ARKIVI:
28 Dhjetor 2024

Rilindja, gazeta historike e Kosovës, nuk u ndal as kur Serbia e ndaloi…!

Shkrime relevante

Kryeministri merr rolin e gjykatësit!

Florim Zeqa I gjithpushtetshmi i vendit, Kryeministri i cili nuk i respekton...

Serbja Sonja Biserko, zëri i së cilës nuk po dëgjohet nga ndërkombëtarët, “analistët tonë” dhe disave nga opozita e Kosovës

Nga: Gani Mehmeti Biserko: Lista Serbe është përgjegjëse për gjithë situatën në...

Vargje me nismë të mbarë, recension për librin e Bashkim Halilajt, “Gjurmë ecjesh“

Shefqet DIBRANI VARGJE ME NISMË TË MBARË Bashkim Halilaj, “GJURMË ECJESH“, vargje, botoi...

Pabesueshmëria e absurdeve të “BIG BROTHER”

Nga: Lirim Gashi Sara nga Tirana dërgon çdo ditë lutje në qiell,...

Shpërndaj

DRITARE NE HISTORI-foto- Behlul Jashari-Faqe arkivi te gazetes tradicionale te Kosoves Rilindja

Nga Behlul Jashari , Prishtinë

-Mëngjesi i 8 Gushtit 1990  Kosovën e gjeti pa gazetën e vet tradicionale Rilindja, të vetmen të përditshme shqiptare në atë kohë që botohej në  Prishtinë, në terrin e natës së gjatë të okupimit forcat serbe e kishin ndaluar në Shtypshkronjë. Por, gazeta historike Rilindja edhe kur u ndalua nuk u ndal…/ 

 PRISHTINË, 7 Gusht 2023/  Në Kosovë para 33 viteve edhe helikopterët e forcave okupatore të Serbisë me fluturime mbi Pallatin Rilindja në Prishtinë – shtëpinë e gazetës tradicionale shqiptare Rilindja ishin pjesë e shtetrrethimt.   Në 8 Gusht 1990, gazeta  Rilindja – në atë kohë e vetmja e përditshme në gjuhën shqipe e Kosovës nuk doli, natën ishte ndaluar dhunëshëm në shtypshkronjë, derisa edhe gjatë ditës forcat policore serbe të armatosura i bënin shtetrrethim redaksisë së gazetës, që edhe në ato rrethana kërcënimi e represioni nuk ndaloi punën, e edhe pas ndalimit nuk u ndal… 

As nuk ishte ndalur, gazeta Rilindja kishte dalur më shumë se një muaj përkundër masave të dhunëshme të Serbisë, që e përfshinin edhe ate në ditën e 5 Korrikut 1990 të suprimimit të institucioneve të Kosovës e mbylljes së Radio Televizionit të Prishtinës. “Okupim klasik”, ishte reagimi dhe kundërshtimi i Rilindjes në komentin në faqen e parë në ditën e 6 Korrikut. Beogradi, edhe pse në ditën e masave të dhunëshme kishte marrë vendimin, kurrë nuk arriti ta bëjë gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja “organ të Kuvendit të Serbisë”. Asnjë punëtor i gazetës Rilindja nuk e pranoi këtë, të gjithë e kundërshtuan dhe e hodhën poshtë. Kryeredaktor i gazetës Rilindja vazhdonte të jetë Nazmi Misini, i mbështetur nga punëtorët e ndërmarrjes, që nuk pranuan dhe kundërshtuan fuqishëm masat e dhunëshme të Serbisë. 

Masat e dhunëshme pasonin 2 Korrikun historik 1990, kur në shtetrrethim dhe para snajperëve serbë, Kosova me Deklaratën Kushtetuese të Kuvendit të saj shpallte Pavarësinë, e cila atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik. 

Në prag të ditës së Deklaratës Kushtetuese për Pavarësi të Kosovës të 2 Korrikut 1990, të dielën e 1 Korrikut, në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja isha redaktori kujdestar për ngjarjet e ditës. 

Në atë ditë të 1 Korrikut 1990 pjesë e sulmeve të Serbisë kundër Kosovës e shqiptarëve ishte edhe një “referendum për Kushtetutën e re serbe” të kundërshtuar nga shqiptarët, si dhe shpallja e “shtyerjes” së mbledhjes së Kuvendit të Kosovës të paralajmërur për 2 Korrik, e për të cilën përfaqësuesit e popullit-delegatët shqiptarë shumicë e delegatë të komuniteteve pakicë kishin bërë të gjitha përgatitjet për Deklaratën Kushtetuese… 

“Shtyrja” shpallej si vazhdimësi e bllokimeve e ndërprerjeve të punimeve të Kuvendit të Kosovës…“Reprizë nuk do të ketë”, me këtë titull shkruajta komentin në mbështetje të delegatëve që të mbahet gjithësesi mbledhja e Kuvendit me axhendë vullnetin e kërkesat e popullit – Deklaratën Kushtetuese për Pavarësi të Kosovës. 

“Kuvendi i Kosovës është i popullit dhe në të mund të vendoset vetëm sipas vullnetit e kërkesave të popullit”, theksonte komenti që u botua në numrin e 2 Korrikut 1990 të gazetës Rilindja, e cila që nga faqja e parë kishte raportime e shkrime me tiujt “Kosova duhet të ruajë subjektivitetin e vet në federatë”, “Populli vendosë në Kuvendin e vet”, “Kosova e re – sipas vullnetit të popullit”… 

Raportohej se “vazhdojnë tubimet legale dhe protestat e shqiptarëve në Kosovë” dhe se “kërkesë unanime” ishte që mbledhja e Kuvendit të Kosovës “të mbahet sot dhe të ketë në rend dite këkesat gjithëpopullore”. Poashtu raportohej se në Gjakovë përfundoi Kongresi i parë i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, i cili përkrahu delegatët e Kuvendit të Kosovës edhe për iniciativën për shpalljen e Kushtetutës së re të Kosovës, e cila Kushtetutë e Republikës së Kosovës e miratuar në 7 Shtator 1990 pasonte Deklaratën Kushtetues të 2 Korrikut të po atij viti. 

Edhe në një film dokumentar të shfaqur në seancën solemne të Kuvenditë të Kosovës në 25 vjetorin e Deklaratës Kushtetuese shihej gazeta Rilindja në duart e delegatëve, në mbledhjen para dyerëve të mbyllura të Kuvendit të Kosovës të 2 Korrikut 1990.   

Rilindja ishte me delegatët e Kuvendit të Kosovës në ngjarjen historike për të cilën raportoi gjerësisht me ekip gazetarësh e fotoreporterësh dhe kishte edhe redaksionalin tim me titull “Fillim i së nesërmes”, të botuar në ballinë në 3 Korrik 1990, ku theksonte se, “Deklarata Kushtetuese e delegatëve të Kuvendit të Kosovës është deklarim i popullit për barazi e subjektivitet të plotë të Kosovës e të shqiptarëve… është fitore e akt historik i shprehjes së vullnetit gjithëpopullor demokratik, është fillimi i fundit të pabarazisë e padrejtësive…Kosova e re, ajo me rregullim kushtetues sipas Deklaratës të sapo aprovuar do të jetë një djep kombëtar dhe i bashkëjetesës për të gjithë, i të drejtave të plota”… 

Në ditën kur Serbia ia ndaloi Kosovës gazetën e vetme të përditshme në gjuhën shqipe Rilindja bëja edhe një shkrim rezistence e proteste. “Rilindja e popullit jeton edhe e pashkruar”, me këtë titull shkruaja reportazhin herët në mengjesin 8 Gushtit 1990 duke ecur rrugëve e shesheve të Prishtinës dhe duke përshkruar reagimin e popullit në nisjen e ditës pa gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja. 

Me reportazhin e shkruar rrugëve më shumë në mendje e në fragmente me laps në një copë letre, përkundër ndalimit shkova në Pallatin Rilindja dhe pasi e daktilografova me makinë shkrimi nga redaksia e gazetës ngjita shkallëve të kateve më lart për te kryeredaktori i revistës për kulturë Fjala, Milazim Krasniqi. 

 I tregova reportazhin dhe idenë që bashkë me lajmet kryesore që do i merrnim nga terreni nga korrespondentët e gazetës Rilindja (në atë kohë isha redaktor-shef i korrespondentëve) t’i botonte në Fjala. Revistën Fjala, për herë të parë edhe si gazetë, e nxori që të nesërmen, pa pritur dyjavëshin kur dilte. 

Në katër faqet e mesme me reportazhin dhe lajmet e ngjarjeve të ditës ishte “Rilindja e fshehur brenda Fjalës”, siç thonin shumë njerëz që e mbanin në duar e lexonin revistën që u botua e shtyp në tirazh rekord. 

Forhåndsvisning av bilde

Botimi i shkrimeve-informacioneve të gazetarëve të gazetës së ndaluar Rilindja që e nisi së pari revista Fjala me shpeshtime daljesh edhe si gazetë vazhdoi edhe te revistat tjera – Shkëndija, Kosovarja, Zëri i Rinisë…dhe për të pasur informacione edhe në ndonjë ditë më shumë gjatë javës doli edhe ideja që të nisë të ridalë edhe revista Bujku, e cila ishte e përdymuajshme për fshatin e bujqësinë dhe kishte vite që nuk kishte dalë fare. Fjala, Shkëndija, Kosovarja, Bujku e të tjera revista ishin të Ndërmarrjes së Revistave, që ishte një nga gjashtë ndërmarrjet sa kishte Ndërmarrja Shoqërore e Përbërë Rilindja, pjesë e së cilës dhe më e madhja ishte Gazeta Rilindja… 

Ishte 17 Janari 1991. Për ridaljen një herë në javë të revistës Bujku dolën disa ide e propozime, edhe për fizionomi, edhe për kryeredaktor të revistës, por jo ndonjë zgjedhje e pranim detyre dhe po përfundonte mbledhja në lokalet e gazetës Rilindja… 

Mora ushtrimin e detyrës së kryeredaktorit, kisha idenë dhe shkasin për ta nxjerrë Bujkun, jo si revistë, por si gazetë dhe të përditshme “përkohësisht”. 

Atë ditë kishte nisë lufta në Gjirin Persek…Edhe me këtë shkas, shkruajta “Fjalën e Redaksisë” me titull “Përsëri ‘Bujku’…”, për faqen e parë të gazetës, ku theksoja se del si “gazetë e përkohëshme…edhe për shkak të nevojës që edhe lexuesit shqiptarë në Kosovë, në mungesë të gazetës së përditëshme, të kenë informacione sa më të gjera e me kohë në gjuhën shqipe për ngjarjen që filloi të tronditë botën – fillimin e Luftës në Gjirin Persik. Për këtë shkak edhe me fizionomi e edhe me përmbajtje ky numër është i jashtëzakonshëm”. 

Me përmbajtje të ngjashme, se nga e nesërmja do dalë një gazetë në terrin informativ të Kosovës shkruajta një letër për ta njoftuar Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd – kryeqytetin e federatës së atëherëshme, pasi kontaktova me Ambasadën e Shqipërisë dhe ua dërgova atyre me telefax që ta përcjellnin. Ajo letër sigurisht do të ketë gjetur mbështetje për ne, pasi edhe vazhdoi të dalë gazeta, në ballinën e së cilës Bujku shkruhej me shkronja të vogla nën një B të madhe logo. Ishte si Gazeta B, që zëvendësonte Gazetën A – Rilindjen e ndaluar. 

E nxjerrë pikërisht nga gazetarët dhe punonjësit e tjerë të gazetës Rilindja, me guxim dhe sakrifica, me standarde profesionale, Bujku ishte gazetë e rezistencës, e lëvizjes gjithëpopullore të shqiptarëve në Kosovë për liri, pavarësi e demokraci, gazetë e parë e pavarur kosovare, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor, euroatlantik. 

Gazeta e përditshme Bujku doli deri në prag të vitit 1999, derisa u dëbua me dhunë nga Pallati i Rilindjes nga administrata dhe forcat okupatore serbe. 

Por, përsëri, gazetarët dhe punonjësit e tjerë të  gazetës Rilindja nuk u ndalën, në muajt e parë të vitit 1999, në kushtet e luftës, rikthyen dhe nxorën gazetën e përditshme Rilindja në Prishtinë,  duke punar nëpër shtëpitë e tyre,  dhe në këto rrethana përkundër rreziqeve të mëdha gazeta doli nga  22 Shkurti derisa gazetarët dhe punonësit e saj u dëbuan bashkë me popullin edhe nga shtëpitë e tyre dhe nga Kosova. Kryeredaktor i gazetës Rilindja që dilte në Prishtinë në kohë lufte në Kosovë ishte Binak Kelmendi, e para tij kryeredaktorë të gazetës Bujku, pas të parit – meje, ishin edhe Xhemajl Rexhepi, Ruzhdi Demiri, Hydajet Hyseni e Avni Spahiu. 

Forhåndsvisning av bilde

Ekipi Rilindjes, ku ishim bashkë me korrespondentin në Maqedoni Bedri Sadiku, hyri në Kosovë me tanket e para të NATO-s në 12 Qershorin historik 1999, dhe të nesërmen u shpërnda në Prishtinë dhe në zona të tjera, ku po ndodhte liria, gazeta numër special e botuar në Shkup, të cilën e solli prej atje korrespondenti i Zërit të Amerikës, Isak Ramadani bashkë me gazetarin tjetër nga Shkupi, Arben Ratkoceri. 

Në faqen e parë, ku shkruhej se “Dje në orën 5.17  Trupat e NATO-s hynë në Kosovë”, editoriali i Blerim Rekës kishte titullin “Normandizimi i Kosovës dhe kapitullimi serb”. 

Në Kosovën e lirë, gazeta Rilindja u rikthye në Prishtinë dhe vazhdoi të dalë përditë, kryeredaktor fillimisht ishte Berat Luzha, pastaj Ramush Tahiri dhe i fundit isha unë. 

Gazeta Rilindja nuk u ndal, vazhduam të punojmë e ta nxjerrim edhe kur administratori i UNMIK për të na bërë presion të largohemi na e ndali ujin në Pallat disa muaj dhe na jepte afate ultimative për vetëlargim, që nuk i pranuam. Edhe në ato kushte, gazeta Rilindja doli përditë deri në 21 Shkurt 2002, kur na ndalën edhe rrymën elektrike dhe pastaj na i mbyllën me grila hekuri të gjitha hyrjet në Pallatin e Rilindjes. 

Gazetën Rilindja e dëbuan e mbyllën kundërligjshëm e padrejtësisht pak ditë pasi festoi 57 vjetorin,  ditën e saj – 12 Shkurtin. 

Në numrin festiv të Rilindjes së 12 Shkurtit 2002 në faqen e parë “‘Sundimi i Ligjit’ apo ‘Sundimi i Bandave’? Kosova Duhet të Vendosë”, ishte titulli i shkrimit ekskluziv nga Ambasadori Xhon Menzis, Shef i Misionit, Zyra e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë. 

“Sot shënohet 57 vjetori i gazetës ditore ‘Rilindja’, gazetës më të vjetër në gjuhën shqipe në Kosovë”, niste ambasadori amerikan shkrimin-editorialin, ku mes tjerash theksonte edhe se, “si shef i misionit të Zyrës së SHBA-ve në Prishtinë, unë e di mirë rolin që e ka ‘Rilindja’ në shoqërinë demokratike që është duke u krijuar në Kosovë”. 

“Në këtë përvjetor të 57-të të gazetës ‘Rilindja’, e uroj Z. Behlul Jashari, Z. Ramush Tahiri dhe gjithë kolektivin për punën e mirë që e bëjnë me shkrimet mbi çështjet e ndërlikuara politike në Kosovë, shkrime këto të drejta dhe të balancuara. Nuk është punë e vogël të botohet një gazetë për 57 vite me radhë dhe ju mund të jeni krenarë që e keni arritur këtë. Ne duhet të punojmë së bashku duke përdorur fuqinë e penës, fuqinë e diplomacisë dhe fuqinë e opinionit publik në mënyrë që të sigurojmë mosndryshimin e vazhdimësisë së përparimit demokratik të Kosovës, dhe që sundimi i ligjit do të mbizotërojë gjithnjë mbi sundimin e bandave”, theksonte në përfundim të editorialit Ambasadori Amerikan Menzis…        Forhåndsvisning av bilde

 Edhe pas dëbimit, përsëri Rilindja nuk u ndal, me punë nëpër shtëpia si në kohë lufte, për të ruajtur emrin e traditën e për të vijuar të jetë histori e Kosovës, doli në raste të veçanta me numra të jashtëzakonshëm e protestues, të kohëpaskohëshëm, edhe kur kishte festa.  

Gazeta Rilindja, kronikë e zhvillimeve historike të Kosovës, pasi doli me botime speciale edhe për ngjarjen historike të shpalljes së Pavarësisë dhe njohjet ndërkombëtare që pasuan, ka përmbyllë daljet e afër 40 numrave të jashtëzakonshëm të kohëpaskohëshëm në 30 Dhjetor 2008, me numrin festiv të Vitit të Ri 2009, në ballinë me kryetitullin e ëndërres dhe  të ardhëmes: Kosova shtet në OKB. Dhe me paralajmërimin: Duke besuar në sundimin e ligjit në shtetin e Kosovës presim që nga numri i ardhshëm Rilindja të dalë përditë. 

 Pas 10 vitesh nga botimi i fundit i printuar në letër, gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja në ndërrim motesh – në mbrëmjen e 31 Dhjetorit  2018 të pritjes së 2019-tës, ridoli simbolikisht (botim digjital) për protestë dhe me kërkesën e përsëritur për t’u rikthyer e përditshme – për privatizim, sipas shembullit të gazetave në rajon e në botë që kishin status të njëjtë ndërmarrje shoqërore e që janë privatizuar e vazhdojnë të dalin… 

Gazeta shqiptare tradicionale e Kosovës Rilindja ka nisë të dalë në Prizren para 78 viteve, në 12 Shkurt 1945, në frymën e Konferencës së Bujanit e me angazhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana. 

 “Shkronja për Rilindjen dërgoi Tirana pasi në Shtypshkronjën e  Rilindjes në Prizren nuk kishte shkronja të  mjaftueshme të derdhura në plumb për shkrim në gjuhën shqipe”, kam shkruar në monografinë “Rilindja 60 vjet”, botuar shtojcë speciale e gazetës në 12 Shkurt 2005. 

Në monografi theksohet se, “numri i parë i gazetës Rilindja, që kishte katër faqe, u radhit me dorë për rreth 72 orë dhe për këtë u deshtën katër arka shkronja shqipe të derdhura në plumb, që u sollën nga Tirana”. 

“T’i përvishemi punës…”, ishte kryeartikulli në ballinë i numrit të parë të gazetës Rilindja, që mbanë datën 12 Fruer (Shkurt) 1945 e që kishte çmimin edhe 1 Lek, e që sipas shkrimeve Kosovën e përcaktonte si një vend të veçantë. 

“Jehona e vendit” ishte rubrika, ku janë të botuara 6 lajme e informata nga Kosova, e të 4 lajmet e tjera janë të jashtë vendit nga fronte të ndryshme të Luftës së Dytë Botërore, që ende vazhdonte (Froni i Lindjes, i Perëndimit, i Jugosllavisë dhe ai i Italisë)… 

Edhe pse pati dëbime e mbyllje të dhunëshme, gazeta tradicionale e historike Rilindja arriti të jetë histori e Kosovës që nga koha e Konferencës së Bujanit të Rezolutës për të ardhme të vullnetit kombëtar e demokratik të popullit e deri në Pavarësinë e shpallur në 17 Shkurt 2008 e në njohjet ndërkombëtare. 

Edhe sot, si në raste tjera pas ridëbimit e rimbylljes së gazetës Rilindja, e shohim të nevojshëm një sqarim për opinionin: Ndonjë portal që ka “huazuar” emrin, po edhe logon, nuk është as nuk mund të jetë gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, e cila mund të ridalë vetëm në një proces të ligjshëm privatizimi, ku të gjithë punëtorët e saj realizojnë të drejtat e tyre, ashtu si është kërkuar edhe në shkresat drejtuar institucioneve të Kosovës. 

Forhåndsvisning av bilde

Kërkesa për privatizim-ridalje të gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja i është bërë edhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit, e cila është themeluar si një organ i pavarur publik, në bazë Ligjit të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, si pasardhëse e Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit e themeluar nga  UNMIK – Misioni  i OKB i pas luftës në Kosovë. 

Në arsyetimin e  kërkesës për privatizim theksohet edhe se emri dhe tradita e gazetës Rilindja është një vlerë shumë e madhe, e krijuar gjatë mëse shtatë dekadave, është pasuri me vlerë më të madhe se e çdo pallati,  dhe kjo duhet të vlerësohet edhe në procesin e privatizimit. 

 “Dhe, ai që do ta blejë gazetën Rilindja dhe natyrisht do e nxjerrë këtë të përditshme historike dhe tradicionale të Kosovës do jetë pronar i një pasurie të madhe mediale kombëtare, do të jetë trashëgimtar i ligjshëm i firmës-emrit, traditës. Rilindja ishte, është dhe mbetet edhe si një shenjë identiteti”, theksohet në kërkesën drejtuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit në 12 Shkurt 2014. 

 Ndërmarrja Shoqërore Gazeta Rilindja në vitin 2017 ka hyrë në procesin e likuidimit, gjatë të cilit punëtorët e saj kanë bërë kërkesat e tyre bazuar në ligje në Agjencinë Kosovare të Privatizimit dhe në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, e edhe në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës…  

 NGA ARKIVI I GAZETËS TRADICIONALE TË KOSOVËS RILINDJA: 

VLERËSIMI DHE PËRKRAHJA E PRESIDENTIT HISTORIK RUGOVA PËR RILINDJEN EDHE NË INTERVISTA EKSKLUZIVE  

“Kosova e pavarur në NATO e në BE dhe në miqësi të përhershme me SHBA”, citoja kështu Presidentin Dr. Ibrahim Rugova në kryetitull të ballinës së gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja në fundvitin 2002, në intervistën ekskluzive që kisha zhvilluar pas kthimit nga festimet në Vlorë të 28 Nëntorit dhe takimit që kishte me Sekretari Amerikan të Shtetit Igëllberger. Në Rezidencën Presidenciale në Velani – Prishtinë Presidenti Ibrahim Rugova mbante në duarë dhe në tryezë gazetën Rilindja botim special festiv për jubileun e 90 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë… 

“‘Me emrin ‘Bujku’, këtu dhjetë vite ka mbajur të gjallë informimin e brendshëm në Kosovë”, e vlerësonte  gazetën e rezistencës Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova në funddhjetorin 2002 në Rezidencën Presidenciale në Prishtinë në pritjen që më bëri si kryeredaktor i gazetës Rilindja, me ç’rast dha një intervistë ekskluzive, duke i dhënë kështu edhe mbështetjen e fuqishme institucionale krijimit të mundësive dhe kushteve për rifillimin e botimit të gazetës simbol i traditës së informimit në Kosovë, të cilën administrata e UNMIK e kishte dëbuar kundërligjshëm e padrejtësisht nga Pallati Rilindja në 21 Shkurt 2002. 

Pjesa përmbyllëse e intervistës së gjatë botuar në gazetën Rilindja në 31 Dhjetor 2002 ishte kjo: 

RILINDJA: Z. President, falemnderit për këtë intervistë për botimin special të gazetës “Rilindja” për Vitin e Ri. Kemi edhe një falënderim të madh për Ju zoti President i Kosovës për mbështetjen dhe angazhimet për një zgjidhje institucionale për gazetën tradicionale të Kosovës “Rilindja”, të cilës shpresojmë se së shpejti do t’i krijohen kushtet dhe mundësitë të rifillojë botimin e rregullt. Mendojmë që është një rast shumë i mirë që “Rilindja” të rifillojë botimin e rregullt në ditën e përvjetorit të saj të 58-të, më 12 shkurt 2003. Shfrytëzojmë rastin, dhe kemi nderin dhe kënaqësinë, që qysh tash t’Ju ftojmë në festën, në solemnitetin që do të bëjmë, edhe për Ditën e Rilindjes edhe për rifillimin e botimit të gazetës “Rilindja”. 

PRESIDENTI RUGOVA: Unë ju kam premtuar përkrahje edhe më herët. Duhet të shikojmë, po flas praktikisht, si ta aktivizojmë gazetën, që ka një traditë. S’po flasim më shumë, e dimë të gjithë. 

Pastaj, me emrin “Bujku”, këtu dhjetë vite ka mbajur të gjallë informimin e brendshëm në Kosovë, pra derisa bëmë edhe Televizionin Satelitor. Kjo ka qenë shumë e rëndësishëme. Pra, ishte një bazë e informimit në Kosovë. Dhe, një mirënjohje për ju dhe të gjithë ata që në këto vite të vështira punuan dhe mbajtën të gjallë informimin në Kosovë. 

Duhet të shikojmë praktikisht si të aktivizohet gazeta “Rilindja”, t’i sigurohet vendi. Duhet të bisedohet dhe të shihen mundësitë. Edhe zyra ime për informim do të interesohet për këtë çështje; besoj edhe komisioni për media i Parlamentit, që është krijuar tash së voni, edhe institucionet e tjera. Duhet parë punën e statusit të “Rilindjes”. Ju mund të jeni si gazetë e pavarur, por duhet të shikojmë sa mund të ndihmoheni nga institucionet tona. 

Është shumë mirë që gazeta “Rilindja” edhe në këto kushte gjatë kësaj kohe të fundit ka dalë me botime të kohëpaskohshme për ngjarje e data të rëndësishme, duke vazhduar të jetë histori e shkruar e Kosovës, dhe ruan në një mënyrë vazhdimësinë deri në rifillimin e botimit të rregullt. 

RILINDJA: Z. President, Ju falënderojmë shumë për këtë përkrahje të madhe për “Rilindjen”. Shfrytëzojmë rastin, kemi nderin dhe kënaqësinë, që t’ Ju urojmë: Gëzuar Vitin e Ri 2003, më shumë shëndet, mbarësi, suksese për Ju dhe gjithë Kosovën. 

PRESIDENTI RUGOVA: Urime, poashtu, edhe Juve, me shumë suksese dhe për punën që po bëni, për “Rilindjen”, që ta kemi së shpejti përditë. Falemnderit. 

Forhåndsvisning av bilde

 Gazeta Rilindja e ditës së 60 vjetorit të saj – 12 Shkurtit 2005 botonte edhe një intervistë tjetër ekskluzive me Presidentin Ibrahim Rugova me titulliun në ballnë “Pavarësia e Kosovës është e mira e të gjithë qytetarëve dhe do ta qetësojë rajonin”. 

Me rastin e pritjes që më bëri në cilësinë e kryetarit të Këshillit Drejtues – Kryeredaktorit Presidentit Rugova i dhurova Pllakatin e Jubileut të 60-vjetorit të Rilindjes, punar me ar e argjend nga zejtarët e Prizrenit, qytetit ku ka dalë numri i parë i gazetës tradicionale e historike të Kosovës. 

Presidenti Rugova uroi për Jubileun e gazetës Rilindja gjashtë dekada në jetën dhe në familjet e kosovarëve,  duke u shprehur, mes tjerash: 

“Unë Ju përgëzoj për këtë përvjetor Jubilar, pra 60 vjetorin e Rilindjes, dhe dëshirojmë që kjo gazetë sa më shpejtë të konsolidohet. Duhet të shikojmë të gjejmë një zgjidhje për Rilindjen, që të mund të vazhdojë si një gazetë tradicionale. Ne duhet të kemi edhe mjete të informimit të formave të ndryshme, mund të gjejë, ta ketë atë formën të një informacioni dhe prezentimi të çështjeve shtetërore, nëse nesër do ta pranojë Rilindja apo dikush tjetër. Dhe, gjithsesi do të gjendet në mozaikun e masmediumeve të Kosovës. Ne do t’i shikojmë të gjitha mundësitë dhe do të ndihmojmë në këtë plan dhe do t’ju përkrahim. Rilindja është një gazetë që është një pjesë e historisë së Kosovës dhe që ka ndihmuar zhvillimin e Kosovës në përgjithësi. Natyrisht, tash edhe Rilindja duhet të gjendet në këtë çështjen e tregut të mediumeve. Dhe, duhet t’i ketë ato të drejtat që i takojnë si shtëpi botuese, ose si shtëpi informacioni. Sepse ishte një gjigant i masmediumeve, i botimeve për atë kohë, e sot, tash, duhet ta gjejë rolin e vet si gazetë, e të vazhdojë të ndihmojë zhvillimin dhe perspektivën e Kosovës. Prandaj, do të keni përkrahjen tonë dhe do të shikojmë gjitha mundësitë administrative si do të ecin. 

Pra, Urime edhe një herë dhe Gëzuar!” 

Forhåndsvisning av bilde

 RILINDJA PËR 17 SHKURTIN HISTORIK 2008 TË PAVARËSISË SË KOSOVËS 

Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, kryeredaktor i së cilës ishapër 17 Shkurtin historik 2008 doli numër i jashtëzakonshëm festiv me kryetitullin me shkonja ngjyrë ari: KOSOVA SHPALLI PAVARËSINË BOTA E NJEH SHTETIN MË TË RI. 

Forhåndsvisning av bilde

Po në ballinë, nën imazhet e nënshkrimit të Deklaratës së Pava,  rësisë së Kosovës, të Flamurit e Stemës së shtetit të ri evropian dhe fishekzjarreve të festimeve në Prishtinë, Rilindja shkruante poashtu me shkronja ngjyrë ari: 17 SHKURTI 2008 DITA MË E MADHE SHQIPTARE PAS 28 NËNTORIT 1912 TË PAVARËSISË SË SHQIPËRISË. 

Lart te logoja po në faqen e parë shkruante: Rilindja ju uron shpalljen dhe njohjen e Kosovës Shtet i Pavarur.  

(Behlul Jashari - në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja nga Shtatori 1973 – gazetar, reporter i lirë, komentator, redaktor, kryeredaktor i parë-themelues i gazetës së përditëshme të rezistencës Bujku që nisi të dalë në 18 Janar 1991 dhe kryeredaktor nga Janari 2002 i gazetës Rilindja, e cila me numrin e fundit të shtypur ka dalë në 30 Dhjetor 2008…)

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu