ARKIVI:
26 Nëntor 2024

Reinkarnimi i Vladimir Putinit me “Pjetrin e Madh” dhe Leninin

Shkrime relevante

Presidentja Vjosa Osmani takoi Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Boris Ruge

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me Ndihmës...

Rrugëtim Kombëtar: Promovimi i Historisë së Kosovës në Shtetet e Bashkuara te Amerikës

Nga: Adem Lushaj Reportazh “Krimet serbe në Kosovë - Rasti i Deçanit” dhe...

Mirënjohje profesor Fatmirit për “Fjala e Lirë”

Nga: Fahri Dahri Njeriu është  i paisur me komplekse, si qenie e...

Vendoset gurthemeli i nënstacionit të Policisë së Kosovës në fshatin Izvor, Komuna e Zveçanit

Zveçan, 25 nëntor 2024 Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë...

Shpërndaj

Pjetri i MadhPeter I ose Pyotr Alexeyevich Romanov

Fehmi Ajvazi, Prishtinë

Në fillim të shekullit të tetëmbëdhjetë, shteti rus në formë të mbretërisë ndodhej ende në konsolidim e sipër në dy anëve të maleve të Uralit, pa një territor të qartë se ku përfundonin kufijtë e tij. Në këtë kohë, Rusia nuk ishte një shtet që i shkonte fjala në marrëdhëniet ndërkombëtare: nuk posedonte armatë të fuqishme, strukturë politike me ndikim në rrjedhat ndërkombëtare, dhe as nuk kishte qasje në ujërat e ngrohta apo në viset jugore përballë Deti të Zi. Në fillim të shekullit XVIII, Rusia i dha fund një lufte 14 vjeçare me perandorinë otomane (1686–1700), dhe kjo i mundësoi të kishte më shumë autoritet në skenën ndërkombëtare, dhe të hapej më shumë. Nevojat e saj për tregti detare filluan të kishin më shumë trajtim megjithse, portet baltike në veri mbaheshin nga anglezët dhe holandezët. Mbreti rus Pjetri i Madh, kërkoi të kishte një port rus në viset veriore të Baltikut në mënyrë që Rusia të mos varej nga portet që kontrollonin anglezët dhe holandezët, dhe kësisoj, as nga taksat tregtare. Mirëpo, klima e ashpër veriore ishte një pengesë e natyrshme e komunikimit dhe e qarkullimit. Kjo situatë, e shtyri mbretin Pjetër që të zbriste në brigjet e ngrohta të Detit të Zi.
Ankorimi rus në këtë pjesë të vakët, që domethënë krijimi i porteve detare ruse, u bë shkas që Rusia të kishte edhe një flotë ushtarake detare. Ky veprim, shkaktoi fërkime të serishme me perandorinë otomane. Lufta e radhës me otomanët qe e pashmangshme (1710–1711). Por duhet theksuar se nga kjo kohë, Rusia nuk iu nda më asnjëherë pellgut të rrjedhave të fundme të lumit Dnjepër dhe lumit Don mes të cilëve lumenj, ndodhej edhe siujdhesa e Krimesë apo, pika më gjeostrategjike në këtë pjesë të botës. Qasja në Detin e Zi, e shndërroi Rusinë në një aktor ndërkombëtarë, sidomos për shkak të rritjes së kapaciteteve ekonomike-tregtare dhe në veçanti, për shkak të rritjes së autoritetit të Rusisë tek vendet evropiane, si Austria dhe Republika e Venedikut që e shihnin perandorinë otomane si armikun numër një të tyre. S‘këndejmi, hap mbas hapi Rusia mbretërore u hap ndaj perëndimit. Në mes të viteve 1716-1722, Rusia arriti një konkordat me Vatikanin. ( Konkordati, nënkupton një lloj konvente – marrëveshje). Një veprim tjetër strategjik i mbretërisë ruse, qe demarkimi i kufirit me Kinën. Në vitin 1725, dy vendet arritën marrëveshjen e njohur me emrin “Kyahtan” e cila, konsiderohet s’i marrëveshja më e rëndësishme ndërkombëtare që ka të bëjë me përkufizimin e historisë së kufijve të Rusisë, e madje, edhe s’i marrëveshja më e madhe në historinë ndërkombëtare për sa u përket përcaktimit të kufijve ndërshtetërore në mes të shteteve. Edhe sot, marrëveshja “Kyahtan” është në fuqi në mes të Rusisë dhe Kinës.
Në kotalacione të këtilla politike dhe shtetërore, po këtë vit (1725) oborri mbretërorë rus në krye me Pjetrin e Madh, e ngriti statusin e mbretërisë në perandori.

Ekspansionizmi rus
Historia e shtetit perandorak rus, veçmas përgjatë shekullit XIX-të, është pjesë përbërëse e gjithë historisë evropiane. Në traktatin e Vjenës 1815, Rusia e ka fjalën e të fuqishmit madje, duke synuar ndërtimin e nëj rendi ndërkombëtar me premisa të shenjta- hyjnore! Asnjëherë pas këtij traktati, historia evropiane dhe botërore nuk lëvizet dhe as nuk lëkundet pa dorën e shtetit rus. Pse? Shteti rus, pavarësisht zhvillimit të brendshëm ekonomik dhe mirëqenies shoqërore, nuk ndalet së kërkuari zona dhe heartlande për ta shtyrë përpara ekspansionizmin i cili, herë ka influenca fetare, herë influenca politike, dhe herë influenca ushtarake. Edhe pse në Rusi zhvillimi ekonomik, iluminizmi dhe renesanca, s’i dhe demokracia nuk kanë shkuar asnjëherë paralel me kërkesat e brendshme shoqërore dhe shtetërore, shteti rus ka qenë vazhdimisht në gjendje që t’i mbajë aktive interesat gjeopolitike dhe gjeostrategjike, duke qenë konkurrent në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe ndikues e vendimtar në politikat globale.
Në këtë analizë, nuk flasim dot për të gjitha “ndikimet dhe qasjet”, qoftë në mënyrë të përkufizuar historike dhe politike, dhe qoftë për trendët e zhvillimit rus. Mirëpo, ajo që vlen të përmendet, është fakti se ekspansioni rus, është zhvilluar si një kombinim i të gjitha formave dhe mënyrave, përfshirë influencën kulturo- fetare, politike dhe sidomos influencën ushtarake. E kundërta: asnjëherë në histori shteti rus nuk ka qenë me ndikim në marrëdhëniet ekonomike ndërkombëtare, dhe as në lëvizjet politike që kanë determinuar universalitetin e çështjeve pozitive ndërkombëtare, si demokracia, humanizmi, të drejtat e njeriut etj. Jo, shteti rus ka mbetur i bunkerizuar në vorbullën e interesave ekspansioniste dhe shfrytëzuese me qëllim të shtrirjes së ndikimit, por edhe të influencës politike dhe ushtarake deri në vasalizimin dhe pushtimin e shteteve të ndryshme – në forma të ndryshme. Veçmas, ekspansionizmi historik dhe politik rus determinohet si i papërballueshëm për heartlandin ballkanik dhe evropian por pastaj edhe botërorë përgjatë shekullit XX-të, pas triumfit të revolucionit komunist të tetorit 1917. Pse?
Më 1918 nga bolshevikët që e udhëhoqën revolucionin, proklamohet “Federata Socialiste Ruse e Republikave Sovjetike”, dhe më 3 mars 1918 nënshkruhet marrëveshja e paqes me të cilën, shteti sovjetik heq dorë nga Polona, vendet baltike, nga Ukraina, Finlanda dhe nga vendet e Kaukazit. Më 1919 formohet i ashtuquajturi “Kominterni”, dhe klasa politike e dalë nga ky revolucion në krye me V.I.Leninin, e shpallë veten si pijemont të ideologjisë komuniste me çka, e shtrinë ekspansionizmin në të katër anët e botës, me theks të veçantë në Evropë. Gjatë viteve 1919-20 Armata e Kuqe e ri pushton Ukrainën, më 1920 e okupon Armenin, Azerbajxhanin, më 1921 dhe Gjeorgjinë, ndërsa fillon luftën me Poloninë. Bashkimi Sovjetik, më 1920 nënshkruan marrëveshjen për paqe me Estoninë, Letoninë dhe Finlandën, armëpushim me Poloninë me të cilën, edhe e ri tërheq kufirin. Më 1922, bëhet bashkimi i federatës ruse me Ukrainën, Bjellorusinë dhe me Transkauzinë. Rreth e rrotull kufijve të tij, ai që njihet pas vitit 1922 si “Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike”, pasqyronte një shtet prej mbi 22 milion kilometra katrorë: rreth 1/6, e sipërfaqes së tokës!
Nën udhëheqjen e Leninit, Rusia zgjerohet terrirorialisht më shumë se nën çdo sundimtar të deritashëm perandorak. Dy vite më vonë, Lenini vdes më 1924. Pasuesi i tij Josip Stalini, njihet në histori për dorën e fuqishme të sundimit të brendshëm diktatorial, si dhe për forcimin e ndikimit dhe të përhapjes së komunizmit në botë, por nuk njihet si pushtues i vendeve – shteteve. Fati i tij qëndron në atë që në historinë botërore për shkak të luftës së dytë botërore, t’i bie hise që ta komandojë BRSS-në në beteja vendimtare si ajo e Stalingradit kundër fashizmit gjerman. I dalë s’i fitimtari kryesorë, Stalini e shtrinë ndikimin dhe influencën e madhe politike dhe ushtarake në atë që do të njihet si “blloku komunist lindorë”, padyshim nën peshën e mbi 20 milion viktimave që BRSS humbi përgjatë luftës së dytë botërore. Pas vdekjes së tij më 1953, do të jetë pasues Nikita Hrushqovi i cili do ta zhvendosë ushtrinë sovjetike sa në një shtet në shtetin tjetër komunist (Gjermani Lindore, Hungari, Çekosllovaki), duke shtypur me tanke çdo përpjekje për reforma dhe më shumë demokraci, dhe sidomos do ta zhvendosë agjenturën dhe armatën sovjetike, përfshirë edhe armët bërthamore (Kubë, 1961), sa në një kontinent, në tjetrin.
Hrushqovi, do t’i jap ekspansionit ruso-sovjetik një fytyrë edhe më të rrezikshme, me çka do t’i shtyjë përpara agjendat historike dhe politike konjukturale me karakter ekspansionist, dhe do ta vendosë “sovjetizimin” në rangun e një superfuqie hegjemoniste të pafrenueshme. Mirëpo, për shkak të aspiratave diametralisht të kundërta me qeverisjen komuniste, me administrimin dhe me mundësitë e kontrollit dhe të zhvillimit ekonomik, në vitet e 90-ta i gjithë sistemi komunistë në botë me BRSS-në në krye, do të falimentoj. Sido qoftë, gjithandej, bashkë me ‘falimentimin’ e (pa) pritur komunist, do të shpaloset edhe një ‘histori’ e njohur dhe e panjohur sovjetike që, duket se ashiqare e ka përcjellë një dyzim rrezikshmërie, injorance, pabesie dhe një pasqyrë krimogjene e shfrenuar e brendshme: shoqërore, politike dhe ushtarake.

Vladimir Putini

Kjo, është në pika të shkurtra ‘historia’ e njërit prej shteteve më të mëdha në botë, natyra e të cilit shtet ka qenë vazhdimisht problematike, agresive dhe mbi të gjitha, luftënxitëse! Në kontekst, në vitin 2025, Rusia e sotme shënon ‘300 vjetorin’ e formimit të perandorisë ruse! Ky, është një moment historik dhe politik për shtetin rus, i cili edhe pse nuk e dimë se s’i do të shënohet dhe me çfarë agjendash do të festohet në vitin 2025, megjithatë ky fakt na ri këndellë për t’iu qasur një analize të këtillë. Pse?
Rusia postkomuniste, e cila në vitet e 90-ta u reduktua ndjeshëm mbi një rrëmujë të brendshme politike, sociale dhe territoriale, humbi disa republika që e përbënin unionin sovjetik. Po ashtu, humbi ndikimin në disa shtete në Evropën Qendrore, si dhe ndikimi i saj historik në Ballkan pësoi tronditje! Disa vite më vonë, me fillimin e mileniumit të ri dhe të rendit tjetër botërorë, ( unilaterizmit ndërkombëtar të fuqisë dhe globalizmit e teknologjisë), Rusia ka në krye një drejtues që e ka ringjallë në masë të konsiderueshme frymën politike dhe historike të këtij shteti (dikur superfuqi botërore), në përmasa ekspansioniste. Vladimir Putini, ish agjent i KGB-së, sot president i Rusisë, po e demonstron tendencën e rikthimit të fuqisë politike dhe ushtarake të dikurshme të Rusisë si pasuese perandorake dhe e sovjetizmit. Me takt të sjelljeve dhe veprimeve të dyzuara në skenën ndërkombëtare dhe duke e shfrytëzuar një armë të veçantë ( naftën dhe gazin natyrorë për ngrohje), Vladimir Putini duket që miliardat e fituar nga gazi i ka kanalizuar në rrjetet propagandistike, agjenturore dhe sidomos në makinerinë ushtarake.
Demonstrimet e fuqisë putiniste, janë shprehur fillimisht në rrethinat e detit Kaspik, në Kaukaz dhe në Detin e Zi. Për pasojë, Putini ka nxitur rebelime të ndryshme në Gruzi, Armeni, Gjeorgji me çka, ka rikthyer pjesë të territoreve të dikurshme dhe të njëjtat, i ka bashkangjitur me territorin rus si Abhkazinë dhe Osetinë, Ceceninë etj. Po ashtu, e ka rikthyer fuqinë e ndikimit në shtetet kaukaziane që u pavarësuan në vitet e 90-ta nga ish unioni sovjetik. Në kontekst të planeve dhe të projekteve të fshehta – konspirative me karakter ndikimi dhe ekspansioni, Putini ka nxitur vatra të krizave s’i në Ballkan, në Lindjen e Afërme dhe në bregdetin Afrikan. Sipas hulumtimeve dhe analizave të deritashme, Vladimir Putini, i shtyrë nga përvoja e tij prej agjenti, besohet se ka shpërndarë në 10 vitet e fundit mbi 800 milion dollarë në shtet të ndryshme përmes ankorimit të oligarkëve rus si Abramoviq, dhe kompanive ofshore për të krijuar dhe funksionalizuar në shtete të ndryshme celula agjenturore, skema krizash, organizata, media dhe kompani ndërtimi përmes të cilave, ka shkaktuar influencë të fshehtë dhe de stabilitet për nevojat politike dhe strategjike ruse. Ndërhyrja në zgjedhjet presidenciale amerikane në vitin 2016 përmes teknologjisë informative, përbën një prej shqetësimeve më të mëdha globale të de stabilizimit të brendshëm të shteteve dhe të sistemeve qeverisëse.
Vladimir Putini, nuk e ka fshehur figurshmërinë e tij dhe autoritetin në planin e brendshëm duke eliminuar fizikisht kundërshtarët politik dhe opozitën, si dhe në planin ndërkombëtarë nuk ka qenë aspak i frenueshëm mbi përpjekjet për ta rikthyer fuqinë e dikurshme të Rusisë në skenën ndërkombëtare. Megjithëse me takt dhe me strategji, ka disa vite që përpjekjet e tij kanë qenë të dukshme për influencim dhe ndërhyrje në kriza të ndryshme si në Siri, Libi, Afganistan etj. Në anën tjetër, me një politikë të rafinuar, Putini ka arritur që ta mbajë në ankth Evropën përmes Ballkanit duke e sabotuar vazhdimisht ‘paqen ballkanike” në Kosovë dhe në Bosnje, kushtimisht përmes Serbisë. Kërcënimet me rikthimin e luftës në Bosnje përmes ‘Republika Stërpikës” dhe komprometimi e denigrimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përmes ‘raportit të Dick Martit” dhe për rrjedhojë e presionit rus në organizatat ndërkombëtare edhe formimin e Gjykatës Speciale të Kosovës ( ekstradimi në Hagë i udhëheqësve kryesorë të luftës së UCK-së), nuk kanë qenë aspak të rastit por, padyshim pjesë e një konspiracioni të madh rus.

Para festa e përgjakshme

Ashtu saç Rusia në këto vite ka ndjekur linjat e forcimit politik dhe ushtarak pa zgjedhur mjete, po kështu edhe makthi evropian i disa shteteve ka ardhur duke u rritur. Anglia, është tërhequr nga politikat dhe bashkëpunimi evropian në kuptimin s’i brenda “BE”-së, dhe shtetet si Rumania, janë kujdesur për të siguruar mbrojtje të fuqishme ushtarake për vendet e tyre! Në kontekst, ish presidenti i SHBA-ve, Donald Trump i pati tërhequr vërejtjen Gjermanisë dhe Evropës se po futeshin pavetëdijshëm në skemat putiniste përmes bashkëpunimit tregtar: eksportit të naftës dhe të gazit për ngrohje. Analistët e Forbes, kanë vënë në spikamë se Rusia eksportonte rreth 5 milionë fuçi naftës së papërpunuar në ditë, dhe 2.5 milionë fuçi të disa produkteve të rafinuara të naftës, gjë që kjo përbën rreth 10% të tregtisë botërore të naftës. Në kontekst, kohët e fundit Rusia ka gjeneruar më shumë se 600 milionë “petrodollar” në ditë. Sot, rezervat e bankës qendrore të Rusisë kanë arritur në 640 miliardë dollarë. Ky, është ekuivalenti i 17 muajve të fundit të të ardhurave ruse nga eksporti, falë edhe rritjes së çmimeve të naftës dhe të gazit, ka shkruar Forbes më 26 shkurt. Në përgjithësi, sot fragliteti i njohur historik evropian, ka ardhur në pyetje përballë një Rusie që e ka parë heartlandin evropian vazhdimisht si hemisferë të saj, kushtimisht Evropën Qendrore dhe Ballkanin s’i hemisferë të vazhdueshme madje, edhe për pushtim!
Kështu, tri vite përpara se Rusia të e shënojë 300 vjetorin e themelimit të perandorisë ruse, kërcënimet ruse kanë marrë forma të rrezikshme. Vladimir Putini, ka urdhëruar më 24 shkurt 2022 që ushtria ruse të ndërhyjë në Ukrainë. Dita e këtij vendimi, është përputhur me fillesat e revolucionit komunist rus në krye me Leninin në vitin 1917. Epo, çdo gjë përputhet më shumë me vigjiljen historike të vitit ‘1725’, që domethënë me 300 vjetorin e perandorisë. Edhe më shumë, çdo gjë përputhet me historinë e ekspansionit rus që nuk justifikon mjete në këtë rrugë. Sot, lufta që po zhvillohet tani në Ukrainë, potencialin ushtarak që Rusia e ka zhvendosur në këtë shtet të pavarur me qëllim të ndarjes territoriale dhe mundësisht edhe të pushtimit dhe të bashkëngjitjes së këtij vendi të madh Rusisë ( rreth 50% të kapaciteteve ushtarake), nuk duan shumë koment ! Prandaj, agresiviteti dhe gjenocidi shtetërorë rus në Ukrainë në sy të botës, shkojnë paralel me historinë krimogjene ruse dhe me karakterin ekspansionit të këtij shteti që po s’u ndal sot, do të jetë vonë nesër! Pse ?
Në vjeshtë të vitit të kaluar, dikush në Moskë kishte shkruar një ese në emër të Vladimir Putinit, dhe kuptohet me miratimin e tij. Ndër të tjera, bie në sy një fjali pararendëse me atë që është duke ndodhur: “Ukraina e ditëve moderne, ka zënë tokat historike të Rusisë. Rusia është vjedhur”. Dhe fjalia tjetër ( Putini: citim): ”Jam besimplotë se sovraniteti i vërtetë i Ukrainës, është i mundur vetëm në partneritet me Rusinë”. Fjalia e parë, nënkupton justifikimin e ‘arsyes dhe e të drejtës’ së intervenimit ushtarak rus në Ukrainë, kurse fjalia e dytë, paraqet kërcënimet e ndryshme sistematike për shtetet e pavarura s’i Ukraina që, ‘sovraniteti i tyre’ është i mundshëm vetëm me partneritetin me Rusinë.
Ukraina, po e paguan një çmim të madh të lirisë dhe të pavarësisë. Por lufta e saj, s’ka të bëjë vetëm me te. Vet presidenti Putin, ka kërkuar revidimin e hyrjes në NATO të shteteve si Rumania Bullgaria, Polonia etj. Prandaj, Rusia duhet të ndalet në kufijtë e saj aktual. Në fakt, duhet të ndalet Vladimir Putini, si kreatori i një “Rusie” moderne me fuqi dhe territore perandorake – komuniste. Putini, sot e pasqyron figurën e një presidenti rus nga më të rrezikshmit në historinë e këtij shteti. Ish presidenti austriak Hans Fisher, e ka cilësuar Putinin s’i ‘gjakftohtë dhe që përngjason me Stalinin. Fisher, ka thënë në një prononcim për gazetën vjenezi “Profil” se Putini ka mësuar nga Stalini. Fjalimi i tij me rastin e intervenimit në Ukrainë, është shumë i rrezikshëm, ka theksuar ish predidenti austriak Fisher.
Putin, po shfaqet gjithnjë e më hapur s’i reinkarnim i “Pjetrit të Madh” dhe i “Vladimir I. Leninit”, prandaj ai gjithsesi duhet të ndalet. Duhet të ndalet sepse, nëse triumfon në Ukrainë, do të kemi në ekran “Ukranina” të tjera. Dhe te porta, ushtritë e tij…

  • Autori, është politolog dhe shkrimtar. Prishtinë, 27.02.2022 .

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu