ARKIVI:
24 Dhjetor 2024

Qëllimi i presionit ndërkombëtar, ndikimi në zgjedhjet e ardhshme

Shkrime relevante

Po përsëritet historia! KQZ-ja (s) ka të drejtë!

Prof. Fadil Maloku, sociolog nga Prishtina Në vitin 2013 (si ish anëtarë...

Kontradikta dhe abuzimi politik i Edi Ramës, dëmton rëndë Kosovën dhe Shqipërinë

Nga: Luan Dibrani Kritika ndaj Edi Ramës dhe Pozita e Qeverisë Shqiptare...

Te Nënëlokja e UÇK -së, NËNË STANA!

Nga: Nusret Pllana BRUS - lagjja Peshter Me bashkëluftëtarin tim Ismet Sylejmani, vizituam...

Vuçiq, Albin Kurti nuk është KQZ!

Gani Mehmeti Pas Reagimit ti kryetarit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq me rastin...

Hajgarja e vitit nga Qeveria: pensionistët e diskriminuar mbeten në harresë!

Nga: Zeqir Bekolli, Drenas ___ Qeveria këtë fundvit vendosi të bëjë një tjetër...

Shpërndaj

Ali Mehmeti

Me 14 shkurt 2021, votuesi shqiptar i Republikës së Kosovës, me të vetmin mjet demokratik që ka në dorë e që është vota, i dha një përgjigje më të mirë të mundshme klasës së papërgjegjshme politike që udhëhoqi me shtetin nga dita e shpalljes së pavarësisë në vitin 2008, duke i dhënë 56% të votave Lëvizjes Vetëvendosje. Në zgjedhje që janë para nesh, pavarësisht kur do mbahen, duhet dhënë përgjigje të ngjashme apo edhe më plebishitare faktorit ndërkombëtar, që zakonisht i quajmë dhe konsiderojmë për “miq ndërkombëtar”, por që për ditë e më pak ju takon ky epitet.

Ata që e kanë lexuar Marrëveshjen e Rambujesë, bashkë me anekse, e dinë se çfarë “të drejta” ishin të rezervuara për shqiptarët e Kosovës, të cilën me të drejtë e kundërshtoi simboli i rezistencës sonë, Adem Demaçi. Megjithatë, delegacioni i Kosovës, nga njëra anë ishte i shtrënguar ta pranoj sepse situata në teren ishte e papërballueshme dhe nga ana tjetër, ishte e joshur nga premtimi se nëse nuk e pranon edhe Serbia, kjo e fundit do të bombardohet, siç edhe ndodhi.

Me kalimin e viteve, historia sikur po kthehet mbrapsht. Duket sikur po tentohet të imponohet kjo marrëveshje e dëmshme për Kosovën, edhe pse ajo ishte e dizajnuar ashtu që ta gjunjëzoj Serbinë, o me hatër o me luftë. Nëse me hatër, Kosova do mbetej nën Serbi, me “autonomi substanciale”, nëse me luftë do bëhet shtet. Në ndërkohë, miqtë tradicional të Serbisë dhe të tjerët që shihnin ndonjë interes nga Serbia, apo thjesht nuk i duan shqiptarët, filluan të besojnë (apo vetëm shtireshin), se Serbia po demokratizohet, se po lind një Serbi tjetër. Madje edhe disa publicist shqiptar botuan libra me tituj “Serbia tjetër”. Para shumë viteve Kadareja iu dha këtyre një përgjigje që nuk e dëgjuan:

“Këmbëngulja për të mos u shkëputur nga thelbi i së keqes, do të çonte, herret a vonë, te e vërteta e hidhur se nuk kishte dy Serbi, njëra e zezë tjetra rozë, por një Serbi të vetme, veç me dy maska, të cilat i vinte dhe i hiqte, sipas volisë”.

Dëshmi më të mirë për këtë që e thotë Kadareja nuk ka, sesa vet akti i agresionit që ndodhi me 24 shtator të vitit të shkuar në veri të Kosovës dhe përsëritja e përditshme e Vuçiqit se asnjëherë nuk do e pranon pavarësinë e Kosovës, as integritetin e saj territorial, duke pritur momentin e volitshëm për ta ri-okupuar. Përkundër kësaj, “miqtë tanë” kërkojnë nga Kosova ti normalizoj raportet me Serbinë, pavarësisht se kjo e fundit bënë obstruksione tërë kohën dhe refuzon këtë normalizim.

Në rrethanat e reja gjeostrategjike, as ky akt, as këto kërcënime të Serbisë, nuk po e ndryshojnë qëndrimin e fuqive të mëdha ndaj Kosovës, nga e cila, sikur palë më e dobët, janë duke kërkuar gjithnjë e më shumë lëshime në favor të Serbisë; edhe pse po mundohen që këto lëshime t’i paraqesin sikur lëshime ndaj serbëve në Kosovë. Me fjalë tjera, jo vetëm se është hequr dorë nga gjunjëzimi i Serbisë, por është hequr dorë edhe nga kërkesa për njohjen “de jure” të Kosovës nga Serbia, që ishte qartë e definuar në letrën e Presidentit të ShBA, Xhozef Bajden, për t’u zëvendësuar me njohje “de fakto” sipas marrëveshjes së Ohrit, të cilën Serbia refuzon ta nënshkruaj dhe e shkel përditë. 15 muaj pas marrëveshjes së Ohrit, për ditë e më qartë po kristalizohet qëllimi i saj i fundit: që Kosova, nëpërmjet presioneve, kushtëzimeve dhe shantazheve të përmbush obligimet e saj, që nënkupton formimin e “zajednicës” me kompetenca që do e bëjnë Kosovën jofunksionale, kurse obligimet e Serbisë të mbeten në ndërgjegjen e saj, pa bërë as më të voglin presion mbi të. Tashmë e parë dhe përjetuar!

Përkundër të gjitha presioneve nga partnerët ndërkombëtar, qeveria aktuale jo vetëm se po reziston ndaj kërkesave të padrejta, por edhe pa ndalur po shtrin sovranitetin e munguar në pjesën veriore të Kosovës, ku në mbi 20 vjetët e fundit mbretëronin bandat kriminale, që merreshin me kultivimin, përpunimin dhe tregtimin e substancave narkotike, prodhonin bitcoina pa paguar energjinë elektrike, bënin kontrabandë me mallra të Serbisë me çmime damping duke dëmtuar kështu prodhuesit vendor, shpërlanin para të pista dhe të gjitha këto nuk mund ti bënin pa partnerët “tanë”. Policia e Kosovës në veri, vetëm emrin e kishte “e Kosovës”, por urdhëratë i merrte nga Beogradi edhe pse paguhej nga buxheti i Kosovës; kamerat vëzhguese të instaluara kontrolloheshin nga Beogradi dhe sistemi i alarmimit po ashtu; zhvilloheshin zgjedhjet serbe sikur të ishte pjesë e Serbisë; ndërtoheshin lagje të tëra për kolonët serbë kurse nuk lejohej ndërtimi i asnjë shtëpie të vetme për shqiptarët; funksiononte sistemi ilegal financiar dhe i pagesave; përdoreshin dokumente dhe targa ilegale për vetura dhe shumë veprimtari tjera kriminale që nuk mund as ti imagjinojmë. Këtë pjesë dikush e quante tokë e askujt, tjetri se ishte dhuratë e Rankoviqit. Të gjitha korrigjime që u bënë në 3-4 vitet e fundit, u bënë edhe nën presionin e opozitës dhe shumicës së mediumeve të lira për shpifje, gënjeshtra dhe gjysmë të vërteta, nën akuza për prishje të raporteve me “miqtë ndërkombëtar”, sepse qeveria po ndërmerr veprime pa u koordinuar me ata dhe po rrezikon stabilitetin në veri!

Në këto rrethana, Qeveria e Kosovës dhe sidomos Kryeministri Albin Kurti janë dhe do të mbesin nën presion të vazhdueshëm nga të gjitha anët. Nuk përjashtohet presioni as nga ai që gjenocidin në Kosovë e quajti “rrëmujë” apo nga tjetri që thoshte se nuk ka kuptim të ndiqet dikush për krime lufte pas 25 vjetësh të kaluara nga lufta. Ky presion do të ritet edhe më shumë para zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, që tashmë janë në horizont. Të shpresojmë se ky presion të mbetet vetëm verbal, por nuk përjashtohet as ndonjë masë ndëshkuese, para së gjithash ekonomike apo politike, siç ishte mos-përfshirja në rendin e ditës diskutimi për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Rritja e këtij presioni ka për qëllim minimizimin e fitores të Lëvizjes Vetëvendosje, që do rezultonte edhe me dobësimin e aftësisë për rezistencë të qeverisë së ardhshme, ndaj kërkesave të padrejta, tashmë të njohura. Ndryshimi i fuqisë të forcave politike brenda Kosovës, është e vetmja shpresë për të gjithë ata që nuk ia duan të mirën Kosovës dhe që sot ushtrojnë presion mbi të.

Prandaj, edhe njëherë, votuesit duhet të tregojnë zgjuarsi dhe të votojnë për ata që në të kaluarën treguan vendosmëri, qëndrueshmëri dhe guxim dhe kështu të tregojnë se edhe vet ata janë të vendosur ta mbrojnë integritetin territorial dhe funksionalitetin e shtetit të vet. Vetëm me një fitore plebishitare të tyre, do ulen presionet nga të gjitha anët dhe do minimizohen dëmet, tashmë të shkaktuara në dy dekadat e fundit.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu