Ambasadori Jeffrey M. Hovenier, Prishtinë
Gjatë forumit të Grave, Paqes dhe Sigurisë të mbajtur në Prishtinë para disa javësh, iu bashkova duartrokitjeve të qindra pjesëmarrësve kur presidentja Osmani i dekoroi gratë e Ukrainës me Medaljen Presidenciale të Meritave. Të gjithë u prekëm nga fjalët e deputetes së Parlamentit të Ukrainës, Yevgenia Kravchuk, e cila e pranoi këtë medalje në emër të tyre. Z-nja Kravchuk rrëfeu se si sulmi brutal, i pajustifikueshëm i presidentit Putin ka prekur – dhe vazhdon të prekë – jetët e të gjithëve në Ukrainë. Ajo i përshkroi sulmet e tmerrshme ajrore në qytetet paqësore të Ukrainës dhe se si fëmijët ukrainas po rriten në kohë lufte – në vend se të shkojnë në shkollë, ata zgjodhën për të shkuar në strehimore nga bombardimet. Në fakt, z-nja Kravchuk vuri në pah se në çastin kur po fliste para nesh në Prishtinë, vajza e saj ishte në strehimore për tu mbrojtur nga sulmet ajrore.
Pushtimi i Rusisë dhe agresioni i vazhdueshëm ka shkaktuar pasoja të tmerrshme te aq shumë njerëz. Ne do të vazhdojmë të mbrojmë sovranitetin e Ukrainës në Kombet e Bashkuara dhe të ofrojmë mbështetje për popullin e Ukrainës përderisa Rusia po bën gjithçka në fuqinë e saj për ta minuar atë sovranitet: dëbime të detyruara dhe operacione „filtrimi”, vrasjen pa gjyq të civilëve, kërcënime të vazhdueshme ndaj jetëve dhe mjeteve të jetesës, dhe instalim të satelitëve rusë. Dhe ne do të vazhdojmë të punojmë me aleatët dhe partnerët tanë për të imponuar kosto Rusisë.
Shtetet e Bashkuara mirëpritën dënimin e shpejtë të Kosovës të pushtimit të paprovokuar dhe të pabazë të Kremlinit dhe shprehjen e solidaritetit të plotë me popullin e Ukrainës. Kosova i hapi dyert për ukrainasit që gjetën strehim këtu, përfshirë gazetaret ukrainase që tani banojnë në Kosovë, shumë prej të cilave ishin në skenë për të pranuar medaljen nga Presidentja Osmani. Këto gazetare vazhdojnë që me trimëri të bëjnë të mundur që njerëzit anembanë botës kanë qasje në informata të besueshme dhe të sakta për atë që po ndodh në Ukrainë.
Kosova gjithashtu menjëherë u rreshtua me sanksionet e SHBA-së dhe BE-së në mbështetje të Ukrainës. duke shfaqur sërish përkushtimin e saj për të qenë pjesë e botës së demokracive të lira dhe sovrane.
Përkushtimi ynë ndaj Ukrainës është i hekurt. Veprimet e Kremlinit në Ukrainë paraqesin sulm të drejtpërdrejtë ndaj Kartës së OKB-së dhe parimeve të saj kryesore: sovraniteti, integriteti territorial, paqja dhe siguria për të gjitha shtetet – të mëdha e të vogla. Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e aleatët tanë i kanë mbështetur prej kohësh këto parime, të cilat janë themeli i rendit ndërkombëtar të ndërtuar dhe mbështetur nga vende anembanë botës që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Duke i sfiduar këto parime, Rusia kërkon të minojë vetë sistemin ndërkombëtar.
Presidenti Biden ka thënë: „Bota ka dërguar porosi të qartë: Rusia nuk mund ta fshijë një shtet sovran nga harta. Rusia nuk mund t’i ndryshojë kufijtë me forcë. Rusia nuk mund të kapë territorin e një vendi tjetër si të vetin”.
Referendumet e fundit fiktive të Kremlinit nuk ishin gjë tjetër veçse pretekst i rremë për të tentuar aneksimin e pjesëve të Ukrainës me forcë. Këto dredhi propagandistike ishin tentim për të maskuar përpjekjen e kotë të Rusisë për të rrëmbyer tokë në Ukrainë. „Rezultatet” u sajuan në Moskë – ato nuk u mblodhën në Ukrainë dhe ato tregojnë vullnetin e Moskës, jo vullnetin e lirë të Ukrainës dhe popullit të saj. Rusia i detyroi qytetarët e Ukrainës, të bllokuar nga ushtria ruse, për të votuar nën tytat e pushkëve. Më 30 shtator, Rusia u përpoq të mbrohej nga llogaridhënia dhe përgjegjësia duke vënë veton në rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që dënonte të ashtuquajturat „referendume” dhe përpjekjet për aneksim. Por, Rusia ishte e izoluar – asnjë vend i vetëm nuk votoi krah Rusisë.
Ne kurrë nuk do t’i njohim këto zona si pjesë të ndonjë vendi tjetër përveç Ukrainës dhe do ta mbështesim Ukrainën për aq kohë sa të duhet. Ndërsa Ukraina rifiton kontrollin mbi më shumë territor të saj dhe përderisa dalin në shesh pasojat e tmerrshme në njerëz nga agresioni i Rusisë, Kremlini po nxiton dëshpërimisht të largojë vëmendjen e botës nga humbjet e tij ushtarake dhe krimet e luftës.
Veprimet e presidentit Putin vetëm se e kanë izoluar më tej Rusinë dhe kanë forcuar vendosmërinë ndërkombëtare për të qëndruar përkrah Ukrainës. Kërcënimi i tij me shpërthim bërthamor, referendumet e rreme, mobilizimi i detyruar dhe shtypja e gjerë – dhe ndonjëherë e dhunshme – e rusëve që ushtrojnë të drejtat e tyre për t’u shprehur kanë elektrizuar publikun, por jo në mënyrën që ai synonte.
Në reagim, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët dhe partnerët tanë, përfshirë Kosovën, po vendosin kosto të shpejtë dhe të rëndë që synojnë zyrtarët e qeverisë ruse, anëtarët e familjeve të tyre, zyrtarët ushtarakë rusë dhe bjellorusë dhe rrjetet e prokurimit të mbrojtjes, duke përfshirë furnizuesit ndërkombëtarë që mbështesin kompleksin ushtarako-industrial të Rusisë. Nga kufizimet për viza e deri te sanksionet, veprimet nga e tërë qeveria e SHBA-së vazhdojnë t’i shtojnë masat e gjera ekonomike të vendosura ndaj Rusisë për t’i kërkuar përgjegjësi për luftën e paprovokuar në Ukrainë.
Populli i Ukrainës, publikisht dhe vazhdimisht, ka shprehur dëshirën e tij për të ardhme të lirë dhe demokratike. Ata janë të vendosur të mbesin të pavarur dhe sovran. Ukrainasit po luftojnë trimërisht. Ata po luftojnë dhe po iu bëjnë ballë përpjekjeve të Rusisë për të ndryshuar me forcë brutale kufijtë e njohur ndërkombëtarisht të Ukrainës.
Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë bashkë me partnerët tanë, përfshirë Kosovën, në mbrojtjen e parimeve thelbësore të Kartës së OKB-së. Dhe do të vazhdojmë të ndihmojmë popullin e Ukrainës dhe t’i ofrojmë mbështetje për t’i ndihmuar ata të mbrojnë veten dhe territorin e tyre kundër pushtimit të paligjshëm të Rusisë.