Sadri Ramabaja, Prishtinë
____
Në një intervistë dhënë portalit Epoka e re, përveç tjerash, Bardhyl Mahmuti, miku im, ka sjellë variantin e tij për emërimin e Drejtorisë Politike që veproi në kuadër të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.
Bardhyl Mahmuti: “…Në kuadër të përpilimit të strategjisë që përgjigjet tona të ishin tërësisht koherente pavarësisht temave që dilnin, lindi edhe çështja se si do të përgjigjeshim lidhur me atë se kush udhëhiqte politikisht UÇK-në. Në diskutim rreth kësaj teme lindi ideja e termit “drejtori politike”.
Sadri Ramabaja:
Për hir të së vërtetës, po sjell variantin tim rreth kësaj ideje.
Në një prej mbledhjeve të para të Shtabit Mobilizues për UÇK që kishim krijuar në CH në fillim të vitit 1998, duhet të ketë qenë shkurti i 1998-ës, e kam propozuar këtë emër taksativisht: DREJTORIA POLITIKE.
Arsyeja ishte e natyrës politike e pragmatike. Gjykoja se koha ishte që UÇK të kishte krahun e saj politik edhe publikisht, pavarësisht se supozimi ynë ishte i qartë – e dinim se ishte krjuar nga LPK-ja, por nuk kishim idenë kush ishte drejtuesi i saj politik.
Nga përfaqësuesit e LPK-së në atë takim na u tha se “amerikanët nuk duan të kenë punë me kryesinë e LPK-së.”
Për mua kjo përgjegje ishte disi e vetkuptueshme, duke pasur parasysh prapavijën ideologjike të Kryesisë së LPK-së dhe paragjykimet që ishin krijuar për LPK-në edhe nga strukturat legale politike në Kosovë.
Atëherë unë propozova që ky pozicion, pra i përfaqësimit politik, t’i besohej Lëvizjes për Bashkim, e sapo themeluar, që atëbotë udhëhiqej nga Profesor Rexhep Qosja dhe Mehmet Hajrizi.
Meqë edhe për këtë kishte kundërshtim nga përfaqësuesit e LPK-së, duke u arsyetuar se nuk do të ishte propozim që tumiret nga baza e LPK-së, unë dola me idenë që të krijohej Drejtoria Politike brenda vetë UÇK-së dhe shprehëm gadishmërinë disa prej nesh që të hynim në Kosovë me detyra konkrete në këtë plan.
Pati heshtje të plotë nga përfaqësuesit e LPK-së.
Më ngjet se Ramadan Avdiu e paska pas parapëlqyer si ide dhe e ka ruajtur në kujtesë, duke e futur në jetë në momentin e përshtatshëm.
Ose mundësia tjetër reale është se Bardhyli, që shkruan se ishte bartës i kësaj ideje, të ketë qenë në të njejtat valë të të menduarit, meqë fundja ne tok ishim nga po e njejta shkollë politike.
Kur u bë publik emërtimi i Drejtorisë Politike ne në Shtabin Mobilizues të UÇK-së për Ch e patëm pritur mirë, meqë e konsideronim rrjedhimisht si kontribut tonin.
Emërtimi i Drejtorisë Politike më rezulton se paska qenë krejt i ngjashëm me atë të UÇK-së.
Siç dihet tashmë, propozimin për emrin e UÇK-së e kishte dhënë Dr Nikë Gjeloshi, nëdrkaq në Kryesinë e LPK-së e kishte bartur njëri prej anëtarëve të kësaj kryesie.
Ky tashmë është fakt notar.
Kur e kam propozuar ide për Drejtorinë Politike prezent kanë qenë përveç tjerëve që nuk më kujtohen: Sami Dërmaku, Muhamer Shabani, dr Besnik Abazi, Dr Sefer Gashi (atëherë student i mjekësisë në Uni Zuerich), Dedë Musë Martini, Tahir Geci, Bashkim Mazreku, Ramadan Avdiu, Musa Xhaferi, Dr Bajram Shabani [atëherë student i mjekësisë]….
Unë dhe Bajram Shabani ishim në emër të UNIKOMB-it.
Ky fakt është i regjistruar në proçesverbalin e takimit të Shtabit Mobilizues të UÇK-së për Zvicër, që pritet të publikohet tok me dokumentet tjerë, në një botim të posaçëm.