ARKIVI:
23 Dhjetor 2024

Regim i Don Anton Ukës ndaj “letrës kritike” të një “katoliku” drejtuar “Lëvizjes anti-islame dhe krejt atyre që qëndrojnë pas!”

Shkrime relevante

Zëri i ndërgjegjës kombëtare thërret për ndryshim!

Shqiptarë të Plavës dikur..., para se pasardhësit e tyre të bëheshin...

Ja si mund të duket Anglia e bukur, e së ardhmes…!

Jorgo Mandili 21 dhjetor 2024 ___ Britania ishte përpara të gjitha vendeve perëndimore në...

Si i dëboi UÇK-ja hoxhëllarët dhe predikuesit e fesë islame nga frontet e luftës

Luan Dibrani, Gjermani ___ Gjatë periudhës së luftës në Kosovë, Ushtria Çlirimtare e...

Interesat kombëtare të Kosovës, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe konteksti më i gjerë gjeopolitik

Agim Vuniqi, New York ___ Roli i Shqipërisë dhe deklaratat e kryeministrit Rama Fjala...

Shpërndaj

Shkruan: Don Anton UKA
___
I nderuar autor i kësaj “Letër kritikë…”, vendosa t’i përgjigjem letrës tuaj më tepër i shtyrë nga apeli i një ipeshkëvi të kishës katolike në Shqipëri, i cili e përhapi si “një reflektim interesant për t’u lexuar”, se sa nga ajo që keni shkruar.
Në këtë letër tuajën, me një gegnishte të sforcuar, shoh shumë paqartësi dhe pasaktësi gjërash të cilat, sipas meje, duhet të paraqiten me një logjikë më të shëndoshë dhe të interpretohen sipas një të vërtete historike dhe teologjike-kristiane të bazuar dhe të argumentuar më mirë. Për më tepër, kjo letër e juaja tregon se ju dini shumë pak për rrethanat e krijuara në dekadat e fundit në Kosovë, prandaj kritikoni dhe gjykoni si të dëmshme reagimet dhe lëvizjet e fundit në këtë vend.
Nëse e shikoni me kujdes letrën që keni shkruar dhe bëni krahasime me statuset zyrtare të këtyre lëvizjeve, do të kuptoni se emërtimi që i jepni është i ngjashëm me atë të rrymave radikale, të brendshme dhe të jashtme, që këto lëvizje i quajnë pikërisht si ju: Lëvizje Anti-Islame. Është urtësi njerëzore dhe kristiane të informohesh mirë përpara se t’i drejtosh gishtin dikujt.
Është e vërtetë se kohëve të fundit ka njerëz që janë pagëzuar në Kosovë dhe në diasporë, por ka edhe nga ata që ende nuk e kanë marrë një vendim të tillë, por kanë shprehur publikisht arsyet pse duan të kthehen në djepin kulturor dhe shpirtëror ku ishin lindur të parët e tyre, ku u rritën dhe ku vdiqën, madje shumë prej tyre edhe si martir. Kjo gjë pse duhet të përbën skandal për dikë, a thua jemi ende në kohën e pushtuesve ku pagëzimi dhe jeta fetare bëhej në katakombe?
Personalisht, dëshmia e tyre, guximi dhe apeli i tyre për ndërgjegjësimin historik, kulturor e shpirtëror, në një kohë kur po tentohet të tjetërsohet kjo trashëgimi, më bëri përshtypje pozitive, të them të drejtën ishte e nevojshme dhe e duhur. Këta njerëz që ju i kritikoni, njohin dhe pranojnë të vërtetën historike se Kisha Katolike ndër shqiptarë ka mbrojtur historikisht identitetin tonë kombëtar. Këtë e dokumenton historia e shkruar nga njerëzit tanë dhe të huajt, si dhe arkeologjia, arkivat e shumta botërore, traditat e deri te historianët turq e sllavë të pandikuar nga fanatizmi i tyre kombëtar e fetar. Është turp që disa shqiptarë nuk duan të dinë apo as ta pranojnë të vërtetën e tyre historike.
Ju si katolik vendosni të kritikoni gjithë veprimtarinë e këtyre Lëvizjeve, duke menduar dhe besuar se po zbuloni dhe po ofroni diçka etike dhe teologjike, por në të njëjtën kohë harroni se etika dhe teologjia e krishterë mësojnë t’i trajtojmë gjërat ndryshe, mbi të gjitha kur janë në mes njerëzit. Të mos shohësh asgjë të mirë, siç thuani ju, në gjithë këtë proces dhe në gjithë këtë përpjekje për ruajtjen e identitetit kombëtar dhe pastrimin e rrymave radikale është vërtet tragjike dhe aspak etike për mendimin tim.
Si ka mundësi që një shqiptari katolik të ju duket i pa sens përdorimi i trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore të krishterimit, kur dihet se qytetërimi i krishterë ndër shqiptarë jo vetëm që nuk e ka penguar kurrë patriotizmin (dashurinë dhe përkushtimin ndaj atdheut), përkundrazi, e ka forcuar dhe fisnikëruar akoma më shumë pa krijuar fanatizëm dhe radikalizëm tek besimtarët apo ndjekësit e saj. Sa e dhimbshme është kur thua “krishterimi tejkalon çdo kufi”, jo i dashur katolik, krishterimi nuk tejkalon asgjë, ai nuk është religjion abstrakt, përkundrazi, ai ka fytyrë, mishërohet dhe kështu, nuk tejkalon, por takon dhe përqafon njerëzit, gjuhët dhe grupet e tyre etnike, pa i tjetërsuar ato. Pra, krishterimi është feja që në mënyrën më të veçantë e takon dhe e mirëpret njeriun në realitetin e tij dhe kështu bëhet shoqëruesi i tij në udhëtim drejt Mbretërisë qiellore.
Përzierja ose ndarja e fesë së krishterë në identitet kombëtar dhe shpirtëror nuk është aspak problem, siç po mendoni ju, pasi është përcaktuar qartë nga vetë Jezusi kur thotë: “Çka i përket Cezarit, jepjani Cezarit e çka i përket Hyjit, jepjani Hyjit!” (Mk 12, 17). Kjo do të thotë se besimi ynë na mëson dhe na edukon të japim të gjithë përkushtimin dhe angazhimin tonë mendor, shpirtëror, fizik dhe intelektual për vendin ku jetojmë, për kombin, gjuhën, kulturën, traditën, historinë, të tashmen dhe të ardhmen tonë, në mënyrë që, falë kontributit të njerëzve besimtarë shoqëria të jetë më e mirë, më e lirë, më e drejtë dhe më demokratike, dhe për t’i dhënë Zotit atë që i përket Zotit, pra lavdinë, nderin, falënderimin, adhurimin etj. Kjo thënie e Jezusit e bëri njeriun një laik të vërtetë dhe një besimtar të devotshëm në të njëjtën kohë pa penguar kombin dhe fenë. A e shihni se laicizmi dhe demokracia perëndimore (evropiane) i kanë rrënjët në krishterimin, por kjo nuk do të thotë se shteti duhet të qeveriset me ligje fetare, siç mendojnë dhe pretendojnë disa fe të tjera, dhe për shoqërinë tonë kjo përbën problem serioz.
Historia jonë kombëtare dhe litania e gjatë e prelatëve dhe martirëve të Kishës Katolike na tregon se dashuria për Atme dhe Fe është ontologjike, pra e pandashme nga qenia e tyre, prandaj ata duruan çdo lloj padrejtësie, madje edhe vdekjen me kombin dhe fenë në zemër: “Rrnoftë Krishti Mbret, rrnoftë Shqipëria”, dhe kjo nuk përbënte asnjë problem në lumturimin zyrtar të tyre nga Vatikani, në të vërtetë u cilësua si heroizëm dhe shembull për t’u ndjekur, ndërsa ju, ndoshta në mënyrë të pavetëdijshme, pohoni se kjo përbën një problem.
Ju shkruani për universalitetin e krishterimit se ai “i fol njerëzimit pavarësisht nga ata vijnë”, jo, nuk është kështu, përkundrazi, krishterimi i flet njeriut në varësi të situatës, gjendjes, kulturës, rrethanave dhe historisë në të cilën ndodhet. Pikërisht për këtë arsye Kisha Katolike ka vendosur që kremtimi i fesë duhet të bëhet në gjuhët dhe traditat e kombeve. Universaliteti i krishterimit nuk nënkupton atë që përfaqësojnë rrymat me ndikim të Erës së Re (New Age) apo ato të sinkretizmit religjioz, por do të thotë se Krishti dhe mësimet e tij i përkasin të gjithëve, duhet të shpallen dhe t’i jepen të gjithëve, gjithmonë duke i respektuar njerëzit në gjendjen kulturore dhe shpirtërore në të cilën gjenden. Besoj se ju e dini se Kisha Katolike ka bashkësi famullitare në Gaza dhe në shumë vende arabe, por prifti që u shërben këtyre njerëzve nuk u kërkon atyre të mohojnë gjuhën, traditën, kulturën, zakonet, figurat dhe simbolet e tyre kombëtare, siç po bëjnë disa mes nesh në emër të Islamit. Pra, universaliteti i krishterimit mund të shtrihet pa probleme në botën arabe, kineze apo indiane, ashtu si është përhapur në vendet evropiane pa tjetërsuar asgjë nga kultura dhe identiteti i tyre kombëtar. Pra shqiptarët nuk po thonë jemi kundër islamit, por me të drejtë thonë se ne nuk duhet dhe nuk mund të tjetërsohemi nga Islami politik.
Në letrën tuaj ju përmendni Jezusin që paraqitet si rruga, e vërteta dhe jeta, dhe nga ana tjetër ju pengojnë ata që me vetëdije, lirisht dhe vullnetarisht, besoj pa asnjë ndikim e interes, ftojnë njerëzit të pagëzohen, domethënë për t’u vënë në rrugën e vërtetë të Jezusit. A nuk thotë nxënësi i Jezusit i mjeri unë nëse nuk e predikoj Ungjillin (krh. 2Kor 9, 16). Nuk duhet harruar se Kisha Katolike, pra besimtarët që e përbëjnë atë, nuk refuzojnë asgjë që është e vërtetë dhe e shenjtë në religjionet e tjera, përkundrazi, ajo i konsideron me respekt dhe sinqeritet të veçantë ato mënyra të vepruari dhe të jetuari, ato parime dhe doktrina që, ndonëse në shumë pika, ndryshojnë nga ato që ajo beson dhe predikon. A e kuptoni se ata që i quani të papërgatitur kanë një vetëdije (ndërgjegje) të thellë fetare dhe e dinë se çfarë duan?
Dialogu, respekti dhe bashkëpunimi ndër-fetar, që për ne ka rëndësi të madhe dhe duhet gjithmonë ta kultivojmë, nuk do të thotë të mohosh të drejtën e besimit dhe të shpalljes se Krishti është rruga, e vërteta dhe jeta (krh. Gjn 14, 6). Kjo e drejtë është e garantuar edhe me ligj kushtetues në vendin tonë. Ndërsa ju i keni dhënë vetes lirinë për të gjykuar shpirtrat dhe zemrat e njerëzve të kthyer, duke thënë se konvertimi i tyre është sipërfaqësor dhe se ata nuk e njohin realisht Krishtin. Bibla që citoni do të të thoshte: kush je ti për të gjykuar të afërmin tënd? (krh. Jak 4, 12).
Shkoni edhe më thellë duke thënë “Uroj që ju nuk keni dëshirë ta rrezikoni veprimtarinë e Kishës Katolike në Kosovë, dhe nga ana tjetër institucioni I Kishës Katolike në Kosovë nuk duhet me harru gabimet historike që kjo marrdhënie ka shfaq!”
Kisha është më e vetëdijshme për këtë nga sa mendoni ju, prandaj ju kujtoj se të pagëzuarit janë bijtë dhe bijat e dashur të Kishës, në të vërtetë ata janë vetë Kisha e gjallë dhe Kisha nuk do të heq dorë kurrë prej tyre, edhe nëse bëjnë gabime, ajo di të falë, të pranojë dhe të kërkojë falje nëse është e nevojshme. Por ju sikur nuk e dini se Kisha nuk rrezikohet nga armiqtë, edhe nëse ata janë, aq më pak nga gabimet dhe mëkatet e njerëzve, përkundrazi, është e rrezikuar nga ata që janë të vakët, as të ftohtë e as të nxehtë (krh. Zb 3, 14-20). Relativizmi është plaga më e dhimbshme e Kishës dhe e shoqërisë së sotme, do të thoshte Papa Benedikti XVI.
Pastaj ju thoni se “Krisht’nimi asht liturgji (celebrim procesual) e transformimit shpirtnor drejt takimit personal me Zotin duke u transformuar nga fuqia e dashurisë së Jezusit!”
Më duhet të them se edhe në këtë fjalinë tuaj disi konfuze ka shumë koncepte që ju, i dashur katolik, duhet t’i mësoni dhe pastaj t’i sqaroni.
Fillimisht, duhet thënë se krishterimi nuk është një liturgji, por është një fe që njeh Jezu Krishtin si Birin e Hyjit dhe Shpëtimtarin e botës. Kjo fe u themelua mbi mësimet e Mësuesit të saj, kjo fe filloi me vdekjen dhe ringjalljen e Jezusit. Është një fe monoteiste me karakter universalist dhe i ka rrënjët në fenë hebraike. Është feja më e përhapur, me rreth 2.1 miliardë besimtarë. Nga kjo kuptojmë se krishterimi është një fe, pra besim në Jezusin, Zotin e vërtetë dhe Njeriun e vërtetë, i cili themeloi Kishën Katolike (universale) mbi katër shtyllat ose elementët përbërës të saj: një, e shenjtë, katolike dhe apostolike. Vetëm pas konstituimit të saj liturgjia lindi si një shprehje e jashtme dhe elegante, e cila nëpërmjet kremtimit të Fjalës dhe të Sakramenteve shpreh besimin (fenë) e popullit në Atin, në Birin dhe në Shpirtin Shenjt.
Ti, i dashur katolik, edhe fjalët e Jezusit “Mbretëria ime nuk është e kësaj bote…”, për mendimin tim, i përdor për një situatë apo kontekst që nuk i përket aspak kontekstit në të cilin Jezusi i shqiptoi ato fjalë. Ju përdorni këto fjalë të Jezusit duke thënë se nëpërmjet tyre Jezusi e ndau qartë misionin e tij nga bota, duke harruar se Jezusi erdhi, jetoi, vuajti, vdiq dhe u ringjall pikërisht për shpëtimin e botës. Nëpërmjet kësaj shprehjeje, Jezusi i tregon Pilatit dhe gjithë strukturës së tij politike se mbretëria (logjika) me të cilën duhet dashur, shërbyer, udhëhequr dhe mësuar botën është dashuria, falja, mirësia, përkushtimi dhe dhurimi për botën (për njerëzit) dhe për mbretërinë qiellore. A e kuptoni që Jezusi nuk u distancua nga bota, por edhe përmes poshtërimit dhe bartjes së kryqit, ai e edukoi dhe e mësoi botën se si duhet dashur dhe udhëhequr njerëzit. A e kuptoni që krishterimi nuk mund të shpjegohet sipas vizioneve dhe bindjeve personale, por në këndvështrimin e asaj pasurie shpirtërore, biblike, teologjike dhe dogmatike, garantuesi i së cilës është autoriteti dhe magjisteri i Kishës.
Ju, i nderuar zotëri, thirrjet për patriotizëm, identitet kombëtar dhe konvertim i konsideroni të gabuara dhe madje të dëmshme, edhe pse themeluesit, anëtarët dhe ndjekësit e këtyre lëvizjeve realisht po flasin për kthim në rrënjë e tyre dhe jo për konvertim siç thoni ju. Ju shkruani kështu: “Kur sentimenti patriotik përdoret për të tërheq njerëz në fe, asht rrezik që t’krijohet ky i Krishtenë kulturor që zbaton thjeshtë forma t’jashtme të praktikave t’fesë sesa ta përçafon rrug’timin drejt transformimit shpirt’nor, dhe kjo mund ta sjell krijimin e nji shizme q’i shkon përshtat atyne!”
Jam vërtet i habitur sesi një katoliku, dhe atyre që e shpërndajnë Letrën e tij, i pengojnë thirrjet e njerëzve të guximshëm në identitetin e tyre kulturor dhe shpirtëror dhe nuk e lënë veten të pengohen fare nga thirrjet dhe planet e grupeve radikale dhe ekstremiste islamike që funksionojnë tashmë në Kosovë dhe Shqipëri prej dekadash, duke shfrytëzuar ndjeshmërinë fetare të shqiptarëve myslimanë për t’i zhveshur plotësisht identitetin kombëtar shqiptar dhe atë trashëgimi të jashtëzakonshme të përbashkët shpirtërore e kulturore të ndërtuar me sakrifica të mëdha ndër shekuj nga të parët tanë. Prandaj të mos harrojmë se lëvizjet dhe pagëzimet e fundit në Kosovë nuk janë të ndikuar apo kërkuar nga Kisha Katolike, e as nga ndjekësit e saj, por nga vetë Islami, nga mënyra se si po predikohet dhe promovohet vitet e fundit në Kosovë dhe Shqipëri, thotë profesori i nderuar dhe miku im i respektuar, zotëri Blerim Latifi.
Në pjesën e fundit të letrës suaj ju i referoheni urdhërimit të dashurisë: “Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë fuqinë tënde, dhe me gjithë mendjen tënde edhe të afërmin tënd porsi vetveten! (Lk 10, 27).
Ju e interpretoni këtë mësim të Jezusit në këtë mënyrë: “Kjo thirrje tejkalon kufijtë, tuj e përkufizu misionin e të t’Krishtenve”.
Kështu që unë do të thosha se kjo thirrje e Jezusit nuk i tejkalon kufijtë, përkundrazi, i përafron dhe i përqafon në tërësi, pra dashuria për veten, si individ dhe si bashkësi kulturore (histori, traditë, gjuha, zakonet, figura dhe simbole), është një thirrje hyjnore që paraqitet si një kusht i domosdoshëm për të qenë në gjendje të pranojmë, respektojmë dhe duam të tjerët dhe vetë Zotin.
Shkrimtari i famshëm çek, Milan Kundera (1929-2023), në romanin e tij “Injoranti”, duke iu referuar personazhit qendror të veprës, Irenës, brenda së cilës luhet drama e ndërdijes, shtron këtë pyetje: “A është e vërtetë se Irenën e ka kapluar humbja e kujtesës?”
Në analogji me veprën e cituar edhe ne mund dhe duhet të pyesim: “A është e vërtetë se shqiptarët i ka kapluar humbja e kujtesës?” “A është e vërtetë se shqiptarët nuk i pranojnë vlerat dhe figurat themelore të historisë dhe kulturës së vet?” “A është e vërtetë se shqiptarët nuk kanë një identitet të vetin?”
Betejës së hapur kundër kujtesës, e cila po zhvillohet dhe po promovohet në mjediset fetare, shoqërore dhe politike, duhet t’i përgjigjemi urgjentisht dhe unanimisht në shpirtin dhe frymën e Gjergj Kastriotit, Pjetër Bogdanit, Gjon Buzukut, Jeronim de Radës, Naim Frashërit, Gjergj Fishtës, Ernest Koliqit, Ibrahim Rugovës dhe shumë figurave tjera, laike dhe fetare, që për komb dhe atdhe dhuruan dhe sakrifikuan çdo gjë.
Këto modele duhet të jenë për ne shqiptarët frymëzim dhe ngushëllim, që sa herë që dukuritë e shëmtuara paraqitën në habitus-in e kombit tonë, të frymëzohemi nga trashëgimia jonë e çmueshme kulturore dhe shpirtërore, e cila mund të përmblidhet në vargjet e intelektualit të madh të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Luigj Gurakuqit, i cili thoshte: “Veç nji qëllim i naltë t’ban me durue, e zemrën ta forcon; ndër kundërshtime s’vyn kurr me u ligshtue, mjer ai që nuk qëndron”.
Në pjesën e fundit të letrës suaj, por në një farë kuptimi edhe përgjatë saj, ju paraqiteni si një lloj mësuesi që dëshiron të japë mësime dhe udhëzime edhe për institucionet më të larta fetare dhe shtetërore, por në realitet lini përshtypjen se nuk i njihni mirë termet që përdorni, e aq më pak gjërat dhe rrethanat në Kosovë dhe në Shqipëri. Prandaj, vëllazërisht, ju këshilloj që kur shkruani dhe kritikoni si katolik, lini mënjanë emocionet, lexoni më shumë, studioni, shikoni me kujdes rrethanat dhe atëherë ka mundësi që reflektimet tuaja të bëhen vërtet interesante.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu