ARKIVI:
31 Mars 2025

Rishikim i Sistemit Arsimor

Shkrime relevante

Serbia po kryen diskriminim si  spastrim etnik në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, përmes pasivizimit të adresave

Një shtëpi e braktisur në një fshat të Medvegjës Nga: Refik Hasani ___ Pasivizimi,...

Armët, dhuna dhe shthurja morale po e çojnë shoqërinë në krizë të thellë

Nga: Arif Ejupi Derisa armët qarkullojnë edhe nëpër duart e fëmijëve, nuk...

Mësimet nga fundosja e Titanikut

Nga: Lirim Gashi, Prizren ___ Kur u fundos anija legjendare Titanik, secili reagoi...

Një shoqëri që bie në konflikt me vetveten, do të shkatërrohet

Foto: Mysafiri i "iftarit" të Ramazanit  Kjell Skartveit / Document.no  30.03.2025 09:00 Por Jezusi...

Lavdia tragjike e akterëve të Pavarësisë së Shqipërisë

Jusuf Buxhovi, historian e shkrimtar nga Prishtina -Theksime nga fjala në Akademinë...

Shpërndaj

Nga: Lis Bukuroca
  • Nga koha e humbur në dije të nevojshme.

Nevojitet një reformë e thellë në arsim.
Nxënësi duhet të mësojë në shkollë, jo në shtëpi.
Prindërit nuk paguhen për edukim dhe nuk janë pedagogë.
Mësuesi duhet të kalojë tetë orë në vendin e punës.
Po përballemi me një ndryshim dramatik të epokës.
Fëmija është një unikat i dy prindërve, jo një kopje e njërit prej tyre.
Ai duhet të bëhet çfarë dëshiron vetë, jo çfarë ëndërrojnë prindërit.
Pas reformës, duhet të vijë dyfishimi i rrogave të mësuesve. Sepse në fund të jetës:

“Pyetjes së vetme që ti duhet t’ i përgjigjesh është kjo: ‚A je bërë ti, vetvetja ti?‘” Lao Ce

Para se të filloj këtë përsiatje mbi reformën arsimore, po paraqes një pasqyrë mbi aftësinë e përqendrimit te fëmijët. Studime të ndryshme tregojnë jo vetëm sa gjatë mund të përqendrohen ata, por edhe sa shpejt harrohet ajo që është mësuar.

Tabela

Nga ajo tabelë mund të kuptojmë se kohëzgjatja e orës mësimore nuk është përshtatur me aftësitë reale të nxënësit, por me aftësitë e përqendrimit të arsimtarit. Pra, nxënësi i shërben arsimtarit, dhe jo arsimtari nxënësve.

Hyrje

Gjatë periudhës që pata punuar si profesor i frëngjishtes, pata vënë re se ne, si mësues, nuk hynim në klasë për të frymëzuar ose për të nxitur kureshtjen për dijen, por për të kaluar formalisht informacionin. Në shumë raste, kërkonim që nxënësit të ishin të nënshtruar dhe të pranonin këtë informacion pa pyetje. Ata shpesh trajtoheshin si objekte, ku ne zbraznim dijen që ne konsideronim të rëndësishme, edhe pse shumë prej tyre nuk e donin atë dhe ndoshta nuk do t’u nevojitej kurrë në jetë.

Arsimi ynë i trajtonte nxënësit si krijesa pa të drejta dhe pa dinjitet. Ata shiheshin si “kazanë”, ku gati çdo orë hynte një mësues tjetër për të shpjeguar një temë dhe më pas largoheshin pa u shqetësuar për sa e kishin kuptuar nxënësit. Pas disa minutash, hynte mësuesi tjetër. Asnjëri nuk shqetësohej për aftësitë e nxënësve, për mundësinë e tyre për t’u përqendruar, ose për sa mund të mbante mend pas disa orëve mësim.

E rëndësishme ishte programi, jo mësimi.

E rëndësishme ishte pjesëmarrja, jo të mësuarit.

E rëndësishme ishte kalimi i kohës dhe përfundimi i vitit shkollor, jo zhvillimi i aftësive.

E rëndësishme ishte nota, jo dija.

E rëndësishme ishte që fëmija të stërvitej për t’u bërë i përdorshëm për prindërit, jo për shoqërinë dhe vetveten.

Pastaj u ndalua dhuna fizike dhe mësuesit u çarmatosën. Nga ai moment e tutje, ata e zëvendësuan dhunën fizike me dhunë verbale: ofendime të rënda si “gomar”, “qen”, “kali”, “psikopat” e të tjera. Kjo ndodhte sepse ata nuk ishin përgatitur për të qenë pedagogë të mirë, por për të qenë nënshtrues të mirë. Megjithatë, kjo nuk vlen për të gjithë. Kishte edhe ndonjë përjashtim.

Fëmija nuk ka, dhe as ka pasur, të Drejtat dhe Liritë e Njeriut që Kushtetuta ua garanton të rriturve. Ligji nuk do ta lejonte fëmijën të detyrohej të hante diçka me dhunë, por e lejon të imponohet të mësojë një lëndë që nuk i pëlqen. Ai nuk ka mundësinë të zgjedhë apo të zëvendësojë disa lëndë me të tjera. Ai duhet të shtiret me aftësi universale dhe të rrijë i qetë si një bust Bude nga guri dhe të shtiret se po dëgjon, se po kupton.

1. Shkolla si kazermë

Ministria e Arsimit, kudo, është e bindur se të gjithë duhet të mësojnë të njëjtat lëndë, edhe pse e dinë se jo të gjithë do të ushtrojnë profesionin e njëjtë. Të gjithë duhet të mësojnë të njëjtat tema, edhe pse është e qartë se nuk mund të prodhojmë njerëz me dije universale. Të gjithë duhet të mësojnë atë që është paraparë, edhe pse nuk kanë të gjithë aftësitë dhe pasionet e njëjta. Madje, ndonjëherë, ka edhe uniforma. Si ushtarët! Ky është një arsim që poshtëron, zvogëlon dhe anulon individualitetin dhe talentet e veçanta. Për këtë arsye, shkolla nuk zbulon as poetë, as shkrimtarë, as piktorë, as muzikantë, as këngëtarë, as sportistë. E në fakt, kjo duhet të ishte detyra e saj. Shkolla, edhe pse duhet ta bëjë këtë, nuk zbulon dhe pothuajse asnjëherë nuk nxjerr në pah talente të tilla. Shkolla e sotme shpesh asgjëson talentet.

Shkollat nuk janë të ndërtuara si hapësira tërheqëse për arsimim, ku fëmijët mund të ndihen të motivuar dhe të interesuar. Ato nuk dallojnë nga spitalet apo kazermat e shekullit të kaluar. Nuk janë të mobiluara si vende ku mund të zhvillohet mësimi me entuziazëm, por si hapësira ku duhet të ushtrohet dominimi. Madje edhe ngjyrat e fasadave janë shkurajuese dhe gri, dhe oborri i shkollës i ngjan më shumë një imazhi mjerimi, si oborret e burgjeve, vetëm se rrethoja është më e ulët.

Pyetja që lind është kjo: Pse abuzohen nxënësit me lëndë që nuk i duan? Kujt i nevojitet ky nënshtrim? A nuk do të ishte më mirë që dikush të kishte pesë orë në javë fizkulturë apo gjuhë, e jo pesë herë fizikë e matematikë? Ky nxënës mund të bëhet gazetar, shkrimtar, apo sportist i madh. Edhe dhjetëra profesione të tjera mund të kenë kërkesa të ndryshme, ku disa lëndë, për shembull, nuk do t’i duhen kurrë në jetë. Nëse ai ka pasion futbollin, atletikën, apo poezinë, pse duhet të humbasë kohë me matematikën dhe fizikën? Kjo nuk është as logjike, as e drejtë. Apo tjetrit duhet t’i jepen më shumë orë matematikë dhe më pak gjuhë e histori, apo fare!

Shkolla jonë e dhunshme zhduk talente dhe individualitete, duke u përpjekur të krijojë njerëz me dije universale, të cilët, pasi të mbarojnë shkollën, nuk mbajnë mend as 5% të asaj që kanë mësuar me dhunë. Megjithatë, traumat që janë shkaktuar do të mbeten përgjithmonë. Kryesisht, koha e humbur kot do të jetë një kujtim që nuk do të harrohet kurrë.

Çfarë të keqe ka kur bashkohen dy mësues, dy klasa dhe mbajnë orë mësimi së bashku, duke trajtuar tema që kanë lidhje me njëra-tjetrën, si për shembull historia dhe letërsia? Ose lëndë të tjera ku temat janë të lidhura dhe përputhen?

2. Aftësimi i mëtutjeshëm i arsimtarëve

Pse nuk ka mësim plotësues për arsimtarët mbi pedagogjinë dhe gjetjet e reja nga psikologjia, sociologjia dhe neurologjia? Arsimtarët duhet të mësojnë se dhuna fizike dhe verbale ka ndikim në zvogëlimin e masës gri në tru, e cila është përgjegjëse për inteligjencën e njeriut. Pse edhe dhuna verbale? Sepse për të dyja, dhunën fizike dhe verbale, aktivizohej i njëjti areal në tru dhe ky nuk bën dallim se si po përjetohet poshtërimi.  4

(Ose Community violence exposure correlates with smaller gray matter volume and lower IQ in urban adolescents. 5 )

Sot ekzistojnë studime të tilla, dhe shkolla duhet të ndryshojë, duke përfshirë një lëndë që i mëson fëmijëve sfidat e jetës dhe lumturinë. Kjo lëndë duhet t’u mësojë fëmijëve jo vetëm gjeografinë, historinë apo atomet, por edhe si duhet të edukohen ata nesër, çfarë është dashuria, sa zgjat ajo, çfarë ndodh pas shkurorëzimit, pse edhe ndarja mund të jetë një shans i ri, pse paguhen tatimet, cilët faktorë ndikojnë në lumturinë e njeriut, dhe shumë tema të tjera nga psikologjia sociale, si:

Kohëzgjatja e mbamendjes, injoranca pluralistike, zonat e distancës, altruizmi, radikalizmi, efekti i spektatorit, arsyet pse fiton një populist zgjedhjet, memetika, racizmi, homofobia, mizogjinia, arsyet pse bëhemi agresivë, burgu i Zimbardos, inteligjenca emocionale, meditimi, agresioni apetitiv, licencimi moral dhe religjioni, pafuqia e mësuar, katër moshat e njeriut, triada e errët, studimi i të bindurit i Millgramit (respektimi i urdhrit), psikopatia, çrregullimi i personalitetit narcisist, dhuna verbale dhe fizike dhe pasojat e saj për inteligjencën, shkallët e konfliktit, emocionet, lindja dhe kontrollimi i tyre, paragjykimet që krijohen në fëmijëri, hipoteza e kontaktit, paradoksi i marmelatës, alkooli, duhani, droga dhe tema të tjera që psikologët i shohin si të domosdoshme.

Për t’u bërë e mundur kjo, duhet të zvogëlohet rreth 30-40% e plan-programit që mësohet vetëm nga dy ose tre nxënës në klasë, por që u imponohet të gjithëve. Çdo shkollë duhet të ketë së paku një pedagog dhe një psikolog social për konsultime të përditshme. Po ashtu, duhet të ftohen ndërmarrës të suksesshëm nga fusha të ndryshme për të ligjëruar në shkolla.Ata një ditë duhet të zëvendësohen. Qoftë hotelierë, gastronom apo bletar.

Nxënësve duhet t’u mësohet përgjegjësia për shoqërinë. Ata duhet të marrin me vete jo vetëm informacione, por edhe gjetje të rëndësishme dhe përvetësime themelore për jetën. Shkolla duhet të ndryshojë, dhe personeli arsimor të furnizohet vazhdimisht me njohuri të reja përmes seminareve të detyrueshme, të cilat duhet t’i transferojnë ato tek nxënësit.

3. Gjuha e huaj

Dy vitet e para, gjuha e huaj duhet të mësohet pa gramatikë, por vetëm me fjali të thjeshta prej dy ose tri fjalësh: pyetje dhe përgjigje që njeriu i nevojiten në jetën e përditshme. Gramatika nuk është pasioni i çdo njeriu, por gjuha mësohet nga çdo individ. Pse pa gramatikë? Pse pa gramatikë? Sepse si fëmijë e mësojmë gjuhën amtare, jo përemrat vetorë, mbiemrat cilësorë e foljet, por të folurit. Diku rreth 300 pyetje dhe 300 përgjigje nga jeta e përditshme do të mjaftonin për të bërë një komunikim të natyrshëm, pa bërë gabime.

4. Pierre Daco, psikolog francez, thotë në librin e tij “Les Prodigieuses Victoires de la psychologie moderne”:6 “Për t’u bërë floktar nxënësi duhet të mësojë tri vite, për t’u bërë prind, asnjë.”

Meqë sot fëmija kalon më shumë orë në shkollë sesa me prindërit e vet, të cilët janë të zënë me punën e tyre, përgjegjësia kryesore për edukatën e tyre duhet t’i kalojë personelit arsimor. Me floktarët jemi gjithnjë e më të kënaqur, por me prindërit gjithnjë e më pak, dhe as me fëmijët e atyre prindërve. Kjo vlen për edukatën që ata marrin dhe atë që e përcjellin më pas. Pse përmirësohemi kaq ngadalë? Sepse shumë pak arsimtarë lexojnë libra mbi edukatën, mbi metodat e të mësuarit dhe zbulimet e reja nga psikologjia.

5. Giovanni Sartori

Në librin e tij Homo Videns,7 ai kritikon shprehitë televizive ku fëmijët konsumonin imazhe para mësimit të gjuhës, dhe se kjo ndikonte në rënien e aftësive kognitive. Njeriu dallohet nga kafshët me gjuhën, thotë ai, dhe kjo aftësi e të folurit, të menduarit dhe të shkruarit krijonte kulturën, e cila, së bashku me traditën gojore, kishte mbijetuar deri tani. Tani, me celularët, gjendja është edhe më dramatike.

6. Edukimi
Socializimi i fëmijës duhet nisur nga kopshti. Jo me patriotizëm folklorik, jo vetëm me dashuri ndaj atdheut, por me dashuri të madhe ndaj shtetit. Dashuria vetëm ndaj atdheut prodhon njerëz që e vjedhin shtetin duke e puthur flamurin. Ata shtetin e vet e dëmtojnë si pushtuesit. Kjo duhet të ndryshojë. Ndryshimi nis në fëmijërinë e hershme dhe pas një brezi do të kemi shtresën e vetëdijesuar. Kur fëmija e shfaq interesin, t’i jepen informatat e sakta. Si për lekët, dashurinë, urrejtjen, etj.

Na duhet një revolucion arsimor për epokën digjitale. Nuk jemi më në shekujt XVIII dhe XIX. Ky është Iluminizmi i Dytë. Nuk mund të kemi politikanë të mëdhenj me edukatën që japim, por kriminelë të mëdhenj, po. Ky është rezultati dramatik i edukatës në shtëpi dhe shkollë. Ne nuk edukojmë, ne prishim duke besuar se po bëjmë mirë.

Fëmija, për nga natyra, lind me kureshtjen. Kopshti dhe shkolla sot ua humbin atë, me pak përjashtime. Në vend që të zhvillohet tutje kureshtja e tyre dhe etja për dije, ajo u bie prej viti në vit dhe më vonë të mësuarit përjetohet si një obligim i dhunshëm, demoralizues dhe traumatizues.

Fëmijët duhet të socializohen mirë, drejt dhe të përgatiten për të marrë përgjegjësi jo vetëm për veten, por, në radhë të parë, për shoqërinë. Fëmijëve duhet t’u mësohen rregulla, t’u caktohen kufijtë dhe jo vetëm të mësojnë, por të përvetësojnë mirë detyrën se ata bartin përgjegjësi për shoqërinë e nesërme. Në rend të parë për shtetin, pastaj për familjen, e më pas për shoqërinë. Nëse u jepet çdo gjë që dëshirojnë, ata humbin motivimin për të arritur diçka në jetë. Detit nuk i duhet uji.

Llastimi i fëmijës është shkatërrim i tij. Me llastim i mësohet pafuqia dhe depresioni. Fëmija duhet të mësojë si të përdorë lirinë: lirinë e mendimit, lirinë e identitetit të vetjak, lirinë e dashurisë, lirinë e besimit, dhe mënyrën e përdorimit të lekëve. Me atë edukim duhet nisur në kopsht, në formë përrallash, para se ta edukojnë dhe prishin prindërit. Shumica nuk dinë dhe nuk kanë faj pse nuk dinë.

Kur ai kupton vlerën e lekëve, kopshti apo prindi duhet t’i tregojë se paratë që ai do t’i fitojë nesër, nuk do të jenë vetëm të tij, por një pjesë e tyre do t’i takojnë shoqërisë: ai duhet t’i japë një shumë të caktuar për të ndërtuar apo mirëmbajtur rrugët, ndryshe mund t’i vdesin në komunikacion njerëzit e dashur; për spitale, ku nuk mund të mjekohen gjyshi dhe gjyshja, prindërit e miqtë; me ato do të ndërtohen shkolla e kopshte, do të paguhet ushtria dhe policia, përndryshe kriminelët na futen në shtëpi, kurse pa ushtri të armatosur mirë, vjen dikush dhe na pushton.

Shteti i së drejtës garanton drejtësi, barazi, siguri dhe lumturi. Ai zvogëlon eksodin. Ku nuk ka drejtësi, njerëzit arratisen. Aprovimi i ligjeve nëpër Kuvende nuk është tregues i një shoqërie moderne dhe të drejtë, por flet vetëm për botëkuptimin e deputetëve. Obligimet e Qeverisë. Një shoqëri moderne nuk njihet nga ligjet, por nga zbatimi i tyre.

Nëse njeriu mëson si fëmijë se “Prej luftë veç ai largohet. Që është lindur tradhëtor…”,8 ai do ta mësojë bashkëjetesën me tradhtinë dhe nëse bëhet vetë, do ta arsyetojë me gjenet e veta. “Është lindur tradhëtor”. Ka lindur i tillë dhe nuk mund të ndryshojë gjë. Fëmija reciton dhe e mëson atë poezi plagjiat për folklorizëm, por në rast lufte, do të ikë i pari. Duhet himn i ri. Modern. Jo himn i vjedhur si ky që e kemi. Himn që i përshtatet kohës, jo që paragjykon se njeriu lind tradhëtor. 99% e shqiptarëve të Kosovës janë larguar nga lufta.

7. Ekzekutimi

Nëse fëmijës i ndërhyhet në profesion dhe martesë, atëherë aty ai ekzekutohet në aspektin psikologjik. Ai nuk do të jetë vetja, por zaptuesi i vet. Aty zhduket një individualitet, një origjinal. Aty e tutje jeton një kopje e pakënaqur me jetën.

8. Edukata seksuale

Të fillohet në moshën dhjetë vjeçare dhe duhet përsëritur në pubertet. Të mësohet mbi seksin, si të ruhen nga sëmundjet ngjitëse dhe shtatzënia e hershme. Të mësohet ç’është dashuria, si ruhet ajo dhe sa mund të zgjasë. Në atë moshë, fëmija duhet të mësojë çfarë është bashkëshortësia dhe çfarë do të thotë krijimi i familjes. Si të bëhet prind i mirë, si të bëhet bashkëshort i mirë.

Shkolla duhet të edukojë. Prindi nuk di. Nuk është i arsimuar për pedagog. Aty paguhen profesionistë dhe ata duhet të bartin atë përgjegjësi. Shkollat duhet të jenë para dhe pasdite. Nga ora 08:00-12:00 të mësohet, nga ora 14:00-16:00 të përsëritet ajo që është mësuar më parë dhe të kryhen detyrat e shtëpisë. Në shtëpi, fëmija duhet të çlodhet, të kthehet pa libra; në shkollë duhet të mësojë. Arsimtari duhet të jetë aty, jo në shtëpi. Jo prindi të mësojë me fëmijën dhe arsimtari të fitojë gjersa shikon televizor.

9. Celulari

Sipas psikologëve dhe pedagogëve gjermanë, fëmija mund të ketë celular normal, ku mund të shkruhen vetëm mesazhe, ndërsa smartfon, të mençur, vetëm nga mosha 12 vjeçare. Aty gjendet bota që prish fëmijët. Ashtu si nuk i lejohet të dalë nëpër qytet ku të dojë vetë, as interneti nuk duhet të jetë i qasshëm. Edhe pas kësaj moshe me faqe të bllokuara, që nuk janë për moshën e tij.9

Përdorimi i tepruar i celularit izolon fëmijën, e bën asocial dhe do ta dëmtojë në jetë, sepse do t’i mungojnë shumë çaste nga të cilat mëson lidhshmërinë dhe ndërvarjen emocionale, ku përgatitet për sfidat e jetës. Fatkeqësisht, sot shumë gjyshe gjenden në TikTok e shumë gjyshër në Facebook. Në raste të tilla, ajo shkëputje do të lërë pas vete një zbrazëti të madhe në socializimin familjar. Prindërit, duke rralluar kontaktin me gjyshin dhe gjyshen e fëmijës, për shkak të kohës që investojnë në jetën virtuale, do t’i mësojnë fëmijët si të shpërfillin ata vetë. Menaxhimi i kohës kërkon sot mençuri të madhe.

Mësimet e rëndësishme për jetën, si ato nga psikologjia, duhet të mësohen në klasën e katërt me gjuhë të thjeshtë, të përsëritet në klasën e tetë dhe në fund të vitit shkollor të shkollës së mesme. Dy herët e fundit i shtohen edhe mësimet për deklarimin e tatimeve dhe përgjegjësinë për shoqërinë. Kontributi i tij është kontribut për ardhmërinë, për lumturinë e prindërve dhe fëmijëve të vet. Shkolla të mos ketë më shumë pushim sesa profesionet e tjera. Verës mund t’i shkurtohet orari, por jo të mbyllet shkolla. Mbyllja e saj është qëndrim mospërfillës dhe shprehje arrogancë. Kultivim injorance.

Jeta është shumë e shkurtër për të humbur kohën sipas dëshirave të huaja, duke na i ndaluar ato që kemi predispozita gjenetike dhe pasion. Fëmija nuk është USB ku mund të instalohet çdo gjë. Ne nuk kemi kohë të humbim me mësime që nuk na duhen kurrë në jetë. Shumë tema duhet trajtuar vetëm në mënyrë informative, por ato që duhen për jetën, duhet të përvetësohen mirë. Ashtu si një zejtari që i duhen veglat e punës, ashtu i duhen fëmijës veglat për ta përballuar sfidat e jetës.

Ajo/ai që shkon në shkollë profesionale, duhet të mësojë dy-tri profesione. Është humbje kohe tri vjet të humbasë për floktarë apo shitës, pa i shtuar së paku edhe një zeje tjetër. Kjo vlen edhe për arsimtarët. Ata duhet të specializohen për së paku dy-tri lëndë, jo vetëm për një.

10. Duhen një lëndë e re

„Jeta, problemet dhe lumturia.” Aty duhet të mësohen ato temat e përmendura më lart. Fëmija duhet të mësojë si të ndërtojë një jetë të lumtur. Ai duhet të ndihmojë në shtëpi; aty nis jeta sociale, jo një të punojë, të tjerët të shikojnë në celular. Nëna nuk është skllave, as motra. Klasa duhet mbajtur e pastër. Nxënësit në Japoni e pastrojnë kur mbarojnë mësimet. Jo për ta ndihmuar pastruesin, por për të mënjanuar pasojat e veta.

11. Umberto Eco

Duhet mësuar gatimi, ushqimet e shëndetshme, interneti, faqet e rrezikshme për moshën e tyre. Të njoftohen nxënësit në shkollë me vërshimi e sharlatanëve, budallenjve, siç i quan Umberto Eco dhe t’u mësohet përdorimi i internetit dhe faqeve serioze.10

Ne kemi lënë rininë pa kujdestari dhe kjo mungesë do të na kushtojë shumë nesër. Dija e gabueshme dëmton më shumë se mosdija. Sharlatanizmi po luan rolin kryesor në internet.

A ka edhe mundësi tjera?

Po, ka, sepse ka përvoja të tjera. Ka vende që zënë pesë vendet e para në PISA. Atje mund të dërgohen disa delegacione për të mësuar prej tyre, edhe pse rekomandimet e mësipërme janë shumë të nevojshme për jetën e njeriut dhe të domosdoshme për një shoqëri moderne. Por nëse nuk janë të zbatueshme, atëherë na ndihmon Konfuci:

“Ekzistojnë tri mënyra për të mësuar si të bëhesh i mençur: e para, përmes përsiatjes, dhe është mënyra më fisnike; e dyta, përmes imitimit, dhe kjo është metoda më e lehtë; e treta, përmes përvojës, dhe kjo është metoda më e hidhur.” Ne tani gjendemi te e treta.

Vendet e fundit në PISA mund të fitohen edhe pa shkuar fare në shkollë.

Si mësojmë sot, ashtu do të jetojmë nesër.

Rendet politike po ndryshojnë, njerëzit po arratisen me një patriotizëm pompoz folklorik. Ne ikim me flamuj në dorë, por fëmijët tanë apo nipërit do ta harrojnë edhe atë. Kjo është normale. Sipas sociologëve, të gjithë asimilohemi në brezin e katërt. Përjashtim kanë bërë hebrenjtë, për shkak se judaizmi është njëkohësisht fe dhe komb.

Para moshës 18 vjeç, askujt të mos i lejohet braktisja e shkollës. Vendet skandinave janë ndër 15 vendet e para në Evropë për arsim. Finlanda është e katërta, Danimarka e pesta, Suedia e teta dhe Norvegjia e 15-ta.

Në fund, po i shtoj kësaj sprove Ligjin e Jantes, të cilin, kur e pata lexuar, më ishte dukur sikur shkrimtari Aksel Sandemose e kishte shkruar për shumë bindje të mia.

Ato rregulla gjenden në romanin “Një refugjat kryqëzon gjurmët e veta”, i shkruar në vitin 1933. Ligji i Jantes përbëhet nga disa norma, rregulla të pashkruara që theksojnë barazinë dhe modestinë në shoqëri. Qyteti fiktiv i Jantes në roman është simboli i atyre rregullave. Ato janë:

1. Ti nuk duhet të besosh se je diçka i veçantë.

2. Ti nuk duhet të besosh se ke vlerë sa ne.

3. Ti nuk duhet të besosh se je më i mençur se ne.

4. Ti nuk duhet të besosh se je më i mirë se ne.

5. Ti nuk duhet të besosh se di më shumë se ne.

6. Ti nuk duhet të besosh se je më shumë se ne.

7. Ti nuk duhet të besosh se je i aftë për diçka.

8. Ti nuk duhet të na përqeshësh.

9. Ti nuk duhet të besosh se dikush kujdeset për ty.

10. Ti nuk duhet të besosh se mund të na mësosh neve diçka.

Në roman i shtohet pastaj edhe e njëmbëdhjeta: Mos beso se ne nuk dimë asgjë për ty.

Ligji i Jantes është një koncept kulturor i njohur në vendet nordike dhe shpesh citohet në diskutimet rreth normave shoqërore dhe tendencës për barazi dhe drejtësi në ato shoqëri. Shpesh kritikohet për demotivimin ose zhdukjen e ambicieve, por atje njerëzit ndihen të lumtur dhe kanë një sistem arsimor shumë të avancuar.

Duket se ato koncepte janë demotivuese, por urdhëresat kanë për qëllim vetëm të zhdukin egoizmin arrogant dhe mbivlerësimin. Kur unë mendoj se nuk jam asgjë, atëherë përpiqem të jem dikush, pa besuar kurrë se jam mbi të tjerët. Në ato urdhëresa tregohet se besimi mund të dëmtojë njeriun dhe shoqërinë. Vendet më të lumtura të botës në vitin 2024 janë: Finlanda e para, Danimarka e dyta, Islanda e treta, Suedia e katërta, Izraeli i pesti, Holanda e gjashta dhe Norvegjia e shtata. Vendet skandinave janë të parat, deri te e shtata, me modestinë e tyre.

Nëse niset një reformë, fillimisht arsimtarët do të alarmohen, më pas do të ankohen për ngarkesën e madhe të punës, duke fajësuar të miturit dhe prindërit për çdo dështim. Pak më vonë, ata do të fillojnë të flasin me veten dhe të mendojnë për sfidat që kanë përballuar, derisa më në fund do të kuptojnë se një reformë e tillë do të sjellë përfitime për shoqërinë, por edhe për ta vetë. Për momentin, ata paguhen pak, por shpesh ndihen të kënaqur me rutinën e krijuar dhe janë të lazdruar shumë në mënyrën e tyre të punës. Megjithatë, do të kenë mundësinë të shohin se ndryshimet do të çojnë në përmirësime të mëdha, të cilat do të reflektohen edhe në jetën e tyre profesionale dhe personale.

“Para adoleshencës, e mundshmja është një rast i veçantë i realitetit, pas kësaj është realiteti që bëhet një rast i veçantë i mundshmes.”11 J. Piaget, Psikologjia e fëmijës, 1966.

PS. Qëllimi im nuk është të tregoj se kam të drejtë, por të shpreh shqetësimin për sistemin arsimor aktual. Ky sistem u merr fëmijëve shumë kohë, por shpesh u ofron dije të pamjaftueshme dhe jo gjithmonë të nevojshme për jetën e tyre. Këtë shkrim e kam filluar dhe lënë mënjanë më shumë se një dekadë më parë. Gjatë një bisede me profesorin e nderuar Ilir Yzeiri, ai përmendi disa fakte që më rikujtuan këtë temë. Nëse ky shkrim është i dobishëm, është edhe meritë e tij që më ndihmoi të rishoh këtë çështje…

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu