ARKIVI:
21 Dhjetor 2024

Republika e Kosovës në çarkun e tradhtisë 

Shkrime relevante

Çfarë shkruan talebani dhe mbetja osmane, Enes Limani…!?

Afrim Caka, Gjakovë Bojkotojeni këtë antishqiptar! Thirreni në prokurori. “Bojkoti ndaj këtij islamisti...

Shoqata për trashëgimi kulturore e Luginës së Preshevës, ftesë për konferencën shkencore që do të zhvillohet me 14, 25 e 26 tetor 2025

SHOQATA PËR TRASHËGIMI DHE KRIJIMTARI KULTURORE E LUGINËS SË PRESHEVËS'    FTESË PËR...

Fitorja e Trumpit është “humbja” e Jack Smith

Beqir SINA ___ Janë ligjvënësit republikanë, ata që kanë treguar tashmë se Smith...

Historia e pavdekshme e Marie Shllakut (1922-1946), të resë shkodrane që e dha jetën për AtMëmëdhe

Klajd Kapinova, New York Historia e pavdekshme e vajzës së re shkodrane...

Skandaloze – KMDLNJ e Prishtinës e ka injoruar Enver Hadrin dhe ekipin tonë

Reshat Sahitaj, shkrimtar   * Themeluesit e KMLDNJ 3prill 1983 Këshilli për Mbrojtjen e...

Shpërndaj

Eshref Ymeri 

Në Portalin “Dritare” të datës 05 mars, lexova analizën me titull “Albin Kurti midis tradhtisë de fakto dhe de juro”, me autor analistin Dritan Goxhaj, një specialist i artit ushtarak, i njohur në mbarë trojet tona etnike për kontributin e tij të spikatur gjatë luftës në Kosovë dhe në Maqedoni në fundin e viteve ’90. 

Në atë analizë është argumentuar në mënyrë shteruese fakti që Kosova nuk gëzon pavarësi, se, konkretisht, siç e kam theksuar në dy artikuj, të botuar kohët e fundit, ajo gëzon vetëm fasadë-pavarësi. Me sa duket, tradhtinë e rëndë të Thaçit dhe të Mustafës, me nënshkrimin e marrëveshjeve në Bruksel me palën serbe në vitin 2013 dhe 2015, Albin Kurti nuk pati vendosmërinë ta ndëshkonte me një Vendim të posaçëm të Kuvendit, të mbështetur fuqimisht edhe nga një Referendum mbarëpopullor. Fakti që Albin Kurti, kur ishte në opozitë, deklaronte se nuk do të ketë kurrfarë bisedimesh me Serbinë, pa flakjen nga kushtetuta serbe të nenit, në të cilin Kosova figuron si pjesë e Serbisë, dhe pa njohjen reciproke, kurse pas ardhjes në pushtet më 14 shkurt 2021, harroi çfarë kishte deklaruar para kësaj date, dëshmon shkoqur fare se ai qenka thjesht politikan, por jo burrë shteti. Pra, po e përsëris: përderisa marrëveshjet tradhtare, të firmosura nga Thaçi dhe Mustafa, tërësisht për interesat e Serbisë, Albin Kurti nuk i flaku në koshin e mbeturinave me Vendim të Posaçëm të Kuvendit, të mbështetur edhe me Rederendum mbarëpopullor, atëherë ai i paska përkrahur ato marrëveshje. Në këto kushte, vetvetiu lind pyetja: 

Cila është arsyeja? 

Shtrimi i kësaj pyetjeje nuk lë shteg për t’u habitur. Jo, sigurisht. Sepse historia jonë pa histori, është bindëse katërcipërisht: në krye të politikës shqiptare gjithmonë kanë dalë vetëm politikanë me karakter të dobët. Prandaj kishte shumë të drejtë ai gazetari italian që pati ardhur për vizitë në Tiranë në vitin 1992, kur kolegut shqiptar që e shoqëronte, i pati deklaruar: 

“Para se të vendosja të vija për vizitë, pata lexuar shumë për historinë tuaj. Nga sa lexova, erdha në përfundimin se pas Pirros së Epirit dhe Skënderbeut, ju nuk keni histori absolutisht”. 

Është kjo arsyeja që “kurva e motit”, duke e ditur me kohë e me vakt se ç’politikanë të pavendosur kemi pasur dhe kemi në krye të vendit, ndaj nesh, në heshtje, ka mbajtur një qendim tradicionalisht shpërfillës, deri në përbuzje, dhe trojet tona etnike i ka konsideruar vetëm si laborator për eksperimente. Për pasojë, Serbia, si e përkëdhelura e “kurvës së motit”, vërtet doli e humbur nga lufta e vitit 1999, por ajo siguroi nga Perëndimi një përkrahje mbresëlënëse në periudhën e pasluftës. 

Nënshkrimi paskëtaj i çdolloj marrëveshjeje mes palës kosovare dhe palës serbe, ku figuron shprehja “bashkësia e komunave serbe”, është tradhti e rëndë kombëtare. Kjo për arsyet në vijim:  

Së pari, nënshkrimi i një marrëveshjeje të tillë, me shprehjen e lartpërmendur brenda, ndërkohë që në një nen të posaçëm të kushtetutës serbe, Kosova quhet pjesë e Serbisë, është tradhti e rëndë kombëtare. 

Së dyti, nënshkrimi i një marrëveshjeje të tillë, me shprehjen e lartpërmendur brenda, ndërkohë që Serbia nuk ka kërkuar ndjesë publike për të gjitha krimet barbare që pati kryer gjatë dhjetëvjeçarit të fundit të shekullit që kaloi, është tradhti e rëndë kombëtare. 

Së treti, nënshkrimi i një marrëveshjeje të tillë, me shprehjen e lartpërmendur brenda, ndërkohë që Serbia vazhdon të heshtë për të zhdukurit pa lënë gjurmë, është tradhti e rëndë kombëtare. 

  Së katërti, nënshkrimi i një marrëveshjeje të tillë, me shprehjen e lartpërmendur brenda, ndërkohë që Treshja që erdhi në pushtet pas 14 shkurtit 2021, nuk i hodhi poshtë me vendim Kuvendi dhe me Referendum mbarëpopullor të gjitha marrëveshjet e kryetradhtarëve Thaçi dhe Mustafa, të nëshkruara me Beogradin në Bruksel në vitet 2013 dhe 2015, është tradhti e rëndë kombëtare. 

Së pesti, nënshkrimi i një marrëveshjeje të tillë, me shprehjen e lartpërmendur brenda, ndërkohë që shpërfillen   marrja e një vendimi të Kuvendit dhe zhvillimi i Referendumit mbrëpopullor për vjeljen e mendimit që kanë shumica dërrmuese e deputetëve dhe e qytetarëve për krijimin e bashkësisë së komunave serbe, është tradhti e rëndë kombëtare. 

Së gjashti, nënshkrimi i një marrëveshjeje të tillë, me shprehjen e lartpërmendur brenda, ndërkohë që Serbia fashiste doli e mundur nga lufta që nisi në Kosovë në vitet ’90, pëprmbys një realitet historik, sepse një shtet agresiv që ka kryer krime barbare dhe e ka humbur luftën, në vend që të ndëshkohet me dëmshpërblimin e krimeve të kryera, shndërrohet në një shtet fitimtar dhe viktima e agresionit të tij shndërrohet në fajtore, se i zhvatet  një pjesë e territorit. Në këto kushte, nënshkrimi në fjalë është vetëposhtërim i Republikës së Kosovës, është tradhti e rëndë kombëtare. 

Së shtati, në bazë të propozimit evropian për Marrëveshjen Kosovë-Serbi, në Nenin 7 thuhet: 

“Të dyja palët angazhohen… për të siguruar një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë…”.  

Vetëmenaxhim i komunitetit serb, do të thotë shkoqur fare “vetadministrim për komunitetin serb”, një shprehje kjo, me të cilën Brukseli mundohet të maskojë djallëzisht të drejtën e atij komuniteti për vetëvendosje, domethënë për shpalljen e një shteti serb brenda territorit të Republikës së Kosovës. Kuptohet vetvetiu që nënshkrimi i një marrëveshjeje të tillë është tradhti e rëndë kombëtare.  

Së teti, Propozimi evropian për Marrëveshjen Kosovë-Serbi ka në themel pikëpamjen e kancelarit  gjerman Sholc (Scholz) dhe të Presidentit francez Makron (Macron). Sipas tyre, propozimi është frymëzuar nga Traktati themeltar i dy Gjermanive të vitit 1972, dhe se nuk bëhet fjalë për njohje reciproke, por për bashkëjetesën dhe bashkëpunimin paqësor. 

Është me të vërtetë e çuditshme se si ka mundësi që këto dy personalitete të larta të Bashkimit Evropian t’i lejojnë vetes një krahasim të tillë të Kosovës dhe Serbisë me dy Gjermanitë e para vitit 1990! Dy Gjermanitë përbëheshin nga një etni e vetme – nga etnia gjermane, e cila, për arsyet që dihen, u nda në dy shtete – në pjesën lindore (sovjetike) dhe në pjesën perëndimore (amerikano-anglo-franceze). Kurse Kosova dhe Serbia përfaqësojnë dy etni krejtësisht të ndryshme, të cilat, gjatë shekujve, as i  ka bashkuar dhe as i bashkon absolutisht asgjë, deri sot e kësaj dite, në çdo aspekt të jetës. Një krahasim i tillë tingëllon sa naiv, aq edhe paradoksal, krahasim ky që zbulon ose mangësinë e theksuar të formimit intelektual, ose hilenë e këtyre dy kryepërfaqësuesve të politikës evropiane.  

Ky krahasim i papranueshëm dhe revoltues, përbën një gafë të rëndë politike dhe të kujton një deklaratë absurde të presidentit italian Serxho Matarela (Sergio Mattarella 1941), i cili, gjatë një vizite në Beograd në maj të vitit 2015, nga tribuna e parlamentit serb, lëshoi broçkullën në vijim: 

“Rrënjët e marrëdhënieve tona, atyre mes Serbisë e Italisë, janë të thella, ndër shekuj në histori. Serbia ka nxjerrë nga gjiri i  saj 17 perandorë romakë, ndër të cilët veçohet figura e Konstandinit”. 

Presidenti italian, ose për shkak të një “hapësire boshe” në formimin e vet intelektual, ose me qëllime dashakeqe, shtrembëronte të vërtetat historike për perandorët romakë me prejardhje ilire, të cilët kërkonte t’i shiste për perandorë “me prejardhje serbe”. Se dihet historikisht që 20 perandorë romakë, duke filluar nga Deciusi (249-251) deri te Justiniani I (527-565) e kanë pasur prejardhjen nga Iliria. Aq më tepër që gjatë kohës së Perandorit Konstandini i Madh (274-337) në krye të perandorisë romake gjatë 31 viteve (306-337), serbosllavët dergjeshin stepave të Rusisë apo nëpër shpellat e maleve Ural.  

Pikërisht edhe për këtë arsye, nënshkrimi i marrëveshjes, me shprehjen e larpërmendur brenda, është tradhti e rëndë kombëtare. 

Së nënti, në bazë të propozimit evropian për marrëveshjen Kosovë-Serbi, në Nenin 10 thuhet: 

Të dyja palët konfirmojnë detyrimin e tyre për të zbatuar të gjitha marrëveshjet e kaluara të Dialogut, të cilat mbeten të vlefshme dhe detyruese”. 

Ky nen e përmban paradoksin brenda. Sepse edhe një lexues me arsim 8-9 vjeçar apo të mesëm, sapo njihet me përmbajtjen e tij, normalisht, shtron pyetjen: 

“Përderisa u dashkan zbatuar të gjitha marrëveshjet e kaluara, të firmosura nga dy kryetradhtarët Thaçi dhe Mustafa, atëherë përse Brukseli na shtruaka një tjetër propozim për marrëveshje me 11 nene?”.  

Veç kësaj, politikani kryesor që pati dhënë orientimet dhe pati nënshkruar ato marrëveshje, ishte Hashim Thaçi, kryetradhtari i Republikës së Kosovës, i cili ka kohë që prehet në qelitë e Hagës. Por ky fakt nuk u bën përshtypje as Kancelarit gjerman, as Presidentit francez, as Brukselit në tërësi, se Thaçi, si argat i Beogradit, ka tradhtuar njerëzit e vet, shqiptarët, çka atyre nuk u ngjall kurrfarë emocioni dhe thonë me vete, në heshtje: 

“Shqiptarët vrafshin veten! Se ne na intereson ta kthejmë Serbinë drejt Bashkimit Evropian”. 

 Pra, për ndryshimin e antenave të Serbisë drejt Perëndimit evropian, Kancelari gjerman, Presidenti francez dhe Brukseli, kërkojnë të bëjnë kurban Republikën e Kosovës me copëtimin e tropjeve të saj. S’kemi pse habitemi: “kurva e motit” ka përvojë të gjatë prej gati një shekull e gjysmë në veprën e saj kriminale për copëtimin e trojeve tona etnike dhe vazhdon të mos ketë të ngopur ende. 

Kjo është një tjetër arsye plus që nënshkrimi i marrëveshjes, me shprehjen e larpërmendur brenda, është tradhti e rëndë kombëtre. 

Së dhjeti, Kancelarit gjerman dhe Presidentit francez, si edhe Brukselit prapa tyre, nuk u bëjnë kurrfarë përshtypjesh krimet e rënda, masakrat e përbindshme,  shkatërrimet masive dhe spastrimi etnik i përmasave biblike që bisha fashiste serbe i shkaktoi një populli të tërë në Kosovë, për çka Serbia duhet të dëmshpërblejë detyrimisht. Nuk u bëjnë përshtypje absolutisht, prandaj edhe në të 11 nenet e propozimit të tyre për marrëveshje, ato krime anashkalohen qëllimisht, për t’i bërë qejfin vetëm Serbisë, si të përkëdhelurës së tyre. Një anashkalim i tillë është mjaft revoltues për mbarë kombin shqiptar, sepse, në heshtje, është një pendesë, është një kërkim ndjese para Serbisë për bombardimet e NATO-s në pranverën e vitit 1999, ndjesë, të cilën, sipas emisionit të lajmeve të “Zërit të Amerikës” të datës 13 tetor 2016, kandidati për president i Shteteve të Bashkuara Donald Tramp (Trump), e pati kërkuar publikisht, sapo filloi fushatën zgjedhore në dhjetor të vitit 2015, duke sulmuar Bill Klintonin dhe administratën e tij. 

Anashkalimi i lartpërmendur është një arsye edhe shumë më e fortë që nënshkrimi i marrëveshjes me atë shprehjen e përsëritur më sipër, është tradhti e rëndë kombëtare. 

Mosnënshkrimi i marrëveshjes nga ana e Vuçiçit gjatë takimit të tij me Kurtin  më 27 shkurt në Bruksel, fsheh në vetvete një djallëzi nga ana e tij, me qëllim që t’ia rritë kredinë vetes në sytë e opinionit publik serb. Sepse mospranimi i tij për ta nënshkruar është me të vërtetë qesharak, kur dihet që marrëveshja është tërësisht në favor të Serbisë, sidomos Neni 7, për krijimin  dhe vetadministrimin e bashkësisë së komunave serbe, diçka varrmihëse për Republikën e Kosovës. Por fakti që serbët, më 05 nëntor 2022, i braktisën të gjitha institucionet e saj, dëshmon pa mëdyshjen më të vogël se ata, faktikisht, e kanë krijuar tashmë bashkësinë në fjalë dhe nënshkrimi i marrëveshjes më 18 mars në Bruksel, për ta është thjesht formal, vetëm sa merr vlerë juridike. Ndërkohë, Treshja udhëheqëse në Prishtinë rri e luan thjesht rolin e soditësit të paanshëm! 

Në mbyllje dëshiroj të theksoj:  

Treshja Osmani-Kurti-Konjufca nuk e vendosën  krejt territorin e vendit nën një qeverisje  të rreptë në zbatimin e ligjit, në përputhje me Vendimin e Gjykatës Kushtetuese për moslejimin e krijimit të bashkësisë së komunave serbe, çka solli si pasojë që ata ta pranojnë, faktikisht, ndarjen e Republikës së Kosovës, duke u bërë pjesë e tradhtisë së Thaçit dhe Mustafës. Për pasojë, më 18 mars, Kurti ka për ta nënshkruar marrëveshjen me Serbinë, me qëllim krijimin e bashkësisë së komunave serbe apo të shtetit brenda shtetit. Po ashtu, sipas Nenit 7, do të bëhet edhezyrtarizimi i statusit të kishës ortodokse serbe, një  tjetër shtet ky brenda shtetit të Republikës së Kosovës. Prandaj Kancelari gjerman dhe Presidenti francez, siç dëshmohet në faqen e internetit “Albanian Post” të datës 04 shtator  2022, në një letër që i dërgonin Kryeministrit Kurti, i jepnin porosi që “të përgatitej për vendime të vështira”. 

Sigurisht, për vendime të vështira u dashka të përgatitet Kryeministri i Republikës së Kosovës, e cila ishte viktimë e barbarisë së egër serbe, dhe jo Serbia fashiste. Domosdo, sepse, siç ka pasë deklaruar shumë vite më parë Shefi i UNMIK-ut Lamberto Zanieri, “…pas ndërhyrjes ushtarake (pas bombardimeve të NATO-s – E.Y.), një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare mori anën e Serbisë” (Citohet sipas: Lamberto Zanieri. “Kosova ka mbetur në mes të rrugës”. Faqja e internetit “Radio Evropa e Lirë”. 16 prill 2011).  

Shqiptarët e mbarë trojeve etnike kanë qenë të bindur plotësisht se Evropa, pas luftës, me përjashtime të rralla, do të merrte anën e Serbisë, anën e shtetit agresor, siç edhe ndodhi faktikisht. Dhe nuk habiten aspak, se ata kanë parasysh karakterizimin që Fishta i Madh i ka pasë bërë Evropës, si “kurva e motit”, për qëndrimin e saj tradicionalisht antishqiptar. Por shqiptarëve nuk u shkonte kurrë ndër mend se anën e Serbisë, shumë vite më vonë, do ta merrte edhe Departamenti i Shtetit. Ambasadorët amerikanë Xhef Hovenier (Jeff Hovenier) në Prishtinë dhe Kristofer (Christopher) Hill në Beograd, kanë kohë që këmbëngulin për krijimin e bashkësisë së komunave serbe.  

A nuk do të ishte mirë që këta ambasadorët amerikanë t’u përgjigjeshin pyetjeve në vijim që ka shtruar në faqet e internetit publicisti i njohur Gjokë Dabaj, me prejardhje nga shqiptarët që jetojnë në trojet e veta në Mal të Zi? 

“Unë e kam thënë me kohë. A kanë serbët asociacion në Kroaci? A kanë serbët asociacion në Seged të Hungarisë? A kanë serbët asociacion në Timishuarë të Rumanisë? Pastaj: A kanë hungarezët asociacion në shtetin që quhet Republika e Serbisë? A kanë boshnjakët asociacion në shtetin që quhet Republika e Serbisë?”. 

Të njëjtat pyetje, dhe ca më shumë, ka shtruar në internet Profesori Saimir Lolja: 

A kanë serbët asociacion në Kroaci? A kanë serbët asociacion në Seged të Hungarisë? A kanë serbët asociacion në Timishuarë të Rumanisë? A kanë hungarezët asociacion në shtetin që quhet Republika e Serbisë? A kanë hungarezët asociacion në Rumani? A kanë boshnjakët asociacion në shtetin që quhet Republika e Serbisë? A kanë austriakët asociacion në Itali? A kanë turqit asociacion në Greqi dhe anasjelltas? A kanë turqit asociacion në Bullgari? 

Në atdheun amë, Rama ka bërë emër si pasues i kryeargatit të Beogradit Enver Hoxha, duke komplotuar me Vuçiçin për ndarjen e Republikës së Kosovës, përmes krijimit të bashkësisë së komunave serbe. Ambasadorja amerikane Yuri Kim, sapo filloi mandatin e vet në Tiranë, u rreshtua haptas në përkrahje të Ramës dhe filloi të sillej në atë mënyrë, ashtu si edhe deri tani, sikur është anëtare e asamblesë së partisë socialiste. Përkrahja nga ana e saj e krahut të majtë të politikës shqiptare, është mbështetje e hapur për Ramën dhe Vuçiçin, për rrjedhojë, për krijimin e bashkësisë së komunave serbe. 

Por mbështetjes për Ramën me të gjitha mënyrat, mikut të përzemërt të Vuçiçit, nga ana e ambasadores Yuri Kim, ia vuri vulën  përfundimisht prania shtatë orë rresht në sallën e Gjykatës së Apelit e dy përfaqësuesve të ambasadës amerikane, në pritje të vendimit për vulën e Partisë Demokratike. Me këtë rast, ja çfarë deklaron publicisti dhe analisti i njohur Adriatik Dosti: 

“Sapo kam mbaruar një bisedë telefonike me një mikun tim të mirë e të hershëm amerikan, Profesor e Jurist për nga profesioni e që momentalisht jep mësim e leksione në Universitetin e “Ann Arborit” këtu në Michigan, për të Drejtën ndërkombëtare dhe Relacionet diplomatike në politikën e jashtme mes shteteve. Pasi i shpjegova gjithë ç’ka ndodhur, ai m’u përgjigj: 

“Është më tepër se skandal,.. është shkelje flagrante e Konventës diplomatike të Vjenës,.. konsiderohet ndërhyrje banale në punët e politikën e brendshme të një shteti të pavarur e sovran,.. e thënë troç fare, – më shpjegoi miku im, – përpos presion, kërcënim e shantazh, është njëkohësisht dhunim skandaloz i sistemit të drejtësisë së një shteti tjetër” (Citohet sipas: Adriatik Dosti – SHBA. “Ne shqiptarët e mirë historikisht kemi qenë e jemi me Amerikën, po Amerika më kë është?”. Faqja e internetit “Syri””. 05 mars 2023). 

Si gjithmonë, do të dalë përsëri në pah paaftësia tradicionale e popullit shqiptar për vetorganizim, çka politikanëve u ka krijuar hapësira mjaft të bollshme për nënshtrim skandaloz para të huajve, kushdo qofshin ata, të shoqëruar me tradhti kombëtare.  

Ndokush mund të thotë:  

“Albin Kurti u gjend para presionit të amerikanëve dhe prandaj qe i detyruar ta pranonte nënshkrimin e Marrëveshjes. Për ndryshe prishej miqësia me amerikanët”. 

Po pse Albin Kurti nuk ua ka shpjeguar përfaqësuesve amerikanë prerë dhe vendosmërisht se të gjitha marrëveshjet e nënshkruara nga pararendësit e tij, sidomos marrëveshja për krijimin e bashkësisë së komunave serbe, dhe zyrtarizimi i statusit të kishës ortodokse, përbëjnë tradhti të rëndë kombëtare, sepse shkallmojnë përfundimisht themelet e pavarësisë së Republikës së Kosovës përmes copëtimit të saj? Para amerikanëve, Albin Kurti do ta prezantonte veten me shumë burrëri dhe vendosmëri, sikur të kishte në çantën e vet, veç Vendimit të Gjykatës Kushtetuese, edhe Vendimin e Kuvendit dhe rezultatin e Referendumit mbarëpopullor kundër krijimit të bashkësisë së komunave serbe dhe zyrtarizimit të statusit të kishës ortodokse. Dhe Albin Kurti kështu do të kishte një arsye shumë të fortë për t’i kundërshtuar amerikanët, të cilët e dinë shumë mirë se vullneti i popullit është Vullneti i Hyjnisë 

E kam theksuar edhe herë të tjera në analizat e mia se është gatuar me kohë një strategji djallëzore për ftohjen e shqiptarëve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për çka është mjaft i interesuar boshti ortodoks serbogrek, me në krye Rusinë fashiste të ditëve tona. Por ne shqiptarët duhet t’i shtrojmë edhe një pyetje vetes: mos vallë edhe vetë ne jemi fajtorë për ftohjen e atyre marrëdhënieve? Ne kemi pasur dhe kemi arsye boll të forta, të cilat dihen mjaft mirë, për ta dashur dhe respektuar Amerikën jashtëzakonisht shumë. Por mos vallë jemi treguar jo dinjitozë me dashurinë dhe respektin tonë ndaj saj, duke harruar krejtësisht të respektojmë vetveten? Mos vallë me dashurinë tonë i kemi lejuar vetes të zbresim deri në një nivel aspak serioz? Sepse njerëzit jo dinjitozë nuk i respekton kush. Aq më tepër që dashuria e dendur për dikë dihet se çfarë fundi ka. Sidomos kur politikanët tanë zhvishen nga çdolloj dinjiteti, personal dhe kombëtar, gjatë kontakteve me të huajt, të cilët, nën zë, nuk ushqejnë kurrfarë respekti për ta. Dhe nënkuptohet që, politikanë të tillë, na turpërojnë, sepse bëhen lolo në sytë e botës dhe pasojat reflektohen në kurriz të popullit dhe te tkurrja e trojeve tona etnike. 

Ne shqiptarët duhet të kemi parasysh një porosi të artë të Sokratit (470-399), i cili ka thënë: 

“Do të ishte mirë që njeriu ta gjykojë seriozisht veten se kush është, për të parë se ç’vlera ka për të pasur miq”. 

Kaliforni, 08 mars 2023 

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu