ARKIVI:
25 Shkurt 2025

Pse vetëm Kosova mundet me shpëtu Ukrainën ?

Shkrime relevante

Si nuk e bëmë qeverinë deri tash…?!

Xun Çetta, Zvicër Sa e sa prita dhe durova, tutje nuk mund...

Pse vetëm Kosova mundet me shpëtu Ukrainën ?

Shkruen e knon: Agim Morina, Prizren E kam prej burimesh që nuk...

KYIV: Kryeministri Jonas Gahr Støre dhe 12 krerë të tjerë shtetesh evropiane janë në Kiev

Lufta në Ukrainë Më e madhe deri në Kiev. Zelenskyy takohet me...

Foto-reportazh nga Italia: Mbrëmje e hareshme festive në Spresiano!

Florim Zeqa Të shtunën e kaluar për nder të 17 Shkurtit, të...

Shpërndaj

E kam prej burimesh që nuk mundem me i zbulu tani, por mundem me garantu se janë kredibile. Një ekip i rrethit të ngushtë të udhëheqësisë së Ukrainës, bashkë me Zelenskin në krye, para disa ditësh, kanë ardhë në Kosovë në mënyrë sekrete. Ata tue e dijtë se Kosova kishte pasë një përvojë të ngjashme me periudhën e luftës dhe të pasluftës, kanë ardhë me u konsultu me politikanë e menaxherë të Kosovës së pasluftës për me marrë ide dhe udhëzime se si duhet me vepru në muejt dhe vitet e menjëhershme të mbasluftës.
Mbasi qenkan rahatu në hotelin «Diamond» të Prishtinës, të kamufluem si agjentë tregtarë, ekipi i Zelenskit asht taku me një ekip specialistësh të Kosovës që kishte kry të gjitha punët e nevojshme të shtetndërtimit.
E para gja që sipas specialistëve të Kosovës duhej me ba Zelenski, ishte demobilizimi i ushtrisë së Ukrainës dhe shndërrimi i tyne në njësi super të përgatituna zjarrfikëse. Kjo duhej me u ba për mos me ba investime të panevojshme në armatimin dhe mbajtjen e një ushtrie të shtrenjtë, e cila pas paqes me Rusinë nuk do t’u duhej ma.
Mirë, kishte pyetë Zelenski, e çfarë ndodh me ish-luftëtarët? Specialistët e Kosovës iu kishin kthy menjëherë një përgjegje me spec, tue thanë se ish-luftëtarët do të ktheheshin aty ku kishin qenë para lufte, por një rreth i ngushtë i komandantëve, natyrisht, do të hynte në skenën politike. Ata ish-luftëtarë që ishin ma të rij, do të baheshin zjarrfikës të shkëlqyeshëm. Po kujt i duhen me miliona zjarrfikës, kishte pyetë komandanti forcavave të kambësorisë ukrainase. Konsulentët e kujdesshëm të Kosovës i kishin thanë se një pjesë e tyne do të shndërroheshin në veteranë, bashkë me pesëfishin e veteranëve të rrejshëm që do të shërbenin shum mirë në zgjedhjet e ardhshme, sepse do të ishin disa miliona dhe do të garantonin fitore në zgjedhje për disa mandate.
Zelenski kishte mbetë pa gojë nga këto ide gjeniale.
Ministri tjetër, i ekonomisë ukrainase, kishte pyetë se çka duhej me ba në fushën e ekonomisë. Specialistë e Kosovës, tue qeshë, kishin thanë se kjo asht pjesa ma e lehtë: qysh tash Zelenski me shokë nga rrethi i tij i ngushtë duhej me nisë me ble sa ma shum hektarë tokë me çmime sa ma të ulëta, e mbasi të mbaronte lufta, t’ia shitnin prap shtetit të Ukrainës me një çmim pesëdhjetëfish ma të naltë. Shokë të tjerë duhej me nisë me planin e privatizimit të fabrikave të Ukrainës me çmime sa ma të ulëta. Pse, kishte pyetë i habitun ministri ukrainas. Sepse, ia kishte kthy specialisti shqiptar i Kosovës, tue shti në gojë një spec djegës kishte vazhdu, masandej shokët tuej hyjnë e i blejnë me ato çmime sa ma të ulëta, pa leju askend m’iu afru këtyne pronave dhe fabrikave.
Ukrainasit kishin mbetë të mahnitun nga këto ide kaq gjeniale.
Nuk mbaron me kaq, kishin thanë specialistët shqiptarë, duheni m’ia vu synin asfaltit… Asfaltit!? Ishin shtangë ukrainasit. Po, pra, ia kishin kthy shqipot: duheni me shtru asfalt me çmime trefish ma të nalta, sepse aty bahen investimet ma të mëdha. Pse, a po doni me ba çmime trefish për napolitanka a, kishin qeshë specialistët e Kosovës. Edhe ato autostrada findak të reja duhej me u planifiku me kalu nëpër katundet e disa udhëheqësve tuej të luftës, e sidomos nëpër tokat që ata tashma i kanë ble, për me mujtë me i shitë sa ma shtrenjtë.
Ekipi ukrainas kishte mbetë pa gojë nga këto ide gjeniale.
A keni ju ndonjë gazetar? Pyeti specialisti që tashma e kishte përbi specin. Ministri ukrainas i informacionit tha se po, kishte shum gazetarë, por një pjesë e madhe e tyne ishin vra tue luftu. Ata paskan shku si qeni në rrush, ia ktheu specialisti i Kosovës dhe vazhdoi, mos u merr me ta. Po pyes për ndonjë që ka mbetë gjallë, fjala vjen, ndonjë që asht taku me shefin e shërbimit sekret rus, kish me qenë ma i miri për punët e pasluftës.
E kemi, tha ministri ukrainas i informacionit, qysh s’e kemi. E, ia ktheu konsulenti specialist i Kosovës, atë duheni me ba pronar të mediave ukrainase tash, sepse kjo asht mënyra ma e mirë për me rujtë marrëdhanie të mira dhe paqen e sigurtë me Rusinë. Masandej ky ish-gazetar, i kthyem në mbret e pronar mediash, do të kërkojë që krimet e Rusisë të harroheshin dhe të niste një epokë e re mes Ukrainës e Rusisë.
Ministri ukrainas i informacionit kishte mbetë i ngrimë prej këtyne ideve gjeniale.
Masandej, konsulentët specialistë të Kosovës kritikuen rreptë kundërshtimin e Zelenskit që ia bani ofertës së Trumpit. Ata ia sqaruen se ata vetë nuk kishin mohu as edhe propozime emisarësh, bile edhe kur ata talleshin në tavolina rreth emnimit të liqeneve, na i kemi marrë fort seriozisht, ndërsa Zelenski nuk kishte pranu as propozimin e presidentit amerikan. Ky asht guxim prej budalle, i kishin thanë ata. Natyrisht, ata e këshilluen Zelenskin që në mediat europiane të deklarojë se ka qëndru larg fronteve të luftës, fjala vjen, se ka qenë në ndonjë skenë teatrore tue performu skeqet e tij humoristike, si komedian, ngaqë kështu do të kishte mundësi me i shpëtu prej ndonjë procesi gjyqësor.
Kjo e kishte habitë Zelenskin pa masë si ide gjeniale.
Të gjitha këto e çoroditën dhe e shtangën Zelenskin dhe ekipin e tij. Nuk u kuptu a u shtangën prej së mire, apo prej së keqeje. Por një gja dihet: të nesërmen në mëngjes në dhomat e hotelit «Diamond» të Prishtinës u gjetën vetëm çorapet e shqyeme e të palame të ekipit të Zelenskit dhe një pusullë ku Zelenski kishte shkru:
“Unë kam kujtu se jam koxha njëfarë komediani, por ju kishit qenë komedianë të papamë e të padëgjuem. Natyrisht, nuk besoj se asgja prej krejt kësaj që më thatë mue dhe ekipit tem ta keni ba me të vërtetë. Sidoqoftë, ishte një komedi fort e kandshme dhe, gjithsesi, e parealizueshme.
Mos ju paça borxh (edhe ma shum se Trumpit!).
Ma shum dashni, Zelenski»
Kështu ndodhi dhe Kosova e shpëtoi motrën Ukrainë nga zhdukja prej faqes së dheut. Si shenjë falënderimi për këtë kontribut të çmueshëm, Zelenski kishte vendosë me e qujtë një teatër, vetëm për komedi kulminante, me emnin «Kosova» në qendër të Kivit, si kujtim për përjetimet e tija të paharrueme kosovare.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu