ARKIVI:
21 Dhjetor 2024

Reportazh nga Shkodra për Kalanë e Rozafës

Shkrime relevante

Këshillë për të krishterët në Kosovë…!

Agim Bajrami  Qëlimi i të gjithëve neve që civilizmin e krishterë e...

Klasë politike më të pafytyrë dhe pakarakter se ne shqiptarët, në Europë nuk ka askush !

Driton Statovci Kur po i lexoj reagimet e politikanëve tonë për sulmin...

Ago Agaj, “Kosovari nga Vlora”, në 30 vjetorin e kalimit në amshim

Dr. Ago Agaj, bashkpuntor politik i çeshtjes kombëtare dhe mik i...

Shpërndaj

Nga: Sheradin Berisha, Shkodër, qershor 2021
KALAJA E ROZAFËS NË SHKODËR
Shkodra shtrihet në veri – perëndim të Sqipërisë, buzë liqenit që mban të njejtin emër (me 370km2), dhe graviton në vendin ku bashkoheshin dy lumenj, Barbana (Buna) që vinte nga Palus Labeatis (Liqeni i Shkodrës) dhe Klausala (Kiri) që rridhte në Lindje. Shkodra ka më se dymijë vjet që nuk e ka ndryshuar emrin. Romakët e kanë thirrur qytetin Scodra; po ashtu edhe grekët. “Hahn ka menduar se emri vjen nga fjala shqipe kodra” (tezë kjo tashmë e kapërcyer nga studiuesit). Ndër autorët antikë, Shkodra përmendet fillimisht tek Polibi, i cili na jep disa karakteristika të tij, ndersa Tit Livi e cilëson Scodren si “vendi më i fortë i labeatëve dhe i vështirë për t’u afruar”. Pra, Shkodra është qendër e një hinterlandi të banuar në mënyrë të panderprerë, ku janë gjetur gjurmë të paleolitit (gurit të vjetër) të mesëm, ndërsa që nga neoliti (guri i ri) gërmimet kanë zbuluar vazhdimësi jetese që vjen deri në ditët tona. Objektet e gjetura gjenden në muzeumin e qytetit, dhe në atë të Tiranës. Shkodra sot, është qendra më e madhe ekonomike dhe kulturore e Veriut të Shqipërisë dhe një nga tre qytetet më të mëdha pas Tiranës dhe Durrësit. Në Shkodër kalojnë lumejt Drin, Bunë e Kir, dhe rrethohet nga një varg malesh si: Maranaj në Veri, Cukali dhe Sheldia në lindje dhe Taraboshi në Jugperëndim.
Kalaja e Rozafës në antikitet
Kalaja e Rozafës në Shkodër është një prej kështjellave më të rëndësishme të Shqipërisë dhe objekti kryesor turistik në qytetin e Shkodrës. Ngrihet mbi një kodër shkëmbore në perëndim të qytetit të Shkodrës e rrethuar prej ujrave të lumenjve Bunë, Drin dhe Kir. Mbi faqet e pjerrëta të kodrës ngrihen muret rrethuese të cilat zenë një sipërfaqe rreth 9 hektarë tokë. Kalaja hyrjen kryesore e ka nga verilindja. Rrezë kodrave që rrethojnë qytetin në anën jugore të tij janë zbuluar gjurmë arkeologjike që fillojnë nga Bronxi i hershëm. Në mes shek.V-IV p.e.r filloj ndërtimi i Kalasë me gurë ciklopike të puthitur pa llaç, gjurmë të të cilave ruhen edhe sot. Në antikitet zona përreth banohej nga fisi Ilir i Labeatëve dhe jo rastësisht historiani Tit Livi e quan “vendi më i fortë i labeatëve”. Në këtë kohë qyteti merrë hov të madh zhvillimi dhe si fakt për këtë përparim është monedha e përdorur qysh në vitin 230 p.e.s. Nga monedha mësojmë se Qyteti në këtë kohë është quajtur Scodrinon. Në vitin 181 p.e.s qyteti bëhet kryeqendër e Mbretërisë Ilire me mbretin Genti në krye. Në këtë periudhë qyteti shtrihej në pjesën jugore të kodrës, i rrethuar me mure dhe porte hyrëse ndërsa mbi kodrën ku sot ngrihet Kalaja ishte ndërtuar Akropoli ilir. Gjurmët më të dukshme të periudhës ilire në Kala i gjejmë në oborrin e vogël mes Barbakanës dhe portës së dytë si dhe në të majtë të kthesës hyrëse tek porta e dytë. Pikërishtë në Kala dhe përreth saj gjatë shek.II p.e.s u zhvilluan luftrat me perandorin romake dhe në vitin 168 p.e.s, pushtohet nga ushtrija perandorake. Në periudhën e Dioklecianit qyteti (nga reformat e tij) bëhet qendër administrative e provincës së Prevalit.
Kalaja e Rozafës në kohën e mesjetës
Me dyndjet sllave qyteti pushtohet dhe gjatë shek.XI bëhet kryeqendër e shtetit të Zetës (në vitin 1040). Më vonë qyteti pushtohet një kohë të shkurtër nga bullgarët, por deri me sot nuk janë zbuluar gjurmë ndërtimesh të kësaj periudhe në Kala. Në shek.XIV qyteti bëhet qendër e rëndësishme autonome, madje më 1360 bëhet kryeqendër e Principatës së Balshajve. Më 1396 kalon nën sundimin e Venedikut dhe në këtë kohë qyteti quhet me emërtimin Scutari. Në këtë periudhë, mes sundimit të Balshajve dhe pushtimit Venedikas Kalaja merr formën që ka dhe sot. Kullat mbrojtëse në oborrin e parë i përkasin kësaj kohe. Pas Balshajve ishin Venedikasit që vunë dorë në Kala, kryesisht në fortifikime dhe ndërtime me karakter ushtarako-administrativ. Me 1407-1414 ndërtohet Barbakania me qëllim mbrojtjen e hyrjes në kështjellë. I gjithë kompleksi i hyrjes përfundoi më 1468 kur pasi përballoi kryengritjet e popullsisë vendase në vitet 1405-1410 kundër sundimit Venedikas, kështjella po bëhej gati të përballonte pushtimin osman. Venedikasve i përket dhe një ndërtesë monumentale në oborrin e tretë me tre katë dhe e paisur me fengjij topash e njohur si Kapiteneria.
Kalaj e e Rozafës gjatë pushtimit osman
Me 1478 Sulltan Mehmeti II rrethon Shkodrën me mbi 100.000 ushtarë si kështjella e fundit e pa pushtuar deri atëkohë. Mbrojtja e Shkodrës zgjati për rreth 8 muaj nga vetëm një garnizon prej 1600 vetash shkodran dhe venedikas brenda në Kala pasi pjesa tjetër e popullsisë ishte larguar nga frika e pushtimit osman. Kjo qëndresë heroike e Shkodrës para Sulltan Mehmet fatihut u përshkrua nga historiani i parë shqiptar i asaj kohe Marin Barleti në Librin e tij “Rrethimi i Shkodrës“ që u botua në Itali në vitin 1504. Në fund kështjella u dorëzua me kusht pas marrëveshjes së nënshkruar mes Venedikut dhe osmanëve më 25 Prill 1479. Gjate pushtimit qyteti dhe vetë Kalaja pësuan dëmtime të mëdha, të cilat u riparuan nga pushtuesit osman kryesishtë në fortifikime dhe riparimin e dëmeve tjera të shkaktuara nga sulmet. Rimëkëmbja e qytetit bëri që në shek.XVII të bëhet qendër e Sanxhakut. Nga fundi i shek XVII fillimi i shek.XVIII fillon shtrirja e qytetit në fushën ku shtrihet sot. Deri nga fundi i shek.XVIII qendër e qytetit shërbente Xhamia e Plumbit ndërtuar nga Mehmet Pashë Plaku Bushatllij në vitin 1768. Lëvizja drejt fushës së krijuar nga Liqeni i Shkodrës ndodhi dhe për shkak se tashmë lumi Drin kishte ndryshuar shtratin e tij dhe Shkodra ishte kthyer në port lumor nëpërmjet lumit Buna. Në gjysmën e dytë të shek.XVIII Shkodra bëhet kryeqendër e Pashallëkut të familjes vendase Bushatllij që qeverisi Shkodrën në vitet 1757-1831 pallati i së cilës ndodhej në kështjellë, por që fatkeqsisht u dogj nga një zjarr i rënë aty në vitin 1858. Gjatë kësaj periudhe të sundimit të Bushatllijve, Shkodra mori një zhvillim të shpejtë. U ndërtua Pazari, i cili numëronte më shumë se 2500 dyqane dhe që ishte më i madhi në Ballkan. Në këtë kohë qyteti numëronte 50.000 banore. Deri në vitin 1858 pallati ka shërbyer si banesë e Valiut të qytetit. Bushatllijt vunë dorë edhe në Kala kryesishtë në kulla mbrojtëse dhe vrojtimi siç është ajo në jug-perëndim të kështjellës e ndërtuar për të kontrolluar rrugën nga Lezha dhe zonen ku bashkohet lumi Drin me Bunën. Kjo kullë është e paisur dhe me një dalje të maskuar në raste rrethimi nga Kalaja. Bushatllijve i përket dhe muri që ndan pothuajse në mes kështjellën i paisur dhe me portë hyrëse me qemer të trefisht. Përfundimisht Kalaja e Rozafës – Shkodrës u braktis në vitin 1865 kur administrata e qytetit u shpërngul për në qendrën ku është dhe sot dhe mëpastaj Kalaja shërbeu vetëm si qendër e garnizonit osman.
Toponimia e Rozafës
Kështjella njihet me emrin Rozafa në periudhën e mesjetës, gjatë së cilës u pushtua herë nga sllavët dhe herë nga bizantinët. Marin Barleti, në shek. XV – në veprën e tij, “Rrethimi i Shkodrës” tregon se: “Na patën rënë në dorë disa shkrime… Ishin shkruar aty në gjuhën popullore se një farë Roza me motrën e vet, të quajtur Fa, qenë themelueset e parë të Shkodrës e prandaj fortesa e saj quhet Rozafa”. Ekziston një variant i baladës, në të cilin gjithçka kryhet nga Roza e Fa sipas veprimeve dhe situatave të baladës së murimit. Por Barleti nuk i përmend situatat dhe nuk e përmend flijimin. Ndoshta sepse ai është monoteist. Mbledhësi i këtij varianti është H. Hecquard dhe për këtë çështje shprehet më hollësisht në një studim Vili Kamsi. Emri i Kështjellës është i lidhur me legjendën e murimit. E ndërtuar gjatë mbretërisë Ilire, përfaqsohet nga një legjendë që tregon mbajtjen e një premtimi, të Besës legjendare. Rozafa, nusja e më të voglit ndër tre vëllezër (baca Gjergj), u muros e gjallë në themelet e kalasë,- si këshillë nga një plak tregon legjenda,- si një sakrificë për të ndalur përgjithnjë syrin e keq që shkatrronte muret për çdo natë. Uji gëlqeror që kalon ndër muret e kalasë lidhet, në fantazinë e folklorit, me qumështin e gjirit të Rozafës, kërkesa e së cilës si akord për të pranuar sakrificën ishte lënja e anës së djathtë të trupit «sýnin e djathtë që t’shoh birin t’em, krahun e djathtë qi t’a mbâj, gjinin e djathtë qi t’a ushqej, kâmben e djathtë qi m’e përkûnd djepin» që të kujdesej për të birin e sapolindur. Për toponiminë, balada, sidomos ajo që flet për kalanë e Shkodrës, jep një sërë territoresh. Ato gërshetohen me territorin rreth kështjellës se Rozafatit: Kazenë (kodra matanë Bunës ku ndodhet kisha e Sh.Mari Magdalenës), Maldunus ose Valdunus (kodra mbi të cilën ngrihet Rozafati), Zarufe (kodra e Pashës). Të tria këto ekzistojnë edhe sot.
Struktura ndërtimore e Kalasë së Rozafës
Sipërfaqja e brendshme e kalasë ndahet nga muret e tre oborreve, me porta mes tyre. Oborri i tretë, i cili është më i vogël se të tjerët, ndodhet në pjesën më të lartë të kodrës. Në muret dalës të tij, ka të dalura drejtkëndëshe që zëvendësojnë kullat, ndërsa në murin e jashtëm, kullat janë më të dendura. Brenda kështjellës ka disa ambiente që lidhen me një kullë rrethore, një depo si dhe një godinë trekatëshe të kohës veneciane. Oborri i dytë zë pjesën qendrore dhe më të madhe të kalasë duke u ndarë nga oborri i parë me një mur tërthor pa kulla. Brenda tij ndodhen katër depozita për grumbullimet e ujit, katërkëndëshe të mbuluara me qemerë, prej të cilave uji merrej përmes grykave të puseve rrethore. Aty ruhen dhe një depo, një burg si dhe një kishë e kthyer më vonë në xhami. Oborri i parë komunikon me hyrjen kryesore të kalasë, para së cilës në vitet 1407-1416, u ndërtua një oborr i fortifikuar, një sistem paramuresh me kthesa të mprehta që zënë pjesën lindore të kalasë. Oborri përbëhet nga një kullë katërkëndëshe me gjerësi 10 metra dhe gjatësi 20 metra, kati i poshtëm i së cilës është i mbuluar me një qemer cilindrik përshkues që nga hyrja. Në dy anët e kësaj galerie ndodhen nga katër nike të mbuluara me qemer cilindrik.
Kati i dytë i kullës përfundon me një tarracë pjesërisht të mbuluar me çati, ndërsa pjesa tjetër ishte rrethuar me një parapet të pajisur me bedena dhe frëngji. Porta mbulohet me një hark sektorial të dyfishtë prej gurësh të punuar, mbi të cilin ndodhet një hark shkarkues gjysmë rrethor prej dy rrathë gurësh të punuar, brenda fushës së të cilit është gdhendur si dekoracion një hark majë lundre me një formë spirance në kulmin e saj. Pas korridorit të kullës ndodhet një oborr i vogël katërkëndësh i kufizuar djathtas me mur. Këtu ndodhen shkallët për në shtegun e rojës. Përballë murit ndodhet porta kryesore e kështjellës dhe anash saj një portë e vogël. Për të hyrë në brendësi të kalasë, duhet të kalosh një korridor në formë L-je, të mbuluar me qemer cilindrik, fundi i të cilit mbyllet nga një portë e dytë. Një pjesë e qemerit është me tulla dhe në kyçin e tij ndodhet një vrimë drejtkëndëshe 40 x 55 cm që shërbente për të hedhur lëndë djegëse të nxehtë mbi kundërshtarin.
Përveç hyrjes kryesore, kalaja ka edhe disa hyrje të vogla që shërbenin për manovrimin e forcave në raste rrethimi apo si dalje sekrete. Njëra prej tyre, e ndodhur në rrëzë të paramurit lindor, ruhet akoma dhe ka një thellësi rreth 4 metra. Venecianët kanë kryer punime të veshjes së kullave dhe nën këto veshje ka ndërtime që i përkasin periudhës kur sundonin Balshajt. Gjatë riparimeve, anës së jashtme të mureve, iu është dhënë pjerrësi në formë skarpati që arrin deri në gjysmën e lartësisë së tyre.
Nga ana perëndimore e kalasë, sipërfaqe të pjerrëta të kodrës shkëmbore janë veshur me gurë të skuadruar. Aty ku veshja e mureve nuk është bërë, dallohen teknikat e vjetra me vendosje copa tullash mes gurëve, ndërsa harqet e dritareve dhe frëngjive janë punuar me tulla të rrethuara me bordurë. Kullat kanë forma rrethore dhe katërkëndëshe, në një lartësi 12-16 metra. Ato janë më të larta në anën e jashtme dhe përbëhen nga një kat i mbuluar me qemer dhe tarraca me parapet të dhëmbëzuar. Hyrja në ambientet e kullave bëhej përmes një porte të hapur në murin e tyre të prapmë, ndërsa lidhja me tarracën bëhej përmes shkallësh të brendshme që përfundonin në tarracë nëpër një baxho katrore me mur anash, ose me shkallë të jashtme guri.
Kalaja ka një pozicion të fuqishëm strategjik duke kontrolluar të gjithë territorin e gjërë përreth. Ajo ishte në qendër të një sistemi të plotë mbrojtjeje, që përbëhej prej një vargu kështjellash të tjera më të vogla si ajo e Ballezës, Drishit, Danjës, Shurdhahut etj.
Muzeu i Kalasë “Rozafa”
Muzeu i Kështjellës – Rozafa gjëndet në oborrin e tretë të kalasë “Rozafa” dhe është vendosur në një ndërtesë të shek. XV që njihet me emrin “Kapitaneria”, rezidenca e Kapitanit (sundimtarit Venedikas). Dallohet se është ndërtesë me karakter ushtarak nga trashësia e mureve (2.1m. në bazë dhe 1.9 m. në katin e tretë) për t’i bërë ballë goditjeve direkte të artilerisë, nga dritaret e vogla që kanë shërbyer si frëngji (ato të katit të dytë), nga dalja e fshehtë, hyrja e së cilës është në katin e parë dhe nga qemeri masiv prej guri që e mbulon, i cili shërbente për ta mbrojtur nga predhat zjarrvënëse. Vetë ndërtesa me arkitekturën e saj të jashtme e të brëndshme e volumet e mëdha është shumë tërheqëse për vizitorët. Shkallarja e brendshme prej guri, çatia e lartë me qemer, ndarja e kateve me elemente prej druri dhe përdorimi i parmakëve prej hekuri të rrahur shprehin më së miri traditën e hershme ndërtimore lokale. Në dy sallat e mëdha, që zënë plotësisht katin e parë dhe të dytë të saj, janë ekspozuar objekte të shumta muzeore që paraqesin historinë e lashtë e të lavdishme të kështjellës. Në katin përdhes, në ballë një basoreliev i punuar mjeshtërisht nga autori shkodran Skënder Kraja, paraqet legjendën e famshme të themelimit të qytetit, sipas së cilës nëna e re shkodrane (Rozafa) vetësakrifikohet, duke u murosur për së gjalli në muret e qytetit, që ato të qëndronin përjetësisht. Në vitrinat e panelet e kësaj salle janë sistemuar me shije objekte arkeologjike, si enë e fragmente enësh prej qeramike të periudhave të ndryshme parahistorike, antike e mesjetare, më të vjetrat prej të cilave janë ato të epokës së bronzit të hershëm (2000 vjet p.e.s.), kur nisi jeta mbi këtë kodër. Gjithashtu aty paraqiten mjaft objekte të tjera metalike si vegla pune, armë, stoli e monedha, zbuluar në kohë të ndryshme mbi kodër ose në gërmimet arkeologjike të realizuara poshtë saj, ku shtrihej qyteti antik e mesjetar. Një interes të veçantë ngjallin tek vizitori gjylet prej guri të përmasave të ndryshme, më të mëdhatë e të cilave peshojnë mbi 400 kg. që u përdorën në dy rrethimet osmane për pushtimin e kështjellës në fund të shek XV. Gjithashtu, në këtë sallë janë paraqitur bustet e tre mbretërve ilirë: Bardhylit, Teutës e Gentit, punime gjithashtu të një skulptori shkodran. Përballë tyre janë ekspozuar anijet – maket të tipit “lembos” të njohura në botën romake, si dhe prej atyre tregtare të shek. XVIII. Në sallën e katit të parë janë sistemuar materiale historike mesjetare e më tej, flamuj të vjetër kombëtarë, objekte të përdorimit të përditshëm, armë prerëse e armë zjarri, të zbukuruara me shije nga argjendarët shkodranë, por edhe armë të huaja, deri tek armët e vjetra të artilierisë-trofe lufte. Gjithashtu, vizitori mund të njihet me historinë e qytetit, ngjarje të ndryshme e personalitete të rëndësishme, përmes gravurave, riprodhimeve të dokumentave arkivore e të veprave të artit të kohëve të ndyshme. Në qendër të sallës është vendosur një maket i madh i kështjellës dhe rrethinat e saj me pazarin e famshëm të qytetit.
Kalaja e Rozafës – monument kulture
Kalaja është shpallur monument kulture në vitin 1948 dhe mbrohet nga shteti. Për herë të parë restaurimi i Kalasë së Rozafës ka filluar në vitin 1971, kryesisht në hyrje të kështjellës. Pastaj është restauruar Kisha e Shën Stefanit brenda në Kala, ndërtimi i së cilës daton aty nga fundi i shek.XIII dhe që me pushtimin osman kthehet në xhami (në vitin 1479). Nga fundi i viteve 80-të kemi një fazë të dytë restaurimesh në Kala. Objekte të vizitueshme brenda kalasë janë katedralja e shek. XIII, e cila pas pushtimit osman u kthye në xhami, çisternat e ujit të shek XV, kullat si dhe Muzeu i Rozafës.
Në maj – qershor 2012, në Kalanë Rozafa janë zbuluar varre të shek.XVI
Në maj – qershor të vitit 2012 një ekspeditë shqiptaro – polake ka bërë zbulimin e varreve që i përkasin shekullit XVI. Këto zbulime arkeologjike në kalanë Rozafa në Shkodër dëshmojnë qartë kulturën e lashtë ilire të zonës ku ajo ndodhet. Gërmimet arkeologjike në këtë zonë kanë filluar pas 30 vjet ndërprerjesh. Ato janë përqendruar në dy zona, atë të Tabakëve poshtë Kalasë, buzë lumit Drin dhe sipër në oborret e Kalasë së lashtë të qytetit verior. “Aktualisht jemi akoma në punimet e periudhës së gjurmëve otomane, ndërkohë që në vazhdim do të zbresim më poshtë duke u ballafaquar me periudhat veneciane për të vijuar me ato mesjetare, antike, ilire, si dhe të periudhave të mëhershme që e kanë shoqëruar në vite këtë rajon”, ka thënë arkeologu Saimir Shpuza, në një prononcim për mediet shqiptare. Drejtues i ekspeditës polake është arkeologu Prof. Piotr Dyczek, drejtor i Qendrës për kërkime në antikitet për Europen Juglindore në Universitetin e Varshavës në Poloni. Grupi i ekspeditës shqiptaro-polake ka qëndruar në këtë zonë deri më 6 qershor 2012. Për këto gërmime arkeologjike është nënshkruar një kontratë 5-vjeçare midis Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë, Parkut Arkeologjik të Shkodrës, Bashkisë së këtij qyteti, si dhe universitetit “Luigj Gurakuqi”. Ky projekt do të mundësohet nga Ministria e Turizmit dhe Ambasada polake në Tiranë. Gërmimet e filluara mendohet se do të përfshijnë gjithë zonën përreth Kalasë Rozafa dhe zonën brenda saj.
Burimet:
1. Bisedë e autorit me shoqëruesin në Kalanë e Rozafës, më 25. 08. 2012
2. Merita Dollma, Trevat shqiptare, Tiranë 2008
3. Portali www.archeologicalshkodra, com
4. wikipedia,org Kalaja-e-Shkodres
5. muzeushkoder,org ndertesa.e.muzeut
6. /letersi,com/karaiskaj,gjerak/kapitulliv,htm
7. wikipedia,org Historia-e.Shkodres
8. Udhërrëfyesi muzeumeve,shqiptare pdf

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu