ARKIVI:
23 Dhjetor 2024

Rikthehet ndonjëherë edhe e pamundura…

Shkrime relevante

Histori për Xhenkiz Khanin dhe sulmin e tij ndaj qytetit të Buharasë, në Uzbekistanin e sotëm

Agim Vuniqi, New York Kur komandanti mongol Xhenkiz Khan sulmoi qytetin e...

Zëri i ndërgjegjës kombëtare thërret për ndryshim!

Shqiptarë të Plavës dikur..., para se pasardhësit e tyre të bëheshin...

Ja si mund të duket Anglia e bukur, e së ardhmes…!

Jorgo Mandili 21 dhjetor 2024 ___ Britania ishte përpara të gjitha vendeve perëndimore në...

Si i dëboi UÇK-ja hoxhëllarët dhe predikuesit e fesë islame nga frontet e luftës

Luan Dibrani, Gjermani ___ Gjatë periudhës së luftës në Kosovë, Ushtria Çlirimtare e...

Shpërndaj

Botuesi i shtëpisë botuese gjermane që po përgatit për botim në gjermanisht librin tim “Rrefehem me dashuri” i cili së shpejti do të jetë pjesë e librarive në Gjermani, Austri e Zvicër, pasi i lexoi të gjitha novelat e librit, me shkroi një email të gjatë, mjaft të hollësishëm e mjaft serioz në lidhje me ndjesinë që kish përjetuar ndërsa lexonte çdo novelë. Përshtypjet e tij do i sjell sapo libri të jetë përfunduar pasi është në proces punimi ende, por meqë jemi në klimë panairi e unë jam mjaft e keqardhur që për arsye pune nuk mundem të jem fizikisht e pranishme në këtë panair, kam shkëputur një novelë të dashur për mua për këdo që ka dëshirë të shkëputet disi nga realiteti ku jetojmë e të kridhet në të tjera ujëra fantazie.
___
Rikthehet ndonjëherë edhe e pamundura…
___
Ishte një mëngjes i ftohtë vjeshte. Oborri i fakultetit ziente nga zërat e studentëve, që ulur shkujdesur në bordurat bri hyrjes kryesore të fakultetit, shkëmbenin batuta apo shqetësime të rastit mbi detyrat e kursit. Ishin në pritje të një profesori të ri, i cili do t’u jepte dy lëndë vjetore, ndër më të rëndësishmet e atij viti akademik. Nuk e njihnin profesorin, dinin vetëm se ishte një emër i rëndësishëm i shkencës gjuhësore, diplomuar në Universitetin e Londrës, pikërisht për këto lëndë, dhe prej vitesh ishte dekan fakulteti në një qytet tjetër e do t’u jepte mësim vetëm dy herë në javë studentëve të atij kursi në kryeqytet.
Ishte rreth të shtatëdhjetave, por tregonte mjaft më i ri. Me çantën e lëkurës dhe një dosje që e mbante në dorë, u afrua i qetë drejt grumbullit të studentëve, të cilët sapo e panë lëvizën, duke u afruar rrëmujshëm pranë derës kryesore.
Aty ishte dhe ajo, e heshtur, e ndrojtur, një vajzë bukuroshe njëzetvjeçare, studente e atij kursi, e cila u afrua bashkë me të tjerët, duke ruajtur njëfarë distance prej tyre. Ishte mjaft e kujdesshme të mos bëhej pjesë e grumbullimeve, qoftë edhe rastësisht, pasi s’kishte asnjë dëshirë identifikimi me turmat.
Si natyrë e heshtur dhe e rezervuar, s’e kishte pasur fort të lehtë komunikimin me njerëzit.
Ulej gjithmonë në rresht të parë, prej se kishte njohur bankat e shkollës dhe ishte lehtësisht e dallueshme mes të tjerëve, si ndër të paktat studente që edhe në kafenenë e shkollës qëndronte me libër në dorë. Dukej sikur “linte takim” me autorin e rradhës për t’i dhuruar brishtësinë e saj, për të marrë dozën e duhur të injeksionit të dijes, së bukurës dhe dashurisë.
Profesori u drejtua nga salla e leksioneve, ndërsa grumbulli i studentëve, që pëshpërisnin me zë të ulët, e ndoqi pas, në mënyrë të çrregullt. Vajza ecte e qetë, diku pas tyre.
Të gjithë zunë vendet dhe në sallë ra njëfarë qetësie… dëgjohej vetëm zhurma e thatë e shfletimit të faqeve të librave dhe fletoreve të shënimeve. Ndërsa profesori nxorri mbi tavolinë leksionin e përgatitur dhe hapi kompju-terin, ajo po e ndiqte me vëmendje në gjithë lëvizjet e tij. E kishte pritur me shumë dëshirë atë leksion, pasi qe hapur fjala nga studentë të viteve më të larta se profesori kishte një mënyrë shumë të këndshme shpjegimi dhe organizimi të orës së mësimit.
Tashmë, salla qe zhytur në heshtje të plotë dhe studentët prisnin fillimin e leksionit.
Me qetësi, profesori vuri syzet dhe filloi apelin e shpejtë të emrave të shënuar në regjistrin e hollë të lëndës. Zakonisht i memorizonte fytyrat e emrat e studentëve brenda javës së parë të vitit akademik. Ndaj ishte krejt i përqëndruar teksa bënte apelin atë ditë. Sipas emrit që përmendej, studenti ngrinte vetëm dorën, kaq ishte e mjaftueshme për profesorin.
Dikur e thirri edhe emrin e saj… dhe nga rreshti i parë u ngrit lehtas një dorë e hollë, e bardhë, me një lëvizje elegante që i tërhoqi vëmendjen profesorit. Ai e pa dhe ndaloi në një pauzë paksa të gjatë… sa studentët filluan të pëshpërisnin, disa syresh filluan edhe të qeshin nën zë. Profesori u fiksua aq shumë te vajza, sa u duk sikur harroi të merrte frymë. Ajo u hutua disi, mori një ngjyrë pjeshke në fytyrë e mollëzat e faqeve dukej sikur do t’i shpërthenin nga nxehtësia. Rrëmbeu instiktivisht librin e Oscar Wilde “Portreti i Dorian Gray” që kishte mbi bankë e filloi ta shfletonte paksa e hutuar, si për të hequr shikimin nga profesori e për t’i dhënë atij të kuptonte se ajo skenë po e besdiste mjaft. E adhuronte Wilde-n. E tërhiqte në veçanti delikatesa dhe përsosmëria me të cilën ai shpjegonte supremacinë e artit, dekadencën, dualitetin e karakterit njerëzor dhe bukurinë e pashtershme të një shpirti të trazuar që lirinë e konceptonte krejt ndryshe nga bashkëkohësit e vet. Për një çast mendoi se magjepsja e profesorit i referohej pikërisht librit të Wilde-t mbi tavolinën e saj.
Nga fundi i sallës u dëgjua zëri i një studenti, që theu heshtjen: Prof, të gjithëve na ndodh e njëjta gjë, sa herë kalojmë tek rreshti i parë! Salla shpërtheu në një të qeshur shpotitëse. Vajza u ndje keq dhe u zhyt thellë jakës së xhupit, që mbante veshur. Për një çast dëshiroi të zhdukej prej aty. Gjithë kohës përsëriste me vete: “Mos i shih se s`po të shohin, mos i shih se s’po të shohin!”
Të qeshurat e sallës e shkundën paksa edhe profesorin. Ai u ngrit dhe u afrua ngadalë pranë vendit ku qëndronte vajza dhe i thotë me zë të ulët:
– Nuk e di, nëse je e vërtetë apo mirazh, por më beso se po të vdes tani në çast do të ishte vdekja më e lumtur që mund të dëshiroja. Ku ishe fshehur kaq gjatë, Diana?!
Ato fjalë aq të paqarta për vajzën, iu dukën si të dala prej një ëndrre të cilën ajo s’arrinte ta kuptonte. Çfarë po i thoshte profesori?
– Nuk quhem Diana, profesor, sapo ma lexuat emrin! – ia ktheu ajo me droje.
Profesori u largua ngadalë i zhytur në mendime, i kërkoi ndjesë klasës për ndërprerjen dhe vazhdoi qetësisht me emrat e tjerë.
Vërtet, mësimi u zhvillua këndshëm, ashtu siç përflitej dhe siç dinte ta bënte një ekspert i fushës, si profesori në fjalë. Po herë pas herë ai e hidhte dhe e ngulte shikimin te vendi ku ishte ulur vajza… dhe njëfarë magjepsjeje i lexohej në fytyrë edhe pse po përpiqej ta fshihte me sa ishte e mundur. Tashmë, të gjithë e kuptuan se profesori diçka kishte. E bukura nuk njeh moshë, sigurisht, por ajo situatë e krijuar s’ishte prej atyre që kanë të bëjnë me magjepsjen e rastësishme prej bukurisë fizike. Këtë mendonte edhe vajza, e cila s’kishte kuptuar asgjë prej atyre çfarë i tha profesori me gjysmë zëri… Si duhej të reagonte në atë rast?!
I kish ndodhur shpesh, që bashkëmoshatarë ta bezdisnin me fjalë e ngacmime për shkak të pamjes së saj. Po ashtu edhe me profesorët e rinj, të cilët nuk e humbnin rastin ta komplimentonin sa herë u jepej mundësia. Ajo e vuante këtë dhe sa herë përsëritej, vetmohej edhe më tepër. Dukej, sikur e gjithë bota shihte veç pamjen e saj, asgjë më shumë! Sa fyese!
Kishte diçka që s’e bindi nga reagimi i profesorit. Ai s’mund të ishte magjepsur nga pamja e saj. Ato fjalë, që vajzës iu dukën pa sens duhet të kishin doemos një kuptim, vetëm se ajo s’mund të përcaktonte çfarë.
Leksioni mbaroi… dhe studentët nisën të dalin nga salla në grupe të vogla. Mbasi rregulloi shënimet dhe librat ajo u bë gati të dilte si gjithë të tjerët. Në bisht të syrit, vërejti se profesori po afrohej drejt saj. Në çast e kaploi një ftohtësi e habitshme ndër duar e një nxehtësi e madhe përvëluese i përfshiu fytyrën. Çfarë mund t’i thoshte vallë profesori?!
– Me siguri i bën njëmijë pyetje vetes mbi sjelljen time, – i tha profesori me një ndjenjë faji të dukshme – ju kërkoj ndjesë përulësisht, nëse ju vura në vështirësi. Jam mjaft në moshë për t’i lejuar vetes lajthitje kësisoji, aq më tepër në sallën e leksioneve. S’është prej meje një sjellje e tillë. Por… s’mund ta kuptoni ç’do të thotë… të kesh pritur çdo ditë me ankth e dëshirë përvëluese për 47 vite të pafundme të shohësh, qoftë edhe një herë të vetme këtë fytyrë… dhe befas Zoti ta dërgon, kur njeriu ndodhet në ciklin e fundit të jetës…
Vajza shtangu nga ajo fjali e gjatë dhe e dhimbshme.
– Më falni profesor, por s’po kuptoj asgjë! Sigurisht ne nuk njihemi, sepse po të ishim njohur diku a dikur do ta kujtonim disi njëri-tjetrin. Sinqerisht, më bezdis ideja e të qenit në qendër të vëmendjes dhe fatkeqësisht kjo më ndodh pak si shpesh. Por nuk mendoj se në rastin tuaj…
– Diana, ti nuk e di sa shumë të kam kërkuar… Sa shumë të kam vuajtur Dianë… Sa mall kam për ty, për sytë e tu, për zërin tënd! Tani mund të vdes i qetë, Dianë… Ti s’e di… shpirti im është kthyer i gjithi në kokrriza pluhuri prej asaj dite të largët, e nuk banon më në trupin tim. Të kam kërkuar Dianë… Ah, sa të kam kërkuar… dhe sa e lodhshme ka qenë jeta në pritjen tënde, kur e dija se s’do të të gjeja askund. Jam në këmbë para imazhit tënd, dhe ndjej se koha ka ndalur… dhe ka ndalur përgjithmonë… Plot 47 vite e dashur! Prisja të të shihja diku e të thoja, edhe një herë të vetme, se jeta pa ty s’ka patur asnjë kuptim. S’i kam mbyllur sytë asnjë natë e nuk i kam çelur asnjë mëngjes pa qenë ti mendimi im i fundit i çdo mbrëmjeje dhe mendimi i parë çdo agu. Kam jetuar me ty Dianë, jam ushqyer me frymëmarrjen tënde të munguar, i kam dhënë shpirtit kurajo me pikatore prej kujtimeve me ty. Dianë, nuk di çfarë të tregoj më parë… por jam i bindur se ti di gjithçka…!
Vajza kishte mbetur pa fjalë dhe ishte zhytur në mendime për t`u gjetur kuptimin fjalëve që dëgjoi si nëpër ëndërr. Po kush ishte Diana?! Përse ai i fliste sikur ajo të ishte vërtet Diana! Përse aq shumë dhimbje në fjalët dhe në sytë e tij! Si mund ta ndihmonte atë njeri që i dhimbsej, ndërsa e shihte ashtu të dërrmuar e të rrënuar para saj?
Pa thënë asnjë fjalë, ajo mori çantën në heshtje dhe u drejtua nga dera. Profesori vazhdoi ta ndjekë nga pas.
– Ndjesë, pafundësisht ndjesë…! Ju s’keni si ta kuptoni gjendjen time… dhe as fjalët e mia pa sens… E di që ju nuk jeni Diana, nuk jam çmendur plotësisht o së paku kështu besoj. Kam nevojë për ju, për diçka të vogël, nëse ju do të mundeni. Kur të bie në delire të tilla dhe ju thërras “Diana” apo ju drejtohem me fjalë të pakuptimta, ju lutem mos më keqkuptoni. Nuk ju adresohen juve… por Dianës sime… Jam i bindur, një ditë do të kem mundësi të shpjegohem qartë, për gjithçka po ndodh… Deri atë çast, lejomëni ju lutem ta nxjerr çfarë kam në shpirt. E kam mbajtur për 47 vjet me rradhë, këtu në kraharor këtë dhimbje, pamundësinë për të thënë qoftë dhe një herë me gjithë forcën e shpirtit: “Të dua!” Ju lutem, mos merrni asgjë si personale… Asokohe, unë isha vetëm 23 vjeç, ndërsa Diana 20. Kam përshtypjen se Zoti po më bën një lojë për të më vrarë me ëmbëlsi e për t’më dhënë mundësinë të vdes i qetë. Nëse është kështu i jam mirënjohës, sepse do të thotë që e ka ndjerë dhimbjen time… Ju lutem, më ndjeni! S’keni asnjë lidhje me këtë gjë, por përpiquni ta kuptoni zemrën e një djaloshi 23 vjeçar që sot është burrë i moshuar, dhe ka pritur gjithë këto vite për të jetuar vetëm këtë çast. Më kuptoni nëse mundeni, ju lutem!
Profesori qëndronte në këmbë me shpirtin në duar… Ndër sy i shkëlqenin ca pikëza loti që dukeshin sikur kishin gjysmë shekulli që qëndronin aty statike në pritje të atij çasti për të shpërthyer… Përpiqej të mos tingëllonte i dërrmuar e të shfaqej sikur e kontrollonte dhe sundonte veten, por emocionet ia kishin pushtuar gjithë qenien. Një pamje e trishtë dhe e dhimbshme. Vajza ndjeu keqardhje e s’po dinte nëse duhej të vazhdonte ta dëgjonte profesorin apo të ikte pa e kthyer kokën pas. Pse duhej t’i ndodhte asaj e gjithë kjo…?!
Pas dy ditësh kishin përsëri leksion me profesorin, ndërsa seminaret i drejtonte një pedagoge, nga studentet më të mira, të dikurshme, të profesorit.
… Atë ditë kishin leksion dhe seminar. Vajza ndjehej disi e shqetësuar, për faktin se mund të ndodhte përsëri ndonjë shpërthim i beftë i profesorit dhe nuk dëshironte të ndjehej keq e as të përballej me dhimbjen për të. Ndoshta i duhej të fliste me profesorin e t’i linte të kuptonte se ajo gjë ishte absurde e s’mund të vazhdohej më me skena e deklarime të tilla patetike.
Gjatë leksionit e ndjente veten nën trysninë e vështrimit të tij të ëmbël, të butë e ledhatar. Kishte vendosur të mos e kuptonte atë vështrim. Vetëm kështu do ta kuptonte ndoshta edhe profesori që ajo s’mund të ndjente keqardhje pafundësisht për gjendjen e tij. Dikush duhej të bëhej i fortë dhe siç dukej i takonte asaj. Në pushimin midis orëve, profesori i la mbi tavolinë një letër dhe u largua… Kësaj rradhë s’tha asnjë fjalë. Ajo u qetësua disi. Me sa dukej, prej asaj dite s’do të përjetonte më deklarata të dhimbshme dashurie. U ngrit përtueshëm nga vendi ku ishte ulur, zgjati dorën e bardhë e të hollë plot elegancë, e mori letrën me një lëvizje të shpejtë dhe e futi në xhepin e xhaketës. Shkoi pranë dritares në korridor dhe mbështeti supet në mur. E nxorri letrën nga xhepi dhe e hapi. I shkruhej Dianës… Po sikur ta provonte për një çast të vetëm të bëhej Diana?! Si ndjehet një vajzë kur lexon letrën e dikujt që është marrëzisht i dashuruar? E pra, i pëlqenin aq shumë letrat. Nëse do të ishte e mundur, do të mbante në këmbë një lidhje dashurie vetëm me letra të shkruara, pa folur kurrë asnjë fjalë…
Ajo letër vinte prej dekadash të shkuara dhe i përkiste një kohe tashmë inekzistente. Dukej sikur kishte udhëtuar mijëra kilometra nëpër kohë dhe ishte ndalur aty… tek ajo. I mbylli sytë, mori frymë thellë… dhe ndjeu aromën e letrës që ishte e njëjtë me të lëkurës së saj, madje iu duk sikur letra i qe futur nën lëkurë më parë se ajo të shkruhej.
I hapi sytë dhe filloi të lexojë:
Dashuria ime e pafund, Diana,
s’mundem ta filloj ndryshe përpos kështu, këtë letër.
Pas 47 vitesh, e kuptova që jam gjallë e s’kisha vdekur siç mendoja… Shpirti Dianë, shpirti yt më erdh` në këtë ditë, vetëm që të vdes i lumtur, mbasi asgjë tjetër s’pres më prej jetës. A thua, iu kam dhimbsur Zotit kaq fort? A thua, po më afron dita e bekuar të vij pranë teje?
Të humba një herë Dianë, atë natë të zezë të 30 dhjetorit… kur sytë e tu u mbyllën përgjithnjë në duart e mia dhe prej asaj dite unë shoh veç me sytë e shpirtit e dashur. E di? Edhe ime bijë quhet Diana. Ndoshta qe gabim që i vura emrin tënd. Sa herë e përmend, aq herë një copë shpirti shkulet prej meje e tretet në eter, por nuk mundesha të mos e shqiptoja më emrin tënd…
Ja, pas 47 vitesh më jepet mundësia të të shkruaj një letër! E pra, ti je përsëri 20 vjeçe e dashur e aq do të mbetesh përjetësisht, por unë… unë sot jam i vjetër Dianë. Çfarë kurajo prej idioti kjo e imja! Si mund të më shohësh ti me të njejtët sy që të shoh unë?!
Sapo m’u shfaqe para syve, ndjeva se të dua si ditën e parë, ashtu si kurrë një burrë s’ka mundur ta dojë një grua në këtë jetë, për këtë jam i bindur. E di edhe pse ti m’u shfaqe pikërisht tani. U bë kohë që i lutem Zotit të më marrë e të më sjellë tek ti… dhe jam i bindur se koha po afron. Ai të solli ty, për të më dhuruar vdekjen e ëmbël. Eh, sa shumë e kam pritur… sa shumë e kam imagjinuar këtë çast Dianë! Për 47 vite e kam pritur çdo ditë që kjo të ndodhë. Sot po të shkruaj duke e ditur që ti je… dhe se ke ardhur për mua edhe një herë.
Të dua Dianë, me gjithë forcën e shpirtit.
Nuk do të tregoj asgjë mbi jetën time, prej çastit kur ti ike e deri më sot. S’ka asgjë me vlerë në të që të meritojë të zerë rradhët e kësaj letre që duhej të ishte fund e krye e mbushur vetëm me fjalën: “Të dua pafundësisht!”.
Sonte kjo letër do të flejë me mua… e unë do ta puth, do ta përkëdhel sikur të jesh ti. Nesër ajo do të mbërrijë tek ti e ti do ta lexosh me sy të përlotur, duke ndjerë dhimbjen dhe mallin tim.
Kam dëshirë të të them se kjo s’do të jetë letra e vetme që do të mbërrijë tek ti. Tani që të gjeta, derisa të mbyll sytë s’do të resht së shkruari…
Të dua Dianë, çdo ditë më shumë se dje…
I yti përjetësisht,
R.
Pa e kuptuar, vajza qe kredhur në një botë të largët, në kohërat kur ajo ishte Diana. Lotët s’kishte mundur t’i përmbante. E palosi letrën dhe e futi në xhepin e brendshëm të xhaketës, pranë zemrës. I kujtohej dita kur u dashurua, madje i kujtohej dhe fustani që mbante veshur atë ditë. Me fantazi mund të ishte Diana e ta jetonte dashurinë e saj. Dëshironte fort të ishte Diana e përfundimisht ishte Diana, e nuk mund t’ia mohonte vetes kurrë të qenit Diana. Të gjitha vajzat e botës duhet të jenë Diana një ditë në jetën e tyre. Është e mrekullueshme të jesh Diana.
…Profesori hyri në klasë, të gjithë kishin zënë vendet e tyre… dhe nisi të shpjegonte me atë mënyrën e tij të shtruar, të këndshme e përfshirëse. Herë pas here shikimi i tij përplasej thuajse padashtas me sytë e saj melankolikë. Kjo i jepte qetësi e ia mbushte shpirtin me dritë. Vajza, tashmë kish arritur të ndante Dianën nga vetja, e nuk lejonte që ta zëvendësonin njera tjetrën. Nëse duhej ta përjetonte një histori të rrallë dashurie, atëherë duhej që Diana të ishte gjithnjë Diana, dhe asaj i duhej ta respektonte vendin që Diana kishte brenda saj. Nëse sytë e dashuruar të profesorit e shihnin me adhurim e dëshirë gjatë orës së leksionit, ajo e dinte mirë se ai s’po i dhuronte vështrimin e të dashuruarit asaj si person, por Dianës së tij, e kjo gjë s’duhej ngatërruar kurrsesi…
Javët kalonin e shpejt u kthyen në muaj. Çdo javë asaj i vinte një letër për Dianën dhe çdo letër ishte më e bukur, më e ndjeshme e më e mrekullueshme se e para. Në kish-te student që po e jetonte lëndën e filozofisë së letërsisë të zbërthyer në shembuj konkretë, ishte ajo. Disa herë i kishte rrëshkitur në mendje t’u përgjigjej letrave… Diana tashmë mund të shkruante përmes dorës së saj, por më pas e kishte menduar, profesori do të rreshte së shkruari e do të zhgënjehej pa masë… Ai e dinte se Diana s’mund t’i përgjigjej. Përse duhej t’ia shkatërronte të vetmen ëndërr e cila e mbante gjallë?
Në fund të kursit, me afrimin e sezonit të provimeve, i kishte mbetur edhe ora e fundit e leksioneve me profesorin. Studentët po e prisnin si gjithnjë te dera kryesore e fakultetit, në hyrje. Atë ditë pritën më gjatë se zakonisht. Në nxitim, ata panë të vinte pedagogia e tyre e seminareve të së njëjtës lëndë, e cila u komunikoi se profesori s’mund të vinte, se ai ishte sëmurë rëndë dhe se orët e mbetura do t’i zhvillonin me të. Vajza u trishtua së tepërmi, sepse s’do të kishte më një letër të fundit për Dianën. Ajo letër lamtumire i takonte, ishte e drejta e saj ta kishte… e s’mund të ndahej kështu prej Dianës…
Mbasi mbaroi ora e leksionit, pedagogia iu afrua dhe nxorri nga çanta një zarf të mbyllur.
-Të lutem lexoje! Nuk e di çfarë është shkruar në letër, por zonja e profesorit ma solli në mëngjes herët me një mikun tonë të përbashkët. Më tha vetëm se: E ka shkru-ar profesori me dorën e tij dhe askush s’e ka lexuar! Kjo letër të adresohet ty!
Vajza e mori zarfin, pa thënë asnjë fjalë përveç falenderimit me gjysmë zëri, dhe u largua!
Doli jashtë godinës së fakultetit e nuk priti gjatë për ta hapur zarfin. Te kafeneja përballë shkollës, u ul porositi kafen dhe hapi letrën.
E dashur,
jam nisur për në kopshtet pa kthim, por s’mund të ikja pa të parë edhe njëherë të vetme. Dua që në pupilat e syve të mi për herë të fundit, të mbetet e fiksuar gjer në përjetësi imazhi i fytyrës tënde ëngjëllore, ashtu siç je dhe siç do të mbetesh përjetësisht për mua… E kam kuptuar se ardhja jote, rikthimi yt ishte dhurata që Zoti më bëri përpara se të më marrë e të më sjellë pranë teje. Unë e meritoja këtë dhuratë. E kam shpirtin plagë e me këto plagë kam mundur të shkoj përpara deri tani, 70 vjet, 47 pa ty… por largohem i qetë.
Të lutem, nëse mundesh eja… eja të të shoh edhe një herë, të fundit, t’i mbyll sytë e të të marr me vete brenda tyre, përgjithmonë.
Të dua Dianë, çdo ditë më shumë se dje…
I yti përjetësisht,
R.
E mendoi gjatë nëse duhej të shkonte në shtëpinë e profesorit ku ishin gruaja, fëmijët edhe nipat, aq më tepër në një moment delikat si ai që po kalonte profesori. Si do të kishte vepruar Diana?! Ajo kishte arritur ta merrte në pupilat e syve të saj në çastin e fundit fytyrën e profesorit. Ai kishte qenë aty, e kishte mbajtur në krahë dhe kishte lënë shpirtin e tij mbi të, përgjithmonë. Po ajo, a s’do të kishte bërë të njëjtën gjë?!
Vendosi të shkonte te profesori.
Shtëpinë e gjeti pa shumë mundim. Të gjithë e njihnin dekanin e fakultetit të qytetit, profesorin e respektuar nga të gjithë. Dera e oborrit ishte e hapur dhe kishte mjaft njerëz që hynin e dilnin. Sigurisht, askujt s’ia tërhoqi vëmendjen ajo studentja e brishtë, sa kohë që në shtëpinë e profesorit hynin e dilnin kushedi sa studentë përgjatë atyre viteve, e sidomos në atë çast kritik që po kalonte ai. Paksa me drojë pyeti një zonjë pranë portës kryesore, nëse mund ta takonte zonjën e profesorit. Gruaja me mirësjellje shkoi ta lajmërojë të zonjën e shtëpisë e cila s’vonoi dhe erdhi.
– Më falni për shqetësimin zonjë! E kuptoj që s’është momenti i duhur, por kam ardhur nga Tirana enkas për të takuar profesorin. Edhe pak ditë do të kisha provimin e lëndës së tij dhe i kisha premtuar t’i sillja disa gjëra me shkrim, që ai vetë m’i kish kërkuar. Kjo do të ma përmirësonte ndjeshëm notën përfundimtare. Por morëm vesh se profesori u sëmurë rëndë dhe unë erdha ta shoh. A mundem t’i flas, qoftë edhe për pak çaste, ju lutem?
– Ju falenderoj nga zemra që keni marrë mundimin e kësaj rruge të gjatë, por fatkeqësisht, profesori s’është në gjendje të takojë askënd. Është rënduar shumë, madje besoj se s’do të jetë në gjendje as t’ju njohë! Megjithatë po shkoj ta shoh e t’i flas nëse do të jetë e mundur.
– Ju lutem, i thoni ka ardhur Diana, është mjaft e rëndësishme kjo! – shtoi vajza me nxitim e me ton vibrues pak më të lartë.
Pas pak çastesh, zonja u kthye:
– Ejani! Profesori po ju pret. Sapo i thashë se ka ardhur Diana ai buzëqeshi për të parën herë gjatë këtyre ditëve!
Vajza e ndoqi zonjën e bindur se po bënte një çmenduri, por tashmë s’mund të tërhiqej. Ishte hera e fundit që ajo do të ishte Diana, po edhe e fundmja herë që profesori mund të ishte i vërtetë në atë jetë të gënjeshtërt që kishte jetuar për 47 vite!
Hyri në dhomën ku ndodhej profesori. U ul pranë shtratit ku dergjej ai. Tashmë dukej qartë se ishte më shumë i larguar se i pranishëm mes të gjallëve… Ndërsa e shihte, ndjeu një keqardhje të thellë e s’mundi t’i mbajë dy pika loti që i rrëshkitën faqeve. Ai i hapi sytë me mundim e lëvizi paksa dorën si për të dhënë të kuptonte që duhej t’ia shtrëngonte. Ajo e mbështeti lehtë dorën e saj mbi të tijën dhe ai butësisht u përpoq t’ia shtrëngonte në shenjë falenderimi që ajo ndodhej aty, por s’kishte asnjë gram fuqi. Ajo iu afrua edhe më pranë, në mënyrë që t’ia thoshte rrjedhshëm e kuptueshëm ato pak fjalë që dëshironte, me shpresën se ai do të mund ta kuptonte…
– Jam këtu! Jua solla Dianën tuaj. Nuk mund të mos ua sillja. Mos flisni asnjë fjalë, s’është e nevojshme. Më lejoni një herë të vetme t’ju them atë që s’kam mundur t’ua them gjatë gjithë këtij viti. S’e di pse Zoti më zgjodhi mua, por e kam jetuar dhimbjen tuaj si t’ishte e imja. Kam jetuar dimensionin e një dashurie sa qielli… në thellësi e në madhështi. Nuk do të jem kurrë e njëjta pas kësaj që ka ndodhur e me siguri as do të mund të dashurohem më njësoj, sepse do të më duhet një jetë që të gjej një dashuri si e Dianës. Sot, do ta lë Dianën këtu me ju… Dua t’ju shoh thellë në sy ndërsa jua them këto fjalë.
Fli i qetë i dashur profesor! Jam e sigurt se Diana juaj ju pret atje lart, siç e pritët ju këtu mbi tokë për 47 vite, me shpresën se do ta shihnit qoftë edhe njëherë të fundit.
Sytë e tij thuajse të perënduar nisën të marrin pak dritë jete. Iu ndezën ca shkëndija, si dikur gjatë orëve të mësimit, e dukej sikur prej tyre dilnin toptha të vegjël magme që shkëputeshin prej masivit e përplaseshin në shikimin e saj. Ai buzëqeshi lehtë, pa mundur të thotë asnjë fjalë.
Ishte vërtet në fund dhe ai po i avitej aq ëmbël me Dianën pranë.
Ajo qëndroi ashtu e përqëndruar tek shikimi i tij derisa u bind se brenda pupilave të tij dallohej qartas imazhi i fytyrës së saj…
Ndjeu se e kishte përmbushur misionin e saj.
U ngrit, e falenderoi zonjën e shtëpisë dhe u largua me një ndjenjë të thellë çlirimi pa pranuar të qëndronte më gjatë, me gjithë ftesën e familjarëve.
Ndjehej në paqe të thellë me veten dhe e lehtë si petale luleje, por ndjeu një therje të fortë në krahun e majtë të kraharorit. Ndërsa doli te porta e oborrit dhe po bëhej gati të kalonte pragun dëgjoi një klithmë të thatë ngashërimi e piskamë të qarash.
Shenjë që profesori qe larguar për tek Diana e tij… E kishte ndjerë edhe ajo që ashtu do të ndodhte, çeshtje minutash dhe asgjë më shumë.
Vazhdoi të ecte ashtu e lehtësuar se ia kish dalë t’ia plotësonte dëshirën e fundit një njeriu që për një vit rresht e adhuroi në çdo përplasje qepallash e në çdo rresht letre të shkruar me zemër në dorë. E la frymën e Dianës brenda asaj shtëpie dhe e tërhoqi portën pas vetes ngadalë. Ndjeu se edhe për të ishte e vështirë të hiqte dorë nga të qenit Diana, po derisa profesori e kish gjetur Dianën e tij përtej kaltërsive, në të vërtetën e përjetshme, për të do të ishte gjithçka më e lehtë, mjaft të kthehej tek vetvetja…
Novelë e shkëputur nga libri “Rrëfehem … me dashuri”.
Autori: Ervina Toptani

K O M E N T E

1 KOMENT

  1. Një gërshetim i një dashurie platonike e përshkruar me nota prekëse , dhimbje në auditoret e studentëve mes dy personazhëve ,
    Profesor e studente . Paksa e cuditshme dhe e pabesueshme por jo dhe e pamundur .Jo pak njerëz jetojnë me kujtime , me ëndërrime . Novela e shkrimtares znj. Toptani përshkruan me mjeshtëri një mall ,një dashuri platonike e ruajtur në shpirtin e një burri Intelektual, Dekan , me besnikëri gati gjysëm shekulli . Një rrëfim i tillë si një goditje e papritur kur shikon njerëzit për rreth , stresin , rutinën e nevojat e përditshme apo luftën e mbijetesën në vendet ku vërtet ndodh lufta reale sa me të drejtë vjen pyetja e radhës se jeton ende dashuria platonike ??? Për shekullin ku jetojmë jo por mjerë ata pak njerëz që e mbajnë të fshehur në shpirt ! Mjerë ata se a do mund të gjejnë ,,,,,një Djanë të dytë ??? .

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu