ARKIVI:
23 Dhjetor 2024

Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut mbajtën mbledhjen e dytë të përbashkët

Shkrime relevante

Zëri i ndërgjegjës kombëtare thërret për ndryshim!

Shqiptarë të Plavës dikur..., para se pasardhësit e tyre të bëheshin...

Ja si mund të duket Anglia e bukur, e së ardhmes…!

Jorgo Mandili 21 dhjetor 2024 ___ Britania ishte përpara të gjitha vendeve perëndimore në...

Si i dëboi UÇK-ja hoxhëllarët dhe predikuesit e fesë islame nga frontet e luftës

Luan Dibrani, Gjermani ___ Gjatë periudhës së luftës në Kosovë, Ushtria Çlirimtare e...

Interesat kombëtare të Kosovës, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe konteksti më i gjerë gjeopolitik

Agim Vuniqi, New York ___ Roli i Shqipërisë dhe deklaratat e kryeministrit Rama Fjala...

Shpërndaj

Prishtinë, 18 nëntor 2024 

Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut e mbajtën mbledhjen e tyre të dytë të përbashkët, kësaj radhe në Prishtinë, kryeqytetin e Republikë së Kosovës.

Mbledhjes i parapriu një takim tête-à-tête ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, gjatë të cilit u diskutua rreth marrëdhënieve bilaterale, fushave me potencial të bashkëpunimit dhe rëndësisë së organizimit të kësaj mbledhjeje.

Në hapjen e seancës së mbledhjes ndërqeveritare, kryeministri Kurti theksoi se takimi i sotëm ka një rëndësi simbolike, pasi që përkon me 15-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

“Gjatë këtyre viteve, kemi nënshkruar mbi 50 marrëveshje dhe memorandume, të cilat na kanë afruar edhe më shumë me njëri-tjetrin, por ajo ku duhet të theksojmë më shumë, është zbatimi i tyre i plotë dhe i përpiktë. Sot këtë progres do ta avancojmë tutje duke nënshkruar edhe dy memorandume dhe një protokoll në fusha të rëndësishme sikurse: energjia, arsimi dhe lehtësimi i lëvizjes të lirë”, tha kryeministri Kurti.

Përgjatë mbledhjes në diskutim u përfshinë edhe zëvendëskryeministrat dhe ministrat të të dy qeverive, të cilët biseduan mbi bashkëpunimin e deritanishëm dhe mundësitë për bashkëpunime të reja në fushat e dikasteret e tyre përkatëse.

Mbledhja kulmoi me nënshkrimin e një protokolli dhe dy memorandumeve të mirëkuptimit në lidhje me lehtësimin e lëvizjes së lirë, bashkëpunimin në fushën e energjisë dhe të arsimit, përkatësisht:

1.Protokolli ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovë dhe Qeverisë së Republikës Maqedonisë së Veriut për Implementimin e Marrëveshjes në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për Pikat e Përbashkëta të Kalimit Kufitar Hani i Elezit – Bllacë dhe Glloboqicë – Jazhincë;

2.Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në Sektorin e Energjisë në përputhje me politikat dhe strategjitë e tyre përkatëse;

3.Memorandumi i Mirëkuptimit mes Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës të Republikës së Maqedonisë së Veriut për bashkëpunim në fushën e arsimit, me fokus tek Arsimi dhe Aftësimi Profesional dhe arsimi i të rriturve.

Në përfundim të mbledhjes, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut mbajtën një konferencë të përbashkët për media.

Fjala e plotë e Kryeministri Kurti në fillim të mbledhjes:


I nderuari kryeministër i Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Hristijan Mickoski,
I nderuari zëvendëskryeministër i Parë, z. Izet Mexhiti,
Të nderuar zëvendëskryeministra të Maqedonisë së Veriut,
Të nderuar zëvendëskryeministra të Republikës së Kosovës,
Të nderuar anëtarë ministra të të dy kabineteve tona qeveritare,

Është kënaqësi dhe nder t’ju mirëpres të gjithëve në Prishtinë për takimin tonë të dytë ndërqeveritar.

Më lejoni të filloj këtë takim duke theksuar një pikë të rëndësishme: Republika e Kosovës dhe Republika e Maqedonisë së Veriut nuk kanë mosmarrëveshje. Kemi komunikim të hapur dhe bashkëpunim të gjerë.

Ne jemi fqinj, miq dhe partnerë, të lidhur jo vetëm përmes tregtisë, që është çdoherë në rritje, por edhe përmes lidhjeve mes familjeve e bizneseve tona që po forcohen përherë e më shumë.

