“Historia e një krimi lufte”, nga William G. Walker – ngjarja që ndryshoi të ardhmen e Kosovës.
Frank Shkreli me William Walker
Autori me mikun e shqiptarëve dhe me mikun e të VËRTETËS, Ambasadorin William Walker — folësit kryesorë në festimin e 15-vjetorit të Shpalljes së Pavarsisë së Republikës së Kosovës — organizuar nga Shoqata Shqiptaro-Amerikane, “Skenderbej”, Inc. në Nju Jork, 12 Shkurt, 2023
Nga: Frank Shkreli
25-vjet më parë forcat terroriste ushtarako-policore të Serbisë fashiste kanë ndërmarrë një sulm barbar kundër banorëve të një fshati të vogël të Kosovës, i quajtur Reçak, nja 30-killometra në jug të Prishtinës. Javën që kaloi, masakra barbare e kryer me 15 të janarit 1999, u kujtua nga qindra pjesëmarrës – përfshir udhëheqsit më të lartë të Republikës së Kosovës –që morën pjesë në aktivitetet e organizuara për të nderuar dhe kujtuar, si çdo vit, 45 civilët e pafajshëm shqiptarë, të vrarë nga forcat terroriste serbe.
Në veprimtaritë që shënuan 25-vjetorin e kësaj dite të rëndë në historinë e Kombit shqiptar, mori pjesë edhe Ambasadori amerikan William Walker, ish-Shef i OSBE-së në Prishtinë 2-dekada e gjysëm më parë. Siç dihet, ishte Ambasadori i nderuar amerikan William Walker, ai i cili me të shkuar në vendin masakrës, asaj ngjarjeje të tmershme, atij krimi kundër njerzimit, një ditë më vonë me 16 Janar, 1999 — ku ishin hedhur kufomat në Reçak – njoftoi Shtetet e Bashkuara dhe botën mbarë për masakrën serbe kundër civilëve shqiptarë në Reçak. Ishte vlerësimi i gjendjes së përgjithshme shumë të rëndë në Kosovë në atë kohë dhe sidomos dëshmia e Ambasadorit Walker për masakrën që kishte parë me sytë e vet në Reçak, që çoi më në fund në ndërhyrjen e NATO-s kundër forcave terroriste policore dhe ushtarake serbe në territorin e Kosovës dhe anë e mbanë Serbisë. https://telegraf.al/opinion/frank-shkreli-masakra-qe-ndryshoi-politiken-boterore-ndaj-kosoves-2/
Ashtu si edhe çdo vit tjetër, në këtë datë të zezë, Ambasadori Walker e ka bërë zakon dhe viziton Kosovën dhe Reçakun në shoqërimin e udhëheqsve më të lartë Kosovës. Kështu ndodhi edhe sivjet në 26-vjetorin e masakrës në Reçak – aty në “Reçak, fshatin e vogël, me histori të madhe”, siç e cilësoi Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë përkujtimit të këtij viti, “Aty ku 26-vjet më parë, njerëzorja dhe mizorja patën ndeshjen më makabre, në këtë pjesë të Evropës”, është shprehur Zonja Osmani. “Kujtesa jonë është mburojë kundër harresës dhe garanci që krime të tilla nuk do të përsëriten kurrë më”, ka thenë Presidentja Vjosa Osmani. “Reçaku nuk është vetëm një tragjedi që lidhet me këtë fshat dhe banorët e tij. Është dëshmi e vuajtjeve të gjata të popullit tonë që kërkoi dhe vazhdoi të luftonte për liri dhe për të drejtën e ekzistencës”, ka thenë Presidentja e Republikës së Kosovës. Ndërsa kryeministri i Kosovës Albin Kurti gjithashtu gjatë ceremonive përkujtimore në kujtim të masakrës së Reçakut tha se deklaratat e Walker, drejtuar Amerikës dhe botës, pas masakrës “ekspozuan brutalitetin me të cilin po përballej Kosova dhe ndryshuan diskursin ndërkombëtar për luftën e Kosovës…Deklaratat e ambasadorit Walker ishin denoncime zyrtare të forcave dhe autoriteteve serbe, të cilat po kryenin krime kundër njerëzimit dhe krime lufte kundër civilëve shqiptarë në Kosovë”, është shprehur Kryeministri I republikës së Kosovës, Albin Kurti.
Reçaku dhe Kosova, në shenjë falënderimi, 8 vite më parë ngritën në Kompleksin Përkujtimor në Reçak, përmendoren e Ambasadorit William Walker. Sivjet në 26-vjetorin e masakrës, Ambasadori Walker ia këthei nderin Reçakut dhe Kosovës me botimin e një libri monumental si dëshmi historike për brezat e ardhshëm të shqiptarëve –mbi krimet serbe kundër njerzimit ndaj shqiptarëve të Kosovës në Reçak. Një rast ky që sërish sjell në kujtesë atë që ndodhi në Reçak 26-vjet më parë nga një autor dëshmitar okular i asaj masakre. Dëshmi autentike për krimet e kryera nga regjimi i Serbisë në Kosovë.
Një libër-monument, si të thuash, një dhuratë që Ambasadori Walker tha se ia kishte premtuar Kosovës pothuajse 25-vjet më parë. Ai kërkoi ndjesë me këtë rast, duke shprehur keqardhjen e tij që i mori aq shumë kohë ta botonte librin e premtuar. Por, ja më në fund, shtoi ai, libri u botua në shqip dhe anglisht për lexuesit sot dhe për brezat e ardhëshëm të shqiptarëve, nesër. “Jam shumë i kënaqur që u mundësua botimi i këtij libri – i kënaqur gjithashtu se Presidentja dhe Kryeministri më kanë thenë se ky libër është një thesar për rininë e këtij vendi në veçanti dhe për popullsinë e Kosovës në përgjithsi. Për ta është shumë e rëndësishme dëshmia ime e ngjarjeve, pjestar i të cilave isha dhe arsyeja se pse mora pjesë në ato zhvillime 26 vjet më parë”, është shprehur Ambasadori Walker në lidhje me botimin e librit: Reçak: Historia e një Krimi Lufte, që u promovua, javën e kaluar në Librarinë “Duklagjini” të Prishtinës me 15-16 Janar.
Në një njoftim i datës 14 Janar. 2025 nga zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti thuhet se në një takim që zhvilloi me ish-diplomatin amerikan William Walker, ish-shef i Misionit Verifikues të OSBE-së, ata diskutuan një nga ngjarjet më të rëndësishme dhe tragjike të historisë moderne të Kosovës: Masakrën e Reçakut dhe dëshminë e paçmueshme të Ambasadorit Walker për këto ngjarje. Në këtë takim, Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen për angazhimin e Ambasadorit Walker në mbështetje të së vërtetës dhe drejtësisë, si dhe për kontributin e tij në përkujdesjen dhe promovimin e ndihmës ndërkombëtare gjatë periudhës së luftës në Kosovë. Njëherazi, ai theksoi përpjekjet dhe ndihmën financiare prej 70,000 eurove dhenë nga qeveria e Kosovës për këtë iniciativë të rëndësishme duke bërë të mundur botimin e librit të kujtimeve të Ambasadorit Walker, ku dokumenton ngjarjet e tmerrshme të Masakrës së Reçakut. Në njoftim thuhet se Kryeministri Kurti tha se ky libër dhe këto dëshmi të Ambasadorit Walker do të shërbejnë si një mjet për promovimin e së vërtetës për Kosovën dhe për forcimin e narrativës ndërkombëtare që vendi ynë ka përjetuar gjenocid nga ana e shtetit të Serbisë. Vepra si ky libër na ndihmojnë të ruajmë kujtimin e ngjarjeve të tmerrshme si masakra e Reçakut. Ndërsa, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani tha me këtë rast, se “Të rinj, të reja e fëmijë që takuam sot, janë brezi i ri i Reçakut, pasardhësit e viktimave, që dëshmojnë pathyeshmërinë e qëndresën e popullit tonë, përkundër sakrificës e dhimbjes së madhe — Lavdi martirëve e dëshmorëve të Reçakut!, është shprehur Vjosa Osmani. Ndërkaq, edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara përkujtoi përvjetorin e masakrës së Reçakut me një NeverForget, duke thenë se Shtetet e Bashkuara i bashkohen popullit të Kosovës duke kujtuar viktimat e masakrës së Reçakut: “Një pikë-kthese tragjike kjo për njerëzimin, por që nxiti botën të veprojë. Ndërsa nderojmë viktimat, ne ripërtërijmë angazhimin tonë të përbashkët për të vërtetën, drejtësinë dhe pajtimin,” thuhet në reagimin përkujtimor të Ambasadës Amerikane në Prishtinë.
Libri i ish-diplomatit amerikan William Walker, “Reçak: Historia e një Krimi Lufte”, është një autobiografi mbi jetën ç’prej fëmijërisë dhe një përshkrim i veprimtarisë së tij të gjatë diplomatike deri në largimin e tij nga detyra e Shefit të Misionit Verifikues të OSBE-së, që ai kryesonte në Kosovë, në kohën e masakrës së Reçakut. Ky është një libër nga një ambasador i një vendi të madh mik i Kosovës dhe shqiptarëve – ish-diplomati amerikan Wlliam Walker — i cili si dëshmitar i masakrës së Reçakut, ka shkruar me këtë rast një histori të vërtetë, paanësisht, duke treguar të drejtën dhe ngjarjen e vërtetë të tragjedisë në Reçak – me rëndësi për historinë e Kombit shqiptar por edhe për historinë e Ballkanit dhe të Evropës. Ambasadorit Walker i urojmë jetë të gjatë – është me gëzim e përzemërsi që çdo shqiptar kudo të përshëndesi botimin e William Walker, “Reçak: Historia e një Krimi Lufte”, Lavdi martirëve të Reçakut – I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre!
Ish-Diplomati amerikan, William Walker duke dedikuar për një blerës librin: “REÇAK: HISTORIA E NJË KRIMI LUFTE”, në promovimin e veprës së tij, në hapësirat e Librarisë “Dukagjini”, në Prishtinë, javën e kaluar
Lavdi martirëve të Reçakut!
Udhëheqsit e Republikës së Kosovës nderojnë diplomatin amerikan, Ambasadorin William Walker, njeriun që ekspozoi masakrën brutale të forcave terroriste serbe kundër civilëve të pafajshëm, 26-vjet më parë, në fshatin Reçak të Kosovës
Versioni anglisht Versioni shqip