ARKIVI:
20 Nëntor 2024

Reagim publik prononcimit të kryetares së Kosovës në gazetën “REPUBLIK” të Zvicrës

Shkrime relevante

Historia dhe mesazhi tradicional i presidentëve dje dhe sot për gjendjen aktuale në SHBA dhe Presidenti TRUMP

Klajd Kapinova, New York Gjendja e Unionit (ndonjëherë përdoret në mënyrë të...

Mickoski: Gjuha shqipe nuk po rrezikohet, nuk i pengon askujt

G.K/RTKlive “Askush nuk është kundër gjuhës shqipe, as në Maqedoni, askush nuk...

52 vjet nga Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe

Nga: Edlira Ruzi 20/11/2024 TIRANË, 20 nëntor/ATSH/ Më 20 nëntor 1972, u mbajt...

210 vjet nga lindja e Jeronim de Radës, ideologut arbëresh të Rilindjes Kombëtare

Nga: Edlira Ruzi TIRANË, 19 nëntor/ATSH/ Më 19 nëntor të vitit 1814...

Intervistë e Lis Bukurocës dhënë gazetares Rudina Xhunga (Video)

Erdha në Shqipëri të bëj dhëmbët dhe zbulova sekretin e madh!...

Shpërndaj

Osman Osmani, pensionist, Zvicër

Reagim publik prononcimit të kryetares së Kosovës në gazetën “REPUBLIK” të Zvicrës në lidhje me Marrëveshjen ndërshtetërore për sigurimet shoqërore Zvicër – Kosovë

Kur është prishur marrëveshja ndërshtetërore mes Kosovës dhe Zvicrës qytetarët tanë kanë qenë thellësisht të prekur dhe e kanë ndier veten të diskriminuar dhe të pambrojtur. Me këtë rast ka pas thashetheme të ndryshme. Shumica me të “nime” e shumë pak të bazuara në të dhëna e informata objektive. Dikush ka dëgjuar këtë e dikush atë, dikush kështu e dikush ashtu. Për një njeri te zakonshëm e dosido kjo është një gjë normale.

Mirëpo, kur një personalitet publik me mandat shoqëror, jo çfarëdo, por vet presidentja e vendit, qe ka një staf te begatshëm këshilltaresh te deklarohet publikisht për një çështje që prek interesat ekzistencial të shumë shtetasve te saj, te „flet me te dëgjuara” dhe nga ato të dëgjuara përzgjedh pikërisht përflitje që kane shërbyer për pretekst të diskriminohen rreth 50’000 qytetarë, të cilët kane punuar rende ne Zvicër dhe janë kthyer për te jetuar e kontribuar ne Kosovë, ky është autogol i dëmshëm dhe nuk ka të bëjë fare me diplomaci.

Fjala është për intervistën  e Kryetares së vendit tonë, Dr. Vjosa Osmani dhëne gazetares Franziska Tschinderle për gazetën “Republik” të Zvicrës. Po citojmë:

Gazetarja: Me rreth 200,000 njerëz, Zvicra pas Gjermanisë ka diasporën më të madhe të shqiptarëve të Kosovës. Deri në vitin 2019, vlente: vetëm ata që janë banorë të Zvicrës mund të marrin pension. Rreth 50,000 njerëz që u kthyen përsëri në Kosovë nuk morën asgjë. Çfarë mendoni ju për këtë?

Presidentja: Nga sa kam dëgjuar, burokracia kosovare ishte problemi. Proceset janë zvarritur shumë gjatë. Marrëveshja e sigurimeve shoqërore bartej nga një qeveri kosovare në tjetrën. Tanimë ajo ka hyrë në fuqi. Unë mund të kuptoj njerëzit të cilëve u është mohuar kjo e drejtë për vite me radhë. Por nuk dua t’i drejtoj gishtin askujt. Negociata të tilla kërkojnë shumë diplomaci.

Çmimi i lartë i diskriminimit

Shtetasit nga Kosova kanë punuan për vite të tëra në Zvicër dhe kanë paguan kontributet në sigurimet e detyrueshme shoqërore, por kur erdhi radha që ata të marrin një pension të pleqërisë ose invaliditeti për të kaluar moshën e tyre të pensionimit në vendin e tyre, ata mbetën duarbosh.  Fjala është për mijëra e mijëra njerëz, të cilët përgjatë 10 viteve të fundit u diskriminuan financiarisht për shkak se Zvicra në vitin 2010 vendosi për të mos vazhduar zbatuar Marrëveshjen e sigurimeve shoqërore me ish- Jugosllavinë në raport vetëm me Kosovën.

Justifikimet e Qeverisë Federale të Zvicrës për këtë veprim në atë kohë ishin shpesh kundërthënëse dhe argumentet e nxjerra dukeshin të konstruktuara. Argumenti i fundit ka qenë: “Marrëveshja e sigurimeve shoqërore shërben për koordinim të sistemeve shtetërore. Kontraktimi i tyre ka si parakusht sistemet funksionale të dy Shteteve Kontraktuese.” Me çka donin të thoshin se në Kosovë nuk funksionin një sistem i tillë.

Argumentet e Këshillit Federal të atëhershëm për ne nuk ishin bindëse, pasi që sillnin gjithmonë arsyetime nga më të ndryshmet. Por, edhe fakti se për dallim nga Marrëveshja e sigurimeve shoqërore, Zvicra po në vitin 2010 ka lidhur marrëveshje të tjera me Kosovën, për shembull atë për riatdhesim apo kthim të qytetarëve të saj, si parakusht për të dëbuar shtetas të Kosovës nga Zvicra,  dhe atë mbi partneritetin e migracionit, tregon se bashkëpunimi i dy shteteve kontraktuese funksiononte për mrekulli. Në të vërtetë nga këto marrëveshje përfitonte më së shumti Zvicra dhe është më se e natyrshme që ky shtet të shfrytëzonte në maksimum diplomacinë dhe aktet shtetërore për përfitime të Zvicrës. Ka narrativ i imponuar nga Zvicra ka has në “mirëkuptim” nga pala kosovare edhe për të mbuluar gabimet e tyre dhe mosinteresimin për një çështje vitale për një numër të madh të qytetarëve të saj.

Në fakt, për hire të vërtetës shtysa për prishjen e marrëveshjes në fjalë ka qenë një mocion parlamentar i Partisë Popullore Zvicerane (SVP), e cila donte të udhëzonte Këshillin Federal (Qeverinë e Zvicrës) që „të prishë të gjitha marrëveshjet për sigurimet shoqërore me shtetet pasuese të ish-Jugosllavisë, përkatësisht për të mos i ri negociuar ato.” Fushata e kësaj partie me ngjyra ksenofobe kishte arritur kulmin në diskriminimin e shtetasve shqiptar të Republikës së Kosovës. Qeveria federale, refuzoi ri negocimin e marrëveshjes me shtetet tjera. Përjashtim bëri tek Kosova.

Për shtetasit e Kosovës, vendimi nënkuptonte se ata do të merrnin pensionet e tyre vetëm nëse ata kishin vendbanim në Zvicër. Mirëpo, shumë prej tyre kishin ndjekur apelet e autoriteteve zvicerane, të cilat pas luftës sugjeruan kthimin në atdhe madje edhe duke mbështetur ata.

Ne bashkë me sindikatën Unia dhe partnerët tanë e kemi cilësuar këtë veprim si diskriminim selektiv dhe kemi kërkuar pandërprerë vazhdimin e zbatimit të Marrëveshjes ekzistuese deri në përfundimin e një të reje.

Gjatë këtyre viteve kanë vdekur edhe disa të prekur, ndërsa gratë e tyre të veja që kanë rritur fëmijët, bashkë me jetimët kanë mbetur gjithashtu duarbosh. Edhe fëmijët e të rinjtë që vijonin shkollimin ishin në mesin e viktimave, për shkak se ata nuk vazhduan të merrnin shtesat për fëmijë apo ato të arsimimit.

Situata e të prekurve të siguruar ka qenë shumë e vështirë. Ata, çka është e vërteta u ndjenë të braktisur nga të dy shtetet dhe çmimi i këtij diskriminimi ishte i lartë. Marrëveshja e re nuk ka ofrua kompensim retroaktiv për periudhën kohore gati 10 vjeçare në të cilën nuk është zbatuar marrëveshje. Përderisa veprimtarët e mërgatës sonë me sindikatën Unia dhe partnerët e tjerë të saj ka kërkua nga Qeveria Federale një zgjidhje e cila mundëson përfitimin e pensioneve edhe nga koha kur nuk është zbatuar marrëveshja, institucionet e Kosovës dhe tani së fundi edhe zonja presidente as që adresojnë këtë çështje, por merret me të dëgjuara si formë e “diplomacisë së lartë”.

Padrejtësia nuk merr fund me marrëveshjen

Gjatë këtyre 10 viteve, edhe përkundër kërkesave të shumta të qytetarëve të dëmtuar, zëri i të prekurve është përfaqësuar kryesisht nga sindikata Unia e Zvicrës dhe aktivistët e diasporës sonë atje e këtu. Ishte sindikata Unia ajo, e cila u angazhua zyrtarisht dhe përmes fushatës politike e veprimeve tjera konkrete të luftojë panda diskriminimin selektiv e ekskluziv ndaj shtetasve të Kosovës dhe bashkë me partnerë në Zvicër e Kosovë dha kontribut të dukshëm e të shumanshëm në arritjen e marrëveshjes së re. Unia ka vazhduar të kritikon faktin se marrëveshja e arritur nuk parasheh masa për kompensim të të prekurve për këto dhjetë vite pa marrëveshje dhe bashkë me partnerët kërkon prej të dy Qeverive të gjejnë një zgjidhje për kompensim të shpejtë të personave të prekur.

Ti kthehemi pyetjes nga gazetarja. Pra presidentja e vendit në vend se të merr seriozisht hallin e të prekurve të dëmtuar dhe të shfrytëzojë nga rasti i pyetjes së shtruar për të kërkuar një zgjidhjen për të riparuar sadopak dëmet për të dëmtuarit (shtetasit që përfaqëson), ajo flet se çka paska dëgjuar dhe për diplomaci të lartë.  Ky fakt irriton, kur merret parasysh se Kryetarja e shtetit ka qenë deputete e kuvendit kur është debatuar ratifikimi i marrëveshjes dhe Ministri përgjegjës në atë kohë ka qenë kolegu i saj i LDK-së, Ministri Abrashi.

Injorimi i diasporës ka sistem

Unë me presidenten e Kosovës, me te cilën rastësisht na lidh mbiemri i përbashkët, nuk kam asgjë personale. Bile i kam pëlqyer e lavdëruar veprimet dhe prononcimet e saja disa herë, përderisa ato kanë qenë parimore dhe të dinjitetshme për një kryetare shteti.

Mjerisht, brenda një kohe te shkurte 24 orësh mu desh te reagoj në dy prononcime publike të zonjës presidente. Dje pasi në „përkrahje” te ushtrisë çlirimtare të Kosoves përzgjodhi të filloi me një shembull dhe të lavdëroi një eksponent me biografi të dyshimte deri edhe penale e me veprime te dëshmuara pjesëtuese të UÇK, ne vend se të mbetej tek prononcimi i pardjeshëm i dinjitetshme në mbrojtje te pararendësit të saj. Ndërsa tani më duhet reaguar pasi kemi të bëjmë me një fushatë e betejë 10 vjeçare ku është investuar shumë kohë, punë, mund, mjete e resurse, për të arritur tek marrëveshja e re me gjithë mangësinë saj. Kjo nuk guxon të mos përfillet, por as edhe angazhimi i madh e as gjithë ato mjete që u kanë takuar qytetarëve të vendit, të cilëve padrejtësisht nuk jua janë paguar deri me tani.

Ne vizitën e saj në Bernë sa ishte ushtruese e detyrës së kryetares së shtetit, kishte një paraqitje shembullore para opinionit zviceran, për çka u vlerësua shkëlqyeshëm. Në kuadër te kësaj vizite, zonja ushtruese e detyrës se kryetares se shtetit takoi edhe „përfaqësuesit e diasporës”. Ne këtë takim, në fjalë fjalën time të shkurtë, në emër të grupimit “Zëri progresiv” dhe shoqatës profesionale prointegra.ch, ndër adresimin e çështjeve të shumta kam marrë si shembull edhe Marrëveshjen ndërshtetërore në fjalë duke theksuar edhe pritshmërinë tonë. Me pas për të mos përfunduar në harrese gjithë ato që kam theksuar, u kam shkruar me gjerë për nevojat e përfshirjes se profesionisteve dhe rrjeteve te diasporës edhe ne politikat ndërshtetërore si ambasadorit te Republikës se Kosovës ne Zvicër ashtu dhe presidencës. Deri më tani kanë kaluar muaj të tërë, ndërsa unë dhe grupimet në fjalë ende nuk kemi marr asnjë reagim të vetëm, qoftë edhe formal të konfirmimit të pranimit te shkresës në fjalë.

Para pak ditësh janë bërë publike edhe në Ueb faqen e Partisë Socialdemokrate e Zvicrës pritjet tona karshi dy vendeve tona – Zvicrës dhe Kosovës. Shfrytëzojmë nga rasti Ftojmë presidenten dhe të gjithë përfaqësuesit institucional të Republikës së Kosove të mos tregohen mospërfillës, por të marrin seriozisht dhe të mos neglizhojnë preokupimet, nevojat e kërkesat tona dhe kështu të respektojnë pikësëpari funksionet dhe detyrat që u jep mandati politik, publik e shoqëror.

Uroj qe kjo të jetë hera e fundit që duhet të reagohet publikisht karshi prononcimeve të presidentes së vendit dhe mbetet të shpresojmë në maturi e rrezatim gjithëpërfshirës uniteti  sa i përket prononcimeve si në raport me opinionin e brendshëm ashtu edhe me atë te jashtëm.

Këtij reagimi në vijim po ia bashkëngjisim edhe 2 materiale të vlefshme që kanë të bëjnë me tematikën dhe të cilat institucioneve të Republikës ë Kosovës duhet tu shërbejnë si orientim udhërrëfyes në marrëdhëniet ndërshtetërore me Zvicrën.

Bashkangjitur:
Komunikata e Zërit Progresiv mbi zgjedhjet e fundit:

https://prointegra.ch/demokracia-perfshirja-dhe-perfaqesimi-ne-proceset-shoqerore/

Rezoluta e migrant*eve socialdemokrate dhe Partisë Socialdemokrate të Zvicrës mbi kontributi i diasporës për një zhvillim të qëndrueshëm dhe demokratik të Republikës së Kosovës:

https://www.sp-ps.ch/de/kosova-ne-levizje-kontributi-i-diaspores

Me shumë respekt e konsideratë të lartë njerëzore e qytetare
Osman Osmani, pensionist dhe udhëheqës i fushatës së Unia për marrëveshjen për pensione 2010-2020

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu