Pamje: Murxhi i Muratit Drizës
Shkruan: Syrja Etemi, pedagog, Tetovë
Ai që i gëzohet borës së parë të stinës së dimrit është Sharrjani apo qeni i Sharrit. Kështu, kur bie borë, ky vrapon lirshëm në terrenet e hapura dhe luan sikur një fëmijë i hazdisur mbi dyshekun e bardhë të borës. Kjo kafshë shumë fisnike, ndjehet më natyrshëm, më lirë, madje, më mirë rritet dhe zhvillohet në kushte të vështira me të ftohtë e me një klimë të ashpër, sesa në kushte të zakonshme klimatike. Prandaj, ai nuk duron të mbahet lidhur në ndonjë skutë apo « kutar », ashtu siç veprojnë disa adhurues të kësaj race, që i përdorin për sfida qensh, që në kohë të fundit organizohen në Pollog, por edhe më gjërë.
Të shtrojmë para jush një « CV » të shkurtër për këtë « relike » shekujsh: Ky qen peshon deri në 50 kg. Ka, kokë të madhe, me lëkurë të leshtë dhe veshë të mëdhenj, të cilët u lëshohen dhe u kthehen tatëpjetë. Ruajtësit e këtij qeni, veshët ua presin që të vegjël (këlysh), me qëllim që të bëhen « më të sertë » dhe më të shkathtë për t’u përla në sfida me « egërteja », por edhe me qenë tjerë, prandaj ka mbetur edhe shprehja «Filanit ia kanë pre veshët këlysh », d.m.th,e kanë bërë të dresuar apo të mësuar qysh herët.
Në një shprehje të theksuar poetike dedikuar kësaj kafshe bujare të titulluar, « Qeni Ilir », kështu e paraqet poeti i shtavitur gjilanas, Sabit Rrustemi- besnikun ilir: “Prej antikës e deri sot, nuk bishtnoi udhën, as ndryshoi farën. Nën qiellin e kësaj toke ruan vatrën, vathin… Sillet kah sillet, s’e ngatërron adresën. Besën e jep pa fjalë e, nuk e shkelë për mallë. Njerëzit e shpisë i memoron me një të parë. Jo vetëm për dritë, i njeh edhe në pikënatë përmes të ecurës, zërit… apo shenjës që mbajnë. Një kullë e ka hak që s’lodhet për miza, as kokën futë nën fshisa. Ka malin përplotë lisa. Pinikë, zagarë e minukë-në bisht i sjell. As birën e veshit për ta s’e lodhë kur lehin anash. Vetëm me bisht syri i kshyrë. Nuk është lehtë me ia thy mendjen a me grishë. Është roja e shpisë. Kur ai lehë, ngritu e dil. Në të thatë nuk lehë kurrë. Nuk e sheh as n’ëndërr te sofra një kafshatë goje duke pritë e, le më çarshisë… Maxhes huaj nuk ia pi gjellën. Po e nguce, ta zë derën e ta errë jetën. Saktë e di kur duhet rruar poshtë, kur lartë e kur hiç. Për këdo nuk lëviz vendit. Në këmbë e ke sa herë e lypë rendi. Lum shpia që e ka!”
Kështu, në Sllatinë ndërmjet Sharrit dhe Pollogut, ky lloj qeni dikur ishte pjesë e pandarë e tufave të dhenve, dhe gati dy të tretën e vitit e kalonte në bjeshkët e paana të Sharrit, kurse tani ai « robërohet » nga ruajtësit e pakujdesshëm të vendbanimit në fjalë. Për besimin e madh që kishin qehallarët e dikurshëm sllatinasë (por jovetëm) në qenin e Sharrit, do të paraqesim edhe anekdotën: « Murxhi i Muratit Drizës »
N’pranvier kur i çojn’ dhent n’bgjieshk,Vaiti ene Sabiti e marën tejfën e dhenve ene çent, ene nejsen termë udhës… mrëjn ner n’Kalipic.Atej ndalen pak t’i prëjn dhent.Kur mbas atine mrën ëne Murati me kuajlt me shieka ngarkaum për n’bgjieshk.Zateket me çubënt,e u thuët :
-A i kini mar kejt çent me viti?
-Vetëm Murxhin e kimi lën.-i thaun atua.
-Po kush di raue dhient n’bgjieshk,a ktua klishët xhi buhën shoç me ukin ene na i farojn’ kejt dhent, ë? Frejk t’shkuëni ëne tu ma mirni Murxhin se aj e din xhi ësh uki,ja ndejn erën pi për s’largi ene s’e le t’afruhat ngat dhenve!-Ene shkuan para atine n’bgjieshk.
Sabiti nejset kada-kada me dhient,a Vahiti,frejk e frejk shkuan n’shpej ene e mer Murxhin, fken munjiher,ene i mrën dhient Te Feri -n’Vërtejsht.
Tregoi: Eshtref Zeqiri,lindur më 1943,Sllatinë
Shënim: 19 shkurt, 2003
Prandaj, lirisht mund të themi se rol të veçantë në « formimin e Qenit të Sharrit, kanë luajtur masivet e larta malore,që kufizonin kryqëzimin me llojet e tjera të qenve. Ashtu i fuqishëm, i bukur është edhe sot, duke iu falënderuar vrazhdësisë së thepave dhe nevojës për t’u bërë ballë të papriturave të natyrës së egër të Sharrit, Korabit dhe më gjërë ».
Sot, fatkeqësisht, kjo krenari jonë kombëtare po neglixhohet. Përderisa edhe sot e gjithë ditën « na vjen turp të meremi me historinë e një qeni », nesër kur duhet të rrëfehemi para nipave , stërnipave tanë, do të jetë shumë vonë, sepse , jemi të sigurt se, ata do ta kuptojnë më mirë se Ne rëndësinë e këtij bashkudhëtari epik në rrathët e historisë… Fatkeqësisht, edhe sot e kësaj dite, ca « çenaxhi » shqiptarë, me qëllim që të arrijnë përfitime më të mëdha për “luftë qensh”, qenin Ilir e kryqëzojnë me raca të tjera qensh, duke e zhbërë këtë racë tonën fisnike. Prandaj, kjo brengë përdëllimtare, le të jetë një apel për të ndërgjegjësuar instuticionet, etnologët, veterinerët, ekologët tanë shqiptarë, kudo që të jetojnë e veprojnë në hapësirat e trojeve të ndara, që t’i dalin zot kësaj mrekullie, të kësaj prone nacionale që na kanë lënë stërgjyshërit tanë pellazgo-ilirë.