Takimi i sotëm ka edhe një rëndësi simbolike, pasi që përkon me 15-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve tona. Gjatë këtyre viteve, kemi nënshkruar mbi 50 marrëveshje dhe memorandume, të cilat na kanë afruar edhe më shumë me njëri-tjetrin, por ajo ku duhet të theksojmë më shumë, është zbatimi i tyre i plotë dhe i përpiktë.

Sot këtë progres do ta avancojmë tutje duke nënshkruar edhe dy memorandume dhe një protokoll në fusha të rëndësishme sikurse: energjia, arsimi dhe lehtësimi i lëvizjes të lirë.

Marrëdhëniet e mira mes dy vendeve tona reflektohen edhe në rritjen e vazhdueshme të tregtisë, e cila arriti mbi 432 milionë euro në vitin 2023, një rritje e jashtëzakonshme prej 52% krahasuar me vitin 2019, ku qëndronte tek 284 milionë euro dhe, gjithashtu është rritur edhe shkëmbimi tregtar në kuptimin e eksportit nga Kosova në Maqedoni të Veriut, nga 44 milionë në vitin e parë parapandemik 2019, në 121 milionë në vitin që shkoi 2023, rritje për 175 për qind.

Rritja e tregtisë e shkëmbimeve mes dy vendeve tona, reflektohet gjithashtu edhe në rritjen e lëvizshmërisë së qytetarëve tanë. Mes datave 1 janar edhe 1 nëntor të këtij viti, janë regjistruar pothuajse 5 milionë kalime kufitare në të dy kahet—një rritje e konsiderueshme nga 3.5 milionë sa qëndronte në vitin 2019.

Një nga rezultatet kryesore të takimit të sotëm do të jetë edhe nënshkrimi i protokollit teknik, që del nga marrëveshja për kalimet e përbashkëta kufitare.
Duke filluar nga 1 janari i vitit 2025, në dy pika kufitare—Hani i Elezit/Bllacë dhe Jazhincë/Glloboqicë—do të zbatohet modeli hyrje-hyrje, ku zyrtarët tanë të policisë do të punojnë së bashku në një ndërtesë. Ky bashkëpunim do të reduktojë kohën e pritjes në kufi dhe do të lehtësojë lëvizjen e lirë të qytetarëve tanë.

Së bashku po e përmirësojmë edhe infrastrukturën kufitare dhe po ndërtojmë rrugë të reja, që forcojnë lidhjet mes qytetarëve dhe rrisin prosperitetin ekonomik për dy vendet tona.

Në këtë drejtim, ne mirëpresim përfundimin e ndërtimit të autostradës nga Bllaca për në Shkup, më në fund, 10 kilometrat e mbetur, që do të lidhte rrjetin e autostradave në Maqedoninë e Veriut me autostradën “Arbën Xhaferi” në Kosovë dhe së bashku të angazhohemi për jetësimin e tunelit që e lidh Prizrenin me Tetovën, angazhim ky tashmë i marrë nga dy vendet tona.

Përveç tjerash, me gjuhën e tregut të lirë, kur e dimë që, me gjithë gjendjen jo të mirë të rrugëve, qarkullimi i njerëzve dhe i mallrave sot është kaq i madh, zgjerimi dhe përmirësimi i rrugëve që na lidhin është detyrë edhe ndaj kërkesës ekonomike. Pra, të investosh në një segment, ku kthimi është njëqind për qind i sigurt, është investim logjik dhe strategjik.

Që nga takimi ynë i parë ndërqeveritar në shtator të vitit 2021, kemi bërë përparime në siguri dhe mbrojtje, si dhe në arsim, kulturë, shëndetësi dhe mjedis, por është koha që të bëjmë edhe më shumë, edhe më shpejt.

Si fqinj që ndajmë një kufi, sigurinë e kemi të ndërlidhur. Andaj, sot, më shumë se kurrë, bashkëpunimi në çështjet e sigurisë është i rëndësishëm. Krimi i organizuar dhe ndërhyrjet nga aktorë të këqij përbëjnë kërcënim për vendet tona dhe rajonin. E këto sfida edhe mund t’i adresojmë bashkë në mënyrë efektive, edhe mund t’i tejkalojmë përmes angazhimit të përbashkët.

Ne duhet të punojmë së bashku për ta forcuar bashkëpunimin rajonal. Në këtë drejtim, Procesi i Berlinit është kuadri që jo vetëm bashkon të gjithë rajonin, por na afron edhe më shumë me Bashkimin Evropian. Ky proces, në Samitin e fundit ku isha së bashku me Kryeministrin Mickoski në Berlin, i dha jetë Tregut të Përbashkët Rajonal, në Samitin me rastin e 10-vjetorit të Procesit të Berlinit dhe kjo tashmë është lidh me Planin e Rritjes së Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor.

Dy republikat tona kanë shumë të përbashkëta, por ajo që qëndron mbi të tjerat, sigurisht është aspirata për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe për t’i kontribuar paqes përmes aleancës veriatlantike, NATO.

Maqedonia e Veriut është tashmë anëtare e NATO-s dhe ne po bëjmë përparim drejt këtij qëllimi, përderisa e kemi NATO-n të integruar në Kosovë. Ne e vlerësojmë mbështetjen e Maqedonisë së Veriut për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe për mbështetjen për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.

Rrugëtimi drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, drejt avancimit demokratik dhe rritjes ekonomike, është rrugëtim i përbashkët dhe ne ju përgëzojmë juve, i nderuari kryeministër Mickoski dhe të gjithë juve ministra të kabinetit qeveritar për reformat e rëndësishme, të cilat i keni marrë në këtë drejtim. Ne jemi të vetëdijshëm se reformat nuk janë të lehta. Ato kërkojnë përkushtim dhe angazhim të palëkundur ndaj vlerave demokratike dhe sundimit të ligjit, por kur punohet me nder, me sinqeritet dhe gjithmonë duke zbatuar ligjin, edhe rezultatet kurrë nuk mungojnë.

Së bashku mund ta mbështesim njëri-tjetrin, të ndajmë praktikat më të mira dhe të mësojmë prej përvojave të njëri-tjetrit.

E gjersa bëjmë progres në reformat drejt Bashkimit Evropian, le të mbetemi vigjilentë edhe për rreziqet që kemi përreth. Ka në rajonin tonë akterë që u shërbejnë fuqive e superfuqive keqdashëse, që synojnë ta ndalin progresin dhe të tërheqin rajonin mbrapa, duke mos lejuar që demokracia, të drejtat e njeriut e sundimi i ligjit, të jenë vlerat tona themelore, ashtu siç ne duam.

Andaj, është vendimtare që ta mbajmë orientimin tonë strategjik të qartë, orientim që përputhet me aspiratat tona të përbashkëta për integrim në NATO dhe BE. Ne besojmë në parimet, të cilat qëndrojnë në zemër të NATO-s dhe të BE-së, pra të demokracisë, të drejtave të njeriut e të sundimit të ligjit.
Të dy vendet tona kanë përafruar politikën e jashtme dhe të sigurisë me atë të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe mbetemi të palëkundur në këtë drejtim.

E dënojmë gjithnjë agresionin ushtarak, të paprovokuar e ilegal të Rusisë ndaj Ukrainës dhe kujdesemi që të mos ketë efekte në rajonin tonë.
Në Maqedoninë e Veriut shohim një vend mik, me të cilin jemi të lidhur jo vetëm përmes gjeografisë, por edhe nga vlerat e përbashkëta dhe nga njerëzit tanë. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut duhet t’i vështrojmë si vlerë e shtuar, si ura të pashembshme të bashkëpunimit më të ngushtë e më të fuqishëm ndërmjet dy republikave tona.

Respektimi i të drejtave të qytetarëve pa dallim përkatësie kombëtare bazuar në standardet më të mira evropiane, është detyrë edhe e Kosovës edhe e Maqedonisë së Veriut, por edhe angazhim e përkushtim i yni si dy vende demokratike që aspirojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Bashkëpunimi dhe bashkërendimi mes nesh, përveçse i nevojshëm si shtete fqinje, është edhe i domosdoshëm për shkak të ndërlidhjes së qytetarëve tanë.

Ne jemi dy shtete, por gjithsesi fqinje dhe të të njëjtit rajon.

Unë ju dëshiroj juve suksese gjithnjë e më të mëdha në punët e mira që bëni në zbatimin e programit qeveritar për qytetarët pa dallim dhe ju falënderoj për përkushtimin për forcimin e lidhjeve midis vendeve tona dhe pres të punojmë së bashku për thellimin e këtij bashkëpunimi dhe forcimin e partneritetit në interes të vendeve tona, të qytetarëve dhe të rajonit.

Faleminderit Kryeministër Mickoski, faleminderit të gjithëve. 

Më shumë foto gjeni në linkun më poshtë:

https://kryeministri.rks-gov.net/blog/qeveria-e-republikes-se-kosoves-dhe-qeveria-e-maqedonise-se-veriut-mbajten-mbledhjen-e-dyte-te-perbashket/

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu