Nga Atë Bernard Caruana O.P.
Me mirënjohje dhe falënderim, kam kënaqësi të bashkëndajë me ju një reflektim që e kam konceptuar në dy momente të shkurtra.
Sociologu Gëzim Alpion, në librin e tij “Nënë Tereza. Shenjtorja dhe Kombi i Saj”1 argumenton se vepra e humanistes së madhe u frymëzua nga virtyte shqiptare që ajo i mori në fëmijëri dhe rini të hershme nga familja. Gjatë gjithë librit, lexuesit ndjekin shqiptarët katolikë në Kosovë, Maqedoni dhe Egjipt dhe njihen me qëndrimin e tyre të qetë, jo të pakuptimtë, pragmatik ndaj fesë2. Ai tregon për shembull se si përpjekjet për të rritur ‘kredencialet patriotike’ të saj dhe të familjes së saj, filluan pasi ajo mori Çmimin Nobel për Paqen (1979) dhe kanë vazhduar që atëherë. Sipas mendimit të tij, qëllimi pas përpjekjeve ishte ‘paraqitja e Nënë Terezës si një heroinë shqiptare, që rridhte nga paraardhës që ishin flijuar vazhdimisht për besimin dhe atdheun’ (f.90).
Janë të shumtë librat, artikujt, konferencat që fokusohen mbi këtë figurë, e konsideruar si poezia e njerëzve të varfër dhe model i veçantë i dashurisë në vepër – Nënë Tereza. Është e çuditshme, si kjo, shqiptarja e vogël fizikisht, ka qene dhe mbetet frymëzim i shumë autorëve duke filluar nga gazetarë, opinionistë, publicistë, studiuesi, teologë dhe filozofë. Shumë fjalë, në fakt, janë shprehur për këtë. Disa janë fluturakë! Disa të tjerë meritojnë një vlerësim më të lartë, qoftë mbi nivelin akademik, dhe qoftë mbi nivelin fetar. Sidoqoftë, fakti që, kudo në botë, shtëpitë botuese tregojnë një interes të jashtëzakonshëm na befason. Për më tepër, ajo vetë, nuk vinte nga bota e librave. Përveç pasionit të rinisë së saj që të bëhej mësuese, të shkruante dhe të recitonte poezi, nuk njohim ndonjë interes të veçantë të Gonxhës ndaj sferës së gjerë e botës intelektuale. Por shkruante! Shkruante letra, meditimet, fjalë të urta dhe lutjet që ajo, me spontanitet dhe kurajo, i jepte kujtdo takonte si tip “kartë vizitë”!
Bashkëvëllezërit e mi domenikanë të Universiteti Papnor “Angelicum” në Romë, ku kam jetuar unë vetë për disa vite, tregojnë kur një ditë ngelen të shastisur kur panë këtë grua të kërrusur, të mbështjellë me një sari indian të modifikuar në ngjyrat bardhë e kaltër, duke përqafuar atë çantën tipike te saj dhe me sandalet, duket shëtitur nëpër korridoret e universitetit. Ç’do Nënë Tereza në universitet? Aty kishte vetëm librat dhe profesorë. Nënë Tereza kishte ardhur për t’i kërkuar dekanit të teologjisë një nder: seminaristët të degës mashkullore duhet të marrin formimin e tyre filozofik dhe teologjik në të njëjtin universitet ku kishte studiuar vite më parë Shën Gjon Pali II.
Një bashkëvëlla tjetër dominikan, profesor me emër nga Irlanda,3 që jepte mësim në të njëjtin universitet, rrëfen takimin e tij të parë me Nënë Terezën. Nuk ishin rrugët e Kalkutës mes të varfërve më të varfër. As një azil për ata që ishin në prag të vdekjes apo një jetimore për fëmijët e vegjël. Nënë Tereza kishte hyrë në klasë. Profesori në katedër, qindra studentë duke ndjekur mësimin. Merr fjalën ajo dhe flet për më shumë se tridhjetë minuta. Fillon dhe mbaron me një lutje. Përqendrohet mbi temën e urisë dhe të varfërisë, duke theksuar se varfëria me e madhe nuk është mungesa e bukës se gojës, por vetmia, duke cituar Biblën dhe Shën Gjonin e Kryqit. Dëshmon profesori: “Së bashku me studentet të mi, gjatë muajve të parë, kishim dëgjuar shumë fjalë, po në atë klasën tonë, por nuk e kisha kuptuar kurrë se fjalët me kaq thjeshtësi dhe çiltërsi mund të depërtonin kaq thellë në mendje dhe në zemër”4.
Po ashtu, dr. Vincenzo Bilotta, mjeku personal i Nënë Terezës dhe profesionist i suksesshëm që kuronte pacientë të rëndësishëm rrëfen këtë dialog me pacienten e tij: “Nënë, unë kam shkruar për shenjtërit (sepse isha mjek i Dikasterit Vatikanas për çështjen e shenjtërve) dhe kam lexuar për shenjtërit, por nuk e kisha prekur kurrë me dorë një shenjt! Dhe ajo kthen: “Edhe ti je shenjt sepse ndihmon aty ata që vuajnë. Nga atë moment relacioni ynë nga mjek-pacient u kthye në pacient-mjek. Ishte ajo që po më kuronte!”.
Para 27 vitesh, një shtëpi botuese Italiane, po përgatiste një libër, të përkthyer në italisht, që kritikonte ashpërsisht dhe pa mëshirë dhe me kritere absurde veprimtarinë e Nënë Terezës. Ndodhi që, pikërisht ato ditë, Nënë Tereza ndërroi jetë. Libraritë u tejmbushen me vëllimet që lavdëruan figurën të spikatur duke e quajtur “Shenjtja e të varfërve” dhe flitej për një shpallje të lumturisë së saj. Botuesi i librit pohoi: “Vëllimi ynë i vogël i minuar, i hedhur poshtë nga kaq shumë shenjtëri, i bezdisshëm, u dëbua menjëherë dhe u kthye para kohe në magazinat e kompanisë”. Si të mos shohim këtu, aktualizimin e fjalëve të Këngës “Magnificat”: “Hodhi poshtë qëllimet e krenarëve, i rrëzoi princat prej froneve të tyre * i lartësoi të përvuajturit. Me të mira i mbushi ata që s’kishin ç’të hanë e të pasurit i nisi duarthatë”.
Data e 17 tetorit 1979, na kujton ditën, kur juria ndërkombëtare e Akademisë së Shkencave të Suedisë nderoi me Çmimin Nobel për paqen Shenjtën shqiptare, Gonxhe Bojaxhiu, Nënë Tereza. Në motivacionin e ndarjes së Çmimit, komisioni i ngarkuar njoftoi se:
“Çmimi Nobel i Paqes ju dha Nënë Terezës së Kalkutës për angazhimin e saj ndaj më të varfërve ndër të varfër dhe për respektin dhe vlerësimin e dinjitetit të çdo njeriu. Përveç kësaj: Për punën e bërë në luftën kundër varfërisë dhe mjerimit, që përbën gjithashtu një kërcënim për paqen”.
Ndërsa dilte nga manifestimi solemn, pasi iu dorëzua Çmimi Nobel, në një foto portret të saj shkroi këto fjalë:
“Unë gjithmonë e kam në zemër popullin tem Shqiptar. Shum luti Zotin që paqja e Tij të vijn në zemrat tona, në gjitha familjet tona, në gjithë botën. Lutnu shum për fukarat e mij dhe për mua dhe motrat e mija. Une lutem për juve”.
Një kënaqësi plebishitare botërore, sepse ishte shpërblyer Nëna e botës së mjerimit, ajo e cila vërtet e kishte merituar këtë titull të lartë me shërbimin e bamirësisë së pakursyer plot dashuri, që bëri për më të varfrit ndër të varfër.
Kryetari i Komisionit parlamentar për marrëdhëniet me Kishën e për Arsim, Lars Roar Langslet, mes tjerash dëshmoi:
“Tërë bota e miratoi, kësaj here, vendimin e Institutit Nobel, që Dhurata e madhe e Nobelit për Paqe t’i jepet bamirësisë së njerëzimit… në shenjë mirënjohjeje për dashurinë e bamirësinë bërë njerëzimit mbarë, pa dallim, sepse të gjithë njihemi në të. Njerëzimi e vlerëson atë si NËNË, siç e thërrasin të gjithë; shi me këtë me të vërtetë është vlerësuar njeriu, të drejtat e nevojat e tij… Kjo është fitorja e mirësisë dhe e dashurisë… Nënë Tereza është kulmi i punës vetëmohuese, i bamirësisë dhe dashurisë shërbyese. ”.
Në pyetjen bërë Nënë Terezës “Çka do të thotë për të, për motrat e saj dhe për të varfrit Çmimi Nobel për Paqe? Ajo tha: “Për mua e motrat tona asgjë të posaçme, asgjë s’do të ndryshojë në Bashkësinë tonë e as në shoqërinë tonë. Kjo dhuratë, si dhe të gjitha të tjerat, të cilat i ka fituar Kongregata jonë rregulltare, janë vetëm për të varfëritë tanë. Kjo është si një kontribut i madh i paqes, sepse tekembramja sot bota e ka kuptuar se veprat e dashurisë janë më të rëndësishme për paqe. Pa dashuri nuk mund të kemi kurrë paqe”.
Nënë Tereza e pranoi këtë Shpërblim vetëm në emër të të varfërve, për t’i ndihmuar të varfrit ndër të varfër, duke vërë në qendër të vëmendjes dy shtylla, shpesh të harruara dhe të ngatërruara, ZOTIN dhe NJERIUN. Kështu, kishte dëshmuar para mbarë botës se “Dashuria” do t’i shëronte të gjitha plagët e botës, sepse do t’ia mundësonte njeriut tejkalimin e kufijve të kohës dhe të hapësirës, të kombit dhe religjionit, të kastave dhe të ngjyrave.
Ato ditë në Oslo të Norvegjisë, Don Lush Gjergji zhvilloi një intervistë me të dhe e botoi në revistën “Drita”. Një ndër pyetjet -që ai ia ka drejtuar ishte: “Çmimi Nobel për Paqe” është shpërblimi më i lartë në mbarë botën. Nga ana tjetër, në Shqipëri, vëllezërit tanë nuk kanë kurrfarë lirie fetare. Çfarë mund të na thoni për këtë? Nënë Tereza komenton:
“Nuk di se çfarë të them, nga që nuk di se çfarë në të vërtetë po ndodhë atje. Nganjëherë marr ndonjë letër nga nëna dhe motra ime, nga Tirana. Ato shkruajnë vetëm disa fjalë, ato kanë aq dëshirë të madhe për t’u takuar edhe një herë me mua dhe me vëllain tim, Lazrin.
Atë që do të mund të thosha është se unë lutem shumë për Shqipërinë, që Zoti Ynë t’i ndriçojë që të mund të kuptojnë këtë: nëse duan të jetojnë në paqe duhet ta duan njëri-tjetrin.
Mendoj se Kisha jonë shqiptare ende nuk e ka kaluar të Premten e Shenjtë, por feja jonë na mëson se jeta e Jezusit nuk mbaron aty, por vazhdon në kryq dhe bëhet e plotë me ringjalljen. Populli ynë nuk duhet dhe nuk mund ta harrojë kurrë këtë. Këtu qëndron sekreti i suksesit të krishterë. Krishti dha jetën e vet që të bëhet jeta jonë, i pranishëm tek çdo njeri, çdo familje. Ai sigurisht nuk do të na harrojë kurrë.”
Kanë kaluar 45 vite. Atë “prift-gazetar” e kemi ende në mesin tonë. Dëshmitar i drejtpërdrejtë, biograf i Shën Nënë Terezës. Personi që njohu nga afër e më pas edhe përmblodhi në shumë libra, biografinë, jetën dhe veprën e Shën Nënë Terezës. Ai sot, me rastin e 45-vjetorit të Çmimit Nobel për Paqe na sjell librin “Porositë e Shën Nënës Terezës për ne”, si një fryt bashkëpunimi mes Shtëpisë botuese “Drita” në Prishtinë dhe Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, me redaktorë Fatmir Koliqi dhe Skënder Asani.
Libri, i përgatitur enkas për Ditët Përkujtimore të Nënës Terezës, sjell 45 njësi të ndryshme duke përmbledhur 45 vite që kanë kaluar prej marrjes së çmimit Nobel për Paqe. Qëllimi kryesor i autorit është i qartë: që figura e Nënë Terezës të jetë vazhdimisht e pranishme në jetën tonë publike e kulturore. Synimi im këtu është një shqyrtim i tematikave që trajton. Këtë shërbim e kryen shumë mirë Prof. dr. Skender Asani, në hyrjen e librit qe mban titullin “Teologjia dhe filozofia e Shën Nënës Tereze sipas Don Lush Gjergjit”.
Ndalemi shkurtimisht duke nënvizuar thelbin e përmbajtjes. Lexojmë në hyrjen e librit: Duke e bashkëdyzuar komponenten aktive dhe kontemplative në jetën e njeriut, Don Lush Gjergji ka arritur ta zbërthejë këtë tërësi botëkuptimore të Shën Nënë Terezës, teksa konstaton se: “Nuk ka veprim pa dërgim, ose edhe më qartë: Kurrë nuk duhet të ndahet Zoti prej njeriut dhe anasjellas, njeriu prej Zotit…”
E veçanta e këtij libri është se autori përmes një vëzhgimi të kujdesshëm ka arritur të venerojë plagët sociale, shpirtërore e ekonomike të njeriut të sotëm, duke nxjerrë në plan të parë mungesën e gjallërisë dhe ngrohtësisë nëpër shtëpitë tona, si pasojë e largimit të njerëzve, gjegjësisht fëmijëve dhe zhvendosjes së tyre në dhera të huaja. Këtë gjendje autori e ilustron më së miri me thëniet nga gurra popullore shqiptare: “S’ka shtëpi pa pleq dhe fëmijë” ose “Mjerë ajo shtëpi që nuk ka pleq dhe fëmijë.”
Autori, identifikon tri fazat kryesore jetësore të saj dhe i gërsheton mjeshtërisht me tri virtyte teologale: feja, shpresa dhe dashuria:
Kërkimi (Faza e parë – Gonxhe Bojaxhiu – FEJA), veprimi (faza e dytë – Motra Tereze e Loretos – SHPRESA) dhe dhurimi (Misionare e Dashurisë – DASHURIA) ishin dhe mbesin shtyllat në të cilat ajo e mbështeti mbarë jetën dhe tërë veprimin – flijimin për ta mahnitur njerëzimin si Shën Nëna Tereze e Dashurisë”, konstaton autori.
Historia e saj personale, rruga e mendimeve të saj, vokacioni i saj, dëshmia e jetës, “thirrja brenda thirrjes” nxjerrin në pah një zgjedhje, një përvojë gjithëpërfshirëse që shkrinte punën e përditshme, pasion dhe dashurinë për njeriun, për të tjerët, për njerëzimin e dobët e të vuajtur dhe për ata që janë në errësirë.
Filozofia e saj e dashurisë për njeriun, imago Dei, dëshiron të nënvizojë mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe respektin për diversitetin që, në fakt, drejton jetën e njerëzve, banon në gjërat, te njerëzit dhe brenda nesh.
Libri nxjerr në pah mendimin e saj, thellësinë e përshpirtërisë së saj që janë aq aktuale për të gjithë ne sot: mbrojtja e të drejtave, pasioni dhe dashuria për të tjerët, sidomos kur të tjerët janë më të dobëtit, të pafavorizuar dhe më të mënjanuar. 45 porositë atëherë ose më mirë 45 fjalët e urta të shqiptares Nënë Tereza. Fjalë ose rregulla të cilat tregojnë të vërtetat në jetën e përditshme, ndonjëherë edhe me anë të kuptimeve figurative. Janë proverba, që, në fakt, pasqyrojnë një sfond, patjetër intimisht religjioz, por, pa dyshim, duke u bazuar në një kulturë dhe mendësi shqiptare. Në mënyrë tipike, këto porosi, që autori i përdor si “trampolinë” për të zbuluar identitetin e Nënë Terezës si njeri i Ungjillit, por duke propozuar haptazi krishterimin si një stil jete, duke nisur nga parimi themelor: “Kisha rritet për shkak të kësaj joshjeje e jo për prozelitizëm”, siç thoshte Benedikti XVI./
(Ligjëratë e mbajtur në Tiranë, më 4 shtator 2024, në Sallën multifunksionale “Kardinal Ernest Simoni”, pranë Argjipeshkvisë Tiranë-Durrës, në kuadër të manifestimit “Drita e Gonxhes”. Titulli është i redaksisë.)
—————-
Referencat:
1 Mother Teresa. The Saint and her nation, Gëzim Alpion Bloomsbury, New Delhi, London, Oxford, New York, Sydney, 2020.
2 “Si shumica e bashkatdhetarëve të tyre, pavarësisht nëse i përmbahen krishterimit ortodoks apo islamit, besimtarët katolikë në mesin e shqiptarëve nuk e kanë pasur kurrë prioritet identitetin e tyre fetar mbi identitetin e tyre kombëtar”, f.206. “Asnjë besim nuk ka qenë kurrë arsyeja e ekzistencës së tyre apo shënuesi kryesor i identitetit të tyre”. f. 71.
3 Atë Paul Murray O.P. Pedagog shumë i përgatitur dhe me një kulturë shpirtërore të gjerë. I dashur jashtëzakonisht shumë nga studentët për mënyrën e tij e komunikimit dhe afrimitet me studentët. Drejtonte Institutin e Përshpirtërisë në të njëjtën Universitet.
4 MURRAY P., I loved Jesus in the night. Teresa of Calcutta. A secret revealed, Darton Longman and Todd, London 2008, f. 15.