ARKIVI:
26 Dhjetor 2024

Publikohet dosja sekrete e ish-Sigurimit të Shtetit, ja se si komunizmi e sulmonte “Vatrën”

Shkrime relevante

Vargje me nismë të mbarë, recension për librin e Bashkim Halilajt, “Gjurmë ecjesh“

Shefqet DIBRANI VARGJE ME NISMË TË MBARË Bashkim Halilaj, “GJURMË ECJESH“, vargje, botoi...

Pabesueshmëria e absurdeve të “BIG BROTHER”

Nga: Lirim Gashi Sara nga Tirana dërgon çdo ditë lutje në qiell,...

Doli nga shtypi libri MALL E DASHURI PËR ATDHE i autorit Florim Zeqa

Sot, nga Shtëpia Botuese “Libri im” në Pejë doli nga shtypi...

Shpërndaj

Eneida Jaçaj

Përgatiti: Eneida Jaçaj

Shqiptarët e Amerikës u bashkuan për të zyrtarizuar më 13 qershor të vitit 1912 në Boston, Federatën Panshqiptare “Vatra”, në funksion të çështjes shqiptare dhe interesave madhore të vendit. Ishin personalitetet si Faik Konica, Fan Noli, Kristo Floqi, Marko Adams, Paskal Aleks etj, që u mobilizuan për t’i dhënë jetë “Vatrës” në shërbim të çështjes kombëtare, çlirimit të vendit nga zgjedha e huaj dhe më pas vendosjen e sistemit demokratik në Shqipëri.
Fan Noli dhe Faik Konica, dy personalitete të shquara dhe themelues të “Vatrës”, lobuan fort në sallonet e Europës, zhvilluan takime me personalitete të huaja, ku në bazë të diskutimeve patën interesat kombëtare të Shqipërisë. “Vatra” ka dhënë një kontribut madhor për moscopëtimin e Shqipërisë, dhe gjithashtu objektiv të saj ka patur demokratizimin e Shqipërisë, rritjen e ekonomisë dhe uljen e analfabetizmit. Federata Panshqiptare “Vatra” vijon misionin e saj duke mos i shkëputur lidhjet me atdheun, në mbrojtje të të drejtave, dinjitetit dhe interesave kombëtare të Shqipërisë.
Pavarësisht kontributit madhor për çlirimin e vendit, çështjes kombëtare, misioni i Federatës “Vatra” në vijimësi u godit fort nga regjimi komunist i instaluar në 1945-ën.
Pas përpjekjeve për çlirimin e vendit, shqiptarët e Amerikës vijuan lobimin për demokratizimin e vendit, lirinë e fjalës, u pozicionuan kundër censurës dhe shkeljes së të drejtave të shqiptarëve, për shkak të diktaturës.
Kjo politikë nuk ishte në funksion të interesave të regjimit komunist, ndërsa udhëheqësi-diktator, i cili synonte të mbante popullin të nënshtruar, ndërmori një sërë sulmesh në drejtim të “Vatrës”. Regjimi komunist propagandonte se Federata Pashqiptare “Vatra” zhvillon një veprimtari armiqësore kundër Republikës së Shqipërisë dhe Socializmit. Madje arrinte deri aty saqë shqiptarët e Amerikës i quante agjentë të amerikanëve, analfabetë dhe njerëz jo të mirë.


Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944-1991 ka publikuar dosjen sekrete të “Vatrës”, me tre vëllime, e survejuar për dekada nga Sigurimi i Shtetit, me mbi 800 faqe dokumentacion.
Komunizmi sulmonte edhe gazetën “Dielli”, pjesë e “Vatrës. “Vatra” në pjesën më të madhe përbëhet nga elementë pak a shumë në gjendje të mirë ekonomike. Kjo është organizata më e vjetër dhe gjithmonë në kryesi të saj kanë qenë dhe janë njerëz që janë agjentë të amerikanëve. Qëndrimi i kësaj organizate tani dhe sidomos i gazetës së saj, nuk është i mirë. Gazeta Dielli dhe kryesisht Qerim Panariti zhvillojnë një propagandë reaksionare kundër republikës tonë dhe kampit të socializmit. Kjo vjen sepse drejruesit e kësaj shoqërie në pjesën më të madhe nuk janë njerëz të mirë nuk janë njerëz të mirë”, thuhet në dosje. Pavarësisht sulmeve nga një sociopat dhe primitv, “Vatrës” nuk do t’i venitet merita që ka dhënë për shpëtimin e Shqipërisë nga copëtimi.

Faik Konica e ka përshkruar punën e “Vatrës” me këto fjalë në gazetën “Dielli” më datë 7 korrik 1922:
“Në ditët e errëta kur Shqipëria ishte e pushtuar nga ushtritë e huaja, kur shteti ish përmbysur, dhe kur flitej sheshit për copëtimit e vendit, “Vatra”, e këshilluar nga një pakicë patriotësh e shtyrë nga atdhedashuria dhe dëshira e anëtarëve të saj, e inkurajuar nga zëri i popullit i tërë shqiptarëve, e mori përsipër të veprojë në vend të shtetit të vdekur. Nuk kërkoji nderet as të drejtën e shtetit po mori përsipër vetëm detyrat dhe harxhet. Me shpenzimet e “Vatrës” u mbajtën delegatët, u dërguan misione, u subsidiuan agjenci, u kablluan mijëra protesta, me një fjalë u organizua mbrojtja e Shqipërisë, dhe u organizua aq e mirë sa Kryeministri i Greqisë z. Venizelos tha në Konferencën e Paqes në Paris, se të vetmin pengim serioz që gjeti në Epir Greqia, ish pengimi i vënë nga “Vatra”….
Dosja sekrete
Më poshtë paraqitet një pjesë nga dosja sekrete për Vatrën, e survejuar nga Sigurimi i Shtetit. “Dosja sekrete, Aprovohet, Drejtori i Zbulimit Politik, Jonuz Mersini Tiranë, 29/9/1970.
Vendim
Unë, punëtori operativ, Idaet Xhanaj, efektiv i Drejtorisë së Zbulimit, pasi shqyrtova materialet e organizatës “Vatra”, e formuar në vitin1909 prej Fan Nolit, Faik Konicës e të tjerë, dhe pasi gjeta se vitet e fundit është vënë plotësisht në shërbim të zbulimit amerikan, dhe aktualisht zhvillon aktivitet armiqësor ndaj vendit tonë si nëpërmjet anëtarëve të saj, po ashtu edhe nëpërmjet gazetës së saj, “Dielli”.
Vendosa të çel dosjen e kësaj organizate për të bërë përpunimin e mëtejshëm, për t’u informar mbi aktivitetin e saj, mbi koordinimin e veprimtarisë me zbulimet armike, mbi divergjencat në radhët e saj.
Pëlqehet
Kryetari i degës,
Hasa Luci
Relacion mbi gendjen e kolonisë shqiptare në SHBA
Kolonia Shqiptare në Amerikë është një nga kolonitë më të vjetra dhe më të mëdha në Perëndim. Emigracioni Ekonomik Shqiptar ka filluar qysh nga viti 1900 për shkaqe që dihen, dhe ka vazhduar duke u shtuar deri në vitin 1940. Afro 20 për qind prej tyre kanë marrë edhe familjet me vete. Kolonia Shqiptare përbëhet prej afro 40 mijë frymë, dhe është përqëndruar në qytetet Boston, Nju York, Filadelfia, Ustri, Detroit, Chicago, Karolina, Uashington, San Francisco; qëndra e gjithë kolonisë është në Boston, pasi aty janë kryesitë e shoqërive dhe kryesitë fetare. Sot, afro 80 për qind pre j tyre punojnë në restorante, hotele, 5 % në fabrikë, dhe 10 % kanë prona private, si magazina, shtëpi etj.
Nga zhvillimi arsimor dhe politik, kolonia përfaqëson një masë të madhe analfabetësh ose që dinë pak shkrim, të pazhvilluar nga ana politike dhe që janë shumë fetarë. Rinia e dalë nga familjet shqiptare në Amerikë, është edukuar në shkollat amerikane, pasi nevoja e një shkolle shqipe në koloni është ndjerë shumë.

Emigrantët Ekonomikë janë ndarë në dy shoqëri: Vatra me gazetën e saj Dielli, me kryetar Fan Nolin, dhe Editor Qerim Panaritin, dhe Shqipëria e Lirë me gazetën e saj “Liria”, me kryetar dr. Xhon Nase nga Berati dhe editor Dhimitër Trebicka, nga Korça.
Pjesa më e madhe shqiptarëve nuk marrin pjesë në këto shoqëri si aëtarë të rregullt, vetëm se marrin gazetat e tyre. Shoqëria “Vatra” në pjesën më të madhe përbëhet nga elementë pak a shumë në gjendje të mirë ekonomike. Kjo është organizata më e vjetër dhe gjithmonë në kryesi të saj kanë qenë dhe janë njerëz që janë agjentë të amerikanëve. Qëndrimi i kësaj organizate tani dhe sidomos i gazetës së saj, nuk është i mirë.

Gazeta “Dielli” dhe kryesisht Qerim Panariti zhvillojnë një propagandë reaksionare kundër republikës sonë dhe kampit të socializmit. Kjo vjen sepse drejtuesit e kësaj shoqërie në pjesën më të madhe, nuk janë njerëz të mirë”, thuhet në dosjen sekrete.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu