ARKIVI:
22 Dhjetor 2024

Reforma në arsim, pse na duhet?

Shkrime relevante

Angazhimi kundër terrorizmit global , është angazhim për një botë pa fanatizëm dhe dhunë

Lirim Gashi, Prizren ( shqip , gjermanisht, anglisht dhe norvegjisht) ___ Tragjedia e Magdeburgut...

Meritat dhe dobësitë e Kryeministrit Albin Kurti në qeverisje

Halil Geci, Skenderaj Kryeministri Albin Kurti ka demonstruar një qasje të vendosur...

Kot e keni, mërgimtarët nuk do t’ju votojnë!

Florim Zeqa Shtyrjet e njëpasnjëshme të afatit të regjistrimit të mërgatës sonë,...

Epistolari i poetëve Shefqet Dibrani e Agim Spahiu

Shkruan: Adil FETAHU Shefqet Dibrani, “LETRAT E AGIMIT”, letërkëmbim, botoi Shtëpia Botuese...

Shpërndaj

Nga Fadil Sahiti

– III –

Në dy artikujt e mëparshëm në lidhje me programin e Qeverisë Kurti II për vitet 2021-2025, jam përpjekur të theksoj rëndësinë e krijimit të një ambienti afarist miqësor që i promovon investimet private si nxitës kryesor i zhvillimit ekonomik. Por, klima e mirë afariste, politikat e mira të biznesit dhe burimet e shumta financiare nuk janë të mjaftueshme. Nuk ka zhvillim, nuk “ringjallje” ekonomike, nuk ka emancipim e mirëqenie pa një sistem arsimor cilësor. Rezultatet empirike nga organizatat ndërkombëtare thonë se kemi një nga sistemet më të dobëta arsimore në botë. Mjafton të përmendim për këtë rezultatet e PISA-s. Prandaj, fokusi e prioriteti absolut i secilës qeveri duhet të jetë reforma në arsim. Se përse mendoj kështu, do të mundohem të argumentoj si në vijim.

Nuk jam ithtar i gjetjes së fajtorëve për situatën në arsimin që kemi. Madje, kjo nuk është e vështirë të dihet.. Të gjithë ata që e kanë qeverisur Kosovën deri me sot kanë përgjegjësi, sidomos ministrat me grada PhD. Por, nëse vazhdojmë të merremi më shumë me të kaluarën, nuk do ta përmirësojmë të sotmen e as ta ndërtojmë të ardhmen.

Cilat janë problemet e sistemit arsimor të Kosovës?

Lista e problemeve mund të jetë e gjatë, duke filluar nga programet mësimore (kurikulat) e deri tek keqmenaxhimi i institucioneve arsimore. Sidoqoftë, nga këndvështrimi im, tri janë problemet themelore: politizimi i skajshëm i shkollave, kuadri ligjor joadekuat karshi inspektimit të performancës së mësimdhënësve, si dhe – më e rëndësishmja: ne nuk prodhojmë kapital human që kërkon tregu.

Programi i hartuar nga qeveria nuk e adreson këtë problem në mënyrë korrekte dhe të saktë, madje nuk thotë qartë se reforma në arsim do të ndodhë! Aty do të gjeni fraza të tilla si angazhohemi për një “…arsim cilësor, gjithëpërfshirës dhe të digjitalizuar” apo “do të mbështesim mësimdhënësit”, “do të ofrojmë në gjithë vendin shujta falas për të gjithë nxënësit…” etj. Por, reforma në arsim është domosdoshmëri.

Do mundohem ta japë perspektivën time si dhe disa rekomandime se si duhet të bëhet reforma:

E para, reforma eventuale duhet të drejtohet nga një organizëm jopolitik i përbërë nga profesionistët, me një afat së paku pesëvjeçar. Ajo që është më e rëndësishmja, puna e këtij organizmi assesi nuk duhet të varet nga konjukturat politike në pushtet. Detyrat dhe obligimet e këtij organizmi do të duhej të përcaktoheshin nga një statut, me qëllime e objektiva të përcaktuara qartë dhe me afat kohor. Ky organ do të duhej t’i përcaktojë orientimet themelore të reformës, të hartojë politika arsimore në funksion të reformës etj. Një ndër detyrat e para të këtij organizmi do të duhej të ishte depolitizimi i institucioneve arsimore – bordeve të universiteteve publike si dhe të stafit menaxhues, dhe jo vetëm të universiteteve.

Së dyti, duhet krijuar mekanizma konkretë për matjen e performancës së mësimdhënësve, në të gjitha nivelet. Ky inspektim duhet të bazohet në objektiva të qarta (floor targets), objektiva të cilat duhet të hartohen për t’u bërë efektivë në adresimin e performancës së dobët të institucioneve të cilat duhet të përputhen me udhëzimet e përcaktuara në kornizën për inspektimin e shkollave.

Së treti, është esenciale të përmirësohet procesi i rekrutimit të mësimdhënësve dhe të krijohet një model adekuat i cili duhet të përqendrohen më shumë në studentët që vijnë nga universitetet dhe shkollat më të mira. Gjithashtu, mësimdhënësi duhet t’i nënshtrohet një pune provuese, një apo eventualisht dyvjeçare; t’i nënshtrohet trajnimeve të rregullta e në raste të veçanta edhe të rikualifikimit. Kjo mundëson që procesi i vlerësimit të jetë transparent dhe objektiv. Në veçanti duhet të insistohet në identifikimin e mësuesve dhe shkollave model, puna e të cilëve do të replikohej në tërë vendin.

Së katërti, qëllimi i secilit sistem arsimor është ngritja e kapital human kompatibil më nevojat e tregut. Andaj, sistemi jonë arsimor duhet të adresojë nevojat e tregut, sidomos nevojat e biznesit. Kjo gjë mund të arrihet kur institucionet prodhojnë njerëz të diplomuar, me dije dhe shkathtësi punësimi. Kjo është një temë e gjerë, por sistemi jonë arsimor, sidomos ai i mesëm, duhet të bazohet në shkollat profesionale, ngjashëm, ta zëmë, me shkollat sllovene. Gjithashtu, duhet bërë rivlerësimi i nevojës së numrit të universiteteve publike. Duhet të ketë gatishmëri dhe guxim për mbylljen e disa prej tyre. Universitetet publike duhet të jenë të profilizuara. Është absurd që në të gjitha universitetet tona ka studime për ekonomi, juridik etj. Për shembull, Universiteti i Prizrenit do të mund të profilizohej në fushën e menaxhimit të turizmit, të pyjeve dhe hotelerisë, si dhe në agrobiznes. Universitetet tjera ose duhet të mbyllen, ose të profilizohen. Qëllimi është që mjetet financiare të përqendrohen në rritjen e cilësisë së mësimdhënies.

Si konkluzion, nuk pretendoj që këta tre artikuj përmbyllin nevojën për analizë dhe debat se çfarë duhet të bëjmë për të ngritur volumin e investimeve private në ekonomi, apo si ta ndërtojmë një sistem arsimor cilësor. Aq më tepër, nuk pretendoj që këto rekomandime janë par excellence. Ajo që unë jam i bindur është se pa një politikë të guximshme, me vizion dhe me objektiva të qarta, nuk do të kemi as zhvillim e as mirëqenie. Shumë kanë pritur që guximi dhe vizioni nuk i mungon kësaj qeverie. Por, nga programi i ofruar, ndryshimi i pritur pozitiv nuk është i garantuar. Jam skeptik se nga kjo që po na ofrohet, fëmijët do të binden t’i ndërtojnë ëndrrat për jetë në Kosovë, e jo gjetiu – si në Londër, apo Nju-Jork. Pa ndodhur kjo, ligjëratat e bukura politike nuk janë tjetër veçse populizëm dhe farsë!

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu