ARKIVI:
26 Dhjetor 2024

Rilind Gërvalla: “Shikoni me dyshim çdo portal që nuk i tregon redaksinë, redaktorin përgjegjës, e origjinën e financimit…”

Shkrime relevante

Vargje me nismë të mbarë, recension për librin e Bashkim Halilajt, “Gjurmë ecjesh“

Shefqet DIBRANI VARGJE ME NISMË TË MBARË Bashkim Halilaj, “GJURMË ECJESH“, vargje, botoi...

Pabesueshmëria e absurdeve të “BIG BROTHER”

Nga: Lirim Gashi Sara nga Tirana dërgon çdo ditë lutje në qiell,...

Doli nga shtypi libri MALL E DASHURI PËR ATDHE i autorit Florim Zeqa

Sot, nga Shtëpia Botuese “Libri im” në Pejë doli nga shtypi...

Shpërndaj

Më vdektë djali, për inat të resë”, thotë një thënie jona e frikshme. Për ty që s’e njeh këtë idiomë: reja këtu nuk është në qiell. Është e reja, pra nusja. Më vdektë djali për inat të nuses.
Unë s’di a ka dikush tjetër një shprehje kaq të frikshme si ne. Por e di saktë se pse e kemi ne. Se në mbarë këtë rrokulli, nuk ekziston bishë më e rrezikshme se shqiptari hakmarrës. Unë e has këtë bishë përditë në detyrë zyrtare, sidomos tash mbas aferës me lajmin nga Slobodna Bosna. Tashti bisha sedërfyer ka nisur të hakërrehet edhe kundër AKI-së, institucionit më kyç të sigurisë në vend.
Unë jam i vetëdijshëm se sa është shtrembëruar një deklaratë imja “off the record”, në një mbledhje të mbyllur para Bordit te RTK, ku kam përmendur rrëshqimthi përkitjet institucionale me AKI-në. Por, AKI nuk ka pas ndikim që ta publikojmë këtë lajm të përkthyer dhe cituar nga SB.
Jam po ashtu i vetëdijshëm se KPM ka kritikuar menaxhimin e atij rasti. Interesi publik për informacion dhe rregulli i citimit ishin busulla ime në atë situatë. Por sot ndiej megjithatë siklet e faj kur shoh se si keqpërdoret ajo aferë për të ushtruar qitje tinzare kundër AKI-së. Më vjen t’u kërkoj sinqerisht ndjesë organeve të sigurisë pse goditen indirekt, për arsye timen. Pse ua bëjnë si atij djalit në thënien e lashtë, për shkak timin.
Kam frikë se kjo ligësi paralajmëron fushatë të egër zgjedhore ne shkurt tç vitit te ardhshëm. Druaj se zgjedhjet do të ndikohen nga persona kundërthënës me portale të vetat, që s’kanë as besë as ndore kanuni. Që implikojnë pa pikë turpi edhe AKI-në, djalin që na mban shtëpinë, e që njollosin e vjellin pa ngurrim mbi çdo institucion i cili mbron me integritet rendin, ligjin dhe transparencën publike. Te zgjedhjet ata shohin një shans ideal për të rikthyer ndikimin e humbur – e, për të realizuar atë shans, druaj se s’do të ndalen para asgjëje.
Thashë më lart se e di, nga eksperienca personale e profesionale, se pse kemi një thënie aq të tmerrshme. E di, gjithashtu, se këtij zhvillimi i duartrokasin veç armiqtë e republikës dhe të demokracisë. Ne të gjithë e dijmë, nga përvoja e vendeve të tjera edhe më të avancuara se ne, se çfarë polarizimesh të rrezikshme që shkaktojnë shtrembërimet dhe lajmet e rreme.
Prandaj ftoj te gjithe ata që ia duan të mirën vendit tonë që të mos ingranohen në makineri të ferrit. Është detyrë morale e çdo gazetari dhe, në vazhdim, e çdo qytetari që të ketë mirëbesim dhe të mbështesë institucionet profesionale të shtetit demokratik, AKI-në me doemos, por edhe Policinë e Kosovës, RTK-në, etj. Ftoj të gjithë që të mbajnë distancë kritike nga portalet jotransparente, e të ushtrojnë gjykim të matur kur hasin lajme sensacionale dhe afektive. Shikoni me dyshim çdo portal që nuk i tregon redaksinë, redaktorin përgjegjës, e origjinën e financimit, si dhe çdo lajm që nuk përmend burimin dhe nuk ofron mundësi të replikës. Qëllimi i disinformacionit është që të na nxjerrë nga puna trurin, ashtu që ne të biem në afekt. Prandaj, nëse has një lajm që të trazon fuqishëm emocionalisht, kujtohu: është shenjë e manipulimit!
“Më vdektë djali, për inat të resë”, thotë thënia më e frikshme në gjuhën shqipe. Ne s’bën ta mbysim demokracinë dhe të ardhmrn tonë për inate të ulta. Atë shqiptarin e ligë hakmarrës, le ta lëmë nëpër përralla. Pasardhësit tanë meritojnë që të jetojnë pa bishërinë e tij.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu