu qoftë, do të fillojmë të miqësohemi me ju dhe do t’i harrojmë fyerjet e vjetra. Atëherë mund të flitet për ndofarë lidhjesh ekonomike (dhe për asgjë më tepër). Por kjo nuk përbën fakt se ne do të japim pëlqimin për gjësend tjetër. Sepse ne kështu jemi si popull: të keqen nuk e kujtojmë, por na duhet ta regjistrojmë. Prandaj mos u sillni shumë ashpër me ne: vlerat evropiane ne i kemi shumë më për zemër sesa ato euroaziatke…” (Citohet sipas: Vadim Gontarenko. “Pse ukrainasit kanë urrejtje për rusët”. Marrë nga faqja e internetit “UAINFO”. 22 shkurt 2014).
Kur mbarova së lexuari këtë analizë interesante të zotit Vadim Gontarenko, menjëherë më erdhi ndër mend një strofë mjaft kuptimplote nga një poezi e poetit të shquar kombëtar ukrainas Taras Shevçenko (1814-1861), të cilin perandori Nikollai I (1796-1855), për përmbajtjen e poemës “Ëndrra”, e pati ndëshkuar rëndë, duke e degdisur në stepat e humbura të Kazakistanit dhe të Kirkizisë për kryerjen e shërbimit ushtarak:
Brune, bëni qejfin tuaj,
Por jo me moskalë*,
Se moskalët janë të huaj,
Kanë për t’ju tallë.
Pra, zanafilla e tërmeteve politike mes këtyre dy shteteve është shumë e hershme. Heroi kombëtar i popullit ukrainas, Bogdan Hmelnjicki (1595-1657), në Kuvendin e Perejasllavit, të mbledhur më 018 janar 1654, shpalli bashkimin me Rusinë, mbi bazën e të drejtave të barabarta në kuadrin e dy shteteve të përbashkëta. Por pas vdekjes së Hmelnjickit, shovinizmi rusomadh e zhduku dokumentin e firmosur prej tij që vërtetonte barazinë e plotë mes të dy shteteve, me qëllim që ta shndërronte Ukrainën në koloni të vetën. Ishte pikërisht pabesia e shovinizmit rusomadh ajo që e detyroi të birin e Bogdan Hmelnjickit, Juri Hmelnjickin (1641-1685), t’i shkëpuste lidhjet me Rusinë. Më vonë Ukraina përsëri ra nën zgjedhën e carizmit rus, zgjedhë kjo që vazhdoi deri në Revolucionin e Tetorit, por që u bë edhe më e egër nën sundimin e komunistëve sovjetikë. Aq e vërtetë është kjo, saqë “në fund të viteve ’20 të shekullit të kaluar, në Ukrainë shpërtheu një lëvizje e fuqishme me prirje nacionaliste që kishte si qëllim kryesor arritjen e pavarësisë me çdo mjet…Në periudhën fillestare të okupimit, komanda gjermane u mundua ta kthente potencialin nacionalistofetar të Organizatës së Nacionalistëve Ukrainas (ONU) kundër pushtetit sovjetik dhe Ushtrisë së Kuqe… Organizata shpërtheu luftën kundër dy armiqve – kundër Bashkimit Sovjetik dhe kundër Gjermanisë” (Citohet sipas: Valer Jaremenko. “Shpërthimet e separatizmit ukrainas”. Politiçeskij zhurnall, nr. 12 (63), 4 prill 2005, f. 80).
Kaliforni, 25 shkurt 2022