ARKIVI:
24 Dhjetor 2024

Recension për librin poetik të Isuf Bajraktarit, Ëndrra ime nuk ndalet

Shkrime relevante

Po përsëritet historia! KQZ-ja (s) ka të drejtë!

Prof. Fadil Maloku, sociolog nga Prishtina Në vitin 2013 (si ish anëtarë...

Kontradikta dhe abuzimi politik i Edi Ramës, dëmton rëndë Kosovën dhe Shqipërinë

Nga: Luan Dibrani Kritika ndaj Edi Ramës dhe Pozita e Qeverisë Shqiptare...

Te Nënëlokja e UÇK -së, NËNË STANA!

Nga: Nusret Pllana BRUS - lagjja Peshter Me bashkëluftëtarin tim Ismet Sylejmani, vizituam...

Vuçiq, Albin Kurti nuk është KQZ!

Gani Mehmeti Pas Reagimit ti kryetarit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq me rastin...

Hajgarja e vitit nga Qeveria: pensionistët e diskriminuar mbeten në harresë!

Nga: Zeqir Bekolli, Drenas ___ Qeveria këtë fundvit vendosi të bëjë një tjetër...

Shpërndaj

Shkruan: Syhejl HAVOLLI 

KËNDVËSHTRIMI I REDAKTORIT 

Recension 

Rrallëherë kam lexuar një përmbledhje me poezi, siç është kjo e poetit Isuf Bajraktari, të titulluar ËNDRRA IME NUK NDALET tashmë i njohur në letrat tona shqipe të kësaj fushe artistike që fillon maratonën e poezive me po të njëjtën poezi Ëndrra ime nuk ndalet, deri tek përfundimi i përmbledhjes, vërtet përmbledhur e ka me të mirën poezi dhe kuptimplote të pjekurisë –  Burrëria. 

Ndjenjat, emocionet, dhimbja për familje, për shoqëri e për atdhe është çelësi thelbësor i imagjinatës që i shfaqet orë e çast. 

Autori u hyn thellësive të veta dhe nxjerrë në sipërfaqe tërë atë që i vlon në shpirt, tërë ato ndjenja, rrallë vezulluese e shpesh të zymta, të rënda sa vetë jeta. 

Është besnik i ëndrrave të shpërfaqura pothuajse në çdo poezi, sepse këto sikur ia këndellin shpirtëroren deri në amshim. Malli për Dardaninë që e lidh me Shqipëri – një shtet – një komb nuk i largohet kurrë. Është krenar për atë që ka bërë atdheu duke sakrifikuar jetëra të tëra për liri, për një jetë më të mirë. Trimëritë e pashoqe të atdhetarëve i përshkruan me lot gëzimi, sepse ata ishin që e sollën lirinë dhe e flakën robërinë. 

Autori i kësaj përmbledhjeje, pra Isuf Bajraktari asnjëherë nuk e ndjen vetëm pesimist, përkundrazi – optimist, pavarësisht që jetën e jeton në Skandinavi, atje ku dielli i vendlindjes i mungon, si ma shkurt në Suedi. Jeta e tij është një turbulencë e llahtarshme që edhe hijet ia shtinë frikën dhe e kall tmerrin që e ka kapluar për atdheun, për rininë që e vajton duke i qortuar prajshëm ata që i besuan se është pjekur para kohe. 

Vitet që i trashen në ditarin e jetës sikur ia afrojnë pleqërinë para kohe! Nuk e humb besimin se i takon ende rinisë, mbase edhe si kujtesë e pashlyeshme në trurin e tij të çiltër. 

Ndjenjat që e kaplojnë, poeti zgjon të kaluarën me lot gëzimi kur duheshin dikur. Vaji i tij është dhembja për dhimbjen. Jo, nuk pajtohet edhe  atëherë kur kishte gëzim, Ditën që do të largohej mblodhi tërë fuqinë e durimit dhe në heshtje sikur belbëzonte duke i rrëfyer shpirtit se larg atdheut nuk ka jetë të mirë pavarësisht gjendjes ekonomike. Më në fund një jetë jetohet, një vdekje dhurohet o deshe o nuk deshe murmuriste ndër dhëmb pa e shpërfaqur dhembjen jashtë. 

Është për t’u theksuar se poeti vërtet vuan tej mase duke mos i anashkaluar prindërit që e rritën dhe e edukuan, që e drejtuan kah e mira. Një fshehtësi (intimitet shpirti) e ruan për mall sot e gjithë jetën pa i treguar askujt dhe në këtë mënyrë bën dialog me prindin. Dialogu zgjat shkurt por me krenari duke shpresuar se do t’ia thoshte ndonjë fjalë, por jo! Ofshau thellë pa bërë zë dot dhe në heshtje rënkoi. 

Poeti Isuf Bajraktari s’mund t’i ikën për asnjë çast vuajtjeve të asaj kohe. Herë-herë si në mjegullnajë e shihte fytyrën e babait dhe fjalët i vinin bashkë me retë e bardha duke dëgjuar amanetin e tij për të mos e harruar vatrën, 

Poeti në gati në secilën poezi, apo më mirë të themi në secilin varg kërkon zbërthimin e moteve në shtegun më të butë. 

Ah, medet, jeta i ka ligjet e veta, sa të mira po aq të vrazhdët se dëshira e vetë poetit. Ikja e prindërve në amshim shpirtin ia përbiruan tejpërtej. Ofshante me të madhe, sikur gjëmonin malet duke klithur: 

Në shpirtin tim ke bërë një vrimë 

S’më prite mua edhe një vit më shumë 

Kullën e shpirtit sikur ia rrënoi deri në themel! Pritja nuk e priti ta shoh sa hep e mbyll sytë…! Sa rëndë peshon kjo dhembje në shpirtin e poetit. 

Shumë pyetje ia shtronte vetes mbushur mllef, po pse nuk më shfaqen as në ëndrra përrallat e nënës dhe të gjyshes sime – pse?! Ato i mungojnë dhe përpiqet sidokudo t’i gjej e të ringjallet rinia tashmë e harruar, e gjithë kjo për të qe e kotë por shpresës ende i beson burrnish. 

Poeti në njëfarë mënyre mundohej me mish e me shpirt të bëjë rezistencë gjithë këtyre vuajtjeve e mundimeve. Ëndrrat janë të vetmet që e mbajnë të gjallë në jetë, sepse përmes ëndrrave sikur i shfaqen të gjitha ato që i kërkon dhe flet pandërprerë! 

Cila është kodra më e dashur se rrezja 

Fushat e mbjellura me kallinjtë e grurit shijon 

Ah vendlindja ime e uruar 

Humbëm-ba, jetën e ëndrrave tua. 

Klithjet e tilla janë të shpeshta dhe të llojllojshme në kohë e hapësirë. Rrezja për të është më e dashura, sepse rrezja shijon të lashtat të mbjella me grurë. Megjithatë ofshama që shpërthen si vullkan nga kraharori i poetit për vendlindjen e dashur sikur i kërkon ndjesë pse humba nëpër ëndrrat e jetës të gjitha ato që m’i fale – atdhe. 

Secila poezi rrah të njëjtin motiv, qëndis të njëjtin peizazh, sytë shohin të njëjtin qiell, të njëjtin diell, por jo si të vendlindjes. Bënë akte të veçanta të poezive nuk mungojnë përshkrimet e detajuara të gjendjes emocionale, të çasteve ku konfigurohet dashuria edhe si kujtim, madje edhe si relacion i shkëputur. 

Duke u bërë si endacak i vargjeve i kam paraqitur disa raste thjesht si ilustrues të të vërtetës se njeriu është shkaktari i rrethanave të veta. Poeti, në këtë rast Isuf Bajraktari, pothuajse gjithmonë në mënyrë të pavetëdijshme nuk ka fuqi të harmonizohet në asnjë mëndur me atë që t’i bie deri në fund dëshirës së flakur e të përflakur! 

Poeti jeton larg atdheut dhe për të janë engjëj, por në anën tjetër janë edhe armiq, megjithatë më shumë ka miq se sa armiq. Këtë e thotë me bindje dhe s’është larg mendjes t’i besohet… Vargjet sikur veprojnë mirë dhe kam përshtypjen se kurrë nuk mund të jenë të këqija, përkundrazi. Përdorimi i metaforave është shtyllë në çdo poezi, është gur që s’ka kush e lëviz dot nga vendi, është aty mu ku duhet e gdhendur me mjeshtëri të rrallë e të qëndrueshme. Metaforat e kuptojnë botën shpirtërore të poetit dhe bashkëveprojnë njëkohësisht me poetin. 

Është lëvrues i mirë i vargjeve, siç po shihet në këtë përmbledhje fantastike. Kam bindjen se kjo do të përcillet brez pas brezi si një flakadan bashkë me vargjet që janë zemër e qëndisur mu këtu. 

Të “mirat” e kurbetit nuk e tërheqin, por mallëngjimi dhe dashuria që ka për atdheun, për prindërit, për dëshmorët që dhanë jetën për liri. Këto janë të pashmangshme dhe nuk mund t’i hiqen mësa mishi prej ashtit. 

Dëshirat dhe lutjet e poetit marrin një fije shprese. Poeti nuk e anashkalon atë që e dëshiron dhe i takon. Gjatë gjithë jetës kurrë nuk ka qenë egoist e lakmitar, përkundrazi… 

Gati në të gjitha poezitë shpërfaqen dëshirat e Isuf Bajraktarit për njerëzit që jetojnë larg njëri-tjetrit, po edhe për ata që nuk jetojnë më. Kujtimet e tyre të afërta dhe të largëta i shton dëshirat për afrime e dashuri të pambarim. Me këto kujtime vijnë e bashkohen, vëllezër e motra. Dëshira dhe lutjet vijnë e shtohen në grimcat e tij, madje-madje përmes shtëpive të thjeshta, kasolleve, kujtimeve në robëri. Atdheu është flamuri i Kosovës. Në qoftë se më lejohet të konstatoj po kështu, siç thashë më lart, kohën që jeton autori i kësaj përmbledhjeje sikur ua ndan hisen të gjithëve… 

Tek poezia Kënga e parënduar, vërtet poeti na kujton të madhin Millosh Gjergj Nikolla (Migjeni), ku gërshetohen dhe shpërfaqen me një peizazh të çiltër e të sinqertë. 

Kishin filluar pemët të lulëzojnë 

Erërat e luleve të shumta kishin filluar lëkundjen 

Ora e jetës e kishte sprovuar nga mashtrimet 

Mashtruesi kishte ngritur gishtin 

Ja, sa optimist që është poeti për brezin më të ri që pret të lulëzojnë orë e çast. Sa i ndërgjegjshëm që është kur thotë se edhe erërat e luleve nga gëzimi fillojnë të lëkunden dhe sikur vallëzojnë për një ditë e për shumë mote gaz e hare. Midis tjerash prapë ndjehet i zhgënjyer, ngase ishte sprovuar nga dorë mashtruesish, por shpresa nuk mund t’i shkëputet nga shpirti kurrë. Jetën jeton bashkë me shpresën… 

Është për t’u theksuar se vargjet e poetit Isuf Bajraktari kanë një numër të konsiderueshëm personazhesh. Disa prej tyre flasin e thonë diçka edhe kur heshtin. Heshtja e tyre flet me gjuhën e shpresës. Poeti Isuf Bajraktari ditë e përditë ballafaqohet me këtë realitet, sa të trishtë sa të ngazëllyer. Ai lyp të shtegtoj shtigjeve të dëshiruara, duke u munduar të ta gjej pjesën që i takon, o në mëngjes, o në mesditë, o në mesnatë të vonshme. Mbrëmjeve dëshira e tij endet e shpërfaqet si siluetë në mendje, midis ankthit dhe dëshirës.  Poezia e poetit udhëton horizonteve, udhëton me ne, me brengat dhe hallet e jetës në mërgim. Të rralla i hasim lirikat që i trajton poeti, mirëpo ato janë të rralla dhe të ndryshme, megjithatë optimizmi e përfshin tërë shpirtin e poetit. 

I shkëputa këto dy vargjet e para të poezisë të titulluar: 

Kujtim pa zë 

Vajtoj pa zë i neveritur 

n´zhvillimin e jetës time 

Pritja këngën e gëzimit 

ta dëgjoja zërin 

Është për t’u çuditur se si vajton pa zë, sepse siç thuhet “Vaji është kënga e burrit” gjatë gjithë jetës që e ndjek pas! Vajton në heshtje, pret në heshtje mrekullinë e lirisë dhe nuk dyshon se do t’i vije. 

Sa bukur e ka filluar dhe sa bukur e ka përfunduar se vërtet liria tek ky ka bërë mrekullia e kundërshtimeve ia solli lirinë. 

Mrekullia e kundërshtive 

sot m´ka sjell lirinë time 

S´këndova atëherë 

kur s´kisha më zë dëgjimi 

Fundi i fundit të poezisë është një mbyllje me optimizëm të pashoq. Është një xixë që i flakëron e i vezullon horizonteve. 

Gjuha poetike e poetit është e gdhendur mirë nëpër secilin varg dhe sjell përvoja të çmuara të artit të shkrimit duke na lehtësuar dhe verifikuar peshën e të shprehurit poetik. 

Rrallë e përmallë është përpjekur të aktrojë  qeshjen e madhe të ngulfatur në gabzherr.  Kjo as që i shkonte ndërmend ta bënte e aq më shumë ta stilizonte në vargje. Jo, sepse jeta në kurbet ia impononte, o me hatër o me zor. 

Çka do të thoshim tjetër, realiteti është ky që lexojmë dhe vërtet ndjehemi të mërzitur, të brengosur, por me shpresë se do të bëhet mirë. Këtu jemi përpjekur të gjejmë nja dy a tri fjalë të cilat na joshin jetën, por poeti Isuf Bajraktari s’kishte fuqi t’i ikte realitetit të hidhur. Kështu e paska jeta, po edhe të kishte mundësi t’i ikte, metaforat flasin qartë dhe bindshëm pothuajse në secilin varg. 

Një brengë e djeg së gjalli edhe për miqtë që nuk pati fatin ta mbush zemrën plot dashuri e krenari që nuk e pa më prindin – babën. Ai nuk e priti ardhjen për t’ia dhënë fjalën e fundit: “Të dua babë”, të dua nënë, familja ime e shenjtë e jetës. Ju keni qenë dhe jeni atdheu im i përlotur… 

Ka rrahur fort mirë dhe kapshëm jetën e mërgimtarëve që jetojnë në mërgim të të gjitha fushave të jetës pa i veçuar profesionet dhe gradat që i përkisnin. Nuk ka bërë dallime, të gjithë i ka fut në një dhembje, në një hall. 

Moti i tillë i ka detyruar mijëra e mijëra shqiptarë të Kosovës të marrin rrugën e mërgimit. Vendin e merituar për paraqitjen letrare të këtij shteti, siç është Skandinavia – Suedia. 

Ja, erdhëm tek thelbi i përfundimit të kësaj përmbledhjeje krejt origjinale që rrjedh nga brendia e zemrës, nga damarët e shpirtit. Vargjet e qëndisura janë nga më të ndryshmet ashtu siç është edhe vetë bota. Më bëri përshtypje se poeti eksploroi edhe në ato poezi me ngjarje reale jetësore, siç është poezia e tij për prindërit të cilët i shikonte të trishtuar, por shpresën e ka në mendje e shpirt për ditë më të mira. 

Poezitë e Isuf Bajraktarit në asnjë rast nuk i ikën temave dhe motiveve klasike, siç është në plan të parë atdhedashuria dhe dëshmi për këtë janë poezitë, gati fund e krye! 

Vargjet e sajuara mirë, në thelb janë të stolisura me figura, madje dendur dhe si të tilla janë elitare, dhe pothuajse secila poezi ka kërkesën e qartë: të ndiejnë shijen e sublimes estetike. Kjo mund të cilësohet si harmoni e mirë midis simbolikës të vendosur saktë. 

Përmbyllja e përmbledhjes i vë kapak Burrëria që është trungu i vjetër i shtëpisë – metaforë e qëndrueshme e lidhur me dëshirën prindërore, pra prind – trung i vjetër. Sakrificë deri tek burrëria që ia dolën prindërit faqebardhë. Megjithatë të mos harrojmë dhe nuk guxojmë ta anashkalojmë asnjëherë të shprehurit e poezisë së tij si një koncept unik që shtrihet në të gjitha fazat e jetës së autorit, veçmas duke pasur parasysh jetën e tij të një rrugëtimi në Skandinavi – Suedi. Edhe poezia e Isufit, sa i përket tematikës, dallon për prirjen që trajton me një shtrirje horizontale në përditshmërinë e jetës.  

Të përgëzoj poet i vargjeve sublime. Uroj që përmbledhja të jetë tek çdo lexues e dashamir i kësaj fushe. 

Të përgëzoj. 

Rrugëtim të mbarë librit tënd nëpër duart e lexuesve që për pasion e kanë poezinë. 

Suksese mik e poet Isuf Bajraktari. 

Isuf Bajraktari

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu