ARKIVI:
23 Dhjetor 2024

Refleksion mbi jetën e Dom Gjon Kovaçit, mishërim i virtyteve Zadrimore “in corpus humano”

Shkrime relevante

Histori për Xhenkiz Khanin dhe sulmin e tij ndaj qytetit të Buharasë, në Uzbekistanin e sotëm

Agim Vuniqi, New York Kur komandanti mongol Xhenkiz Khan sulmoi qytetin e...

Zëri i ndërgjegjës kombëtare thërret për ndryshim!

Shqiptarë të Plavës dikur..., para se pasardhësit e tyre të bëheshin...

Ja si mund të duket Anglia e bukur, e së ardhmes…!

Jorgo Mandili 21 dhjetor 2024 ___ Britania ishte përpara të gjitha vendeve perëndimore në...

Si i dëboi UÇK-ja hoxhëllarët dhe predikuesit e fesë islame nga frontet e luftës

Luan Dibrani, Gjermani ___ Gjatë periudhës së luftës në Kosovë, Ushtria Çlirimtare e...

Shpërndaj

Dom Gjon Kovaçi, meshtari i katakombeve

Gjon Kovaçi leu në lagjen “Kovaç” të fshatit Hajmel me 3 shtator 1905, prej prindëve Hiluk Zefi e Prenda Zefi, në nji familje të njohun e në zâ në krahinën e Zadrimës edhe për shkak të nji tradite breznore të konsolidueme në “dhurimin” e shum meshtarëve për Kishën Katolike.

I ati i tij, Hiluk Zefi, i njohun me êmnin Cubi i Zef Prekës, kje nji autoritet i vërtetë në krahinën e Zadrimës e mâ gjânë, narrativa mbi të cilin mbërrinë nivele mitike. Përveç se mjek i njohun popullór i kohës, Hiluku (Cubi) pat luftue si komitë kundër pushtuesit otoman deri në grahamat e tij të fundit, ashtu siç kishte bâ mâ parë dhe nji axhë i tij (Daku i Prekës), i cili rá martir në përleshje me asqerin e turkut në vitin 1911.

nest-zefi

Pikërisht në kët klimë dashnie në familje, dashní për atdheun si dhe sakrificë të vetëdijshme në mbrojten e thesarit dhe fesë së Krishtit, u rrit dhe u brumos dom Gjon Kovaçi, inteligjenca natyrore e të cilit u pikas prej Ipeshkvit të Sapës, Monsinjor Gjergj Kolecit. Me ndërmjetësimin dhe bekimin e ipeshkvit Koleci dhe mbi të gjitha pjekjes së thirrjes së Zotit, në moshën 13 vjeçare, mbasi kishte krye 5 klasë në Hajmel, Gjoni mori rrugën sfiduese të largimit prej familjes qysh në moshë të njomë, tue ndjekë studimet për meshtarí pranë Kolegjit Saverian në Shkodër. Mbas nji formimi të rrebtë e rigoroz në kët Kolegj të famshëm, vatër kulture e dijeje të jashtëzakonshme të asaj kohe e të gjitha kohnave, shugurohet meshtár në vitin 1931. Meshën e parë e kremton në Hajmel me 29 qershor 1931, ditën e festës së Shën Palit (pajtorit të Fshatit), në kishën që mbanë po të njajtin êmën, atë të pajtorit. Periudhën e formimit meshtark, disiplinën e fortë që mori në Kolegjin Saverian, si dhe pasionin për përcjelljen e dijes dhe përshpirtënisë të krishtënë të mbrujtun prej profesorave mâ në zâ të kohës si: Patër Gjergj Fishta e Dom Ndré Mjeda, Dom Gjoni e rrëfete shpesh në bisedat e tij diskrete me pak vetë, tue mos harrue me përmendë faktin se nuk iu lejue as me kênë i pranishëm në çastin e vdekjes në moshë të ré të nânës së tij Prendës.

Dom Gjon Kovaçi, mbas shugurimit meshtarak, u caktue famulitár në Dardhë të Pukës dhe mbas nji përvoje shërbimi edhe fshatin Kçirë (Pukë), u transferue në Grash të Zadrimës, ku qendroi deri në vitin 1967, vit kur i ashtuquejtuni Revolucion Kulturor Kinez, u aplikue në formën “sui generis” alla shqiptarçe, tue mbyllë përfundimisht intitucionet fetare.

Me mbylljen e institucioneve fetare, Dom Gjoni kthehet në gjinin e familjes së origjinës në Hajmel, ku qendroi derisa ndrroi jetë me 10 shkurt 1984, i rrethuem me dashninë, jo vetëm të gjith familjarëve të tij, të cilët kjenë për te engjëll rojtës, por edhe të shum banorëve të fshatit e të Krahinës së Zadrimës.

Shpija e tij e vogël, mbas rrafshmit mizór të tempujve fizik të Kishës Katolike, u bâ “katedralja” e vërtetë e besimtarëve katolikë të zonës që vazhdonin me kultivue fenë e Krishtit në konditat e reja të katakombeve, imponue prej sistemit të anti-Krishtit komunist.

Dom Gjon Kovaçi, mbas burgosjes e pushkatimit të Ipeshkvit Monsinjor Gjergj Volaj në vitin 1950 prej regjimit komunist, tue kênë vikar i përgjithshëm i Dioqezës së Sapës, tregoi dhuntí të rralla si barí shpirtnór në drejtimin e saj në nji kontekst vërtetë të minosun prej survejimit konstant e klimës të terrorit që kishte instalue rregjimi komunist, i cili kërkote me çdo kusht me asgjâsue e me ç’rrânjosë fenë e Krishtit bashkë me shërbëtorët e tij. Me rrafshimin mizór të gati krejtë hierarkisë kishtare shqiptare dhe burgosjen e shumicës së meshtarëve katolik, Dom Gjon Kovaçit i takoi barra e rândë e drejtimit të katolicizmit shqiptár, jo vetëm në Dioqezën e tij (Sapë), por edhe mâ gjânë. Nji ndër faktet që e vërteton kët âsht përshkimi me kurajo të pashoqe e me zêllë të shêjtë i disa kilometrave rrugë në kâmbë prej Zadrimës e deri në malësitë e Pukës e Tropojës për të vizitue e dërgue sakramentet e Krishtit grigjës katolike, mbetë kjo gati jetime dhe e braktisun prej burgosjes së pothuejse gjith meshtarëve.

Sfidës kërcënuese të regjimit të pa fé (kundër besimtarëve katolikë në veçantí), Dom Gjoni iu përgjegj tue përshpejtue angazhimet e veta baritore me kurajo e inteligjencë praktike.

Busulla e tij orientuese kje vetëm Krishti dhe predikimi i mesazhit të tij shëlbues dhe në orën mâ të zezë të historisë medemek moderrne të Shqipnisë, u bâ pikë e padiskutueshme e referimi për besimtarët katolik të Zadrimës, të kërcënuem periodikisht prej regjimit të anti-Krishtit me hjekë dorë prej identitetit të tyne shpirtnór, fetár e kulturór në favor të nji ideniteti të pazot e amorf.

Influenca e karizma e jashtëzakonshme e Dom Gjonit në Dioqzën e Sapës kishte kalue caqet e normalitetit dhe nuk âsht e teprueme me afirmue se qysh në të gjallë, ndër besimtarë katolik përceptohej fama e tij e shêjtnisë. Personat e shumtë që e kanë njoftë dhe mârrë pjesë në liturgjinë e drejtueme prej tij, e kujtojnë hala sot me emocion vibrues për predikimet kumbuese e penetruese, oratorinë magjepsëse, zânin melodioz e kremtimin e epërm e dinitoz të meshës shêjte, me nji latinishte me të vërtetë hyjnore.

Intelektuali i shquem zadrimór, pinjoll i familjes në zâ të Gazullorëve të Dajcit të Zadrimës, i ndjemi Danielá, në morinë e shkrimeve të tij i kushton nji fragment interesant figurës së Dom Gjon Kovaçit, tue dhânë disa koordinata të çmueshme vërtetësie mbi personalitetin e tij dhe meriton të citohet integralisht, përtej ndonji saktësimi mâ të plotë:

“Edhe kur u bâ ipeshkv i Sapës, dom Gjon Kovaçi nuk e lëshoi Grashin, atë katund të paqtë ku i donte dhe e donin, pse kishte kalue një jetë me ta. Po meshtarët mbetnin përditë e mâ pak: dikush vrá e dikush vjerrë, dikush vdekë në burg e dikush prej lëngatave që kishte mârrë në tortura, e dom Gjonit i duhej me shkue katund më katund me krye shërbesa.

Erdh puna që edhe Dom Gaspër Gurakuqi, sa i moshuem e gjithmonë shëndetlig, u kthye tek të tijët në Shkodër ku edhe ndrroi jetë mbas pak.

Ka kênë viti 1966 kur shkova te Dom Gjoni me nxjerrë një dëshmí pagëzimi, të kisha nji dokument të saktë për ditëlindjen, se ajo në gjendje civile ishte e gabueme. E ruej sot e kësaj dite atë dëshmí.

Nësa Dom Gjoni hartonte dëshminë e pagëzimit tim, unë mendjen e kisha tjetërkund. Kisha ndjekë nji pjesë të mirë të gjyqit të Dom Ejëll Kovaçit të shkretë, kur e mbytën komunistat, e mbi të gjitha e përbaltuen si mo’ Zot mâ keq.

Si mbarova punë, nuk më bâhej me u largue. Doja t’i thoja diçka Dom Gjonit, po as vetë nuk e dija se çfarë.

– Fol, bir, çka ke me thânë? – m’u drejtue ai, ashtu gjithmonë i paqtë si ishte.

Dikur, nuk di pse i thashë:

– Unë kam ndjekë nji pjesë të mirë të gjyqit të Dom Ejëllit të shkretë.

Dom Gjoni i nguli gjatë vështrimin nji Kelshêjti në të djathtë të tij, mândej u kthye kah unë e foli gati si me vete:

– Kalvari i Krishtit nuk ka kênë nji gozhdim në kryq e aq. Kalvari i Krishtit ka dymijë vjet që vazhdon e kushedi edhe sa mija vjet të tjera do të vazhdojë.

Nuk mbaj mend nëse i thashë ditën e mirë apo jo, aq i tronditun isha.

Mbas kund një viti Kishat u mbyllen e Dom Gjoni u kthye në Hajmel, ku ndrroi edhe jetë, pa pâsë mundësí me i balâ kush as shërbesën e fundit”. (Daniel GÁZULLI, Rrëfime Zadrimore).

Në fakt, atij Kalvari të Krishtit që Dom Gjon Kovaçi përmêndë në bisedën me Daniel Gázullin, iu nënshtrue edhe ai vetwë qysh me ardhjen në pushtet të komunistave mbas luftës së dytë botnore edhe pse për fat jo në formën e përgjakshme si shum vllâzën të tij në meshtarí, por jo mâ pak të dêjë në termat e “krediteve” të martirizimit.

Me të drejtë në vitet e hapjes të institucioneve fetare, theksi i përkujtimit âsht vû te pjesa e meshtarëve të pushkatuem e të burgosun, por me kalimin e kohës ka pâsë nji qasje të gabueme e zhbalancuese, tue lânë në hije gati në kufijtë e shpërfilljes formën heroike të martirizimit të heshtun, të cilin shum meshtarë të tjerë e laikë e vecanërisht Dom Gjon Kovaçi e kanë jetue me nji koherencë të jashtëzakonshme, tue i qendrue besnik vokacionit të tij me përhapë Unjillin e tue adminstrue sakramentet e shêjta pa mâ të voglin kompromis. Madje me ofertat e meshave të kremtueme për njetet e besimtarëve, Dom Gjoni ka kênë nji burim mbështetjeje e madhe për meshtarët që dergjeshin burgjeve e kampeve të shfarosjes komuniste. Miku i tij i ngushtë, Patër Mëhill Troshani, kje nji ndër “korrierët” e kualifikuem që u dërgote të holla meshtarëve me ofertat e mbledhuna, shêjë i nji solidariteti të fortë vllaznór.

Terroret psikologjike, survejimet konstante dhe provokimet sistematike nuk i munguen Dom Gjonit në asnji moment të jetës së tij gjatë viteve të pushtetit komunist. Ka mbetun e rrânjosun në kujtesën e banorëve të fshatit Grash, fshat ku Dom Gjoni kje famullitár, kur fillë mbas instalimit të regjimit të rí, i futën armët në kishë, ashtu siç kishin veprue në kishën e fretëneve në Shkodër, ku kje reagimi ekstrem i vllâzënve të tij të gjakut, në sinergjí me njerëzit e ndershëm të zonës, që krijuen konditat për me ç’montue kët plan diabolik.

Nji ish komunist e antár i frontit, deklaroi publikisht se: “Nuk âsht i tillë prifti jonë..,por të dalë ai që i ka futë armët në kishë..”.

Për hirë të së vërtetës duhet pohue se edhe ata pak komunista që u detyruen me u antarsue në partí në Krahinën e Zadrimës, mbetën në shpirtë e sjellje besnikë të fesë së Krishtit e kurrë nuk e përdorën formulën betuese “për ideal t’partisë” , por edhe në ato kohë të zorshme bâjshin bé “pasha Krishtin”. Aty ku âsht e rrânjosun thellë në antropologjinë njerëzore feja e Krishtit nuk mund të hyte kollaj e të thyete çdo argjinaturë morale fryma e anti-Krishtit dhe pikërisht kjo ka ndodhë në zonën e Zadrimës. Fakti që Dom Gjon Kovaçit nuk i doli asnji dëshmitár publik për të ratifikue sajesat e organeve të dhunës shtetnore komuniste, meriton të meditohet thellë. Pak vite para se me ndrrue jetë e kur kje në moshë të thyeme, iu nënshtue disa seancave sfilitësë në hetuesinë e Shkodrës, por falë hirit të Zotit, qendresës së tij stoike, aftësisë me “i bâ të dukeshin qesharake” alibitë e sajesat e hetuesve të degës së mbrêndshme dhe mbështetjes morale të familjarëve e dashamirësve të shumtë, ia doli me evitue nji burgosje të sigurt. Hetuesit arritën deri aty sa me realizue nji “ballafaqim” mes Dom Gjon Kovaçit e Ipeshkvit të Shkodrës, Imzot Ernest Çoba, i tjetërsuem deri në degradim prej torturave të tmerrshme të organeve të sigurimit me qellim terrorizimin e tij dhe perdorjen e ndonji deponimi të mundshëm kompromentues të fjalëve të Ipeshkwvit për rolin që ka pasë ai si ekspert i të drejtës kanonike gjatë proçesit të negociatave me regjimin komunist.

Edhe në kët rast Dom Gjoni e fitoi sfidën me tentativat për ta burgosë dhe i deklaroi haptaz hetuesit, tue nxjerrë uratët prej xhepit, se ai kishte me vazhdue me i shërbye Krishtit, të cilit i âsht kushtue qysh në shugurim meshtarak dhe nuk frikësohet prej askujt e asgjâjet.

Kardinal Ernest Troshani në nji bisedë me nji familjár të Dom Gjon Kovaçit pati pohue në ligjeratë të drejtë se: “ Ai kje mâ i miri e mâ shêjti ndër ne dhe se regjimi humbte pikë me e arrestue sepse kishte nji famë të madhe në krejtë zonën”.

Pohimet konverguese të shum personave që e kanë njoftë, te thjeshtë e të kualifikuem, si dhe natyra e tij e rezervueme, diskrecioni, modestia e skajshme, raporti me tjetrin me vërtetësií e në proporcion me horizontin kulturor e sigurisht edhe me besueshmërinë e kujdesshme, mbasi pushteti kishte instalue kapilarisht celulat e veta (dis)informuese, tregojnë se Provania Hyjnore e kishte zgjedhë Dom Gjonin, jo vetëm vikar të Dioqezës së Sapës, por vikar twë Krishtit në Shqipninë e martirizueme e të robnueme prej terrorit komunist.

Momenti disa javor i smundjes, çastet prekëse tw kalimit në amshim, të paraprime me kthjellësí shêjte e lutje të pareshtuna, tue bâ shêjën e kryqit e invokue hapjen e dyerve të Parrizit pak sekonda para se me dhânë shpirtë, pohimet e shum personave që kanë gjetë hirë prej ndërmjetësisë së Dom Gjonit, funerali madhështór që kurrë mâ parë nuk e kishte përjetue ndonjiherë fshati i Hajmelit, në atë rast sfide të heshtun por domethânëse ndaj regjimit komunist, meritojnë të investigohen për me hapë nji proçes dioqezan për kanonizimin e ksaj figure të ndritun të klerit katolik shqiptár.

Materialet e fondit të tij arkivór fatkeqsisht janë konfiskue e mândej djegë në oborrin e shpisë, të cilat sigurisht do kishin kênë nji ndihmë e madhe me njoftë përmasën e thellë të kulturës teologjike, të përshpirtënisë e atë humane të Dom Gjon Kovaçit.

Megjithatë, dëshmia e atyne që e kanë njoftë âsht e mjaftueshme për me shkundë pluhnin e harresës që kto vite kishte molepun figurën e Dom Gjon Kovaçit dhe besimtarët katolik shqiptarë kanë të drejtë ta njohin dëshminë e tij të kristaltë në shërbim të Krishtit e Kishës Katolike Shqiptare.

I ndjemi Imzot Zef Simoni në nji predikim të vitit 1993, me rastin e festës së Shën Palit në Hajmel, tue vlersue nalt figurën e Dom Gjon Kovaçit si njeri i devotshëm e me kulturë të gjânë teologjike, filozofike e juridike, e perkufizoi atë si ndera e Kishës Katolike Shqiptare dhe tashmâ äsht në nderin t’onë si katolik ta rizbulojmē e t’i j’apim vendin që i takon në panteonin e vlerave t’ona fetare e kombtare.

Shkruejti: Nest Zefi (nip i Dom Gjon Kovaçit)

Redaktuen: Administratorët e faqes Z.E-K

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu